Vëllimi poetik, ”Hija që më rri varur“, sublimin i vlerave të vargut poetik të Mikel Gojanit

Kultura

Vëllimi poetik, ”Hija që më rri varur“, sublimin i vlerave të vargut poetik të Mikel Gojanit

Nga: Lek Mrijaj Më: 17 prill 2019 Në ora: 11:49
Kopertina e librit

Poetin Mikel Gojani pa dyshim është një krijues shumë i njohur për lexuesin tonë. Ka dekada të tëra që në fillim e njoh si një mësues të gjuhës të gjuhës shqipe dhe pastaj si një krijues të letërsisë shqipe. Njëkohësisht ka vite që me të takohemi për çdo ditë dhe gjithnjë së bashku shtjellojmë e trajtojmë tematika të sferave të ndryshme. Në veçanti prekim tematika të natyrës së letërsisë, artit, dhe të kulturës sonë shqiptare.

Gojani si një krijues i moderuar i përmbi katër dekadave ka të botuara shumë e shumë libra të zhanreve të ndryshme letrare, si romane, prozë, monografi dhe të tjera vëllime me poezi të cilat janë të shkruara artistikisht me një stil të mirë në gjuhë standarde letrare shqipe me gjini lirike, për tematikat e këtyre poezive të këtij vëllimi poetik, ”Hija që më rri varur“, që tashmë e kemi në duar, shtrihet që nga e thjeshta, e dukshmja, e prekshmja, deri tek universi, tamam aty ku bashkohen në imagjinatë përmes shkronjave të bukura dhe të tëra ato hynë dhe ndërkohën në poezi. Pra, edhe universi është burim frymëzimi për vetë krijuesin. Që do të thotë se poezitë e këtij krijuesi kanë një metaforë të thellë me tematikë të qartë me mjaft energji pozitive, ndjeshmëri dhe origjinalitet dhe se përmbledhjen e vëllimit të tij e pasurojnë tej mase në planin referencial të tekstit poetik. Ky vëllim është gjithsesi një kurorë e deritashme e shkrimit poetik të Mikel Gojanit.

Në vëllimin poetik, ”Hija që më rri varur“, poeti Mikel Gojani, hynë në botën e njerëzve dhe qartësi, i cili përmes vargjeve te tija bashkëbisedon me fjalë të mbushura me kolori ngjyrash e figura stolisura e specifike, si ylberi ku përmes ylberit, poeti ju sjell lexuesve plot poezi tok të mbledhura rreth një abetare. Pra, poeti i brumosur, me atdhedashuri dhe me karaktere tipike njerëzore përpiqet që talentin e tij artistik letrar ta shkrijë në tematika të vendit të tij, t’i zbukurojë trojet dhe jetën e popullit të tij përmes poezisë në dhënie të mesazheve optimiste dhe estetikë letrare.

Është një vepër voluminoze me poezi sublime, të ëmbla që grish lexuesin dhe leximi i tyre bën të ndihet mirë çdo moshë. Gojani, është ndër lirikët më të mirë ku lexuesi, duke lexuar poezitë e tij ndien në brendësi çdo fjalë - perlë. Vepra më e re e tij mban titullin, ”Hija që më rri varur“, e cila ngërthen 42 poezi, ku secila nga ato qëndron si kala e fuqishme në vete. Në të vërtetë në poezitë e artikuluara në këtë libër ndjehet aroma e jetës, atdhetarizmit njëkohësisht përjetohen emocionet apo dridhjet e zemrës për kohën e sotme. Kohë e cila po merr kahe kaotike për shqiptarët, pra poezitë e tëra të tij edhe janë të stërmbushura me sharmë dhe ngjyrat e jetës, që do të thotë me një shpirt të butë lirik.

Poezitë e vëllimit të tij janë të ndërtuara me vargje strofëshe, ka nga ato dhe me disa rreshta veç e veç me disa strofëshe. Poeti Gojani është një nga poetët që di të gdhendë dashurin gjithëpërfshirëse në poezi, pikërisht edhe t’i thyejë tabutë. Të gjitha poezitë e tija edhe ato metaforike mund të shijohen si një nektar lirik i çdo luleje të nxjerrë nga kopshti shpirtëror. Ai e shkrin të tërën duke i dhënë frymë, gjak, sy, vesh vargjeve të tij që nga fillimi i këtij vëllim poetik “Kujtime të bukura” deri te poezia e fundit “Stuhitë, deti, dielli...”.

Autori është mjeshtër i vargut metaforik, i manifestimit të emocionit dhe ndjenjës së rrallë. Ylberi piktoresk, mëmëdheu, miku i tij, mbesat, heroi, dashuria, muza(frymëzimi), janë këto penjtë e ndritur me të cilat autori Gojani thur kombinueshëm të pasurën vepër ”Hija që më rri varur“. Ai me një mjeshtri poetike kap kujtimet shtegtuese në atdheun e tij, të miqve, pra siç e potencuam edhe me sipër krijon një mozaik ngjyrash jete. Melodia ritmike shpeshherë dridh ndjenjat me fisnike që shpërfaq poeti.

Titulli i vëllimit poetik ”Hija që më rri varur“ është një gjetje e vërtetë e autorit që përkon më së shumti me poezitë e këtij vëllimi, të cilat sigurisht që janë hije metaforash poetike të gjetura nga thellësia e shpirtit dhe që rrezatojnë deri te lexuesi.

Ky vëllim poetik iu dedikohet tri mbesave të t’ia fort të dashura që jetojnë në mërgatë Kleas, Klarës (Vjenë-Austri) dhe Erikës (Dijon–Francë), me të cilin autori në fjalë me plotë mall iu dedikon mbesave të tij që janë ushqimi i tij shpirtëror të të cilat janë të baras të vlefshme më shumë se çdo gjë tjetër, më shumë se tërë pasuria botës.

Poeti Gojani përmes poezive, “Për ku, në ç’vis”, “Pesha e mallit”, “Gëzim i heshtur”, “Dy dashuri”, “Tri thesaret e mia, që kaptojnë kah lartësitë qiellore”, pra poezi dedikuar mbesave bën shkëmbim dashurie në mes tyre i bënë ata të lidhen me sinqeritetin më të lartë në mes tyre.

Poeti Mikel Gojani këtë vëllim poetik e nis me poezinë dedikuar nënës së tij, e cila titullohet “Kujtime të bukura”, poezi ku përshkohen mesazhe të fuqishme, të cilat mbëltojnë kujtime, dashuri dhe sinqeritet, urtësi e me këto s’bashku, poeti na forcon me zërin e tij, se si duhet krijuar e ndërtuar vlerat e njerëzores dhe të amësisë sonë, që janë alfa dhe omega e jetës dhe e secilit njeri mbi dhe. Duke u bazuar në këtë, z. Gojani na sjellë vargje e rreshta vargjesh plotë mesazh e filozofi të thjeshtë, por shumë të fuqishme dhe të qëlluar:

“Nënat tona burim frymëzimi, për çdo varg/, për çdo poezi,/ për çdo libër./ Fletëza ditari ruhen në kujtime…”

Poezia “Psherëtimë për mixhën” është një poezi tjetër me të cilin poeti i dedikon axhës së tij, Prend Gojanit, i rënë martir në Altarin e Atdheut në vitin 1948 në Luginën e Bokshiqit. Pikërisht është vrarë nga dora gjakatare serbe, duke mbetur emër i pashuar ne kujtesën e tij dhe të popullit shqiptar ndaj edhe me afsh i bën lutje Selisë Hyjnore dhe me frymën e thellë dhe duke e nxjerrë at frymë me forcë:

“Ah, or mixhë i shkret,/Po përcjell këtë psherëtimë,/ që eshtra të tua të prehen në atë luginë./ Pusho i qetë,/ or mixhë,/ në Selinë Hyjnore...”

Autori është munduar përmes magjisë së fjalës dhe komunikimit lirik herë real, herë imagjinativ të ngrehë në piedestal veprën e legjendarit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Legjendë, i cili në fusha e beteja të ndryshme i ka dhënë Shqipërisë shpëtim dhe bashkim deri të mbajtja e një Kuvendi-Besëlidhje të Lezhës. Kjo poezi është një poezi që pak a shumë i përket natyrës dokumentare, me metafora, simbole e personazhe kryesisht reale brenda së cilës poeti në këtë poezi ka derdhur frymëzim në vargje, që rrëfejnë legjendën, heroizmin, trimërinë dhe ndjesinë e thekur të Skënderbeut. Pra, sipas poetit vet Skënderbeu ndjehet mirë mbasi pas shumë shekujsh kthehet në Kosovën e dashur dhe se siç e përshkruan poeti, ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët Kjo strofë e kësaj poezie, që po e përmendim, jo vetëm që dëshmon forcën poetike të autorit, por dëshmon edhe ngjarjet historike të popullit tonë:

"… dhe qielli i saj, nga i mugët,/ të kthehet në një blu të hapur,/ të pastër,/ plot jetë!/ Shpirti i poetit vuan e lëngon kur lëngon Atdheu,/ por ditë më të mira do vijnë...!

Poezitë e Gojanit janë të gërshetuara mire njëkohësisht janë me rimë melodike që vërtetë e kënaq veshin e lexuesit, p.sh. në te poezia “Tirana ime”është një poezi e bukur, e cila sa mban pak pjesë të realitetit aq edhe kombinohet me një mesazh dhe meditacion filozofik: “Sot në Tiranën time dëgjoj i dashuruar, këngën e bilbilit. Nuhas aromën, e luleborës dhe trëndafilit.” Pikërisht këtu autori ka përdorur një gjuhë të pasur me figura stilistike të ndryshme, të cilat i sjellin poezisë freski, melodi ashtu siç cicërojnë zogjtë në mal.

Andaj, me në fund mund ta themi se këtë vëllimi poetik që tashmë po merr në dorë lexuesi, pa dyshim ka shumëçka specifike e origjinale. Aty lexuesi edhe në shumë poezi të tjera do zbuloj një shpirt të trazuar, shpirt që e shpijnë ngado erërat porsi zogjtë, por, i cili, megjithatë, di të mbahet fort me forcën e tij shpirtërore, me dashurinë e pakufishme ndaj fëmijëve, prindërve, të të afërmeve të tij, dëshmorëve, rilindësve e përgjithësisht ndaj atdheut e Njeriut përgjithësisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat