Ndryshon paraja

Kultura

Ndryshon paraja

Nga: Fatmir Lohja Më: 5 qershor 2019 Në ora: 07:42
Fatmir Lohja

Miku ynë ,Ylli , kandidoi për deputet. Na kërkoi me këmbëngulje ta mbështesnim në Shkozë. Ne kemi punuar në atë katund ,kur u punësuam rishtaz. Me Sandrin , u munduam t’i bishtonim, me arsyetime të ndryshme ,por nuk na u nda. Ne Yllin e duam dhe e respektojmë. Iu betuam se nuk na vjen as për këmbësh,e as për duarsh politika. Nuk e pranonte arsyetimin tonë. Nuk bindej se gjendet ekonomist në glob,të jetë indiferent ndaj politikës.

Një të djelë na mori për në Shkozë. Përpara se të niseshim,e lamë burrërisht, se nuk do ta ndiqnim në tribunat elektorale. Do të punonim kokë me kokë,me ata katundarë ,që mund të njihnim.I premtuam se do të bënim sondazh serioz , se si i ka premisat për të fituar miku ynë. Më e gëzueshme për ne, ishte premtimi i tij . Drekën, të shtruar deri në gju, do të na jepte te restorant Krokodili. Ia kishim dëgjuar emrin. Për asrye të ndryshme, nuk jemi futur bënda as për kafe.

Ylli na la në qendër të katundit. Ai shkoi te kryesisa e partisë, që i mbështeste kandidimin. Shkoza është pranë qytetit. Me autoveturën e rehatshme rrugën nuk e ndjemë . Jeshilllëku i pranverës të çplollte sytë dhe të hapte mushkëritë. Nga kjo kënaqësi nisëm të bëjme një shetitje në katund. Investimet e mëdha na ranë në sy menjëherë .Pak objekte ekzistonin nga ata që mbanim mend. Rruga e shtruar me asfal edhe në rrugica.

Na pelqeu atmosfera e këndshme e katundit. Kosheret moderne dukeshin pranë çdo shtëpije.Traktorë pamë fare pak,ndërsa autoveturat ishin të kohëve të fundit. Bagëtitë e imta, në tufa, nuk mund t’i numuroje. Qëngji manar nuk na u afrua ne qytetarëve.I jepnin të drejtë.Pesë vëllezer ia kishin shtrirë në hell, vetëm te lokalet në qendër të Shkozës. Veshgjati na përshendeti me një pëllitje të gjatë,dhe te ngrohtë. Lopët e rracës nuk e ndërprenë ngrënien e barit të njomë. Shpezët shtëpijake bënin ca potere,në konfliktet për ushqimin.Cilësia e rracave të qënve na terhoqi vëmendjen.Pse ishin të egër,të butë,të mëdhej , të vegjël,nuk na lanë të gjesdisnim në rehati.

Me vemendje pamë majtas e djathtas. Nuk njohëm askënd.Tre dekada e bëjnë punën e tyre. Kemi ndryshuar ne edhe bashkëmoshatarët tanë. Të rinjët nuk i vrojtonim ,se e dinim se as nuk i njohim,e as ata nuk na njohin.Pasi bëmë soditjen ,u drejtuam te klubi në qendër të katundit të dikurshëm.Lokali i vjetër,që mbanim mend ne, ishte ku e ku, me atë që u futëm brënda. Edhe në qytete nuk ka më bashkëkohor se ai. Investimi qe bërë me finesë në çdo detaj.

Zumë vend te taverna, e mbuluar me hijë të rëndë. Kafetë na erdhën shpejt. Ndezëm cigaret për telhallëk. Po prisnim Yllin për të na kthyer në shtëpi. U bindëm , se drekën nuk e meritonim. Nuk e ndihmuam . Fik e ndez cigaret, koha as nuk çapitej . Nuk mund të them se u merzitëm. Sandri ka humor natyral . Tavolinën nuk e lë të dremitet.

Një burrë madhosh , afërsisht në moshë tonë, u drejtua te ne.

Më falni nëse u shqetësoj! Mund t’u bëj një pyetje?- na drejtohet me shumë respekt.

Zëri u tij na erdhi i njohur ,i ngrohtë. U përqendruam në vrojtim të imtësishëm.

Dy ekonomistët jemi zoti Hasan,- dhe Sandri u ngrit në këmbë për t’u qafuar.

U kujtova edhe unë se kush ishte. Na erdhi mirë që na takoi me mall. U ul me deshirë në tavolinën tonë.I raportuam shoqi-shoqit,me imtësi ndryshimet tona në tridhjetë vitet e fundit. Hasani është më i vogël se ne.E ka pasur shtëpinë prane dhomës ku strehoheshim. Mësonte shumë .E kemi ndihmuar në studimin e shkencave ekzakte. Edhe prindërit i ka pasur të mrekullueshëm. Shumë na kanë dashur të ndjerët, se na tregoi i biri, për ndërrimin e jetës.

Hasani energjik u vu në levizje për të na sajdisur. Ishte pronari i lokalit.I thamë me sinqeritet, se më shumë kemi nevojë të takojmë miqtë e vjetër,se për ndënjen në tavolin. Nuk jemi më të rinjtë e dikurshëm, që e pinim rakinë me dolli.

Mos kini merak se i rregulloj unë të gjitha! – na tha me dashamirësi.- Më bëhet qejfi që u kam këtu. Nuk do të bëj më shumë se traditat tona,që ju i njihni mirë.

Tavolina, rreth saj, mbushej nga çasti në çast me njerëz , dhe me të gjitha të mirat mbi supe. Takuam shumë vendas, që i kemi njohur në rini. Na u bë zemra mal nga respekti i tyre. Nga brezi ynë njerzillëku respektohet më shumë se floriri. U befasuam,u gëzuam nga bollëku i të mirave materiale që posedonin.Tokat kanë shkuar të pronarët si dikur, se në Shkozë nuk ka të ardhur.Fëmijët e mirëshkolluar punonin edhe aty,por edhe në emigracion. Financimet e tyre,me projekte konkrete,kanë bërë të rritej begatia në katund.

Ha e pi, bashkëbisëdimi me dashamirësit , na solli në formë.I kënduam edhe ca këngë të vjetra, si në rini.Hasani më shumë qendronte në këmbë, se pranë nesh. Me energjitë e tija na sajdisi ne, por edhe klientët e shumtë.Tinëzisht politika na e zuri qejfin në grykë.

Birameli, Zybër, donte të dinte ,se me cilën parti jemi. Nuk na besonte, se jemi indiferent ndaj saj, e shohim punën tonë.Kur nuk duroi më, nisi të na tregojë, se ai e dinte se; kemi shkuar me Yllin në Shkozë; Hasani është ideatori i shkuesisë; shkozarët kanë qënë dakort me këtë organizim. Mbetëm të befasuar nga çfarë na tregoi Zyberi. Asgjë nuk paska qënë e rastësishme!? Vetë, zoti Zyber, i ka lajmëruar të pranishmit për arritjen tonë. Na ra në sy , se na shihnin më mirësi. U ndjemë mirë nga ngohtësia e tyre.

Na kërkuan t’u shpjegonim të mirat ,e dhe të këqijat, e futjes në BE. U mundova, me seriozitet maksimal, t’u zbërtheja të mirat ekonomike që u vijnë, nga integrimi me Europën. E pashë mirë që nuk qeshë bindës, sepse shikimi i tyre mbeti në mënyrën habitore.I them Sandrit në vesh,të futej ai, se nuk kisha më as fuqi, e as mend për më gjatë.

Me pa me habi. Ngriti supet,për të më treguar se çfarë mund të shtonte.E ndimoi Zyberi,se ku duhej të përqendrohej.

Ai na tha të mirat që na vinë. Ti ,si financier, do të na tregosh të këqijat, që mund të na vinë,duke u bashkuar me Europën!

Nga buzëqeshja e Sandrit, e pashë mirë,se u kurdis për humor të hollë.Për mos ta tjerrë teorikisht si unë,u përqendrua për disa sekonda.

Bashkimi me Europën e ka edhe ndonjë të keqe, - gjatë pauzes, për të thithur cigaren, Sandri e pa, se u tërhoqi vemendjen.- Po e hodhëm vallen me hapin e europianëve,nuk do të kemi më në perdorim Lekun tonë të dashur , por Euron e ftohtë akull.

Pesëmbëdhjetë katundarë u mpinë në çast. Nuk e nxorrën një tingull. Sandri shih ata, ndërsa atyre u kishte mbetur sytë te goja e tij. Sandrit ,nuk ia mori mendja,se do t’i trande në psiqikë, pa u shpjeguar mirë. Për t’i shkundur,u fut në teoritë ekonomike. U shpjegoi, se ekonomia e fortë, për siguri ,kërkon të vozisë me tre rrota e sipër. Eshtë mirë që bisnesi t’i ketë të barazvleshme investimet kapitale, mjetet e xhiros dhe paratë gjëndje në bank.Paratë duhet të jenë të barsvleshme me monedhën kombëtare dhe minimalja në dy valuta te huaja. Në këto kushte ,çdo termet financiar amortizohet dhe shkakton dëme minimale.

Në vend t’i qetësonte, i bëri kubël. Shikimet e tyre tinzare ,shetisnin me mburravecëri .Me mentalitetin absurd , se qytetari ka si qëllim historik t’i bëjë hile katundarit, vrisnin mendjen se ku donte me dalë financieri. Sandri nuk e hapte gojën, me bindjen se do t’i turbullonte krejtësisht, dhe do ta etiketonin llafazan, pa u larguar nga Shkoza.

Na kapi një gaz i brëdshëm nga ajo skenë masive hutimi. Sandri i gjuajti aty ku ndjen dhimbje më shumë katundari. Edhe nga mania për të fsheshur paranë letër në senduqe,edhe nga eksperienca historike, në ndërrimin e parasë, gjithnji janë djegur të mjerët. Me krijimin e shtetit u ndërruan Lira Turke me Lekun Shqiptar. Me ardhjen e Italise fashiste u këmbye Frangu arë me Frangun letër. Kur hyri komunizmi Frangun arë e konvertoi deri në njëqidmijë lekë,të tjerat u sekuestruan. Në gushtin e vitit 1965 shteti komunist e forcoi lekun me dhjetë fish. Kush pati shumë Lekë u shpall kulak.Kjo eksperiencë është vuajtur në disa breza, por është transmetuar me detaje. Nga dëmet historike,kush e di se çfarë u bluante rradakia.

Qetësia e tavolinës sonë, i ra në sy edhe Hasanit.Erdhi menjëherë e ul te karriga e tij, pranë nesh.U duk qartë, se u turbullua edhe ai , kur e dëgjoi shqetësimin e vendasve.I la bashkëkatundarët ta nxirrnin të keqen. Ngadalë- ngadalë nisi ta marrë veten.

Mesa kuptova unë, ju nuk pranoni të integroheni në Europrë, po u konvertua Leku në Euro?- u drejtua Hasani të pranishmëve.

Nuk ka rrugë tjetër,- e vulosi Zyberi .

Këtë shqetësim do ta transmetoj te kandidati për deputet,- premtoi Hasani solemnisht.- Ai e ka deklaruar se është vetëm në sherbim të popullit.

Kush të beson ty!? – u turr Zyberi.- Ne u besojmë vetëm veshëve tona. Nëse na kërkon votën , të vijë këtu urgjent ,dhe të deklarojë, se nuk ka për ta pranuar ,në asnjë menyrë, të ndërrohet Leku me Euron.

Hasani e quajti të lehtë plotësimin e deshirë së tyre. Bëri dy tre thirrje telefonike.

Kandidati për deputet së shpejti do të vijë këtu,- i qetësoi bukurmirë.

A je dakort t’i të ndërrohet Leku me Euron?- iu drejtua Zyberi Yllit , ende pa i dhënë dorën.

Atë ditë do të jetë ngjaria më e lumtur për atdheun tonë, - përgjigjet me nxitim kandidati për deputet.

Me këto mend je edhe ti. Na dëgjo mirë! Asnjë votë nuk e merr nga shkozarët, po nuk mbrojte lekun tonë! - e urdhëroi Zyberi me nervozizëm.

Çfarë u keni përrallisur, që janë mërzitur kaq shumë?- na pyet Ylli me ton.

Atë që posa pahuat ju,- i ndënji gati Sandri vetullngrysur.

Menjëherë hyri Hasani për të ftilluar situatën.I tregoi Yllit me detaje se çfarë u shpjegoi Sandri, dhe çfarë nuk i pëlqen elektoratit.Edhe Yllit iu larguan retë e shiut verorë.

U jap fjalën e burrave, se kam për të punuar me përkushtim,që leku ynë i dashur të mos ndërrohet kurrë me Euron!- deklaroi Ylli me gotën e verës në dorë.- Shkozarët kanë qënë,edhe mbeten patriotë.

Pas kesaj deklarate solemne, Zyberi me shokët ,u qetësuan bukurmirë. Secili premtonte, se familjarisht, do të votonte për zotin Ylli.Ndërsa kandidati,rrok e puth ,deklaronte se gjithnji do të ndjekë nga pranë shqetësimet e popullit patriotik. Në mes të duartrokitjeve u futëm në autovetur.

Te restorant Krokodili nuk u ndalëm. Kandidati për deputet u thërrit urgjent nga kryesia e partisë. Të nesërmen,gazetat humoristike,deklaraten e zotit Ylli e vendosën si editorial.

Zoti Ylli u bë deputet. Nga mungesa e kohës ,ende nuk na ka çuar për ta parë restorant Krokodilin nga brënda. Me Sandrin, na u rimbush mendja, se nuk ia shkrepim në politikë.I jemi betuar njëri -tjeterit me solemnitet:” Nuk do t’i shkojmë pas asnjë kandidati për deputet,sikur t’u hajë shpina ,edhe fëmijëva tanë !”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat