Lura, mal më vete 

Kultura

Lura, mal më vete 

Nga: Gëzim Loka Më: 15 prill 2019 Në ora: 21:56
Gëzim Loka

E veçuar gjeografikisht,mes maleve të lartë e të hijshëm, mes një bimësie me një diversitet tronditës, mes katarakteve alpinë  dhe ujëvarave mrekullore, Lura është jo vetëm një kryevepër e skalitur nga natyra, por dhe një mrekulli e shpirtit njerëzor dhe kodeve zakonore të mbijetësës historike.

Kjo trevë të cilën vetë natyra e ka falur në formën e një kështjelle natyrore, plot ujëvara, katarakte, rrjedha alpine, por dhe me madhështinë e vetë shpirtit njerëzor, është një thesar natyre dhe shpirti njerëzor, një pasuri materiale dhe shpirtërore, që duhet vjelur dhe vënë në efiçensë.

Dibra ka Nëntë male, shtatë teqe dhe katër oxhqe. Ka dhe Kanunin e Skënderbeut, që iu ka prirë dibranëve në luftë e paqe, në kushtet e mungesës së shtetit ose të një shteti të dobët e të pamundur për të ushtruar ndikimin e tij në male.

Lura është bajrak më vete, mal më vete. Nuk është qeverisur nga kanuni, por nga karararet e Dheut Lurian. Ata janë kode bese e nderi, kulla virtyti e dinjiteti, tempuj ku peshohet e drejta dhe e vërteta gjen vendin që i takon.

Luriani mat shtatë herë e pret një herë, e flet fjalën me vend dhe në kohën e duhur, di të mbajë fjalën e dhënë, edhe nëse i duhet për këtë të sakrifikojë.

Hija e Lurës ka qenë një hije e rëndë mbi nëntë malet, shtatë teqet e katër oxhaqet, pasi në Lurë mendja kishte vendndodhjen e përhershme dhe kullat luriane ishin tymtarë  drejtësie e lirie.

Bajrak Dibra nuk ka pasur, ajo kishte mbi nëntë malet, shtatë teqet dhe katër oxhaqet  dhe Bajrakun e Lurës, mal më vete, dituri e marifet më vete, por që i bënte nder Dibrës dhe gjithë shqiptarisë.

Lura ndikonte me hijen e madhështisë dhe mençurisë së vet jo vetëm Dibrën, të cilës i ka pëkitur denbabaden e mot pas moti, por edhe Mirditën, me të cilën ndante kufijtë dhe mendësitë, edhe Lumën, me gjithë peshën e historisë së saj të fortë e të trazuar.

E ndodhur në kufi të trevave me mendësi e tradita të ndryshme, Lura ka qenë dhe mbetet një lubrifikuese e fjalës së mençur dhe veprimit të drejtë, mali që qëndron më vete dhe iu jep rrezatim e hijeshi nëntë maleve të Dibrës, shtatë teqeve dhe katër oxhaqeve, që vijnë nga humnerat e thepisura të historisë dhe shkojnë drejt përjetësisë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat