Përkujtohet jeta dhe vepra e artistit Sherif Beqa (1941 – 2009) - Bota Sot
Përkujtohet jeta dhe vepra e artistit Sherif Beqa (1941 – 2009)

Kultura

Përkujtohet jeta dhe vepra e artistit Sherif Beqa (1941 – 2009)

Më: 18 prill 2019 Në ora: 16:04
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të enjten më 17, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, nën tingujt e kitarës u bë hapja solemne e manifestimit kushtuar përvjetorit të dhjetë të vdekjes së piktorit, artistit, mësuesit, pedagogut e atdhetarit Sherif Beqa. Me rastin e shënimit të këtij përvjetori, i pranishëm ishte kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, nënkryetari Rrahman Jakupi, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Lumni Amrushi, personalitete tjera nga jeta shoqërore e politike si dhe familjarë, shokë e miq të artistit Sherif Beqa.

Për të përshëndetur kontributin e artistit dhe atdhetarit Sherif Beqa, në këtë përvjetor foli kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli i cili tha se 10-vjetori i vdekjes së profesorit të nderuar, artistit Sherif Beqa më kujtojnë jo më shumë se 10 vite në kuptimin e afërsisë që kemi pas, mirëpo ndjenjat tona sot janë të përziera mes atyre të dhembjes që kemi për profesorin e artistin që sot nuk është në mesin tonë por sot njëherit kemi edhe ndjenjat e krenarisë se ai na dhuroi neve si qytet, por edhe si shoqëri vepra përmes të cilave në vazhdimësi dhe në përjetësi do të komunikojnë me artistin. “Kam pasur rastin që të njoh nga afër Sherif Beqën, në cilësinë e pedagogut si bashkëpunëtor, pastaj në cilësinë e politikës, përkatësisht në fillet e pasluftës ruaj kujtimet më të mira për pedagogun, artistin, profesorin, për pjesën e jetës së tij publike dhe politike që në këtë rast me veprën e tij, na bënë që sot, të kujtojmë se mbrapa vetes ka lënë një familje shumë të respektueshme, me një numër të madh të veprave në shumë sfera, por ajo që e diferencon apo më mirë me thënë që e dallon atë është piktura, ku ai me ëndje e shumë dëshirë ka shkrirë gjithë talentin e tij”, tha kryetari Ismajli. Në vazhdim të fjalimit të tij, kryetari Ismajli tha se një veprimtar si Sherif Beqa e tregon edhe njëherë profilin më të mirë, i cili përçon mesazhin më të mirë për ne që jemi gjallë se jeta para nesh gjithmonë është sfidë, por varësisht prej sfidës dhe mundësisë. “Pra, mundësitë të cilat i kemi po aq duhet t’i shfrytëzojmë sepse mund të ndërtojmë vepra, të cilat pastaj na bëjnë që të mos vdesim kurrë por vetëm të ndërrojmë jetën në kuptimin biologjik, ndërsa veprat tona sikurse ne që sot kujtojmë veprat e artistit Sherif Beqa, do të jenë ato të cilat do të komunikojnë përherë jo vetëm me gjeneratë që jemi ne sot këtu dhe atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë, por do të jenë edhe gjeneratat tjera edhe pas nesh, breza të tërë, të cilët në vazhdimësi do të dinë të flasin dhe komunikojnë me artistin përmes veprave të artit”, tha në mes tjerash kryetari Ismajli.

Për jetën dhe veprën e artistit në këtë përvjetor, foli me shumë emocione pedagogu Banush Imeri, i cili tha se kam kujtime të shumta për piktorin shtimjan Sherif Beqa, për të cilin tregoi se ishte mësues, mësimdhënës i lëndës së artit figurativ, drejtor shumëvjeçar i shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime dhe nismëtar i shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive në komunën e Shtimes e më gjerë. Përveç kësaj, pedagogu Imeri potencoi se Sherifi ishte ndër piktorët e spikatur që pikturat e tij i ekspozoi në shumë vende të Kosovës, ishte anëtar i rregullt i Klubit të Artistëve Figurativ “Zef Kolombo” në Ferizaj. “Artistët e rinj shtimjanë që kanë studiuar në Fakultetin e Artit në Prishtinë dhe punëtorët e fushave të ndryshme të kulturës së këtij mjedisi duke vlerësuar punën e profesor Sherif Beqës si piktor dhe edukator për të nderuar punën e tij në fushën e artit, me iniciativën e Komunitetit të Artistëve të Shtimes dhe në përkrahje të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Shtimes, në qershor të vitit 2010 e themeluan Shoqatën e Artistëve të Shtimes dhe pagëzuan me emrin e piktorit dhe të veteranit të arsimit Sherif Beqa, me çka e nderuan atë, familjen dhe neve gjithë shokëve që e deshëm dhe e çmuan jo vetëm si artist por edhe si shok”, bëri të ditur profesori Imeri. Ai po ashtu tha se është një emocion i veçantë kur të flasësh për shokun, mikun, profesorin, pedagogun Sherif Beqa, veprat e të cilit vazhdojnë të mbajnë veten, vlerën e veçantë për artin, për arsimin, për kulturën, i cili ka lënë një kujtim të mirë si piktor, një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe të atdhedashurisë, tha ndër të tjera profesor Banush Imeri.

Ndërkaq, Hasan Abazi, ish-nxënës i profesorit Sherif Beqa, kishte ardhur enkas për të evokuar kujtime të rëndësishme të kohës siç ishte viti historik 1968, ku Sherif Beqa asokohe në Shtime ishte arsimtar i tij dhe i kishte dhënë art figurativ. Ai na thoshte: “Çka të ndieni në brendësi të shpirtit e vendos në letër”, tregon me mallëngjim Abazi. Në kujtimin kryesor që kam për te dhe që është e pashlyeshme në kujtesën time, spikat Abazi është takimi që kishim me grupin e Prishtinës, ku u ndava me Osman Dumoshin dhe për herë të parë mora një obligim të organizoi demonstratën në Ferizaj. Problem ishte se në dispozicion kishim vetëm tri ditë dhe të parin njeri që e takoi pas daljes nga Shkolla e Lartë Pedagogjike ishte Sherif Beqa, tregon Abazi. Ai më pas vazhdon rrëfimin interesant duke thënë se personi i parë, i cili më është bashkëngjitur në shkruarën e parullave dhe realizimin e demonstrative në Ferizaj, ishte pikërisht Sherif Beqa e më vonë edhe shokët tjerë. “Në atë mbrëmje, më 27 nëntor, Mervetja (bashkëshortja e Sherifit), me gjithë Sherifin erdhën të përgjakur në banesë, ku e kishin ndihmuar Murat Mehmetin, të vrarë nga forcat policore dhe ushtarake të asaj kohe në Prishtinë. Ishin zbehur të dytë nga dhimbja e madhe që kishte pllakosur dhe thanë se ai djalë ka vdekur”, tregon Abazi. Ajo çka i mungon sot kësaj hapje, thotë Abazi është portreti i Skënderbeut i pikturuar nga Sherif Beqa, natën e 25 nëntorit pas shkruarjës së parullave, ku për një kohë të gjatë e kemi pasur në banesë, përfundon Hasan Abazi.

Siç dihet artistët më së miri e njohin njëri-tjetrin ashtu siç ishin e bashkëbisedonin dikur piktori dhe regjisori, ku sot për të përkujtuar veprën dhe jetën e Sherif Beqës kishte ardhur profesori universitar, gjegjësisht regjisori Fadil Hysaj. Ai potencoi se e ka shumë vështirë për të folë për një njeri, me aq dimensione dhe aq kompleks në kuptimin motiv të fjalës për Sherif Beqën. “Kam qëndruar shumë me te dhe kam menduar se e njoh mirë dhe deri në fund nuk kam besuar që edhe deri sot do të jetë figura emblematike e jetës time”, tha Hysaj. Në vazhdim profesor Hysaj tregoi se personi që ka dëshiruar me qenë si ai gjithmonë si njëri është Sherifi, pra çdo minutë me qenë afër tij i inspiruar për jetën, për të bukurën, për artin, për kombin, për dashurinë e madhe që ai ka ditë me pikturuar, njeriu që na ka dhuruar shpirtin e tij, si inspirim artin, njeriu që nuk ka ditë me rrejt asnjëherë, kurrë, ishte Sherif Beqa, bëri të ditur në mes tjerash regjisori Hysaj.

Për të shënuar këtë përvjetor, ishte e pranishme edhe aktorja e mirënjohur kosovare, Safete Rugova, e cila tha se jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar një njeri të veçantë, në dhjetëvjetorin e kalimit të tij në amshim. “Për të përkujtuar një mësues, një pedagog, një edukator, një piktor, një arsimtar që i deshi nxënësit më shumë se vetveten, për të përkujtuar një baba që la pesë fëmijë të mrekullueshëm, për të përkujtuar një atdhetar që kurrë nuk e lëshoi nga dora 'Lahutën e Malcis’ të Gjergj Fishtës”, tha mes tjerash aktorja Rugova.

Ndërkaq, në emër të familjes Beqa foli vajza e Sherifit, mësimdhënësja e artit figurativ, Elvana Beqa-Avdiu e cila falënderoi të gjithë pjesëmarrësit duke thënë se babai ynë tashmë është i vdekur, kjo ekspozitë nuk ndikon në vullnetin e tij por do të ndikojë në emrin e tij se vepra nuk vdes kurrë. Ai ishte njeri i pasur, shumë i pasur dhe nga kjo pasuri që posedonte na dha këtë thesar. Ai na ushqeu me dashuri, dashuri të pastër njerëzore, përfundon arsimtarja Beqa-Avdiu.

Siç është paralajmëruar, gjatë tri ditëve (17 – 19 prill) do të jetë e hapur ekspozita në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ku qytetarët e interesuar do të kenë mundësinë të shijojnë artistikisht veprat e mrekullueshme të mjeshtërit të madh që veçohet me piktura të ndryshme, artisti Sherif Beqa, i cili me veprat e tij, e pasuroi historinë e artit pamor.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...