Poeti Dedë Deda jeton dhe krijon atdhetarisht

Kultura

Poeti Dedë Deda jeton dhe krijon atdhetarisht

Nga: Zymer Mehani Më: 24 maj 2019 Në ora: 18:37
Kopertina e librit

Poezia si formë e eksplikimit dhe e komunikimit shpirtëror artistik me emrin e autorit Dedë Deda në qiellin poetik shqiptar ka sjellë një refleks të ri, edhe përnga rrafshi i vizionit e i senzibilitetit poetik, por edhe në rrafshin tematiko-refleksiv, duke e pasuruar mozaikun e përvojës poetike në letërsinë shqipe.

Po ta lexojmë me vëmendje poezinë e poetit Dedë Deda , do të vërenim se në horizontet e krijimtarisë poetike po ngritet ky autor ngadalë, por krejt sigurt, duke e pasuruar letërsinë tonë me nuanca karakteristike.

Vëllimi poetik “Puthja e atdheut” është libri i parë i botuar i autorit Dedë Deda, të cilin ai e ka strukturuar duke e ndarë në nëntë cikle:

. Zemra e atdheut;

.Zëri i vendlindjes;

.Loti i nënës;

.Yjet e fëmijëve të mi;

.Emri i zemrës;

.Zëri i atdheut;

.Një botë tjetër;

.Ëndërr e larë në dritë;

.Sentenca filozofiko-poetike.

S’do mend se edhe nga ndarja në këto cikle, vërehet se lajtmotiv i poezisë së autorit Dedë Deda është atdhedashuria, prandaj nuk do të gabonim fare, po të thoshim se motiv dominant i krejt vëllimit “Puthja e atdheut” pra është atdhedashuria, edhe pse gama e motiveve dhe tematika e poezive të këtij autori është e larmishme dhe me perimetër të gjerë.

Shpeshherë frymëzimi poetik i autorit Dedë Deda ushqehet nga gurra e të kaluarës historike, sikurse edhe nga realiteti i sotëm dhe përditshmëria jonë shqiptare, i pasuruar gjithnjë me kolorit gjallërues dhe me shumë optimizëm.

Fuqia shprehëse e poetit Dedë Deda arrihet përmes gjërave të vogla, ngase poezia e tij është një varg ndeshjesh pas dukurive më të zakonshme, të përditshme, ndeshje pas gjërave që thuajase na lënë mbresa të veçanta, por prmes tyre poeti Deda vetvetiu të fut në vorbullën e gjërave më të mëdha dhe më të rëndësishme të jetës duke krijuar një labirinth aq të pranishëm dhe aq të njohur me një petk të ri.

Që nga vargjet dhe poezitë e para të vëllimit “Puthja e atdheut” është vërejtur se poeti Dedë Deda disponon një zjarr të brendshëm, i cili tek ai e nxit procesin dhe aktin e krijimit poetik. Gjithashtu është hetuar se ky poet është i mishëruar me ambientin dhe njerëzit e vet në të gjitha drejtimet e vetëdijes asociative.

Te përmbledhja poetike “Puthja e atdheut” kemi hasur një sistem figurshmërie të konsoliduar dhe mjaft të organizuar, si dhe krejt origjinal, forcë kryesore e të cilit është ngërthimi i shtresave të shumta kuptimore.

Poeti Dedë Deda di dhe arrin të na thotë diçka të rëndësishme nëpërmjet patosit karakteristik të natyrës së poezisë së tij, herë me mjete më spontane dhe më të kultivuara artistike, herë me mjete pak më modeste dhe të thjeshta.

Me të drejtë vlerëson editori, Vasil Tabaku se poeti Dedë Deda është padyshim një krijues me mjaft interesa të larta njerëzore dhe që kërkon me ngulm triumfin e së mirës, të paqes, të diturisë dhe dritës së shpirtit të madh e fisnik shqiptar.

Poeti Dedë Deda jeton dhe krijon atdhetarisht. Këtë më së miri e dëshmon me vëllimin poetik “Puthja e atdheut”, të cilin të tërin (300 ekzemplarë) ua dhuroi këtyre ditëve bibliotekave shkollore të Kosovës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat