Nis një letër për tek ty - Bota Sot
Nis një letër për tek ty

Kultura

Nis një letër për tek ty

Nga: Sulejman Mato Më: 15 maj 2019 Në ora: 20:35
Sulejman Mato

Mbi lumenj e përmbi kodra,

përmbi malet pakufi,

përmbi erë e bashkë me zogjtë

nis një letër për te ty.

 

Le ta marrë një zog në sqep,

në u lodhtë le ta marrë era,

në pushoftë era e malit,

le  ta marrë era e mallit.

 

Er’ e mallit, mallit tim,

e shtyn letrën breg më breg,

shiu letrën nuk e lag,

vetëtima nuk e djeg.

 

Në agim, në perëndim,

herë në borë e herë në shi,

fluturon me shumë nxitim

letra ime për tek ty.

 

Dallëndyshe mërgimtare

merre letrën time vet,

fluturo përmbi vargmale,

tek dritarja që më pret.

 

Udhëtim për në Kosovë
 

Ne bënim rrugë dhe iknim larg,

malet e Sharrit varg e varg.

 

Më folën shqip,u fola shqip,

zëmrat si vela nderur në zgrip.

 

 

Dhe shushurinte Drini i Zi:

-“Eh !Shqipëri, moj Shqipëri:::!”

 

Ne bënim rrugë dhe iknim larg,

fshatrat e Dibrës varg e varg.

 

Fshatrat e Sharrit varg, kurorë,

një vetëtimë ma bën me dorë.

 

Dhe shushurinte Drini i Bardhë:

-“Ti që po vjen , mirse ke ardhë!"

*Poezi të shkruara në Kosove, gjate ditëve
të Mitingut të Poezisë në Gjakove. Maj 1978.

 

Si krushqit ne s’u ngrimë

 

 Baladë e vjetër dhe e re.

Kaq vjet me mall në zëmër

larg njëri-tjetrit rrimë.

Unë pres si Konstandin,

ti pret si Doruntinë.

 

Po ti do vish drejt meje

dhe unë do vij tek ti,

ti del nga toka e kuqe,

unë dal nga guri i zi.

 

Dhe do takohen bashkë

të gjallë dhe të vdekur,

dhe do fërkojnë sytë:

-“Sa shumë paskemi fjetur!”

 

Kaq vjet larg njeri-tjetrit,

s’i krushqit ne s’u ngrimë.

Unë pres si Konstandin,

ti pret si Doruntinë.

 

Në kufi të dy shteteve

 

Një nënë është ulur mbi një gur,

duart ka kryqëzuar mbi gjunj dhe qan.

 

Në kufi të dy shteteve rigon një shi

madhërisht i përvajshëm.

Vetëtin e bubullin

sikur çatia e qiellit kërkon të bjerë.

 

Te brezi i kufirit qëndron  një nënë shamibardhë,

janë shumë pleq dhe fëmijë të veshur si për festë.

Në prizma lotësh

shikojnë gjininë e vet aty

dhe vetë si shtatore të gurta qullen në shi.

 

Dhe midis tyre s'ka as lumë,

as breza zjarri,

as mal me borë,

as pyll as det,

midis tyre rri i mallkuari

viti 1913.

 

Po midis tyre është shtrirja e duarve dhe zëmrave në erë,

është dashuria që i bën zëmrat balona të kuq

dhe anije me vela,

lulëkuqe të së njëjtit mal,

bajame të së njëjtës degë,

yje të së njëjtit qiell,

 lot të të njëjtin sy…

E shpresë të të gjitha kohërave.

 

Atdheu pa popull

Kosovë. Prill 1999.

 

*        *        *

Kur ikëm

macja e vetmuar mjaullinte në oborr,

lopët dhe magjari me sy drejt qiellit.

 

 

Vetëm ulërima

vinin nga zgafellat e miteve të vdekura

ku rrinin të mbyllura vetëtimat e plagosura.

 

Kur ikëm

kuja e yjeve hapte plagë të ftohta

në trupin e mbrëmjes së lagur.

 

Zjarret që lamë pas

mallkonin klithmat e gurëve të varreve.

 

Në një çast

këndesi më i ri i mallit lëshoi një klithmë çjerrëse:

 

Po ne do të kthehemi përsëri!

Këto brigje do t'i mbushim

me zërat e gjetheve të lisave.

 

Jemi të gjithë

pengje të ujit dhe të kujtesës,

pengje të mallkuara

të kujtesës së vrarë.

 

Edhe vetëm era po të mbetet

do të jemi prapë atje.

 

Shpirtrat tanë janë lakuriqët e natës

që enden nëpër terr,

pa gjetur kurrë qetësi.

 

Molla e oborrit tim

 

Tashmë ti je larg

një vit dritë.

 

Molla e oborrit tim...

Vetëm ti nuk erdhe me ne.

S'të lanë rrënjët.

 

Pranë dritareve të djegura

lëkundje degët e lulëzuara.

 

Molla e oborrit tim,

rriteshe nën yje,

e vetmuar,

shndrisje nën diell.

 

Kokrrat piqeshin 

në mungesën tonë.

Kur ikëm

 

Kur ikëm

të vdekurit i lamë oborreve.

 

Shtëpitë mes tymrave,

me dyer e dritare të shkallmuara.

 

Mani i oborrit klithte përvarshëm,

me degë shpresash të vrara.

 

Kur ikëm, në këpucë na u ngjit

balta e kësaj toke bujare.

 

Karroca, zetorë, kamiona e vaje fëmijësh...

Kalojmë nëpër një natë mitike

si në natën e Golgotasë.

 

Në të dalë të Prizrenit fytyra e një foshnje

( prerë fytin e hedhur pa kujdes në kanal...)

 me sy të përçudnuar

si shëmbëlltyra e Jesusë.

Kosova pa popull

Ka vetëm një president të mbuluar me natë

dhe karvane muhaxhirësh në udhëtim.

 

Kosova ka shtëpi të djegura,

ka varre të rinj dhe të lashtë,

tani  Kosova ka rrugë të bombarduara,

burime të trishta, qafëmale të frikshme

dhe qytete të braktisura.

 

Vetëm popull s'ka më.

 

Si në netët mitike toka jonë s'ka zëra,

ka vetëm kujtime.

 

Por ne do të kthehemi!

 

Do të ketë përsëri zëra fëmijësh,

do të ketë festivale e tinguj çiftelish...

net muzgjesh  të manushaqja,

këmborë lopësh të gëzuara

dhe zile bagëtish.

 

Ne jemi populli,

që si ato gurrat e bjeshkëve

nuk shterojmë kurrë.

 

Refugjatë në tokën mëmë    

 

Karvane- karvane,

nga Hoti  e  Morina

si krushq të panumërt të një dasme të madhe.

Në fytyra kanë shumë pikëllim dhe lotë

për shtëpitë e djegura dhe të afërmit e vrarë.

 

 T.V-të flasin për gjëma të mëdha,

të humburit njeri-tjetrin kërkojnë mes urisë.

Bota mban vesh. Kosovës martire

zëmra i rreh  me tik-takun e lirisë.

 

Netëve rrimë zgjuar...

Dëgjojmë avionët e NATO-s,

kthehen me këngë nga betejat fitimtare.

Ç'zhurmë të bukur bëjnë tek rendin në qiej,

Sgalemët...  zogj të bukur, paralajmëtarë.

 

Biografia e shkrimtarit Sulejman Mato

Sulejman Halil Mato lindi në Fterrë, të Sarandës me 1 mars1941. Mbaroi Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega e gjuhë-letërsisë shqipe në vitin 1964. Nëperiudhën 1965-1967 punoisimësuesiletërsisënëdisa shkolla tëqytetittë Beratit. Më vonë, (1967-1973), punoi si redaktori revistës nëntori, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëvet ë Shqipërisë. Në periudhën 1973-1976 ishte libretist në TeatrinPopullor. Në periudhën 1976-1985 punoi si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme Josif Pashko. Më vonë i u rikthye profesionit të libretistit në Teatrin e Operës e Baletit dhe në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore ku punoi nga viti 1985 deri në vitin 1991. Drejtori AgjensisëQëndroretëTregtimittëLibritArsimor (1973-1974). Kryeredaktori gazetës Tirana Bashkiake, në Bashkinë e Tiranës (1997-2001).

Jeton në Tiranë.

Deri tash ka botuar këto vepra letrare: Shteguiblertë - (poezi) Tirana(1967), NënD iellin e Jugut - (poezi) (1969), Ankthi - (dramë) (1971), Mbi glob fryjnë erëra - (poezi) (1972), Në stinën e poezisë - (poezi) (1976), Bukë në shkëmb - (dramë) (1976), Poezi për fëmijë - (poezi) (1977), Drita e syve - (tregime) (1986), Mesi i jetës - (poezi) (1981), Kryengritësit - (poemë për fëmijë) (1986), Fjalët - (poezi) (1989), Banorët e vilës - (tregime) (1994), Balada e vetmisë - (poezi) (1998), Labirintedhe enigma - (studime) (2000), Ëndërrat profetike - (studim) (2001), Arti i të shkruarit - (guidë e letërsisë), Nusja e borajve - (tregime) (2007), Kitara e jugut-Poezi te zgjedhura Shtepia botuese Toena (2007), Kur hape shin portat e qiellit liber me tregime, Nje balene e largët erdhi nga deti, Muret (Poezi), Tiranë 2018, Tregime  e novela, Tiranë 2018 etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...