Dita e reflektimit për më shumë solidaritet...!

Kultura

Dita e reflektimit për më shumë solidaritet...!

Nga: Ilir Çumani Më: 22 maj 2019 Në ora: 16:56
Pamje nga takimi

Sot është 20 Maji, Dita Ko mbëtare e Jetimëve, që në fakt na kujton se nuk duhet të jetë një ditë ndryshe nga 365 ditët kalendarike që ka viti. Për fat të keq, kjo ka ndodh në gjithë këto vite. Zhurma mediatike dhe tam-tamet e propagandës zyrtare e sjellin atë në formën irreale, të pangjashme me realitetin që kanë sot fëmijët jetimë në jetën e tyre të përditshme.

Shpeshherë, institucionet tona shtetërore, të cilat merren me këtë targetgrup të shoqërisë, ashtu sikurse edhe disa organizata joqeveritare, e paraqesin 20 majin duke e përdorur dhe keqpërdorur si një ditë “feste” dhe “hareje” për fëmijët pa kujdesin prindëror. Shumë prej tyre, në forma krejt të çuditshme e sjellin atë në formën e mëshirës, që me dashje dhe pa dashje e deformojnë qëllimin dhe kauzën e vërtetë që duhet të përcjellë kjo ditë, e fyejnë krenarinë e fëmijëve jetimë duke e cenuar edhe më rëndë dinjitetin dhe personalitetin që ata kanë.

Në këtë ditë të veçantë, të vegjëlve pa familje dhe pa kujdesin prindëror, modestisht u ofrohet një pako me dhurata dhe një organizim festiv, por që në fakt e gjitha kjo nuk mjafton, ngase të nesërmen e kësaj dite, sërish këta fëmijë i rikthehen rutinës së zakonshme, duke bërë një jetë jo fort normale, madje edhe të vështirë e me shumë sakrifica, ndryshe nga ajo që kanë bashkëmoshatarët e tyre.Shpeshherë kemi dëgjuar zyrtarë të ndryshëm, gazetarë, madje edhe deputetë e ministra, që në daljet publike dhe prononcimet e tyre para mediave krijojnë kakofoni fjalësh e togfjalësh, duke e prezantuar 20 Majin si Dita (Ndër)Kombëtare e Jetimëve. Kjo ndodhi edhe vitin e kaluar, kur deputetja socialiste Elisa Spiropali, së bashku me një grup të miqve të fëmijëve në Kuvend, gra deputete të maxhorancës, organizoi një teatër të shëmtuar në sallën e Parlamentit shqiptar me fëmijë jetimë, fatkeq e në pikë të hallit, të cilët i kishin mbledhur nga të kishin mundur dhe i kishin sjellë aty në Parlament me rastin e 20 Majit 2018.

Në foltoren e Kuvendit, përballë kamerave që transmetonin drejtpërdrejt shfaqjen e turpshme të radhës përmes një aktrimi “mallëngjyes”, ajo u premtoi dhe çfarë nuk u premtoi fëmijëve jetimë, të cilët ishin ulur në karriget e deputetëve dhe i kishin sjellë për dekor propagandistik.Që nga ajo ditë, ka kaluar plot një vit dhe ja ku jemi në 20 Majin e sivjetmë. Çfarë është bërë përgjatë një viti për të ndryshuar jetën e këtyre fëmijëve…?! Të gjitha premtimet u harruan, por ajo që nuk u harrua dhe është ende e freskët mbeti artikulimi i zonjës Spiropali, e cila si shumë zyrtarë të tjerë, 20 Majin, Ditën Kombëtare të Jetimëve e artikulonte si Dita (Ndër)Kombëtare e Jetimëve.

Të vjen keq kur mëson se gabime të tilla bëhen dhe përcillen në mënyrë jokorrekte në media dhe në publik nga një ligjvënëse apo nga disa ligjvënës dhe zyrtarë të shtetit, të cilët, propozimin që 15 vjet më parë e paraqiti pranë Kuvendit të Shqipërisë Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Akademia e Shkencave që 20 Maji të shpallet si Dita Kombëtare e Jetimëve, vetë këta deputetë e kanë ratifikuar si të tillë me një ligj të veçantë. Në fakt, duke qenë se jam personi konkret, i cili 15 vite më parë ideoi dhe nxiti nismën për të jetësuar 20 Majin si Ditën Kombëtare të Jetimëve përmes një procedure të zgjatur deri në Kuvendin e Shqipërisë, shpeshherë më është dashur për korrektesë që të bëj reagimin tim publik për të sqaruar se, nuk kemi të bëjmë me një Ditë Ndërkombëtare të Jetimëve, për faktin e thjeshtë se nuk ka pasur, nuk ka edhe sot një të tillë në mbarë botën.

Nuk figuron në axhendën dhe protokollin zyrtar të asnjë institucioni ndërkombëtar apo organizmi të ngjashëm siç janë UNICEF, “Save the Children” apo OKB, që të shënjohet një ditë e tillë. 20 Maji është një ditë specifike shqiptare, e fiksuar në kalendarin zyrtar të shtetit shqiptar për të kujtuar në mënyrë simbolike fëmijët pa familje dhe pa kujdesin prindëror në vendit tonë, pra fëmijët jetimë të Shqipërisë.

Një ditë si kjo e sotmja është një ditë solemniteti, e cila është konceptuar për të qenë një moment reflektimi dhe apeli për mbarë shoqërinë dhe institucionet tona, me synimin për të ndërgjegjësuar dhe rritur shkallën e vëmendjes e të përgjegjësisë për këtë shtresë në nevojë të shoqërisë. Sot, në këtë ditë të veçantë, të gjithë duhet të ndihemi borxhlinj ndaj fëmijëve jetimë, veçanërisht institucionet tona shtetërore, të cilat kanë detyrimin ligjor dhe institucional për rritur kapacitet e mbrojtjes dhe të ndihmës reale për këtë kategori të veçantë të shoqërisë. Një shtet potencial dhe një shoqëri e shëndoshë demokratike janë ato, të cilat investojnë dhe kujdesen seriozisht për kategoritë sociale më në nevojë dhe më të pambrojtura, ku pa dyshim njëra prej tyre janë edhe jetimët. Por cilat janë realitetet…?!

Shteti dhe marrëdhënia e institucioneve me fëmijët jetimë

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën sot një nga drejtimet më të rëndësishme të politikave sociale. Në themel të tyre pasqyrohen qartësisht parimet themelore të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1992, detyrimet që dalin nga objektivat e mijëvjeçarit të ri dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar, të cilat theksojnë se fëmijët për shkak të veçorive të moshës, të mungesës së pjekurisë fizike dhe intelektuale kanë nevojë për mbrojtje dhe vëmendje të veçantë nga familja dhe institucionet shtetërore, në veçanti ata që kanë humbur familjen dhe janë të privuar nga kujdesi prindëror, pra fëmijët jetimë.

Një nga zhvillimet aktuale sot në botë është angazhimi i të gjitha shoqërive dhe mekanizmave të tyre qeverisës, për një botë të denjë për fëmijët, ku ata e nisin jetën në mënyrën më të mirë të mundshme, ku të kenë mundësi të shumta për zhvillimin e aftësive të tyre individuale në një mjedis të shëndetshëm dhe inkurajues. Pikërisht ky mjedis duhet të shërbejë si nxitës për zhvillimin fizik, psikologjik, shpirtëror, shoqëror, emocional dhe kulturor të fëmijëve jetimë, si një çështje që tashmë është prioritet global për të gjithë fëmijët. Shoqëria shqiptare është bërë pjesë e këtij angazhimi global në realitetin e hidhur, ku një numër i konsiderueshëm fëmijësh jetojnë në kushte të rënda dhe shpesh pa mbështetjen e prindërve të tyre, siç janë edhe fëmijët jetimë, fëmijët e rrugës, fëmijët e shpërngulur dhe ata refugjatë, fëmijët e trafikuar, fëmijët e shfrytëzuar ekonomikisht dhe seksualisht dhe fëmijët që janë në burgje.

Realiteti shqiptar prezanton një shoqëri ku problemet sociale janë të mprehta, ku mirëqenia dhe mjedisi ku jetojmë janë çështje të prekura përditë, por që çdo ditë nxjerrin nevojën e ndërhyrjes shumëplanëshe shtet-shoqëri, ku shtresa dhe kategori të ndryshme sociale vulnerabile dhe të margjinalizuara kërkojnë më shumë vëmendje për barazi dhe integrim me pjesën tjetër të shoqërisë. Varfëria e dukshme mbetet një pengesë e madhe për përballimin e nevojave, mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të fëmijëve, pasi fëmijët janë shumë të prekshëm ndaj varfërisë, e cila godet rrënjët e mundësive për zhvillim, trupat e tyre ende në rritje dhe mendjet e tyre të brishta.

Në këto kushte, respektimi dhe vlerësimi i dinjitetit të fëmijëve në përgjithësi, veçanërisht e kategorive të fëmijëve jetimë, përfshirë këtu fëmijët e sistemuar në institucionet rezidenciale të përkujdesjes shoqërore, si dhe të fëmijëve që shfrytëzohen për të punuar janë një sfidë e madhe, që lidhet pazgjidhshmërisht me afirmimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore, në një shoqëri që përditë aspiron vendosjen dhe konsolidimin e vlerave demokratike të qytetërimit perëndimor. Në jetën e përditshme, të gjithë ne përballemi në rrugët e qyteteve tona me fëmijët jetimë dhe me të tjerë fëmijë që punojnë për të mbijetuar, pa marrë parasysh veten dhe dëshirat e moshës.

Ky realitet i dhimbshëm është dhe duhet të përbëjë shqetësim për të gjithë politikëbërësit dhe shoqërinë shqiptare në tërësi, pasi jetimët e ngërthyer keqas në kthetrat e pamundësisë, varfërisë, pabarazisë dhe shfrytëzimit janë vetëm fëmijë që presin të shohin të njëjtat mundësi, të njëjtin trajtim, të njëjtën mirëqenie, sikurse pjesa tjetër e bashkëmoshatarëve të tyre. Pasojat psikologjike te fëmijët jetimë janë akoma më të rënda në një shoqëri të paintegruar e në varfëri ekstreme si shoqëria shqiptare. Qenia jetim i një fëmije lë pasoja të pariparueshme psikologjike, të cilat mund të riparohen apo reduktohen vetëm në një mjedis të ngrohtë shoqëror që pranon dhe e sheh atë të barabartë në çdo aspekt.

Nga studime të shumta që ka bërë Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, nga ana e shoqërisë vihet re një qëndrim injorues, neglizhues, ku shfaqen hapur emocionet negative që manifestohen ndaj kësaj kategorie fëmijësh. Sot, në Europë ka një lëvizje dhe fluks të madh emigracioni, ku janë përfshirë edhe qindra organizata kriminale të trafikimit, që përbën një rrezik shumë të madh për fëmijët jetimë shqiptarë. Në rezolutën e vitit 2016 që Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë e ka vënë në dispozicion të Kuvendit të Shqipërisë, ku kanë hedhur firmën e tyre edhe 104 personalitete më të shquara të jetës publike e shoqërore të vendit, thuhet se: “Shteti shqiptar ka bërë hapa përpara për integrimin në Bashkimin Europian, por gjendja e fëmijëve jetimë vazhdon të mbetet shqetësim për faktorin vendës dhe atë ndërkombëtar. Madje, sa vjen e përkeqësohet dita-ditës. Nga 184.000 fëmijë në nevojë në vendin tonë, 31.000 janë jetimë, ku mbi 2/3 e tyre përballen me ekstremin e përpjekjeve rraskapitëse për mbijetesën, si dhe me abuzimet e veprimet kriminale ndaj tyre. Të pambrojtur e të rrezikuar, shumë prej tyre i nënshtrohen trafikimit e përfshirjes në organizatat kriminale. Asistenca sociale që duhet të garantohet nga shteti mbulon vetëm 5% të nevojave minimale të jetesës së fëmijëve jetimëve, në vlerën e 20 USD në muaj.

Nga 31.000 jetimë që numërohen sot në të gjithë vendin, vetëm 360 trajtohen në 9 qendra rezidenciale shtetërore dhe 420 të tjerë në 19 qendra joshtetërore (OJF). Pjesa tjetër e konsiderueshme e këtyre fëmijëve që jetojnë në komunitet janë të zbuluar para dhunës, abuzimeve seksuale e trafikimit për qëllime përfitimi. 100.000 persona me aftësi të kufizuara, mes të cilëve një numër i madh jetimësh, gjenden sot në të njëjtën situatë abuzimesh, varfërie e përpjekjesh për mbijetesë, pa asnjë përkrahje nga shteti apo donatorët. Faktori vendës edhe ai ndërkombëtar janë informuar herë pas here nga mediat dhe organizatat serioze si: UNICEF, “Save the Children”, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe “Amnisty International” për rastet e veprimeve kriminale me fëmijët jetimë e abuzimet në emër të tyre. Në ditët e fundit, ato raportojnë se 382 fëmijë jetimë nga Shqipëria u trafikuan e po shfrytëzohen në rrugët e Londrës, ndërsa 17 fëmijë të tjerë jetimë po nga Shqipëria kanë përfunduar në duart e ISIS, i cili bashkëpunon me krimin e organizuar e trafikantët në Ballkan.

Akoma mbeten të pagjetur mbi 500 fëmijë jetimë shqiptarë të zhdukur nga qendra e rehabilitimit AGIA VARVARA në Greqi. Qindra jetimë të tjerë janë të detyruar të emigrojnë për shkak të rrezikut nga gjakmarrja. Ata janë trafikuar ose të vrarë sapo janë kthyer në Shqipëri mbas deportimit nga vendet perëndimore për shkak të refuzimit të kërkesës së tyre për azil. Agjencitë tona shtetërore ligjzbatuese të mbrojtjes dhe mbështetjes siç janë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe zyrat rajonale të këtij institucioni në qarqe, bashki e komuna, janë krejtësisht apatikë, gati inekzistente, shumë pak ndikues për të qenë pranë njeriut në nevojë. Madje, një pjesë e tyre janë informale dhe të shkëputura nga realiteti. Këtë fakt e vërteton më së miri media, e cila është pasqyra e vërtetë e fytyrës sociale që ka shteti ynë, duke na sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë çdo mbrëmje përmes lajmeve, kronikave dhe programeve të mirënjohura siç janë “Shqiptarët për Shqiptarët” në “News 24” dhe “Fundjava Ndryshe” në emisione investigative, situata dramatike e rrëqethëse, tepër tragjike me familjet shqiptare.

Kudo, anembanë vendit, bashkëjetohet me ekstremin e varfërisë dhe familjet e shumta kërcënohen dita-ditës nga uria, ndodhen në kthetrat e vdekjes. Ndërkohë, situata konfliktuale politike prej muajsh ka marrë peng jetën e vendit dhe kërcënon sigurinë dhe paqen sociale të qytetarëve të vendit. Lajmi i fundit vjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut, e cila e dënon Shqipërinë me 110 milionë euro, një gjobë ekstremisht e kripur për lëkurën e hollë të qytetarëve të varfër shqiptarë. E gjitha kjo ka ndodh për një trill e kapriçio personale e Kryeministrit Rama në raport me një sipërmarrës të huaj siç është sipërmarrësi Francesco Begetti.

Nëse Kryeministri ynë konfliktual do të mendonte në mënyrë racionale e paqësore, duke ndërtuar marrëdhënie të shëndosha mirëkuptimi me sipërmarrësin gjyqfitues, gjoba prej 110 milionë eurosh që do të dalë nga xhepi i taksapaguesve më të varfër të Europës mund të shkonte për të strehuar jo pak, por plot 5.500 familje në nevojë me fëmijë jetimë, që sot ndodhen të pastrehë dhe në qiell të hapur. Pa llogaritur një dëm akoma edhe më të madh, që është shuma prej 479 milionë eurosh e konstatuar nga KLSH-ja, që qeveria e Kryeministrit Rama i shkaktoi buxhetit të shtetit nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve, e arritur nga qeveria dhe grupi çek CEZ, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Nëse do të bënim të njëjtën llogari, nga shuma e mësipërme do të përfitonin sërish banesë për strehim definitiv plot 23.950 familje në nevojë me fëmijë jetimë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat