Një libër me vlerë të veçantë për historinë tonë

Kultura

Një libër me vlerë të veçantë për historinë tonë

Nga: Faik Miftari Më: 18 qershor 2019 Në ora: 21:21
Faik Miftari

Para ca kohësh pata rastin të lexojë librin e përgatitur për botim nga dr. Nimetullah Hafëzi”Jeta dhe veprat e Shykri Dilegut” i cili me të vërtet ishte një kënaqësi e veçantë nga njëra anë dhe një befasi e jashtëzakonshme nga ana tjetër. Aq më shumë kur mora vesh se Shukri Dilegu ishte një bashkëqytetar ynë prizrenas i cili ishte shpërngulur para 90 vitesh në Turqi, për të cilin dorën në zemër nuk kam pas njohuri gjer tani, e i cili ka lindur dhe jetuar në lagjen në të cilin gravitojë në Prizren, para se të shpërngulej në Turqi.

Dilegu, ka shkruar dy libra, njëra titullohet “Jetëshkrimi im” dhe tjetra “Lufta Ballkanike dhe Lufta e Madhe” në gjuhën osmane me alfabet arab. Në saje të punës dhe angazhimit të studiuesit dr. Nimetullah Hafëzi, arriti që këto vepra t’i transkriptoi në alfabet latin dhe t’i përshtat në gjuhën turke, duke i botuar në një libër të vetëm me titull ”Şükrü Dilege Hayatı ve eserleri- Jeta dhe vepra e Dilegut” në vitin 2014 me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Luftës së parë botërore. Të njëjtën libër pas disa përmirësimeve dhe plotësimeve e ribotoi në vitin 2017, duke përfshirë në të edhe shkrimin origjinal të autorit në gjuhën osmane me alfabet arab, për të pasur qasje direkte ata studiues të cilët merren me studimin dhe hulumtimin e gjuhës osmane me alfabet arab.

Ky libër i shkruar nga autori Shykri Dilegu si i tillë ka një vlerë të madhe jo vetëm për historinë tonë, por edhe për historinë osmane(turke), si dhe për historinë e Ballkanit pasi i përshkruan me mjaft sukses ngjarjet, pasi ishte vet përjetues “live” i periudhës së fundit të qeverisjes osmane në Ballkan, Luftën ballkanike dhe Luftën e madhe apo Luftën e parë botërore. E veçanta e këtij libri është se autori qet në dritë, ngjarjet e ndodhura të asaj periudhe jo vetëm në qytetin e Prizrenit, por edhe më gjerë, në Kosovë e Shqipëri si dhe në Ballkan. Duhet bërë çmos që ky libër me vlerë të madhe historike, sa më parë të përkthehet në gjuhën shqipe për të prezantuar opinionit të gjerë publik shqiptar të dhëna të reja gjer tani të panjohura, pasi që me të vërtet me përkthimin dhe botimin e këtij libri historia jonë do të pasurohet me të dhëna të reja historike që gjer tani i kanë munguar historisë sonë kombëtare nga periudha osmane, Luftën ballkanike si dhe Luftën e parë botërore.

Shykri Dilegu u lind në vitin 1879 në Prizren, në mahallën e Mehmet Pashës (Bajraklisë) në shtëpinë e familjes së Agallarëve( Dodave) të sotshme, e cila gjendet ngjit me kompleksin e tanishëm të Lidhjes së Prizrenit. Baba i tij ishte Galip Agallari, i cili rrjedh nga një familje e njohur qytetare prizrenase. Nëna e tij ishte Fatime hanëm e cila pas një sëmundje të shkurtër vdiq kur Shykriu ishte tetëvjeçar. Shykriu ishte fëmija i dytë në familjen e tij, ndërsa vëllai i tij më i vogël ishte Nysret ef. Agallari (Doda), myftiu i dikurshëm i Prizrenit dhe myderriz (profesor) i Medresesë së Mehmet pashës në Prizren, gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar apo shekullit XX-të.

Pas kryerjes së iptidaijes(shkollës fillore) Shykri (Agallari) Dilegu vazhdoi mësimet në ryzhdijen (gjimnazin) e Prizrenit të cilin e kreu me sukses. Pasi që në atë kohë në Prizren nuk ka pas shkollë më të lartë se gjimnazi, pas përfundimit të gjimnazit u punësua nëpunës në postën e Prizrenit në pozitën e telegrafistit në të cilin pozitë qëndroi 13 vite, gjer në vitin 1912 kur u tërhoq Perandoria Osmane pas dëbimit të saj nga Ballkani. Pasi ka punuar si telegrafist në postën e Prizrenit plot 13 vite, ka qenë përcjellës i drejtpërdrejtë i dorës së parë i ngjarjeve të mëdha historike që kanë shënuar këtë periudhë jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë e Shqipëri dhe Ballkanin në përgjithësi.

Pas pushtimit të Prizrenit nga Serbia në vitin 1912, i jepet rasti që të punojë prap në postën e Prizrenit në vitin 1913, por këtë ai kategorikisht e refuzoi. Në vitin 1921 në zgjedhjet e para komunale të mbajtura në Prizren zgjidhet në mesin e nëntë kuvendarëve mysliman, në mesin e të cilëve ishin përveç tjerash edhe Bajram Rogova dhe Ramiz Aliu. Pas kryerjes së mandatit trevjeçar të kuvendarit në komunën e Prizrenit, punoi një kohë si mësimdhënës i mësim besimit fetar mysliman së pari në fshatin Krushë e pastaj edhe në fshatin Zhur të Prizrenit në të cilin qëndroi dy vite. Pas kësaj mbeti pa punë dhe për shkaqe ekonomike, së bashku me familjen e tij tetë anëtarëshe, u detyrua të shpërngulet në Turqi në vitin 1929 dhe vendoset në Stamboll. Atje punoi si nëpunës gjer në pensionimin e tij. Në vitin 1951 i vdes bashkëshortja e tij e cila për të ishte një goditje e madhe, dhe së shpejti edhe ai ndërroi jetë në vitin 1952 dhe u varros në Stamboll larg vendlindjes së tij, Prizrenin që aq shumë e deshi.

Vepra e tij e parë ” Jetëshkrimi im “ në të cilin autori e ka përshkruar autobiografinë e tij nga lindja e gjer në shpërnguljen dhe jetën e tij në Turqi, përmban gjithsejtë 111 faqe, ndërsa libri i dytë” Lufta Ballkanike dhe Lufta e Madhe” përmban 132 faqe në të cilën autori i ka shënuar ngjarjet e rëndësishme historike të periudhe kohore 1912-1918.

E përgëzoj dr. Nimetullah Hafëzin për punën e tij rreth përgatitjes së këtij libri për botim, njëherit shpresoj që ky libër sa më parë të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa gjatë ditëve dhe javëve në vijim do të përkthejë disa nga ngjarjet që janë me interes të veçantë për opinionin tonë publik shqiptar.

Në fund do të përmbyll këtë prezantim të librit me një thënie të dhimbshme nga autori i këtij libri, Shykri(Agallari) Dilegut, i cili e ka përjetuar drejtpërsëdrejti në lëkurën e tij, pushtimin e atdheut nga ushtria serbe në vitin 1912: ” Nëse në botë ekziston diçka më e dhimbshme , atëherë ajo është humbja e vatanit(atdheut)”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat