Lundro, lundro, çuni im i vogël

Kultura

Lundro, lundro, çuni im i vogël

Nga: Hajdar Mallaku Më: 15 qershor 2019 Në ora: 13:20
Hajdar Mallaku

Në jetë u nise të lundrosh

Me një palë brekushe e një dërrasë nën shalë

Lumëbardhit tatëpjetë.

E të mori Milacka e të mori Buna,

E prapë Morava. Të bartën lumenj

Edhe dete andej e këndej.

I shpëtove rrezikut si Davidi strofkës së luanëve

Dhe u bëre I Madh,

I madh sa të lundrosh në qiellin e shtatë

Si yll mbi yje.

Ne nuk patëm lumë që e rrit peshkun e madh,

Ne nuk patëm det që e kthen Uliksin në Itakë,

Ne nuk i besuam besës që e ktheu Aganë në Ulqin,

Baladat na mbetën të ngrira në dridhjen e dy telave.

Po. Ne nuk patëm dhimbje për historinë

Që Skënderbeut t’ia japim fytyrën tënde.

Hall me ne ! Si shumë herë në histori

Ti vdiqe pa ta uruar shtatin Kosova.

E sot vjen të lundrosh fi e fingill i pafikur

Në lumin e fëmijërisë, në Lumbardh.

Lundro, lundro, gjeniu ynë I Madh,

Ti nuk do të humbesh i heshtur,

Kosova është nënë që s’ka fëmijë për të humbur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat