Popujt s’identifikohen kurrë me diktaturat

Kultura

Popujt s’identifikohen kurrë me diktaturat

Nga: Prof. Dr. Klara Kodra Më: 24 prill 2019 Në ora: 09:13
Prof. Dr. Klara Kodra

Më datë 8 prill 2019, në gazetën “X” lexova artikullin e Geri Selenicës “Pse duhet të  kemi mirënjohje  për Italinë fashiste” dhe nuk u zura besë syve.

Kaq shumë të jetë verbuar autori i këtij shkrimi nga urrejtja  kundër diktaturës së majtë  komuniste?

A thua të ketë harruar  se qoftë një diktaturë e majtë, qoftë  një e djathtë janë njësoj diktatura?

Që një pushtues mbetet pushtues  dhe s’mund  ta blejë lirinë e një populli tjetër, as me  ndërtime, as me shkolla, as me spitale?

Që dinjitetin  një popull e fiton  vetë me punë  dhe përpjekje  dhe askush s’mund  t’ia dhurojë?  (Autori i artikullit pretendon se Italia fashiste  i  paska dhënë  Shqipërisë  një  dinjitet  që s’paskej  pasur kurrë më parë !!)

Ai pohon se “Italia  fashiste  mori  vendimin  që Shqipërinë ta merrte  në krahun e saj dhe ta civilizonte, emanciponte (!!!)

Po me ç’të drejtë e paskej marrë këtë vendim?

Kush ia fali  asaj Shqipërinë?

Perëndia  që s’bën dallim  midis popujve  të mëdhenj e të vegjël që kanë  secili të drejtat e tyre?

(Ata që s’besojnë në perëndi mund t’i  referohen  nënës  natyrë, një  entitet njësoj  i paanshëm!)

Demokracitë europiane  që qëndruan  indiferentë  ndaj këtij veprimi arbitrar dhe të egër? (një indiferencë mizore!)

Vetë shqiptarët që, me gjithë pabarazinë e skajshme  të forcave  ushtarake, e mbrojtën lirinë e vet  me pikën e fundit  të gjakut, siç dëshmon  flijimi i Mujo Ulqinakut  dhe shokëve të tij ?

A  s’ia  kishin bërë  të njëjtën  pritje  Italisë fashiste, para  tre vjetëve, abisinasit  pushtuesit  “qytetërues”?

Shkruesja e këtyre radhëve  ka në dejtë e saj, përveç  gjakut shqiptar  të të atit, gjakun e së ëmës  italiane që erdhi në  atdheun e saj të dytë  në vitet 30-të, për të ndarë fatin  dhe vështirësitë  me njeriun që dashuronte, tim atë  që brodhi  si mësues  në qoshe  të ndryshme  të Shqipërisë (Korçë, Shkodër, Delvinë, Bilisht, sërish  Korçë,  mandej Tiranë), herë me rrogë, herë  pa rrogë, dhe s’reshti  kurrë  së edukuari  rininë  shqiptare, pasi  kishte studiuar  në Austri dhe në  Itali;  gjakun e nënës që  luftoi  me  penën e vet  bashkë me motrat  shqiptare  si  poete,  kritike,  përkthyese, në  një kohë kur gratë  ishin mbyllur  në vatrën  familjare, për emancipimin  e tyre dhe të vendit të  tyre që u bë  i saji, që i edukoi  vajzat e reja në shkollën pedagogjike ku pati kolege  motrën e Migjenit (janë ende  gjallë  nxënëse  të asaj  shkolle që e  mbajnë  mend  mësuesen e butë  dhe të dashur  Jolandë).

Prindërit e mi demokratë s’iu përulën  kurrë, as diktaturës së djathtë  fashiste, as diktaturës  komuniste, ndonëse  kjo e fundit e ndau nënën në të gjallë  nga atdheu  dhe njerëzit e saj dhe  ia shkurtoi  jetën përmes  mallit  të pashuar  që e shoqëroi  ndër vite. Megjithatë  deri në çastin e  fundit  nëna  ime luftoi që shkrimtarët e shquar  shqiptarë të  njiheshin nga Europa  në gjuhën e bukur  italiane.

“Populli i madh italian”, siç e quan autori  i artikullit, s’mund  të identifikohet  kurrsesi  me një diktaturë  të hekurt që  i çoi  në  burgje, kampe  përqendrimi dhe vdekje  shumë  nga bijtë e tij dhe i përdori  si mish  për top  shumë bij të tjerë në një  luftë  të çmendur, të  lindur  nga ambicia  e  çmendur e një diktatori.

Populli shqiptar nuk luftoi kurrsesi  kundër popullit vëlla italian, kulturën e të cilit e kishte  pasur  model, ndonëse u detyrua  të mbrohej  nga qeveria  fashiste. Këtë e provon  dashuria vëllazërore me të  cilën  shqiptarët  strehuan  ndër  vatrat e tyre  ish armiqtë  e mundur dhe i  mbrojtën me rrezikun  e jetës së vet nga  persekutimi nazist, me të  cilën  pranuan që një  pjesë  të italianëve të bashkohen  me ta  në luftën  kundër pushtuesve  hitlerianë, duke i rilindur kështu nderin  popullit të tyre.

Edhe në kohën e sotme  ka pasur  italianë  që kanë  pranuar  me bujari  në gjirin e tyre  emigrantët që largoheshin  nga Shqipëria e  munduar  dhe e  varfëruar në një  eksod  të dëshpëruar  dhe u dhanë  mundësi  integrimi.

Burri i motrës sime  dhe djali  im i adoptuar  i kanë  falur  Italisë  plot  njëzet  vjet jetë. Në Itali  kanë lindur  nipi  dhe mbesa ime.

Edhe sot  njerëzit  e mi  ruajnë respektin më të madh për popullin italian.

Edhe mua  më ka lidhur  me një urë të  fortë  me këtë  popull  dashuria për letërsinë  e arbëreshëve që janë  bij të  dy  kulturave, letërsi  për t’’i dhënë  dritë  së cilës  kam  bashkëpunuar  me universitetet italiane.

Dashuria  midis popujve  është më e  fortë  se të gjithë  diktaturat dhe  nacionalizmat  e skajshme  që mbjellin  urrejtjen midis tyre. Po kjo dashuri  nënkupton  respektin e ndërsjellë  të lirisë  dhe të drejtave  të secilit  popull.

Shqipëria e sotme  është  në një  kaos  të plotë politik, ideologjik, ekonomik, etik, e përfshirë  në një përçarje  ku nuk  dallohen më as  partitë e djathta, as partitë e majta  në luftën për pushtet.

Megjithatë atdheu  ynë ka  ende bij  të cilët  ia ruajnë  vlerat  tradicionale  të  besës dhe krenarisë  (besoj se nuk  shprehem  me retorikë nacionaliste).  Ata bij  janë  të vetëdijshëm  që nuk  shkohet  drejt Europës, duke  humbur  identitetin kombëtar apo duke  himnizuar  diktaturat e çdo lloji, po  duke luftuar  për ruajtjen  e pasurisë  sonë  shpirtërore  dhe kulturore,  për  gjuhën tonë të lashtë, origjinale dhe të bukur (që  mbetet e tillë  edhe pa  mitizimet  romantike) për  mbrojtjen  e të  drejtave  të popullit dhe jo  për  liderët  dhe  partitë e  ndryshme  dhe,  duke  respektuar  vlerat e popujve  të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat