Telefonata që më la pa gjumë

Kultura

Telefonata që më la pa gjumë

Nga: Albert Zholi Më: 11 maj 2019 Në ora: 16:25
Albert Zholi

Telefonata më erdhi në mesnatë. Zemra më goditi fort, siç mund të ndodhe kur në vendin tënd ndodhin të pandodhurat dhe ti je në emigracion në Greqi.

-Albert ti je?- më erdhi në vesh një zë ngashërues. 

-Unë jam!- u përgjigja, në pritje ankthi.

- Berti, jam Asimi, shoku i shkollës, Asimi jam,- dëgjova zërin e shokut.

-Nga Italia flet? –( shoku im prej kohësh kish emigruar në Itali).

-Jo, flas nga Shqipëria. Kam tetë ditë që jam kthyer nga Brindizi.

-Pse u ktheve ? Kishe ndonjë hall ?

Zëri i tij u bë më i zvarrur e i lënduar dhe unë mezi prisja fjalët e tijë ; “…U ktheva nga Italia se më telefonuan. Komshija më telefonoi:

- Ke vajzën sëmurë, më tha. Të nesërmen u nisa. Mezi prisja që të shihja vajzën gjashtë vjeçe. Nga shtëpia nuk dinte njeri se do të veja ...Kurr arrita poshtë pallatit thirra:

- Bora, Bora...!- siç i flisja gjithmonë kur kthehesha nga puna ...Në dritare nuk doli njeri ...

-Bora, Më dëgjon apo jo ? -As Bora as gruaja nuk doli ... Kur po ngjisja shkallët më doli para komshija. Ajo më tha se gruaja me vajzën kishin ikur nga shtëpia. Shtëpinë e kish shitur gruaja dhe tashmë rrinte me qera. Lekët i kishte vënë tek Sudja dhe i kishte humbur.

Vajza nuk ishte sëmurë. E mori jisja me vete pa më thënë pse. Më duket se ma kanë grabitur edhe vajzën. ( ai nisi të lotonte në telefon).

- Nuk ke më vend këtu,- më tha gruaja. Ti ike në Itali dhe humbe. 

-Po nuk i kishe marrë ndonjëherë në telefon? - e pyeta, unë i revoltuar dhe me keqardhje për atë shkatërrim familje. 

-Po unë kisha biseduar me Dianën, kur ika në Itali... I kisha thënë do të marr kur të mund. Për ju po iki, të siguroj ca para. 

-Kishe biseduar, por pastaj e harrove ?!. -i fola përsëri unë.

- Ato mundësi kisha. Isha pa dokumente. Nuk mund të dilja vend hee pa vend. Ne ramë dakort. Unë e di se çfarë kam hequr i papunë e i pa familje. Mendoja të bëja ca para e të kthehesha. Por mbeta pa shtëpi e pa familje. Edhe Borën nuk e takova dot. Më dhemb shpirti për vajzën. Nuk i them dot të gjitha Berti, një skenar i çuditëshëm si nëpër filma. Tashti jam i vetëm. Në Itali nuk mund të kthehem. Mund të më presësh po të vij dot në Athinë ?!

I ktheva përgjigje se prisja.

Si është bërë jeta kështu? Si një lodër, si një lodër tallëse me jetën?...-mendova pasi mbylla telefonin. Dhe gjumi nuk më zuri më.

-Kush kishte të drejtë?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat