Faji u bë qyrk, askush nuk e veshi.
çupë përmbi çupë, vallë kush e deshi?
Për mbretin kurorë, bota e përqeshi,
Nuk i lenë vend dhe kur del tek sheshi.
Na u bë gjerdan, nuk u var tek jaka.
Nuk stolisi nuse, s’e pranoi plaka,
e hodhi përdhe, u shkërmoq në pllaka.
Si flutur u vesh, sa s’u dogj tek flaka.
Na u vesh si princ, me mëndafsh mbuluar,
Me stoli floriri, mbushur qaf’ e duar,
Gjezdis nëpër rrugë, me qilima shtruar,
Nuk gjeti dot nuse, për t’u dhëndëruar.
Larg fluturon qyrku, faji e ndjek prapa.
Nuk e ndal as dimri, nuk e lodh as vapa.
Nuk e pret gërshëra, s’e copëton sëpata.
Të gjithë i largohen, si zjarrit me shkarpa.
Horri dhe i ligu, qyrkun e përcollën.
Në kopshtin e botës, si lastar e mbollën.
Vetë lanë duart, aspak nuk u lodhën.
Me mik e para, ligjit ia hodhën.
Pa pritur, të varfrit i mbiu në derë.
Mbi shpinë po e mban, fukara i mjerë.
Kot lodhet i shkreti të fitojë nderë.
Kush i del përballë, që t’i verë frerë?!!!!