“Gratë, pasi e kanë transformuar një burrë në qengj, arrijnë gjithnjë ta bindin se është luan”

Kultura

“Gratë, pasi e kanë transformuar një burrë në qengj, arrijnë gjithnjë ta bindin se është luan”

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 13:43
Ilustrim

Disa thënie të veçanta për femrat nga kryevepra e Balzak, “Komedia njerëzore”.

1-“Thonë se njerëzit janë të egër, edhe tigrat gjithashtu; por, as mizoritë e tigrave, as të nepërkave, as të diplomatëve, as të përfaqësonjësve të ligjës, as të xhelatëve, as të mbretërve nuk mund të krahasohen me dashurinë plot vrer, me ligësinë e ëmbël, me përbuzjen barbare që tregon një femër kundrejt një tjetre, kur njëra e quan veten më të bukur, më të lartë nga fisi e nga pasuria se tjetra, sidomos kur bëhet fjalë për martesë dhe për epërsi; me një fjalë, mizoritë që përmendëm, nuk mund të krahasohen me rivalitetin që kanë gratë midis tyre”.

2-“Gratë, pasi e kanë transformuar një burrë në qengj, arrijnë gjithnjë ta bindin se është luan dhe se ka një karakter të hekurt”.

3-“Ka disa femra që, kur ndahen, venë dhe gjejnë menjëherë një tjetër, shpesh ia rrëmbejnë nga duart dikujt, me gjasa kundërshtares. Këto femra ose e vrasin të dashurin e tyre, fizikisht apo moralisht, ose e degdisin në fund të botës; këto gra i ka rrëmbyer dallga fisnike e pasionit që shfaqet tek to më i fortë se çdo ndjesi drejtësie njerëzore; kjo ka bukurinë e saj. Ka femra të tjera që, kur gjenden ballë përballë me fatkeqësinë e ndarjes, humbjes së një dshurie, ulin kokën dhe vuajnë në heshtje; të gjithë thjesht ecim në rrugën drejt vdekjes, por këto femra ecin drejt saj gjysmë të vdekura, të ndrydhura, qajnë dhe ndihen fajtore, ato luten për njeriun që u shkaktoi dhimbjen dhe e kuptojnë atë deri në çastet e fundit të jetës; kjo është dashuri, dashuria e vërtetë, dashuria e engjëjve, që ka dhimbjen si ushqim dhe prej dhimbjes vdes”.

4-“Rrudhosja e lëkurës është një fakt i pashpjegueshëm, e prapë së prapë i natyrshëm, i cili qysh nga krijimi i botës, i ka hedhur në dëshpërim mjekësinë dhe gratë”.

5-“Ç’i shtyn gratë të shohin në shumë raste vetëm të metat te një njeri i talentuar dhe vetëm cilësitë te një budalla? Sepse ato kanë simpati të madhe për aftësinë e budallait për të qenë pa problem lajkatar, e si i tillë ai i lëvdon gratë pa menduar fare nëse është e vërtetë lëvdata, ai ua fsheh të metat e tyre. Kurse njeriu i talentuar ndjehet superior, për fat të keq ai nuk ia jep askujt kënaqësinë për t’i kompensuar nëpërmjet fjalëve të tij të metat e veta”.

6-“Zemra e një nëne është një humnerë, në fund të së cilës gjendet gjithnjë falja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat