Kujtimi i orës me fotografinë e diktatorit - Bota Sot
Kujtimi i orës me fotografinë e diktatorit

Kultura

Kujtimi i orës me fotografinë e diktatorit

Nga: Alfred Papuçiu Më: 7 qershor 2019 Në ora: 21:36
Alfred Papuçiu

Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin, kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, në Europë dhe jashtë saj. Këtë ndjej në këto çaste edhe për mikun tim, Arbanin, i cili ka ndërtuar një familje të shëndoshë, duke kaluar gjatë jetës së tij vështirësi dhe që ka akoma brenga për një të kaluar të hidhur.

Për të, si dhe për mua, si europianë të zjarrtë të “Europës tjetër” që jemi, edhe Skënderbeu , busti i të cilit, i realizuar me mjeshtri nga Odhise Paskali, e që ndodhet në parkun e madh William Poppard, pranë liqenit Leman në Gjenevë, Nënë Tereza. Isa Boletini, Adem Jashari, Shote dhe Azem Galica, Mic Sokoli, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për herojtë e Kombit tonë që u vunë gjoksin topave të armikut.

Ishim ulur të dy buzë liqenit dhe Arbani thithte pa pushim cigaren. Mendja i shkonte tej tek vendi i tij. Kishte shumë kujtime. Ishte i përmalluar. Kishte dëshirë të shprehte diçka , por e mundonte e kaluara e hidhur, si dhe hallet e shumta të jetës. Sidoqoftë, ndjente një kënaqësi të veçantë dhe e kishte shprehur disa herë: kishin mbaruar njëherë e përgjithmonë meskinitetet e së kaluarës dhe “qoftëlargët” ishin tulatur.

Pasi buzëqeshi, ashtu çiltër si gjithmonë tha: “Nuk më harrohet dita kur morëm vesh se përmendorja e diktatorit ishte rrëzuar. Kishim frikë ta shprehnim gëzimin, pasi akoma na mbulonte hija e së kaluarës, frika e atyre që na qëndronin akoma mbi kokë. Ai punonjësi rodhe i nomenklaturës shihte me mosbesim, ishte skuqur flakë si gjithmonë, kur diçka nuk shkonte ose nuk i pëlqente, megjithatë ishte mësuar, ose më mirë e kishin mësuar ta përmbante vehten. Shkova në apartamentin tim. U kujtova se dikush më kishte sjellë para një viti, një orë, të punuar në mënyrë artizanale, ku ishte vizatuar fotografia e atij merhumit. E kisha futur diku në raftet e sipërme të dollapit të madh të dhomës së gjumit. Isha i sigurt që gjatë kohës që kishin bastisur apartamentin tim, “qoftëlargu”, punonjësi rodhe i nomenklaturës dhe ata që kishte thirrur ai, patjetër e kishin parë. E unë isha jashtë qytetit me shërbim, një ditë. Megjithëse kisha patur nevojë për marrëdhënie të ndershme që zgjasin, që i rezistojnë kohës, siç kisha patur me të gjithë kolegët në punët e mëparshme, këtu kjo nuk qe e mundëshme.

Më parë, të them të drejtën, as nuk kisha vënë re se si i vendosja librat, apo ç'libra e shënime mbaja, çfarë kasetash e videokasetash me muzikë kishin fëmijët e sidomos djali etj. Sidoqoftë, kujtimi i hidhur i asaj dite kur gruaja ishte në spital me djalin që ishte sëmurë dhe unë kthehem dhe e gjej shtëpinë të përmbysur, sidomos duke qënë në dhe të huaj, nuk më harrohet. Më kujtohet edhe sot e kësaj dite e më ngjethet mishi dhe nuk do më hiqet nga mendja deri sa të mbyll sytë. E kam lënë me shkrim diku, tek një miku im që ata qoftëlargë ta gjejnë nga Zoti i plotfuqishëm. Dhe njëri prej tyre e ka marrë tashmë dënimin nga Zoti i madh dhe jo nga unë. Bile ai u detyrua të largohej para meje edhe për shkak se qëndrimi i tij kishte marrë dhenë dhe letrat e tij prej “shkrimtari” kishin rënë edhe në dorën e miqve të mij të cilët më thonin që të kisha kujdes prej atij “qoftëlargu”.

Atë mbrëmje nuk e di se si e mbajta veten kur e gjeta apartamentin rrëmujë dhe flaka jashtë monedhat e vogla të vendeve fqinj, nga toka dhe nga deti (të vendosura nga ata si dëshmi e ndonjë “tradhtie të madhe” nga ana ime, i paguar gjoja nga dikush, a kushedi çfarë u pillte mendja e mbrapshtë), hoqa artikullin me fotografinë e madhe të ministrit të jashtëm të vendit ku kisha bujtur, fotokopjuar me kujdes nga ata, ndoshta nga “qoftëlargu”, nuk e di përse edhe sot e kësaj dite, si dhe gazeta të tjera me artikuj të çuditshëm. Siç duket për ta patur si dëshmi të ndonjë “bëme” timen ndaj vendit mik. Gjë që as mund të mendohej, pasi unë jetën e djalit tim ia detyroja mjekëve humanistë të atij vendi mikpritës, këmbënguljes së tyre për ta shëruar apo të paktën për t'i përdorur një terapi bashkëkohore e rezultative. Më vonë, në videokasetat e tim biri, së bashku me muzikën moderne gjeta edhe pamje të atij diktatori gjakpirës të bashkëkombasve tanë në Kosovë, siç duket përsëri dëshmi për të provuar fajësinë time, që “bashkë me muzikën moderne ndodhej edhe ai”. Budallallëqe që vetëm atyre mund t'u vinin ndërmend.

Nuk e di se si më erdhi dhe mendoj se bëra mirë: nuk njoftova autoritetet e vendit, pasi e dija se do te gjehej një shkak nga ana e rrogëtarëve burokratë të kryeqytetit tim, që unë të ikja, siç ndodhi pak më vonë, por të paktën të mos vinte nga unë vetë. Jetova pothuajse pa dëshirë ditë të tëra, pashë shumë pak miq. Hapja një libër, mendoja për gjëra që nuk kishin aspak të bënin me atë që duhej të bëja gjatë ditës. Nuk ndihesha mirë. Isha si i paralizuar, si i ngrirë. Kisha shumë gjëra për të thënë, por asnjë mik i vërtetë nuk ishte pranë meje. Qëndroja i ulur orë të tëra në zyrën time dhe nuk ndieja as gëzim, asgjë, vetëm një boshllëk të madh. Ishte diçka e çuditshme. Përpara njerëzve, vazhdoja të buzëqeshja. Por e kuptova se isha në një tatëpjetë të rrezikshme, që e donin armiqtë e mij, dhe duhej të bëja gjithçka që ishte e mundëshme si njeri, për t'u ngjitur. Sidomos për familjen time.

Le të kthehem tek ora e madhe, e futur diku në raft. E mora dhe e vendosa në mur. E kurdisa dhe e lashë një kohë të shkurtër të punonte. Nuk pashë ndonjë ndryshim të veçantë tek punonjësi rrodhe i nomenklaturës. E shoqja turfullonte kur ne dilnim pa siklet për të shëtitur buzë liqenit Leman, ku harronim hallet, ku diçka na dukej e pastër, e çiltër dhe ku mund të flisnim lirshëm, pa patur frikë se njeri na qëndronte si hije. Ishtë kënaqësi e veçantë kur dilja, pas punës së lodhshme të ditës. Buzë Liqenit Leman, ajri është tepër i pastër dhe në fytyrë vjen ai flladi i freskët dhe çlodhës. Aty ndodhet dhe ndërtesa e madhe e të Drejtave të Njeriut, ose siç quhet ndryshe Pallati Uillson. Thomas Uillson ka qënë presidenti i SHBA për dhjetë vite rresht, rektor i Universitetit të Princetounit dhe guvernator i Nju Xhersit, strehë prej dekadash e shumë shqiptarëve të ndershëm. Mendimi për krijimin e Lidhjes së Kombeve është meritë e këtij burri të madh shteti, amerikan. Uillson, mëse njëherë ka mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Sidomos kuptimplotë është qëndrimi i tij i vendosur për këtë çështje në Konferencën e Paqes në Versajë të Francës.

Sa e bukur na dukej jeta, sidomos kur djali ynë i zgjuar bëhej më mirë nga shëndeti. Gruaja ime, çdo mbrëmje, e vetme përballë Zotit, larg stresit, falej, falej pa pushim dhe me një zell të madh. Ajo besonte dhe beson akoma, bile edhe unë qysh prej një kohe, se ne kemi të gjithë një ëngjëll që na mbron dhe na ndihmon t' i kapërcejmë vështirësitë.

Le të kthehem tek tema kryesore e kësaj bisede. Pas nja dy ditësh, nuk m'u durua më , sidomos kur dëgjoja se makina infernale e komunizmit ishte tërbuar, dhe i ndalova akrepat e orës me figurën e madhe të diktatorit. Për t' i thënë punonjësit rrodhe të nomenklaturës se koha e tij kishte përfunduar, se hija e diktatorit tanimë nuk na shtinte më frikën, se mund të merrnim frymë lirisht. Për mua, një simbol i bukur mbetet ora e lulëzuar gjithmonë me 12.000 bimësi që e zbukurojnë dhe që ndodhet në breg të liqenit Leman, tek Parku anglez”.

Arbani thithte me kënaqësi cigaren, ndërsa atje tej filluan të ndrisin fishekzjarret, sinjal i fillimit të festës kombëtare të vendit mikpritës.
 

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...