A - Zh, vargje për fëmijë me shumë mesazhe edukative - Bota Sot
A - Zh, vargje për fëmijë me shumë mesazhe edukative

Kultura

A - Zh, vargje për fëmijë me shumë mesazhe edukative

Nga: Milazim Kadriu Më: 12 qershor 2019 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Librat e shkruar për fëmijë qoftë në prozë apo poezi duhet të jenë të veçanta dhe për këtë lipset një qasje më e përkushtuar. Ato shkrime duhet të jenë adekuate për moshën e tyre, ngase duhet pasur parasysh aftësitë e tyre që kanë ata për ti kuptuar dhe nëse kjo bëhet si duhet ata do të cyten me një kreativitet të duhur për leximin e librave për ta. Edhe orientimi i tyre për leximin e literaturës duhet pasur kujdes nga vetë mësimdhënësit e tyre.

Andaj kur autorët e librave janë edhe mësimdhënës e dinë më së miri kërkesën dhe mundësinë që kanë nxënësit për literaturën që duhet lexuar.

Hajdin H. Krasniqi deri tash ka botuar mbi dhjetë libra të ndryshëm, e që kësaj radhe na vjen me një përmbledhje poetike që është mjaft specifike ngase kësaj radhe ai u drejtohet lexuesve të vegjël, pra ju kushtohet fatosave që posa kanë përfunduar mësimin e shkronjave të alfabetit shqip. Ai këto vargje i nxjerr nga thellësia e shpirtit.

Autori librin e tij “Shkronja e vargje” e ka ndarë në dy pjesë ( A-Zh dhe Buqetë tingujsh).

Në pjesën e parë autori sjell vargje shumë të dashura për ata që posa kanë përfunduar së mësuari shkronjat e alfabetit shqip. Pasi i kanë mësuar 36 shkronjat e alfabetit tonë, autori për çdo shkronjë ka thurur nga një vjershë me nga tre strofa ku vargjet e tyre janë të lidhura ngushtë me jetën shkollore, me data të rëndësishme të historisë sonë, mandej me shtazë e shpezë, insekte, pemë e perime e shumë gjëra tjera që fëmijët i duanë më së shumti. Këtë autori e dinë mirë se çka u pëlqen fëmijëve ngase ka kaluar vite të tëra me ta si mësimdhënës dhe për atë dinë që në vargjet e tij të sjell mesazhe edukativo-arsimore për më të vegjlit.

Shtatë zanore
Dorë për dore
Thërrasin motrat
Bashkëtingëllore.

Me këto vargje të vjershës “Alfabeti” e hap librin e tij autori Hajdin H. Krasniqi e për të vazhduar më pas me vargjet për secilën shkronjë, që ëmbëlsojnë shijen e lexuesit e sidomos të fëmijëve..

Aromë jete
Është liria
Largon prangat
Nga robëria.

Janë këto vargje të shkronjës A, për të vazhduar pastaj me shkronjat e radhës që flasin për librin, insektet, natyrën e shumë gjëra tjera. Tek shkronja B, fillon me këto vargje :

Lule m' lule
Mbledhë nektar
Bletë punëtorja
Sa e mbarë.

Ose tek shkronja Ç :

Çanta e mbushur
Me thesar
Sjellë gëzime
E jetë të mbarë.

Dhe kështu Krasniqi vazhdon shkronjë pas shkronje nëpër të 36 margaritarët duke prekur dhe duke sjellur e trajtuar thuaja çdo temë me rëndësi të posaçme.

Ja si shprehet tek vargjet në shkronjën J :

Jetë moj jetë
Sa e ëmbël je
Askund shoqen
Nuk e ke.

Vargjet e këtij libri janë plotë edukatë, që mund të themi lirshëm se mund të shërbej edhe si literaturë shkollore, ngase nuk lenë temë pa prekur dhe me këto vargje fatosat ushqejnë gjithë ndjenjat me fisnikëri njerëzore, por edhe pedagogjike.

Andaj Hajdin H. Krasniqi kësaj radhe vjen në letërsinë tonë për fëmijë me vlera të shquara ideo-edukative dhe ideoestetike.

Në fund të shkronjave autori sjell vjershën “Tinguj e shkronja” ku ndër tjera shprehet:

Pika, pika
Mbushet pusi
Tinguj e shkronja
Shpjegon mësuesi.

Në pjesën e dytë të këtij libri autori sjell vjersha me tema të ndryshme ku i këndon lirisë, shqiponjës, flamurit, natyrës, fluturës, bilbilit, vendlindjes, shkollës, librit, stinëve të vitit, prindërve, vëllait, motrës, mbesës etj.

Ja si shprehet në vjershën “Jeta” :

Katër shkronja,
Ka kjo fjalë,
Herë e ftohtë,
E herë e valë.

Ose në vjershën “Liria”

Është liria,
Si rreze dielli,
Më e bukur,
Se lule prilli.

Edhe pse autori tashmë është në pension, akoma e ndjen vetën sikur është me nxënësit e tij dhe këtë më së miri na e dëshmon me vargjet e tij që i shkruan sikur në kohën kur ishte më nxënësit e tij. Ai këtë e dëshmon se puna është e bukur dhe se ajo është jeta e njeriut e sidomos puna me fëmijët. Andaj edhe tashmë në një moshë të shtyrë ai me mendje është pranë nxënësve të tij dhe sjell këtë libër të bukur për nxënësit, për fatosat që posa kanë mësuar shkronjat.

Marr në përgjithësi vargjet e këtij libri në të dyja ciklet kanë tema tepër të qëlluara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me jetën dhe preokupimet e fëmijëve si tematikë nga aktualiteti, imagjinata dhe përshkrime të natyrës, të festave të ndryshme e mbi të gjitha trajton dashurinë ndaj prindërve, shkollës, natyrës, atdheut …

Ky libër që ka dy cikle në të cilën janë 36 vjersha bazuar në shkronjat e alfabetit tonë dhe po ashtu ka edhe 68 vjersha tjera dhe kushdo që ta lexojë shpresojmë se do të ngelet i kënaqur me këto vargje ngase autori përmes vargjeve ka respektuar shkronjat e gjuhës shqipe, shkronja këto që u mbrojtën me mund e gjak.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...