Saz’iso sjell sot në Amfiteatrin e Tiranës tingujt unikë të polifonisë

Kultura

Saz’iso sjell sot në Amfiteatrin e Tiranës tingujt unikë të polifonisë

Më: 25 maj 2019 Në ora: 10:08
Saz’iso

Ansambli Saz’iso vjen sot në mbrëmje në Amfiteatrin e Tiranës, pas premierës në REJA FEST me këngë dashurie dhe trishtimi, me një stil hipnotizues të harmonive emocionuese, vallëzime të gëzueshme dhe vajtime shpirtërore.

Ky ansambël i përzgjedhur nga producenti Joe Boyd (Pink Floyd, Toumani Diabaté, Nick Drake) dhe bashkëproducentët Andrea Goertler dhe Edit Pula, përbëhet nga disa nga këngëtarët legjendarë dhe interpretuesit virtuozë të stilit magjepsës saze, me origjinë nga qytetet e bukura shqiptare të Korçës dhe Përmetit.

Në këtë skenë do të ngjiten këngëtarët e njohur përmetarë Donika Pecellari, Adriana Thanasi dhe Robert Tralo, muzikantët korçarë Telando Feto, Agron Nasi, Agron Murati dhe Aurel Qirjo pa harruar multinstrumentistin Pëllumb Meta nga Tirana.

Siç thotë Vasil S. Tole, eksperti kryesor i Shqipërisë për isopolifoninë: “Saze mbetet sot gjuha muzikore e qyteteve të Shqipërisë së Jugut, ku Lindja dhe Perëndimi u përqafuan kur instrumentet europiane u ndeshën me magjinë e isopolifonisë dhe ku jeta dhe vdekja ende bashkëjetojnë në një tingull që është vërtetë unik”.

Grupi do të performojë albumin e tij të lavdërueshëm “At Least wave Your Handkerchief At Me: The Joys and Sorrows of Southern Albanian Song”, duke na sjellë këngët që tregojnë për gëzimin, dhembjen, dashurinë dhe humbjen, heroizmin dhe tragjedinë./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat