Kadesha dhe Gjollma rrëfejnë “Nostalgjinë”: Në Greqi u përlotën me “Baladën” e Gacit

Kultura

Kadesha dhe Gjollma rrëfejnë “Nostalgjinë”: Në Greqi u përlotën me “Baladën” e Gacit

Më: 11 maj 2019 Në ora: 09:51
Pamje nga ngjarja

Violinisti Arben Kadesha dhe pianisti Marin Gjollma tregojnë recitalin e tyre në Athinë, Korçë e Tiranë si dhe interesin e grekëve ndaj pjesëve muzikore shqiptare. Arbeni rrëfen raportin me të birin Jonian Ilias, gjeniun e ri të violinës

Kur koncerti “Nostalgji” sapo kishte hedhur farën në terrenin e dëshirës për të bërë muzikë të mirë, “Balada” e Pjetër Gacit, qe e para pjesë që u diskutua. Violinisti Arben Kadesha dhe pianisti Marin Gjollma deshën që tingujt shqiptarë të mos mungonin në recitalin e tyre, që preku Athinën, Korçën e së fundmi edhe Tiranën. “Pa dashur të akuzojmë, por dua të theksoj se muzika shqiptare nuk duhet të anashkalohet. Është me e bukura, më e vyera që kemi dhe mundësitë janë që t’i referohemi sa më shumë repertorit shqiptar në koncertet tona”, shprehet Kadesha.  Krahas Gacit, dy instrumentistët i dhuruan publikut gjatë rrugëtimit të tyre pjesë nga Hindemith, Schumann,Wieniawski, Debussy, Shostakovich, Chopin,Tchaikovsky, Elgar , Bartok etj. Kadesha rrëfen se ky recital, ka qenë për ta i mbushur me një larmishmëri, sa tingujsh edhe emocionesh. “Emocione që i kam marrë në Athinë, ku unë jetoj e punoj prej vitesh. Në Tiranë së fundmi, por edhe në Korçë”. Qyteti i serenatave gjatë kësaj ngjarje artistike, i ka zgjuar violinistit kujtime të viteve studentore, kur së bashku me kolegë të tij, shkonin për të bërë koncerte. Një nga momentet më interesante për të gjatë kësaj trinie destinacionesh për muzikën e tij e të Gjollmës, është pa dyshim recitali në Greqi. Gaci me “Baladën” e tij ka mundur të ngacmojë ndjesi pozitive e të ngjallë kureshtje, edhe tek artdashësit fqinjë. “Kishte shumë interes nga grekët që ndodheshin në sallë.  Deri edhe përlotje nga kolegët, bashkëpatriotët”.

Kadesha tregon se çdo pjesë që ekzekuton, provokon tek ai emocione të veçanta, por kur flitet për muzikë shqiptare pesha e tyre shtohet edhe më. “Pjesët shqiptare kanë një plus, që lidhet me të qenit shqiptar”, rrëfen ai. Përballja me publikun shqiptar, sensacionet që i ngjall një moment i tillë takimi i mungojnë, e këto koncerte janë një mundësi për të mbushur mallin e dëshirën për t’i dhënë nga vetja, vendit, atë që di të bëjë më mirë: tinguj virtuozë violine!  “Jeta ndonjëherë të imponon të qenit larg vendit tënd, megjithatë nuk duhet të mungojnë përpjekjet për t’iu bashkëngjitur sa më tepër asaj që nuk ke… Rikthimet e mia përmes këtyre aktiviteteve, janë një mënyrë për të qenë sa më pranë Shqipërisë”.

Edhe në Greqi, ai përpiqet që në koncerte e leksione me të rinjtë, të evidentojë sa më shumë prej vlerave muzikore shqiptare. “Pjesët shqiptare priten shumë mirë. Veçanërisht nga të rinjtë, që në fakt nuk kanë shumë informacion rreth tyre. U provokon kureshtje”.

Mësuesi i parë i gjeniut Jonian Ilias, Arben Kadesha: Me tim bir, na bashkon Shqipëria!

Është më i suksesshmi nga nxënësit e tij, ai që edhe i njeh më mirë pjesët shqiptare. I biri, Jonian Ilias Kadesha renditet sot mes emrave më të talentuar të violinistëve të rinj. Edhe ai, si i ati, prej të cilit mori mësimet bazë në violinë, nuk i harron rrënjët shqiptare. I riu, për të cilin kritika e huaj shprehet se “në të ka një element gjenialiteti të pastër” (Harald Eggebrecht), mes koncerteve në skenat më prestigjioze, gjen kohë e ndalet në Shqipëri.

“I jam dedikuar, si mësuesi i tij i parë për vite. Ndërsa tani ai ka krijuar rrugën e tij, e unë përpiqem të bëj aktivitetet e mia. Por, gjithmonë na bashkon Shqipëria! Padyshim edhe Greqia…”, tregon Kadesha.  Shprehet se ndihet i kënaqur nga arritjet e të birit, të cilin e ndjek, ndonëse jo gjithmonë fizikisht, edhe nëpërmjet kritikës e medieve.  Edhe pse parametrat bazë për të dy violinistët janë përafërsisht të njëjta, dy virtuozët  Kadesha reflektojnë stile të ndryshme. “Ndihet tek Joniani edukimi bazë që unë munda t’i jepja. Mandej mosha e tij e re, i ka lejuar të zhvillohet edhe më. Po ashtu kontaktet me botën e përparuar luajnë rolin e vet”.

Marin Gjollma: Bashkëpunimi me Kadeshajt, atin dhe birin violinistë

Pianisti Marin Gjollma kujton se 10 vite më herët në  “Chamber festival”(Durrës) pati mundësinë të bashkëpunonte me Jonian Ilias Kadeshan, ndërsa tani “Nostalgjia” e bashkoi në këtë recital në violinë e piano me të atin, Arbenin. “Ideja për të bërë një turne koncertesh nga Athina, në Korçë e mandej në Tiranë u nxit nga vetë ai, ndërsa repertorin e zgjodhëm së bashku”.  Përsa i përket përzgjedhjes së Gacit, ai shprehet se, “Balada” e tij është një vepër që mund t’u shkojë për shtat të gjitha programeve. Krahas emocioneve që dhurojnë pjesët shqiptare, Gjollma rrëfen se të gjithë kompozitorët  gjenialë zënë një vend të veçantë tek ai. “Unë i quaj profetët e muzikës, sepse i përkasin botës dhe jo vetëm një shteti. Sjellin zhvillime të mëdha dhe e përfaqësojnë artistin në nivelet më të larta”, shprehet pianisti. Përsa i përket konceptit të “Nostalgjisë” ai tregon, se një emërtim i tillë ngacmon kujtime nga e kaluara, pse jo edhe muzikore, e që lidhen me të tashmen e të ardhmen. “Është një pikë takimi në shumë aspekte, përsa i përket veprave e kompozitorëve. Një ndjesi që zbrazet edhe në pjesën interpretative. Sepse çdo vepër, çdo krijim muzikor, lidhet me qenien njerëzore, andaj ky zhvillim, ashtu si edhe njeriu nuk ka një pikë ndalimi. Është gjithmonë në rrugëtim!”.

Artisët

Për pianistin Marin Gjollma, një artist për të zhvilluar punën e tij duhet të gjejë formën e të tejkalojë komplekset e mosmbështetjes, apo të mbështetjes së vakët nga institucionet përkatëse. “Një instrumentist që nuk luan është pak a shumë si një trup që nuk ushqehet. Nëse ndalet qoftë edhe një ditë, trupi dobësohet, sëmuret. Ne merremi me muzikë, dhe do ta bëjmë këtë deri në frymën e fundit”. Ajo që e bën optimist pianistin është fakti se gjatë viteve të fundit, është shtuar interesi i publikut ndaj muzikës klasike. “Vihet re se po vjen një publik artdashës që nuk është i fushës së muzikës, dhe ky është një tregues realisht pozitiv. Mirëpo edhe pse veçanërisht tek “Artet” koncertet janë shtuar, publiku ende e ka të vështirë të bëjë dallimin mes niveleve të tyre. “Kjo edhe për shkak të mungesës së kritikës, ose të kritikës së kushtëzuar nga raporte miqësore etj. Për të qenë një kritik në këtë fushë, në radhë të parë duhet ta njohësh muzikën, pse jo edhe instrumentin. Të kesh një shije të hollë”, shprehet Gjollma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat