Meditim për fisnikun Marcel Cellier, fitues i Grammy Award dhe shqiptarët

Kultura

Meditim për fisnikun Marcel Cellier, fitues i Grammy Award dhe shqiptarët

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 23 qershor 2019 Në ora: 23:06
Marcel Cellier

Zbulova pak kohë më parë se Frankensein kishte lindur në brigjet e qeta të liqenit Leman, Zvicër, në 1816. Mary Shelley qëndroi në Gjenevë me Percy Shelley, poet, dashnori i saj dhe pak më vonë, i shoqi. Atje ata gjejne të shquarin Lordin Bajron, mik i shqiptarëve. Nje ditë ata ndërmorrën një sfidë : të shkruanin historinë më të bukur. Edhe unë u frymëzova nga ata dhe nisa të shkruaj. Për cilin do te thoni ju. Për virtuozin Marcel Cellier.

Marcel Cellier u largua nga kjo jetë në moshën 89 vjeçare. E shoqja e përkushtuar, Katerina, më theksoi se ai vazhdoi me sa mundi të japë ndihmesën e tij për përhapjen e muzikës popullore të vendeve të Ballkanit. Organist dhe etnomuzikolog, Marceli përshkoi Ballkanin (Rumani, Shqipëri, Bullgari, Hungari) duke rregjistruar pa ndërprerje, pa u lodhur, muzikën autentike të këtyre vendeve. Disku i tij « Shqipëria misterioze » pati sukses të jashtëzakonshëm dhe akoma dëgjohet nga amatorët e muzikës popullore. Kur kthehej në Zvicër ai rregjistronte emisionin « Nga Deti i Zi në Balltik » në Radio Suisse Romande. Në këtë emision u transmetuan për ditë të tëra edhe emisione me muzikën folklorike shqiptare të të gjithë trevave tona. Ai vazhdoi për 30 vite me radhë të bashkëpunonte me Radio Suisse Romande dhe me rastin e 85 vjetorit të tij mori dhe « Medaljen e Artë të Shekullit ». Në 14 maj 2014, në kujtim të Marcel Cellier, « Radio Kombëtare Bullgare », BNR, i akordoi çmimin Sirak Stitnik dhe organizoi një koncert të « Mistereve të Zërave bullgare ». Aleksandri i biri i Marselit dhe Katerinës kujton se të premten në datë 13, Katerina vuri një disk për ta dëgjuar. Ata dëgjonin Misterin e Zërave bullgare. Marseli priti fundin e diskut të Misterit..për të ndërmarrë rrugën…Mamaja ishte pranë tij në çastin kur Marseli u largua qetësisht, ditë e Shënjtores Lucie në orën 15.00. Mënyra më e bukur dhe elegante për të ikur nga kjo jetë. E gjithë jeta e tij kishte ritmin e muzikës ».I biri i tij kujton akoma : »Marseli më ka çuar në Shqipëri, kur ky vend ishte ende bastioni i fundit dhe krenar i stalinizmit. Ne mbijetuam nga një tërmet atë mëngjes të 15 prillit 1979. Ishim të vetmit perendimorë që udhëtonim me makinë private në Tiranë dhe ai nuk pati frikë që të më shoqëronte, për të realizuar fotografi të ndaluara që munda t i marr në pjesën e prapme të Mercedezit, në një rrugicë që e kisha pikasur duke shëtitur . Të gjitha këngët që rregjistroi ishin të bukura, por mbetet në mendje kënga e Celo Mezanit, e madhërishme « . Ishte tepër skrupuloz dhe gjithçka e bënte me program. Ai nuk i thoshte kurrë jo një gote të vogël vere të bardhë të ftohtë ose një gotë raki në fund të ushqimit që e kishte marrë si dhuratë nga miqtë në Shqipëri.. Ishte elegant dhe shkonte në punë me një motor, por në një kostum të bardhë. Kur vendosej duart në tastierë të një pianoje ose një organoje të madhe, nuk e mendoni se çfarë mund të rrezatonte. Dhe të gjithë dëgjuesit e tij besnikë e ndjenin atë kur ishte para mikrofonit të radios.

Puna e palodhur është ligji i artit dhe i jetës, kurse arti është riprodhim krijues i realitetit. Për këtë arsye, Marcel Cellier nuk priste as porosi, as porositës ; ai krijonte vazhdimisht sot, nesër dhe gjithnjë. Këtu e ka burimin zakoni për punë, lufta e vazhdueshme me vështirësitë, mbi bazat e të cilave lulëzon bashkimi i lirë i artistit Marcel Cellier me Muzën dhe me forcat e veta krijuese.

Marceli ishte i talentuar, pasi ai i kthehej me punë të përsëritur objektit të krijimtarisë së vet, pra punonte dhe ripunonte, dhe përsëri ripunonte pa fund, gjersa bindej se ka krijuar diçka të përkryer, një vepër të madhe arti, me nagrën e tij. Marcel Cellier shprehej se nuk duhej ndërprerë asnjë ditë puna për krijimtarinë. Nuk ka gjë më të rrezikshme, thoshte ai, sesa puna e ndërprerë ; kjo është një shprehi që ikën dhe nuk kthehet më, shprehi që është lehtë ta braktisësh, por shumë e vështirë ta rifitosh.

Nuk e mbaj mend mirë se si lindi miqësia jonë, vetëm se atë mbrëmje e ndjeja veten tepër të lumtur që isha në shtëpinë e Marcel Cellier, bashkë me bashkëshorten time. Ishte edhe për të një gjë e mirë, pasi shpesh nga që lodhej gjatë javës parapëlqente të qëndronte e të çlodhej në shtëpi, përveç punëve të shumta që e prisnin. Marceli na nxorri aperitivin dhe na shërbeu gjëra të tjera, me atë buzëqeshjen e tij karakteristike. Gjithmonë faqet i rrinin të kuqe, duke i dhënë një hijeshi të veçantë. Kujtonte udhëtimin e tij në Shqipëri e sidomos në festivalin e Gjirokastrës ku kishte bërë rregjistrime të bukura e me shumë vlerë. E vetmja gjë që i kishte mbetur peng ishte se atëherë dikush atje në Tiranë (viti 1989) nuk kishte pranuar ta shoqëronte e shoqja Katerina, e cila donte të realizonte fotografitë, siç bënte në udhëtime të tjera me të. Edhe unë kisha mbetur i mërzitur atëhere, por të paktën nga Zvicra shkuan tre personalitete të artit: Marcel Cellier, Pierre Barde dhe Antoine Bordier, të dy gazetarë të televizionit të Gjenevës. Marceli pas një çasti na dhuroi diskun e tij me muzikë popullore shqiptare me titull « Shqipëria misterioze ». E dëgjuam një pjesë të saj dhe u mahnitëm me mënyrën se si virtuozi kishte paraqitur këngët tona të trevave te ndryshme të Kombit tonë.
 

Atë darkë aty ishte edhe Aleksandri, djali i Marcelit, një virtuoz i vërtetë, që e kishte azhendën e tij të mbushur plot, për muaj të tërë. Ai kishte kënaqësi të merrte pjesë nëpër dasma dhe të kënaqte të pranishmit me lojën e tij të mrekullueshme. Ishte dhe djali tjetër, si edhe e shoqja e tij. Pas një kohe, mbasi kishim dëgjuar Aleksandrin në piano, si dhe Marcelin duke na treguar muzikën e tij të rregjistruar shqiptare, Marceli më tha: „Do të të jap një dhuratë. Ky është disku i ri që kam bërë me muzikë shqiptare, realizuar në Francë... U emocionova kur e mora atë disk me nënshkrimin e Marcelit. Mbi të gjitha më kujtoheshin emisionet e tij pasionante tek “ Radio Swis romandë ” për muzikën shqiptare. Ato fjalë të bukura e plot dashuri të Marcelit për këngët tona popullore, për folklorin shqiptar: „ Këngët ishin shumë dinjitoze“, „qënja `shqipëtare` e kësaj pasurie“ kur ai u drejtohej „miqve të muzikës tradicionale të Zvicrës“, siç e përsëriste vetë shpesh. Më kujtoheshin fjalët e tij shumë poetike: „Ngjitem me manjetofonin tim Nagra, mbajtur krahëqafë, në rrugën e mundimshme dhe me gurë që shkon zigzag deri tek kalaja e Gjirokastrës. Duke marrë përsëri frymë, shikimi im shkon tek çatitë prej guri të qytetit piktoresk...“ Dhe më tej, ai thekson kur shiu i rrëmbyeshëm fillon të bjerë mbi skenë: „Shqiptarët janë shumë krenarë dhe nuk braktisin me asnjë pretekst... Artistët kanë ardhur nga disa fshatra dhe lugina të largëta, në mënyrë të çuditshme me dhunti, për të na shfaqur diçka me origjinalitet të habitshëm“... „Të gjithë ngrinin shëndet me të gjithë, me konjak Skënderbej për miqësinë me Shqipërinë ”. Ai tregon: „Papritur, pas meje, dëgjoj të flitet për emra që janë tipikë amerikanë. Pra shkoj në atë drejtim dhe menjëherë bëj një pyetje: „Nga keni ardhur?“ „Ne jemi shqiptarë nga Detroiti i SHBA“- më përgjigjen ata. „A e ndjeni veten si në shtëpinë tuaj këtu në Gjirokastër“- i pyes. „Jo, këtu ne jemi në shtëpinë tonë“.
„Ky grup, sapo ngjitet në skenë, thotë Marceli, la një përshtypje shumë të mirë, të stilit me të vërtetë shqiptar...“ Marseli me zërin e tij melodioz më drejtohet : « Alfred, ajo që ja vlen është besimi, shpresa dhe dashuria. Por më e madhja nga të treja është dashuria ».
 

Marceli më parë më kishte dhuruar diskun e tij me muzikë popullore shqiptare me titull « Shqipëria misterioze ». E kishim dëgjuar një pjesë të saj para disa kohësh tek ai dhe u mahnitëm me mënyrën se si virtuozi kishte paraqitur këngët tona të trevave te ndryshme të Kombit tonë.
Më tha se kishte marrë « Grammy Award » për muzikën bullgare dhe të njëjtën gjë donte të realizonte me muzikën shqiptare. Propozoi që të bënte një disk tjetër me muzikë shqiptare, duke futur elementë të rinj...
Shpresonim se dikush do të bënte një hap për të realizuar dëshirën e mikut tim Marcel dhe të gruas së tij shumë të devotshme, Katerina që e shoqëronte në çdo udhëtim pune, me fotografitë e saj të arrira. Por sëmundja e papritur e largoi nga kjo jetë virtuozin e mizukës popullore, mik fisnik i shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.

Darka atë mbrëmje tek miku im Marcel Cellier kaloi në një atmosferë të këndëshme, megjithëse ne na u desh të ktheheshim vonë në Gjenevë, nëpër rrugën me dëborë dhe të lodhur. Në mendje më mbetej melodia e luajtur në mënyrë të përkryer nga Aleksandri që e bëri enkas për neve, si dhe buzëqeshja e shprehur në faqet e kuqe të Marcelit që ishte tepër mirënjohës se kisha bërë përçapje për ta shpënë në Shqipëri, megjithëse unë kisha bërë detyrën time. Në radiokasetën e makinës sime, kisha lëshuar „simfoninë pastorale të shtetit mëmë“, sipas fjalëve të mikut tim muzikant, një muzikë polifonike arkaike të Jugut të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat