Ruzhdi Ushaku – figurë e shquar e kombit

Kultura

Ruzhdi Ushaku – figurë e shquar e kombit

Rrustem Geci Nga Rrustem Geci Më 30 maj 2019 Në ora: 13:07
Ruzhdi Ushaku

Në qytetin e lashtë të Ulqinit të Ilirisë, u lind e u rrit Prof. dr. Ruzhdi Ushaku figurë e shquar e kombit tonë. Ruzhdiu është krijues i mirëfilltë i mbi 100 studimeve shkencore. Koha shprehet Prof. dr. Ruzhdi Ushaku lëviz gjithmonë në kuptimin kulturor dhe historik. Shqiptarët patëm një ecje të vështirë dhe të bashkëgjakosur. Është dashtë të jemi më këmbëngulës kundër “historisë” së fajshme ndaj popullit dhe trojeve me emrin tonë. Kontributi i Prof dr Ruzhdi Ushakut në përgatitjen e brezit kombëtar për Kosovën e lirë dhe të bashkuar, është një vepër që duhet të vlerësohet. Udhët e dijeve në këtë botë janë të pafundme. Prof. Ruzhdi Ushaku për 43 vjet ligjërues në arsimin e mesëm dhe univerzitar në Kosvë e më gjerë tërë qenien e tij ia kushtoi artit, shkencës dhe letërsisë shqiptare. Ai i dha aq shumë dashuri, krijim e bashkëkohsi, sa mund ta quajmë me plotë kuptimin e fjalës, figurë të shquar të kombit tonë. Profesor Ushaku nuk qe ligjërues i thjeshtë mësimi. Ai në ligjëratat e tij qe edhe krijues, dhe shkonte më përtej kornizave të mureve së kohës!..

Qyteti pellazgo-ilir, Ulqini, njihet si qytet i formuar qysh në antikën e hershme. Ulqini u lind në mijëvjeçarin e fundit të pellzgjisë. Populli i detit siç quheshin pellazgo-ilirët kishin shtrirje të gjerë edhe në këtë pjesë të Shqipërisë së lashtë. Populli pellazgo-ilirë i Ulqinit, ishte popull i arsimuar dhe kishte njohuri të mëdha, në matematikë, fizikë, skulpturë, poezi dhe filozofi. Në historinë mijëvjeçare të Ulqinit, më thotë Prof.dr. Ruzhdi Ushaku, janë bërë disa hulumtime për këtë anë të Shqipërisë, por, një e vërtetë më e plotë le shumë për të dëshiruar. Vetëm deti dhe llapuqitjet e tij e dinë të vërtetën e saktë, dhe biografinë e plotë të qytetit të Ulqinit. Varrezat në Vuksanaj, janë të periudhës së hershme pellazgo ilire, përtej kohës të mbretit Bind. Në të gjitha ngjarjet e mëdha historike të kombit tonë, Ulqini shqiptar është gjakosur si asnjë qytet tjetër i trojeve tona. Përkundër dramave të mëdha që i përjetoi populli ynë nëpër histori, Ulqini i mbijetoi shuarjes, por jo dhe zvogëlimit.

Në këtë qytet me histori poetiko-tragjike u lind dhe u rritë, dijetari, artisti i fjalës së shkruar, dhe filologu ynë i shquar, Prof. dr. Ruzhdi Ushaku. Udha gjuhësore dhe shkrimore drejt Kosovës e më përtej, Prof Ruzhdi Ushakut i hapin mundësi pune dhe krijimi. Në vitin 1965 Ruzhdi Ushaku pranohet Profesor i Latinishtes dhe Frëngjishtes në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Në Gjilan, Ruzhdiu pritet si vëllai mes vëllezërve. Aty Profesor Ushaku qëndron deri në vitin 1969. Nxënësit në Gjilan e donin dhe i donte. Arsimi ishte rruga për t´u pavarësuar Kosova. Kalimi nga demonstratat në luftë, kërkonte dije më të mirëfillta dhe guxim. Prof Ruzhdi Ushaku ishte një gjak i ri në vizionin e nxënësve të asaj kohe. Ora e Latinishtes me Prof Ruzhdi Ushakun ishte lënda më e dashur për nxënësit e etur për dije. Nga ajo gjeneratë nxënësish, dolën mjek, ingjinierë, arkitekt, matematicientë, muzicientë, shkrimtarë, dhe gjuhëtarë të shquar në Kosovë.

Prandaj, kontributi i Prof Ruzhdi Ushakut në përgatitjen e brezit kombëtar për Kosovën Republikë, qe një vepër e mirëfilltë e profit. Ai në ligjëriatat e tij me nxënësit ishte edhe krijues, ai shkonte më përtej kohës. Nxënësit përmes pyetjeve ( e pyesnim profesor Ushakun për tema jashtë librave të shkollës ) , duke i kërkuar t´ia heqnim koren, të fshehtave të historisë dhe të kulturës së fillimit. Prof.dr. Ruzhdi Ushaku ishte njeriu që s´pritonte të përgjigjej, ai na i tregonte urat si bëhen kalimet në të ardhmen. Në Kosovë Prof Ruzhdi Ushaku do të krijoj shumë miq të artit dhe të shkencës. Fal talentit dhe zgjuarsisë së tij krijuese, Prof.dr. Ruzhdi Ushaku ftohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, fillimisht bashkëpunëtor i jashtëm, e mëpastaj edhe mësimdhënës në Fakultetin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge.

Në të gjitha vlimet e mëdha shoqërore e politike në Kosovë, Prof, Ruzhdi Ushaku mbajti qëndrim prej shqiptari të palëkundur. Ai në asnjë çast nuk u tund nga kërcënimet dhe diferencimet e pushtetit. Jeta e Prof. dr. Ruzhdi Ushakut ishte plotë sprova krijuese e ngjitje kariere. Pas 25 vjet të punës dhe veprimtarisë së tij krijuese, Profesor Ushaku në vitin 1985 zgjidhet profesor ordinar, në Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit të Prishtinës. Prof,dr. Ruzhdi Ushaku për 43 vjet jetë të pareshtur në arsim Ushaku i dha ndriçim dijesh një berizi të tërë nxënësish dhe studentësh. Shumë janë mirënjohjet dhe falenderimet për Prof.dr.Ruzhdi Ushakun, por, maja e të gjithë majave, dhe mirënjohjeve, kujtoj s´e janë nxënësit e tij të ditur, dhe njëqind ese për artin dhe shkencën shqiptare. Biojeta e prof. dr. Ruzhdi Ushakut është shumë e gjerë, dhe s´mund të përfshihet në një ese kaq të shkurtër.

Akademia e shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Këshillin kombëtar të Shqiptarëve, Qendrën kulturore – Ulqin, Shoqatën e artistëve dhe intelektualëve – Art club – Ulqin, Bashkimin e krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Fondacionin “Lika” organizuan në hotelin Mediteran të Ulqinit një mbrëmje solemne, me rastin e dekorimit të prof. dr. Ruzhdi Ushakut me titullin “Nderi i Akademisë” dhe “Mirënjohja e qytetit”. Medaljen “Nderi i Akademisë”, Prof. dr. Ruzhdi Ushakut ia dorëzoi sekretari i Akademisë së shkencave të Shqipërisë Jorgo Bulo, derisa kryetari i Kuvendit komunal të Ulqinit Fuad Haxhibeti i dha mirënjohjen e qytetit të Ulqinit.

Prof. dr. Ruzhdi Ushaku u lind në Ulqin, më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, normalen në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Degën e Gjuhës e Letërsisë Frënge dhe të Gjuhës Latine i kreu në Sarajevë, më 1964. Gjate studimeve në Sarajevë ishte një vit kryetar i Klubit te Romanistëve. Në Paris, më 1962/63, kreu shkallën e pestë të studimeve moderne frënge me ç’rast merr apsolve Diplome Superieur d`Etudes Francaises Modernes. Në vitin 1968/69 regjistrohet në studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit ku, më 1972 magjistron me temën “Shprehjet idiomatike në tekstet bashkëkohore të gjuhës frënge në serbokroatisht”. Në të njëjtin fakultet doktoron në vitin 1979. Nga viti 1971 punoi mësimdhënës i gjuhës frënge dhe te asaj latine ne Degën e Gjuhës dhe te Letërsisë Frënge pranë Fakultetit Filozofik (tash atij të Filologjisë) Nga viti 1985 ishte profesor ordinar i këtij Fakulteti. Kryetar i departamentit të Romanistikës, kryetar i Këshillit Mësimor Shkencor te Universitetit të Prishtinës. Me 2006 u pranua anëtar-akademik aktiv ne Akademinë Evropiane te Arteve me seli ne Leuze të Belgjikës.

Prof. dr. Ushaku intenzivisht merret me hulumtime shkencore. Më 1990 profesor Ushaku u propozua kandidat për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Prof.dr.Ushaku është autor i shumë librave nga fusha e fillogjisë,

1. “Kërkime fiologjike”, 2. “Fjalitë hipotetike me sI në gjuhën bashkëkohore frënge të teksteve letrare,

3. “Paralele të ligjërimit poetik”,

4. Monografia “Ulqini në gjurmë të shekujve",

5. "Hulumtime etnolinguistike",

6. "Veprimtaria shkencore e prof.dr. Ruzhdi Ushakut",

7. "Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore" në bashkëautorsi me Jusuf Liken 8.

"Ulqini nga dritaret e kohës" dhe

9. "Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi" etj.

Përveç veprave më lartë, Ushaku botoi rreth 100 punime-studime të veçanta shkencore edhe në gjuhë të huaja (serbokroatisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht dhe japonisht ) qoftë në versione integrale, qoftë në formë të përmbledhjeve. Veprimtaria krijuese e Prof. dr. Ruzhdi Ushakut, është e vlerësua shumë nga akademikët shqiptarë dhe të huaj. Prof. dr. Ruzhdi Ushaku ligjëroi në shumë vende të botës. Vlen të theksohen ligjëratat e tij shkencore në vitin 1973 në Universitetin e Sorbonës ( Ecole des Hautes Etudes ). Luftërat aq sa janë qytetëruese, aq janë edhe vrasëse. Kacavjerrja nëpër shkallët e diturisë ( flas për kohën time ) më thot Ushaku, nuk qe aspak e lehtë, mbase, ngjitjet nuk bëheshin pa një pikë mbështetje poshtë. Shqiptarët kemi një ecje historike të gjakosur, shprehet Profesor Ushaku. Duhet të jemi më këmbëngulës kundër “historisë” së fajshme. Koha është e pamëshirshme, ikën. Kontributi i Prof. dr. Ruzhdi Ushakut në përgatitjen e brezit kombëtar për Kosovën e lirë dhe të bashkuar, është një vepër që duhet të lexohet për së mbari. Shëndet dhe krijimtari, Profesor dr. Ruzhdi Ushakut! Shëndet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat