Arti gazmor i karikaturës    

Kultura

Arti gazmor i karikaturës    

Nga: Bujar Kapexhiu Më: 7 maj 2019 Në ora: 10:50
Juria

Traditë e bukur. Arti i karikaturës në Ferizaj. Për herë të parë një festival ndërkombëtar. Në pesë vjet një krijimtari e gjerë, autorë të ndryshëm, tematikë e larmishme, origjinale dhe një aktivitet artistik e kulturor dinjitoz që spektatorëve vizitorë të këtyre ekspozitave çdo vit u jep një mesazh pozitiv për progres shoqëror. 
Karikatura sintezë e artit, mençurisë dhe humorit. Në të gjithë artin figurativ, duke përmbledhur të gjitha zhanret e tij, abstragimin më të madh në simbolikë e ka arti i karikaturës, që me imazhin e saj përjeton ide të mëdha, shpesh edhe të skajshme, me një fuqi të pamatë.  

Image

Kjo bën që karikatura të çmohet shumë dhe, për më tepër, duke i dhënë një vlerësim të veçantë vetë autorëve karikaturistë, që shpesh me artin e tyre pa fjalë janë mendimtarë të shquar. Karikatura me dukurinë e saj mbijeton mes koncepteve politike dhe përplasjeve të ideologjive të mëdha, duke strukturuar mesazhin e saj me artin e humorit e të satirës, nxitur nga mendimi kritik, duke i siguruar vetes misionin e mbajtjes, ripërtëritjes dhe mbijetesës së të vërtetës. Arti i karikaturës, qysh në lindjen e saj në epokë të hershme, kur komunikimi bëhej me anë të figurës, është gatuar përherë në brendësi të saj me groteskun e hiperbolën, paraqitur me një fuqi inteligjence që nuk mbaron, as nuk qëndron në vend, por në vazhdimësi qartësohet e zhvillohet më tej pa ndërprerje, duke qëndruar përjetësisht midis negatives e pozitives, si krijesë e metaforës. Karikatura është një art delikat, sepse ka rrezikun që të shkojë në vulgaritet nëse mungojnë gjetjet artistike, nëse përsëriten pa kriter mjetet shprehëse; bie lehtësisht në rutinë, shabllonizëm e mediokritet. Kur me karikaturën nuk ndjell humorin, nuk arrin të prekësh ndjesinë, fantazinë dhe emocionin e publikut, atëherë je në një krijimtari shterpë e pa vlerë. Në këtë art, veçanërisht në zbulimin e problemit dhe zbërthimin humoristiko-satirik, duhet të zotërojë fuqia vëzhguese, perceptuese, analitike dhe abstraguese me një kulturë të lartë. Arti i humorit është privilegj i të mençurve. Kur sheh një karikaturë, kupton një të vërtetë. Karikatura me art e inteligjencë godet fenomenet negative, kundërshton regresiven, tallet e përqesh të keqen, ironizon të shëmtuarën, duke shtuar në këtë proces në mos të qeshurën, të paktën buzëqeshjen, që nënvizon të mirën, të bukurën, të pranueshmen, pozitiven e progresiven.

Image

Karikatura me brendësinë e paraqitjen e saj reflekton te shikuesi mirësi, inteligjencë, origjinalitet në këndin e vështrimit të problemit, dashamirësi, rrugëdalje, e të gjitha këto duke përjashtuar dukuritë negative pa fyerje, pa sharje, pa denigrim, por vetëm e vetëm me një përqasje paqësore e miqësore, duke i qëndruar besnik të vërtetës. Kjo formë do të sjellë me siguri atë marrëdhënie komode e të lavdërueshme midis karikaturës si krijim artistik dhe shikuesit si konsumator i saj, që përfundon në një të qeshur. Karikaturisti, jo vetëm si artist, por si qytetar me misionin e tij si humanist, ndodhet gjithmonë aty ku gjërat çalojnë, problemet përkeqësohen, fenomenet degradojnë, që më pas me artin e tij, humorin dhe satirën, mundohet t’i korrigjojë duke i thumbuar, tallur, ironizuar me qëndrimin e vet kurajoz, me mençuri, si njeri fisnik që të fal miqësi dhe buzëqeshje. Karikaturistët me artin e tyre të befasojnë, me mënyrën konceptuale të shprehjes së ngjarjes, aktit, veprimit, dukurisë apo fenomenit. Metaforat e kompozicionit janë të këndshme e mbi të gjitha komunikuese me çdo shikues. Një shoqëri që e pranon pa ndrojtje, por me dashamirësi artin e karikaturës, pra humorin dhe satirën, është në një shkallë kulture e civilizimi të lartë. Karikatura është njëfarë matësi demokratik i një shoqërie. Karikaturisti në natyrën e tij individuale, si karakter artistik, është vëzhgues i mprehtë, artist që zbulon, thekson, deklamon dhe mban qëndrim kurajoz me figurë, pa zë e pa fjalë, por që thotë më shumë e më saktë se dhjetëra artikuj gazetaresk për të njëjtën temë. Lakonizmi, thjeshtësia, konkretja, përballja dhe ballafaqimi krahasues janë dukuri themelore në strukturën e krijimit artistik të karikaturistit.

Image

Tashmë kjo traditë e bukur këtu në Ferizaj, hapja çdo vit e ekspozitës së karikaturës me autorë vendës dhe sidomos kjo e fundit si festival ndërkombëtar, është një dukuri pozitive e dëshirës, vullnetit e pasionit, që me shumë këmbëngulje e përkushtim organizatorët i shtojnë qytetit e banorëve të tij një aktivitet artistik e kulturor që përmbledh në vetvete artin figurativ dhe inteligjencën krijuese që dhuron për të gjithë shikuesit buzëqeshjen e të qeshurën. Nuk është e re, as e papritur, tashmë traditë e bukur në Ferizaj, kur dëgjojmë fjalët “Ekspozitë e karikaturës” menjëherë buzëqeshja, si një shprehje  e vetëdijshme i shoqëron këto fjalë. Ndodhemi përpara një arti që me format e tij të jep kënaqësi, të argëton dhe secili prej nesh tashmë e di se rezultati final i këtij aktiviteti artistik do të shoqërohet nga e qeshura. Qeshja, si një shprehje instinktive e qenies njerëzore me arsye, që buron te secili në mënyrë të veçantë e nga motive të ndryshme, ka vlera të mëdha, si në orbitën psikike të çdo individi, ashtu edhe në orbitën etike të shoqërisë. Në fakt e qeshura, që zanafillën e ka nga kontakti me artin e karikaturës, në të njëjtën kohë që për individin është një faktor dëfryes, çlirues e lehtësues nga lodhja e punës e andrallat e përditshme, merr edhe një karakter fshikullues, frenues e korrigjues ndaj çdo veprimi, fakti, dukurie, ngjarjeje, apo një fenomeni, në kundërshtim me normat etike, morale, me rregullat e parimet e shëndosha të një shoqërie në progres.

Image

E qeshura nëpërmjet karikaturës synon të fshikullojë vesin, zakonin prapanik e çdo të metë tjetër, duke ndihmuar kështu korrigjimin e përsosjen e tyre dhe jo të fyejë, të denigrojë, të shajë e të poshtërojë mbartësit e kësaj dukurie negative, por të evidentojë e godasë fenomenin negativ që vepron në ndërgjegje keq e për mbrapshti te cilido individ. Këtë ne e gjejmë kudo në fushën e gjerë të krijimtarisë së artit komik, ku bën pjesë edhe karikatura. Me komiken, kur godet ka dhe heshtje; kur ballafaqon kontrastin, ka dhe trishtim; kur krahason, ka dhe buzëqeshje; dhe kur befason me art dhe origjinalitet me sensin e masës, edhe pse me abstragim deri në absurd, ka të qeshura dhe duartrokitje. Prandaj e duam artin komik dhe e adhurojmë karikaturën, që ka një gamë kaq të gjerë emocionale me më të theksuarën, më origjinalen, më të preferuarën e më populloren se çdo art tjetër. Arti i karikaturës, që zanafillën e vet në historinë e hershme të njerëzimit, qysh kur komunikimi midis tyre bëhej nëpërmjet figurës dhe jo fjalës, ka ndjekur rrugën e vet të drejtë, të pavarur, me kurajë për të fshikulluar çdo gjë që bie ndesh e në kundërshtim me normat etike e morale të shoqërisë dhe për të krijuar njëkohësisht një gjendje shpirtërore gjallëruese e një interesim dashamirës për jetën dhe njerëzit. Nga përballja me një karikaturë, buzëqeshja dhe më tej e qeshura del e plotë, organike dhe argëtuese kur ne në rolin e shikuesit ta përcaktojmë veten të pavarur nga objekti i karikaturës dhe ajo, gjithashtu, duhet të ketë një minimum kushtesh që ne fillimisht të tërhiqemi prej saj dhe përmbajtja të na bëjë të interesohemi, kur në të njëjtën kohë ky krijim artistik duhet të ketë një maksimum cilësish për të na tërhequr. E kështu, duke e ndier veten të pavarur nga objekti në lojën artistike e problematike në qendër të karikaturës që ne shohim, dashur pa dashur do të ndihemi superior ndaj tij, kështu që do të jemi në gjendje të gjykojmë më mirë e të jemi të sigurt në qëndrimin tonë artistik, ideor dhe emocional. Sensi i pavarësisë vetjake nga objekti komik i një karikature të caktuar sa më tepër të diferencohet aq më shumë konkretizohet në një sens superioriteti të qartë për ta gjykuar e fshikulluar vesin, të metën apo regresiven. Çdo karikaturist përballë një dukurie, fenomeni negativ apo veprimi regresiv të cilin merr përsipër ta paraqesë në krijimin e tij humoristik, është në të njëjtën kohë edhe superior ndaj bartësve të këtyre dukurive negative. Ky superioritet, duke u bërë njësh me misionin fisnik qytetar, bashkë me talentin e tij artistik figurativ, shoqëruar nga ndjenja e sinqeritetit, brumosur me karakterin guximtar e gazmor, bën të mundur që arti komik që ai zotëron dhe e paraqet për shikuesin të jetë i plotë, i pranueshëm dhe i suksesshëm. Karikaturisti, që në çastin fillestar që pena e tij prek bardhësinë e letrës, me linjën e parë duhet të mohojë e të pohojë në të njëjtën kohë me krijimin e tij. Nuk ndërtohet asnjë karikaturë pa pjesëmarrjen ideore dhe emocionale të autorit, duke shprehur qëndrimin e tij pohues dhe mohues. Mohon regresiven dhe pohon progresiven. Neutraliteti është i papranueshëm në artin komik, sidomos aty ku autori merr përsipër të trajtojë një problematikë themelore në interes të progresit shoqëror. Arti i karikaturës nuk ka vetëm miq, dashamirës dhe admirues pasionant, por ka edhe armiq... po, armiq... që kanë një urrejtje të hapur apo të fshehtë ndaj të qeshurës. Këtë e ndeshim tek egoistët, mendjemëdhenjtë, arrogantët, tiranët, sepse pikërisht këto personazhe janë përherë në qendër të objektivit tallës e kritikues të artit komik të karikaturës dhe kështu ata nuk mund të qeshin me vetveten. 
Festivali i parë ndërkombëtar ka një rëndësi të veçantë. Përveç njohjes me nivelin artistik e problematikën origjinale të autorëve të huaj, rëndësi ka edhe një dukuri tjetër, profesionale, ballafaqimi i artit të karikaturës së autorëve shqiptarë me ata ndërkombëtarë. Krahasimi sjell nivelin artistik. Ballafaqimi përforcon suksesin. Barazimi rrit dinjitetin.
Sa më të bukura idetë, sa më të gjetura e origjinale format artistike, sa më të shumta nuancat e humorit dhe sa më të forta të qeshurat, aq më i këndshëm e më i kërkuar bëhet arti komik i karikaturës në shërbim të njerëzve, prandaj fillimisht artistët karikaturistë të qytetit Ferizaj, organizatorët e këtyre ekspozitave dhe qytetarët me dëshirën, pasionin e gatishmërinë e vizitorit për të ndjekur këto ekspozita me artin më gazmor, meritojnë admirim dhe duartrokitje për suksesin dhe atmosferën gazmore në qytetin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat