“Të mbijetosh përmes Ngjyrash”, ekspozitë e fëmijëve kosovarë

Kultura

“Të mbijetosh përmes Ngjyrash”, ekspozitë e fëmijëve kosovarë

Më: 19 prill 2019 Në ora: 22:52
Foto nga takimi

 “Mobilizimi i shqiptarëve për të ndihmuar kosovarët e dëbuar dëshmoi vlerat e një kombi të bashkuar. Kjo ekspozitë sot është dëshmi e kujtesës, e fëmijëve që i mbijetuan luftës, falë ndihmës së Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut ”- u shpreh Eridana Çano, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Dhuna dhe terrori serb detyroi mbi 600 mijë kosovarë të largohen nga trojet e tyre drejt Shqipërisë gjatë periudhës Qershor 1998 – Korrik 1999, e cila arriti pikën kulmore të dëbimeve në datën 16 prill 1999.

Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (QSHDNJ) organizoi 36 shkollat verore argëtuese, ku mësues dhe ekspertë të edukimit u angazhuan për rehabilitimin e fëmijëve kosovarë. Nga ky projekt përfituan rreth 40 mijë refugjatë në Tiranë e Durrës.

Mikpritja dhe ngrohtësia vëllazërore e popullit shqiptar lehtësoi sadopak dhimbjen dhe traumën që ata po përjetonin.

Gjurmët e traumës psikologjike shprehen qartazi  në shumë nga punimet e para të  vogëlushëve, traumë e cila gradualisht u arrit të mposhtej duke u zëvendësuar me vizatime gjithmonë e më optimiste, për një të ardhme në paqe dhe për një rikthim sa më të shpejtë në shtëpitë e tyre në Kosovë.

“Kosova na mbledh sot në këtë ekspozitë për të na treguar dëshirën e jetës dhe fuqinë e mbijetesës edhe në eksodin më të rëndë të historisë së saj”- u shpreh Kozara Kati, drejtuese e QSHDNJ.

Ndërsa Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës theksoi se “Kjo ekspozitë i kontribuon memories kolektive të Kosovës. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë pa kujtuar të shkuarën”.

Emocionuese pjesëmarrja e Merita Durakut në këtë ekspozitë me dy vizatime të krijuara në moshën 14- vjeçare. “Falenderoj të gjithë shqiptarët që na u gjendën pranë në momentet më të vështira të luftës dhe na dhanë shpresën për të jetuar përmës shkollave verore, të ngritura nga QSHDNJ. Ne mbijetuam falë shpresës që na dhatë të gjithë JU”- u shpreh e emocionuar Merita.

Në ditët e eksodit kosovar ndihmuan edhe shumë mësues dhe vullnetarë nga Kosova si Familja Sheremeti në Shkallnur, Familja Duraku nga Krusha e Madhe, Nesip Gashi nga Prizreni, të cilët u falenderuan nga të pranishmit për angazhimin  në shkollat verore dhe kontributin në rehabilitimin e një numri të madh të fëmijëve të traumatizuar kosovarë.

E vështira  e kësaj ekspozite është rrugëtimi i fëmijëve kosovarë nga përjetimi i ngjarjeve tragjike të luftës drejt shpresës dhe lirisë.

E përbashkët mbetet ëndrra për një vatër të ngrohtë dhe familjare në Kosovën e lirë.

Shtëpia- është vizatimi që do të shohim të ripërsëritet në çdo ngjyrë të hedhur nga fëmijët në këtë ekspozitë.

20 vjet më pas le t’ju urojmë këtyre Fëmijëve tashmë “Të rritur” një të ardhme të lumtur në trojet e tyre legjitime!

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD nga data 18 prill-5 maj 2019.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat