Cikël poetik nga Dibran Demaku

Kultura

Cikël poetik nga Dibran Demaku

Nga: Dibran Demaku Më: 13 prill 2019 Në ora: 15:59
Dibran Demaku

Atdheu

Atdheu në emër të atit të birit e të shpirtit të shenjtë 
kur për engjëllin e lindur vie pagëzimi
Atdheu në emër të atit të birit e të shpirtit të shenjtë 
kur për emër e tokën e të parëve bie trimi

Cungu

Në të e mbi të shumë drurë ishin prerë
as dhëmbje as keqardhje nuk kishte ndjerë 

Gjithnjë menduar kishte se duke rralluar fisin
ata që bënin krim atij i hiqnin plisin

Në fund të dimrit nga sëpatë e njejtë ishte çarë
pa nam e pa nishan përfunduar kishte në zjarr

Hije

Hije nuk është vetëm te e qiellit
hije nuk është vetëm eklips i diellit

Hije nuk është vetëm degë e lisit
hije nuk është vetëm mbulesë e plisit

Hije është edhe fjalë e përbiruar ndër dhëmbë
hije është edhe dinjiteti i shkelur me këmbë

Herë-herë 

Herë më prite herë të prita
në teh drite u thye dita

Herë më erdhe herë të erdha 
zog në çerdhe lotin derdha

Herë më ike herë të ika
ëndërr gjumi pika-pika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat