Besimi i një nëne

Kultura

Besimi i një nëne

Nga: Lis Bukuroca Më: 4 maj 2019 Në ora: 09:09
Lis Bukuroca

Kjo ngjarje ka ndodhur më shumë se njëqind vjet më parë. Tomas ishte një çun i vogël kureshtar, i etur për njohuri të reja dhe mezi priste të shkonte në shkollë. Mirëpo, ai kishte edhe një të metë, sepse qysh nga lindja, nuk dëgjonte mirë. Ky ishte shkaku pse pastaj pati vështirësi në shkollë për të ndjekur shpjegimet dhe udhëzimet e mësuesve.

Një ditë prej ditësh drejtori i shkollës i dorëzoi një zarf të mbyllur, të cilin ai duhej t’ia dorëzonte nënës së vet. Kur nëna e tij lexoi letrën, lotët i rrodhën faqeve.

Tomasi i vogël i shqetësuar deshi të dinte se çfarë ishte shkruar në atë letër. Pas këmbënguljes së madhe, nëna i lexoi: "Djali Juaj ka aftësi të jashtëzakonshme. Në shkollën tonë na mungon mundësia për ta ndihmuar në zhvillimin dhe arsimimin e tij të tutjeshëm. Prandaj, ne ju lutemi të mësoni vetë birin tuaj."

Vite më vonë, Tomas u bë njohur në mbarë botën, sepse tani konsiderohej si një nga shpikësit më të mëdhenj të epokës së vet. Pas vdekjes së nënës, ai shikoi dokumentet e mbetura të saj dhe në një sirtar, në mes shumë letrave, gjeti edhe letrën, të cilën e kishte marrë nga shkolla si fëmijë.

 

Teksa e lexonte, i rrëshqitën lotët faqeve, ashtu siç i kishte ndodhur edhe nënës së tij, gjersa ia kishte lexuar letrën. Drejtori i shkollës kishte shkruar: "Djali Juaj nuk ka vetëm vështirësi për të dëgjuar, por ai ka edhe aftësi të kufizuara mendore. Kjo është arsyeja pse ne nuk mund ta mbajmë më në shkollën tonë!"

Nga gjermanishtja Lis Bukuroca

Po morali i kësaj rrëfenje?

Një gjykim i gabuar mund të dëmtojë një jetë. Një mosbesim shpëton një jetë. Shpesh të rriturit bëjnë gabime të asaj natyre, sa hedhin fëmijën nga binarët pa i dhënë fare mundësinë. Rasti i drejtorit dëshmon atë, por jo vetëm ai. Rrallë herë ndodh që shkolla, ku punojnë edukatorët, të ketë dalluar, të kenë nxjerrë në sipërfaqe dhe motivuar tutje shkrimtarët, poetët, këngëtarët, sportistët etj., por shpesh herë, arsimtarët kanë ndikuar pikërisht në shkurajimin e tyre. Prindërit duhet t’i marrin me shumë rezervë gjykimet e mësuesve. Ata nuk janë as pedagogë të mirëfilltë, as psikologë, as neurologë, por të aftësuar për një apo dy lëndë. Thjeshtë ata nuk janë specializuar për të dhënë diagnoza!

Gati çdo fëmijë ka një dhunti, që nuk e kanë shumë tjerë. Meqenëse nuk i zbulon shkolla, atëherë prindërit duhet ta bëjnë dhe ta stimulojnë pikërisht në atë fushë, në të cilën fëmija tregon interesim më të madh. Me profesionin kalohen më shumë se tridhjetë vite. Fëmija duhet të bëhet çfarë atij i pëlqen dhe çfarë profesioni do të ushtronte me kënaqësi. Jo çfarë dëshirojnë prindërit. Prindërit kanë pasur mundësinë e tyre apo e kanë akoma! Me rëndësi fëmija të mos mbetet pa profesion.    Nëse po, atëherë paaftësimi i fëmijës për një profesion është tregues se prindërit nuk kanë përmbushur detyrat themelore. Ata nuk kanë kuptuar rolin e tyre dhe dëmtojnë fëmijën e vet.

PS.

Qendra e Këshillimit Psikologjik për Shkollat e qarkut të Varendorfit, Gjermani, në internet informon për përqendrimin dhe dëshmon duke u bazuar në hulumtime, se ora e mësimit në shkollë, nuk i është përshtatur aftësive të përqendrimit të nxënësit, por të mësuesit. Ja tabela e Qendrës për mundësinë e përqendrimit:

 

Fëmija në moshën

 

Kohëzgjatja mesatare e përqendrimit

 

5 – 7 vjet

7 – 10 vjet

10 – 12 vjet

12 – 16 vjet

deri në 15 minuta

deri në 20

deri në 25 minuta

rreth 30 minuta

Edhe pse nuk ka të bëjë me tregimin e shkurtër, u soll kjo tabelë, sepse shumë herë fajësohen fëmijët për mungesë përqendrimi, por në faqen e Qendrës Psikologjike tregohet se ai varet edhe nga disa faktorë, si për shembull: a është tema interesante për fëmijën, a ndjehet sot mirë, a ka brenga ose frikë, niveli i dijes, a ka vështirësi, ambienti, çfarë ndodh tani rreth tij etj. Përveç të tjerash aty përmendet edhe sheqeri si pengues i përqendrimit. Qendra Psikologjike këshillon një ambient të qetë, që nuk ndikon në shpërqendrimin e tyre dhe të pinë vetëm ujë, e asnjë pije apo lëng, që mund të ketë sheqer. Në vend të limonadave këshillohen fruta, molla, dardha, rrush, banane, si dhe ajër të pastër dhe lëvizje. Frutat dhe oksigjeni ndikojnë pozitivisht në përqendrim. Limonadat dhe ëmbëlsirat nuk këshillohen as para se të shkohet në shkollë, as kur bëjnë detyrat e shtëpisë. Kur të kihet ato fakte parasysh, atëherë mund të thuhet se shkollat i kemi si kazerma, ku fëmijët më shumë zbuten, se sa mësojnë.

Në shkollat fillore mësuesi pas katër orëve kthehet në shtëpi dhe paguhet me orar të plotë, gjersa prindërit mësojnë në shtëpi me fëmijën e vet! Në vend se ata dy orë pas dite të ushtronin me ta.

Madje ata terrorizohen edhe në shkolla të mesme me lëndë, që fare nuk u interesojnë dhe duhet të shtiren tërë kohën, se po dëgjojnë me vëmendje! Vështirë të gjendet një njeri, që nuk ka braktisur shkollën i pa traumatizuar nga ndonjë lëndë mësimore! Jo vetëm te kohëzgjatja e orës shkollore kemi parasysh mundësitë e mësuesve, por për mbajtur të punësuar një mësues, nxënësit detyrohen detyrohen të mësojnë lëndë, që nuk do t’i nevojiten kurrë në jetë apo që do t’i harronin, sapo të dilnin nga shkolla. Dhunime të tilla nuk bëhen me të rriturit, pos në ushtri, ose në burg, sepse do të konsiderohej cenim i dinjitetit të njeriut! Nxënësi duhet të ketë të drejtë të zëvendësojë dy apo tri lëndë me dy apo tri tjera, që i nevojiten atij, jo që i duhen mësuesit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat