“Prishtina Lexon” me aktivitete të larmishme

Kultura

“Prishtina Lexon” me aktivitete të larmishme

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 14:35
“Prishtina Lexon”

Gjashtë kënde leximi janë vendosur në sheshin "Zahir Pajaziti" në kryeqytet, ku fëmijët kanë mundësi të lexojnë libra të ndryshëm në kuadër të aktiviteteve "Prishtina Lexon".

Për fëmijët do të lexojnë libra mjekët, zjarrfikësit, policët dhe gazetarët, e që kjo është edhe risi e këtij edicioni.

Vlora Ademi drejtoreshë e organizatës “Social creadivity” që është marrë me organizimin e këtij aktiviteti, bëri të ditur se gjatë gjithë ditës ka aktivitete për fëmijë dhe te rritur.

Ademi: Ka aktivitete të ndryshme në kuadër të ‘Prishtina lexon’

"Prej orës 10 deri në ora 11 ka aktivitete të ndryshme në kuadër të Prishtina lexon, prej orës 10 deri në ora 3 kemi lexime me personazhe të ndryshme që këtë vit dallojnë prej viteve të tjera. Këtë vit nuk kemi politikan që do të lexojnë për fëmijët, këtë vit kemi zjarrfikësit, kemi mjekët, kemi policët, gazetarët. Kështu që, kjo është më e bukura e këtij aktiviteti, pastaj prej orës 3 deri në ora 4 do të ndahen çmimet për lexuesit e vitit nga Biblioteka Hivzi Sylejmani, prej orës 4 deri në ora 23 fillojnë aktivitetet për pak më të rritur", tha ajo.

Ndërsa, Adrian Berisha, asamblist në Komunën e Prishtinës dhe nga kabineti i kryetarit të Prishtinës, tha se këto aktivitete organizohen në kuadër të muajit 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës.

Berisha: Kemi krijuar gjashtë kënde të leximit, ku do të lexojnë figura të ndryshme

“Sot kemi filluar aktivitetin e tretë për këtë muaj 20/ 20 siç e kemi quajtur ne. Sot jemi me “Prishtina Lexon” ashtu siç po e shihni kemi krijuar gjashtë kënde të leximit, ku do të lexojnë figura të ndryshme ashtu si mjek, zjarrfikës, polic për fëmijët. Fatkeqësisht moti nuk është në favorin tonë, por po shihet qe ka interesim dhe shpresojmë se do të kalojmë shumë mirë” tha  ai.

Lea Vllasaliu kishte dalë për të marrë pjesë në aktivitetin “Prishtina lexon”, e që sipas saj aktivitete të tilla janë të mirëseardhura për fëmijët e kryeqytetit.

Vllasaliu: Fëmijët kanë mundësi më shumë për të lexuar

"Mua po më pëlqen shumë, sepse është një aktivitet për fëmijët dhe fëmijët kanë mundësi më shumë për të lexuar. Po ashtu munden edhe libra të tjerë të shohin", tha ajo.

Ndryshe, ky aktivitet është organizuar në kuadër të 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat