Çfarë rëndësie kanë ilustrimet në librat shkollor?

Kultura

Çfarë rëndësie kanë ilustrimet në librat shkollor?

Nga: Mr. Bislim Aliu Më: 12 maj 2019 Në ora: 11:51
Mr. Bislim Aliu

Pa dyshim, ilustrimet nuk kanë vetëm karakter estetik, por ato, njëkohësisht, shquhen edhe për karakter pedagogjik, psikologjik, por pse jo edhe për karakter gnoseologjik. Pra karakteri i tyre është jashtëzakonisht i madh. E, sot, sikur ilustrimet e kanë humbur vlerën praktike, meqë, anashkalohen, me vetëdije dhe pa profesionalizëm. Ndaj, deri kur të vuajnë libratë shkollor për këtë mangësi artistike?

Ilustrimet në tekstet shkollore, që me kohë, e kanë patur rëndësinë e vet praktike. Kuptohet, ato ishin interpretuesit e denjë të synimeve shkollore. Dhe, mu për këtë, interesimi për to ishte vazhdimisht i madh. Megjithatë, sot, këto tekste, sikur në një masë nuk janë të dashura dhe sikur e kanë humbur vlerën e vet praktike.

Dhe, medoemos, patjetër, duhet ta dijmë se tekstet shkollore, nuk janë vetëm çështje mësimore apo pedagogjike; ato në të vërtetë, janë edhe çështje psikologjike, sociologjike, ilustrativo-estetike dhe grafiko-teknike. Pra tekstet shkollore, duhet të shikohen në mënyrë të gjithanshme, vazhdimisht duke i angazhuar ekspertë të ndryshëm e profesioal në përpilimin e tyre. Mjerisht sot për sot, kemi mjaft dështime, në rrafshin e ilustrimeve.

Ilustrimet dhe domethënia e paraqitjes së tyre

Zatën në përpilimin e teksteve shkollore, rol të veçantë luajnë edhe ilustrimet dhe kriteri i paraqitjes së tyre. Eshtë fare e kuptueshme se në shumicën e teksteve, ilustrimet janë të domosdoshme. Dhe, mu për këtë, roli i tyre, por edhe prezantimi i tyre është shumë i mirëseardhur.

Jam plotësisht i vetëdijshëm dhe mendoj se një vizatim, pikturë apo skulpturë, ose një ilustrim tjetër i paraqitur në libër; vlenë gati sa njëmijë fjalë që do të thuheshin në formën teorike. Pra, sigurisht, për nxënësin, atë që e sheh është shumë më bindëse se sa për atë që e dëgjon. Në këtë drejtim, teksti i ilustruar, është shumë më funksional për nxënësin; kuptohet, nëse ato janë paraqitur me vend dhe që e kanë peshën e vet praktike.

E, te ne, sot, a po përfillet dhe sa po praktikohet, kjo ndjenjë e paraqitjes së ilustrimeve dhe deri kur do të vazhdojë kjo amulli e zymtë e tyre? Kjo, zatën, me keqardhje po na mungon. Ndaj, vazhdimisht botohen tekste pa kritete artistike dhe estetike..

Dhe, për këtë, nuk konsultohen fare artstët figurative dhe estetët e ndryshëm për vendosjen e ilustrimeve në tekstet shkollore. Kështu që shpeshherë ndodhë që ilustrimet e paraqitura në libër, fare nuk janë praktike dhe nuk e kanë domethënien e përmbajtjes së tekstit. Pra, ato ndonjëherë vijnë edhe direkt në kundërshtim me esencën e ngjarjes dhe me domethënien e tekstit!

“Material ilustrues i teksteve konsiderohen, vizatimet pikturat, skulpturat, fotografitë, ornamentet, skemat, skicat, grafikat, tabelat, hartat etj. Se cili nga ky material i përmendur do të dominojë varet nga karakteri dhe problematika që e trajton teksti” [Sh. Riza].

Nëse me një përkushtim të veçantë i analizojmë librat shkollorë dhe ilustrimet e paraqitura në to, do të shohim se ato janë pika më e dobët e librit. Shpeshherë disa ilustrime të prezantuara, janë të thata, stereotipe, pa domethënie dhe fare nuk e angazhojnë nxënësin që të bëhet komentues i tyre! Në anën tjetër, ato janë pa “gjak” dhe fare nuk kanë elemente funksionale. Gjithsesi, duhet kuptuar, se ato nuk janë vetëm mjet konkretizimi. Ato, sigurisht, janë edhe diç më tepër.

Ato, kuptohet, e zhvillojnë fantazinë emocionet dhe kreativitetin e nxënësit. Në këtë drejtim, krijuesi ilustrativë duhet të jetë i formuar dhe njohës i mirë i materjes. Mendoj se krijuesi ilustrativë, gjithnjë duhet të konsultohet, para se të botohet libri shkollor. E, te ne, kjo praktikë sikur fare nuk praktikohet. Andaj, ky moskoordinim dhe ky mosbashkëpunim, me estetin figurativë, na tregon shtruar gjendjen e mjerueshme të ilustrimeve dhe paraqitjen e tyre në tekstet tona shkollore?!

Ilustrimet e bukura e kjartësojnë domethënien e tekstit

Pa dyshim, ilustrimet e bukura, të qarta dhe me domethënie lehtësuese, ia mundësojnë nxënësit që teksti i prezantuar , të kuptohet më lehtë. Ndodhë ndonjëherë, që të vendosen shumë ilustrime në tekst, e në anën tjetër, teksti do ta humbiste domethënien e vet. Pra, nëse i vendosim shumë ilustrime, atëherë, do të kuptohet, se libri, na qenka ndonjë album illustrativë e ndonjëherë edhe do ta humbiste edhe rëndësinë e vet praktike.

Ndaj, është e nevojshme, që të vendosen më pak ilustrime [një ose dy], por që kanë vlerë dhe që tregojnë qartë domethënien e tekstit. Ç’ështje e diskutueshme, jo më pak me vlerë, është vendosja e ilustrimeve në tekstin shkollor.

A do të vendoset në krye të faqes, në mes ose në fund të faqes; kjo sigurisht, varet nga vlera e tekstit, por edhe nga vlera e ilustrimit. Andaj, doemos, duhet të kihet parasysh, edhe forma estetike por, besa, edhe forma kompozicionale e tyre.

Meqë në përgjithësi, ka dobësi, në bërjen e ilustrimeve, por edhe dobësi, në vendosjen e tyre në libër, është koha e fundit, që të mirret diçka në pëmirësimin e kësaj dukurie. Ndaj, ndoshta është mirë që edhe Fakulteti i Arteve, të përgatis kuadro për këtë lëmi deficitare.

Mendoj se edhe këta dizajner që i kemi [jo me bëllëk] janë të zotët për të bërë punë të mirë në këtë drejtim. Por, ata, në një masë anashkalohen dhe nuk iu ipet rasti, për të treguar aftësitë e tyre profesionale.

Në fund, mendoj, është koha e fundit, që seriozisht të mendojmë, në përpilimin dhe në botimin e librave shkollorë. E, sidomos, të mendojmë shtruar dhe më tepër, në përgatitjen teknike, të ilustrimeve dhe në dizajnimin grafik të librit.

Gjithsesi, kjo vlerë e “cunguar” gjer më tani, na ka munguar shumë. Edhe botuesit e librave, duhet të jenë më “demokrat” e mos ta shikojnë vetëm interesin e tyre dhe rrethin e ngushtë të klaneve të veta të përfitimit.

Andaj, duhet ky rreth të zgjërohet dhe të angazhohen njerëz të aftë, profesionist të dëshmuar, në mënyrë që librat shkollor të dalin më të fortë estetikisht dhe me vlerë më të madhe artistike dhe më shumë përmbajtësore.

Meqë, libri është për nxënës, ne jemi të detyruar, që secili libër, t’i përshtatet atij dhe, njëkohësisht, të kënaqet me vlerat reale dhe me domethënien e tij. Mendoj seriozisht, siç është vepruar gjer më tani; është një “skandal estetik”, pedagogjik, psikologjik dhe do të thosha, njerëzor, në formimin e gjeneratave të reja, që vazhdimisht po na vijnë dhe, që me padyrim po i presim aftësitë e tyre në çdo lëmi profesionale dhe angazhimin e tyre në praktikën kreative.

Andaj, ilustrimet, nuk kanë vetëm karakter estetik, por ato, njëkohësisht, shquhen edhe për karakter; pedagogjik, psikologjik por edhe gnoseologjik. Ndaj, ato sot, ilustrimet sikur e kanë humbur vlerën praktike, meqë me të madhe anashkalohen; me vetëdije, apo pa vetëdije. Ato, tani, gjithsesi kanë kaluar në margjina! A thua, pse dhe deri kur kështu?

Eshtë mbase e domosdoshme dhe do të thosha shumë reale, që librat para se të botohen, është mirë që t’i kontrolloj ndonjë komision profesionistësh; pedagog, psikolog, estetë, ilustrator, piktor. Pra një komision gjithpërfshirës me lëmi të ndryshme profesionale.

Ndaj, edhe siç mund të konstatohet, gjer më tani, në botimin e librave, na ka munguan tej mase profesionalizmi. Dhe, ndonjëherë, ndoshta ka dominuar dilentantizmi, pra njerëzit jo profesional.

Mendoj, ne si shoqëri, borxh e kemi që librat të botohen, ashtu si duhet, e jo si gjer më tani, librat janë botuar pa kritere pedagogjike dhe pa ilustrime të thukta, pa vlerë dhe pa domethënie logjike e përmbajtësore. Meqë nxënësit janë e ardhmja e jonë, atëherë, gjithsesi është e domosdoshme dhe tejet logjike që të kihet shumë kujdes, se gjeneratave të reja, a thua atyre, çfarë libra po ju servohen?...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat