Libri shqip - Bota Sot
Libri shqip

Kultura

Libri shqip

Naxhije Doçi Nga Naxhije Doçi Më 25 prill 2019 Në ora: 17:42
Ilustrim

Në kohë të rënda të fëmijërisë sime,

gjithsesi edhe në ato të rinisë së parë

rrëzë Gardhinës Plakë të Therandës trime

e lexoja krejtësisht fshehtas

librin e shenjtëruar shqip

shkruar në gjuhë të dëlirë përëndie

thesar magjik i lashtësisë sime në shtresime,

e gjysma e dytë e shekullit njëzet ishte

ngrysur thellë në mjegullnajë robërie.

              

Kur të gjithë në shtëpi flinin, lexoja

me dritën elektrike të përkufizuar

që të mos më dallonin nga jashtë

hijet e patrajta,

puthadorët zemërgurë të paguar,

nga verbëria e vet turpëruar,

nata përgjonte e mashtruar.

 

Ishte mëkat i pafalshëm atëherë,

bjeshkë e purpurtë guximi

të mbahej në shtëpi libri i mirëfilltë shqip

botim i flakëruar Shqipërie

e diasporë dashurie

se kohë mugu vazhdues ishte 

në Kosovën me gjemba trishti robëruar

nga pushtuesi barbar e shfarosës serb,

me izolim sizifi ishte ndëshkimi

dhe me refrene ngujimi.

 

Në bibliotekën familjare relikt e merrja

librin e ëndërruar shqip

sjellë nëpër kohë trishti sfidues

nga hapësira e përmallimit përballë

të trungut tim të ndarë

me dredhi e hangjar.

Pishtar gjyshi zulmëmadh dhe i përkushtuar

nga babai fjalartë pasuruar.

 

Krenari me flakërimë hirësie ndieja

librin shqip kur e lexoja

më dukej se krejt bota bëhej imja

edhe përtej së mundshmes,

epokat bënin fole të dehur në zemër

për madhështinë e dheut tim me emër.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...