"Zonja misterioze" dëshmi e historisë së trishtuar të së kaluarës sonë

Kultura

"Zonja misterioze" dëshmi e historisë së trishtuar të së kaluarës sonë

Më: 17 prill 2019 Në ora: 14:50
Është promovuar sot romani "Zonja misterioze" i autores nga Tirana Lola Shehi - Çela

Është promovuar sot romani "Zonja misterioze" i autores nga Tirana Lola Shehi - Çela, që për temë ka dhunimin e femrave në Kosovë gjatë luftës, që po vlerësohet se duhet të përkthehet në mënyrë që gjithandej në botë të mësohet për gruan shqiptare në Kosovë.

Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albena Reshitaj, tha se derisa të shërohen plagët dhe përderisa faji të bartet herë në njërën anë e herë në tjetrën, asnjëherë nuk do të arrihet paqja në Ballkan.

Reshitaj: Ky roman, dëshmi e historisë së trishtuar të së kaluarës sonë

“Ky roman është një dokument i rëndësishëm i historisë së trishtuar të së kaluarës tonë të përbashkët. E nderuara autore, vepra juaj lë dëshminë që këto histori i kemi përjetuar bashkë si komb dhe pasojat e tyre po i bartim bashkë si njerëz. Si qeveri, përmes institucioneve gjegjëse, po mundohemi ‘i japim hapësirën e duhur trajtimit adekuat dhe meritor viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në vendin tonë”, tha ajo.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se viktimat e dhunës seksuale, kanë paguar më së shtrenjti çmimin e një luftë të padrejtë.

Reçica: Të ndëshkohen kryerësit e krimeve 

“Edhe sot, pas kaq shumë vitesh nga përfundimi i luftës, kjo plagë ende dhemb dhe këto viktima ende janë në kërkim të drejtësisë, në kërkim të trajtimit meritor, të mos stigmatizimit, të ofrimit të qasjes në shoqëri, punësim dhe mbi të gjitha në integrimin e mirëfilltë të tyre. Kryerësit e krimeve ende mbeten të pandëshkuar dhe drejtësia vazhdon të ngelet e mohuar. Të nderuar të pranishëm, dhuna seksuale e ushtruar ndaj këtyre viktimave, nuk është vetëm brengë e tyre, është breng dhe obligim i gjithsecilit nga ne që t’iu qëndrojmë afër”, u shpreh ai.

Flora Brovina, recensent e librit, foli për vështirësitë e grave të dhunuara gjatë luftës. Ajo prezantoi një fotografi të një fëmije të dhunuar, teksa tha se krejt kjo që ka ngjarë në Kosovë është një histori e trishtë dhe një dëshmi edhe për Gjykatën e Hagës.

Brovina: Fëmijën 7-vjeçar e mbytën duke e dhunuar

“Do t’ju lusja për një moment, ta shihni nga telefoni im një foto, është fëmijë 7-vjeçar. E dhunuan dhe e mbytën nga dhunimi. Ja, ajo nuk mund të flet, por do të flasim ne. A kemi folur? Nuk do të pajtohem me askënd qoftë nga qeveria, qoftë nga ministria, qoftë nga ju që nuk kemi folur. Gratë kanë folur, por nuk janë dëgjuar. Ka qenë vështirë të dëgjosh ato, pasi zëri i tyre ka qenë i ndrydhur, i mbytur, i shkelur, i dhunuar. Punoj qe 20 vjet me gratë e dhunuar, dhe kujtoj, në jetën time s’ka diçka më të vështirë, sepse përjetimet e tyre janë jashtëzakonisht  të vështira”, tha ajo.

Brovina kujtoi se ka plot gra viktima të dhunës seksuale në Kosovë, që kanë dorëzuar dëshmitë në EULEX, por ky i fundit ka heshtur, së bashku me prokurorinë e vendit.

Ndërsa autorja e librit, Lola Shehi-Çela, falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan për botimin e tij.

Shehi-Çela: Ka pasur edhe djem që kanë vuajtur po aq sa gratë

“Këtu folëm vetëm për gratë, ndërsa ka pasur edhe djem të Kosovës që kanë vuajtur po aq shumë sa gratë e dhunuara”, u shpreh ajo.

Bazuar në historinë e një djali, ajo ka lexuar para të pranishmëve një poezi, të cilën e kishte shkruar para tre vjetësh pikërisht për këtë rast. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat