Rimanishta - çerdhe talentësh - Bota Sot
Rimanishta - çerdhe talentësh

Kultura

Rimanishta - çerdhe talentësh

Nga: Zymer Mehani Më: 10 qershor 2019 Në ora: 08:52
Rimanishta

Më 7 qershor 2019, në fshatin Rimanishtë, pikërisht në Shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Nexhmi Mustafa” u bë përurimi i vëllimit poetik “Dëshira e poetit” të autores Ornela Lahu, nxënëse e klasës VII të kësaj shkolle.

Nga Prishtina për këtë eviment udhëtuan poetët Fadil H. Curri, fatmir Çitaku, Hajrush Redenica dhe Zymer Mehani, të cilët u pritën nga nxënësit, prindërit dhe stafi i shkollës, drejtoresha Xhevrije Osmani dhe arsimtarja Safete Fetahu.

Në fillim u mbajt një orë letrare, ku me vargjet e tyre u paraqitën nxënësit: Vesa Musliu, Yll Syla, Lediona Musliu, Samir Mustafa, Medina Mustafa, Albion Rexha, Diellona Rexha, Altin Sejdiu dhe Ornela Lahu. Më pas programi vazhdoi me promovimin e librit “Dëshira e poetit” të autores Ornela Lahu. Për librin folën shkrimtarët Fadil H. Curri dhe Zymer Mehani. Z. Curri, duke e përshëndetur këtë ngjarje kulturore në emrin e tij dhe të LSHK-së, ndër të tjera theksoi se edhe krijuesit e vegjël, sikurse Ornela Lahu tani më po shtegtojnë sigurt drejt shtigjeve të artit përgjithësisht, e në veçanti drejt poezisë, gjë që është një e arritur e madhe. Ndërsa prof. Zymer Mehani e lexoi vështrimin e tij për librin “Dëshira e poetit” ku ndër tjerash tha: ” Letërsisë sonë për fëmijë këtyre ditëve iu shtua edhe një vëllim poetik nga autorja Ornela Lahu, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën e Mesme të Ulët “Nexhmi Mustafa” në fshatin Rimanishtë të komunës së Prishtinës. Kjo përmbledhje poetike e kësaj voglusheje të zellshme fëmijëve përmes vargjeve ua ka sjellë buzëqeshjen dhe gjithçka që është e mirë, si ngrohtësinë prindore, ledhatimet e gjyshit dhe përrallat e gjyshes, lojërat e vogëlushëve, ëndrrat dhe dëshirat e çupave dhe të çunave, tiparet e bukura të stinëve të vitit, atmosferën e gjallë të jetës shkollore, shembujt e heroizmit të trimave luftëtarë etj…etj.

Posa më ranë në dorë poezitë e këtij fëmije të mrekullueshëm, m’u dha rasti për t’i shënuar disa meditacione në lidhje me poezinë e saj, për atë që shpreh dhe përmban ajo si fuqi potenciale edhe njohëse, edhe argëtuese, por mbi të gjitha edhe edukative.

Mendojmë se kjo përmbledhje me vjersha për fëmijë, e shkruar nga një fëmijë talent, siç është Ornela Lahu, vërtet është dëshmi se ekzistuaka mundësia dhe qenka e mundur që fjalën e bukur artistike ta shkruajnë dhe kultivojnë me shije edhe moshat e reja fëmijërore.

Shumë lexues të vegjël, bashkëmoshatarë të Ornelës, nga vëllimi poetik “Dëshira e poetit” presin argëtim, edukim dhe hare, presin atë që është e natyrshme, tërheqëse dhe e pranueshme për fëmijët, atë që edhe poetët e rritur ua kanë borxh fëmijëve- vargjet me karakter edukativ, argëtues dhe njohës. E të gjitha këto i ka arritur me vargjet e veta vogëlushja penartë Ornela Lahu.

Vogëlushja e talenturar, Ornela në vargjet e këtij vëllimi ka arritur të pasqyrojë tablot e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat, krajatat dhe andrallat e shumta me fjalë të zgjedhura dhe të kuptueshme për bashkëmoshatarët.

Ornela Lahu dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t’i nxisë për mësim dhe t’u tregojë për gëzimin që ua sjell ai në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që autorja jonë e vogël ia ka parashtruar vetes, pra, bashkëmoshatarët e saj të edukohen për mësim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të sigurt që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur.

Meqë përmbledhja “Dëshira e poetit” është e shkruar nga një vajzushë 13-vjeçare, s’do mend se gjuha e saj e përdorur në këtë vëllim është e thjeshtë, e kulluar dhe e kuptueshme për fëmijët e tjerë. Pra fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.

Motivet e trajtuara në poezitë e autores Ornela Lahu janë jeta dhe marrëdhëniet në familje, dashuria prindore, respekti ndaj gjyshit e gjyshes, jeta shkollore, dashuria dhe admirimi për mësuesen, gjuha shqipe, heronjtë e kombit, natyra e vendlindjes etj.

Metri dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm dhe tejet karakteristikë me melodicitetin e këndshëm.

Ornela Lahu u lind më 11. 06. 2006. Është nxënëse e klasës së shtatë të Shkollës së Mesme të Ulët “Nexhmi Mustafa” të fshatit Rimanishtë të komunës së Prishtinës. Kjo nxënëse përveç që është talente në lëndët mësimore, e sidomos në lëndën gjuhë shqipe, merret edhe me shkrime të vargjeve dhe të eseve temash të ndryshme. Libri “Dëshira e poetit” është vëllimi i parë poetik i saj dhe shpresojmë se nuk do të jetë edhe i fundit.

Ornela Lahu jeton në fshatin Rimanishtë”, për të përfunduar me urimin:”Autores Ornela Lahu i urojmë rritë të mbarë në gjirin familjar, ndërsa juve, bashkëmoshatarë të kësaj vogëlusheje talente, ju urojmë lexim të këndshëm dhe gëzime në jetë!”

T’ua rikujtojmë lexuesve se Rimanishta është fshat, që gjendet 15 kilometra në verilindje të Prishtinës, në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë. Është fshat malore, lashtësia e të cilit në bazë të dokumenteve të gjetura daton që nga shekulli XIV i njohur me emrin Rimaniste. Ka rreth 140 shtëpi me 950 banorë. Ky fshat kufizohet me Besinë, Vranidollin, Cerovcin, Tërrnavën, Vanovcin, Sharbanin dhe Siqevën. Banorët e Rimanishtës janë të ndarë në disa lagje, si Musliu, Lahu, Rexha, Arifi, Mustafa, Syl etj. Më tepër se gjysma e territorit të fshatit është mal, kurse gjysma tjetër është me livadhe dhe me tokë të punushme e cilësisë jo të mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...