Krijimi i degës së shoqërisë “Bashkimi” në Fier -

Kultura

Krijimi i degës së shoqërisë “Bashkimi” në Fier -

Nga: Nuri Plaku Më: 1 korrik 2019 Në ora: 20:25
Nuri Plaku

Mbas Kongresit të Lushnjes, krahas zhvillimeve të tjera politike filloi edhe procesi i demokratizimit të jetës shqiptare. Në këtë kuadër u bënë një serë përpjekjesh për reformimin e shoqërisë shqiptare, kryesisht në fushën arsimore dhe social- kulturore. U krijua hapsira ligjore për zgjerimin e luftës demokratike dhe u afirmuan liritë e të drejtat e individit. Nëpër disa qytete kryesore të vendit u krijuan rrethe të ndryshme shoqërore si: “Lidhja e mësuesve”, shoqëria “Bashkimi”, klubi “Muzaka”, shoqëria “Opinga” etj. Shoqëritë kishin hapësirë juridike për krijimin dhe rolin funksional, por ju ndalohej veprimtaria politike.

Mbas krijimit të shoqërive doli nevoja e bashkimit të tyre në një organizatë të vetme kombëtare, në nivelin e një konfederate, me program të njehsuar. Inisiativën për bashkimin e tyre e mori Avni Rustemi dhe Halim Xhelo.

Më 23 prill, deri më 3 maj 1921 u mbajt kongresi i bashkimit të shoqërive. Në kongres morën pjesë 47 delegatë e 110 dëgjues, që përfaqësonin 27 qytete e krahina të vendit. Kongresi u mbështet nga intelektualë të ndryshëm, shtypi demokratik dhe qeveria e kohës. Merrnin pjesë gjithashtu edhe figurat më të rëndësishme të politikës si: Ilias Vrioni, Ahmet Zogu, Lef Nosi etj.

Në këtë kongres u përfaqësua edhe Fieri. Përfaqësimi u bë me dy delegatë: Fetah Peshtani dhe Dhimitër Kilica. Të dy këto figura ishin pjesë e elitës qytetare fierake. Fetah Peshtani ishte një ndër patriotët më në zë të krahinës së Myzeqesë dhe Mallakastrës. Ai ishte komandant çete në periudhën e Pavarësisë dhe firmëtar i Kuvendit të Sinjës, mbajtur më 23 korrik 1912 në Sinjë të Beratit. Ndërsa Dhimitër Kilica ishte tregëtar dhe aktivist shoqëror i kohës.

Kongresi krijoi federatën “Atdheu” dhe miraoti programin e saj me 7 kapituj e 42 nene. Federata krijoi gjithashtu edhe një skemë për krijimin e 43 degëve të saj nëpër qytete e qendra rurale të vendit. Në këtë listë, Këshilli drejtues vendosi edhe qytetin e Fierit i cili mbante nr. rendor 36. Në Fier kryetar i degës “Atdheu” u zgjodh një tjetër aktivist i njohur i kohës, Lon Verria. Aktiviteti i Verrisë ishte i njohur si Kryetar i komisionit të mitingut organizuar në Fier në vitin 1919, kundër planeve djallëzore të fqinjve për copëtimin e Shqipërisë, nga i cili u hartua një memorje e ju dërgua qeverisë së Durrësit për tja përcjellë Konferencës së Paqes në Paris. Dega e Fierit zhvilloi një veprimtari të gjerë, duke prapaganduar vlerat demokratike të shoqërisë, aq sa në këtë klimë të krijuar në Fier u hap e para gazetë në Prefekturën e Beratit, “Bujku” me pronar Zoi Xoxën.

Por shumë shpejt qeveria e ndaloi veprimtarinë e “Atdheut”, me arësyen se bënte prapagandë politike, jashtë programit të saj. Në këto kushte, elementët demokratikë më aktivë të vendit, si Avni Rustemi, Halim Xhelo, Sali Hoxha, Selim Shpuza, Ahmet Burburia, Sami Gonxhja etj., pas shpërndarjes së federates, ju vunë punës për krijimin e një organizate të re. Më 13 tetor 1922 u krijua shoqëria “Bashkimi”. Në këtë organizatë u mblodhën elementët demokratikë antifeudalë.

“Bashkimi” e kreu aktivitetin e tij në tri faza. Faza e parë përfshinte periudhën e krijimit deri më 20 prill 1924, ditën kur u vra Avni Rustemi. Faza e dytë përfshihej nga 20 prilli deri më 10 qershor, kur triumfoi revolucioni, ndërsa faza e tretë 10 qershor 1924 - 25 janar 1925.

Shoqëria funksiononte mbi një bazë të centralizuar nga një qendër e vetme. Degët do hapeshin në çdo qytet, fshat e krahinë ku kishte të paktën mbi 5 anëtarë të organizatës. Mbas krijimit të shoqërisë filloi puna për ngritjen e degëve nëpër qytete. Në fillim u formua dega e Tiranës, pastaj ajo e Durrësit. Në nëntor 1922 Avni Rustemi krijoi degën e Vlorës. Në këtë periudhë punohej për ngritjen e degës së “Bashkimit” edhe në qytetin e Fierit.

Ndërkohë, në Fier ishte krijuar një bërthamë intelektuale, me ndjenja të theksuara demokratike. Midis tyre spikaste Kryetari i Bashkisë, Llazar Kilica, i cili kishte mbaruar liceun në Zvicër, kishte punuar vite me radhe në Bari me një agjensi udhëtimesh për në Amerikë dhe kishte qenë një pikë lidhjeje për Ismail Qemalin dhe patriotët e tjerë të Pavarësisë që futeshin e dilnin nga Shqipëria për në Europë. Kiço Konomi ishte një tjetër figurë demokratike e kohës, i cili vinte nga Gjirokastra ku kishte bashkëpunuar me Avni Rustemin, kishte dhënë mësim në Liceun e Korçës, në Normalen e Elbasanit dhe tashmë ishte drejtor i shkollës mashkullore të Fierit. Vangjel Lulja ishte fierak që pasi kishte mbaruar shkollën greke të Fierit, kishte ikur në emigracion në SHBA, kishte bashkëpunuar me Fan Nolin si psaltës dhe ishte kthyer me bandën muzikore “Vatra”, në fillim të Luftës së Vlorës, për të marrë pjesë në frontin e saj. Xhemil Muço vinte nga radhët e tragëtarëve, Fan Puka, Thanas Konomi e Izet Vasjari ishin mësues, Spiro Papa tregëtar, Elmas Boce pronar dhe firmëtar i pavarësisë, Dr. Musa Delvina, mjeku i Bashkisë, etj. Por pavarësisht përpjekjeve të hershme për krijimin e degëve në qytete, krijimi i tyre filloi të bëhej realitet në fazën e dytë e të tretë. Në Fier, dega e shoqërisë “Bashkimi”u krijua më 10 qershor 1924 në mullirin e blojes të Xhemil Muços në lagjen “Liri.” Kjo datë përkon me triumfin e lëvizjes Noliste dhe i përket kufirit midis fazës së dytë e të tretë. Sipas procesverbalit të krijimit të kësaj dege që gjendet në arkivin e Muzeut Historik Fier, thuhet:“Sot, më datë 10/VI/24 ditën e martë, ora 3 mbas dreke, në makinën e Z. Xhemil Muço në Fier, lagje “Liria” tue kjenë gati të shtatë personat qi nënshkruajnë dhe mas diskutimeve për mi nyjet qi përmban statuti i shoqënisë “Bashkimi”, u pëlqyen dhe u pranuen bashkërisht me dëshirë të plotë, tue u bindur pikë më pikë gjithë neneve, formuam shoqërinë dhe pranuam me zemra të plota qe do t’i bindemi me çfarë do mënyre kësaj shoqërie dhe përkundrazi dalja jasht statutit pranojmë dënimin pa kundërshtim. Dhe mbi këto si vendosëm shoqënin, me vota të përbashkëta zgjodhëm për komision: Kryetar Z. Xhemil Muço Tragjasi, sekretar Z. Vangjel Lulja dhe arkëtar Z. Durhan Qadhimi dhe kështu u mbajt ky process verbal dhe mas nenit XII të statutit iu betuam dhe nënshkruam.

Xhemil Muço, Vangjel Lulja, Durhan Qadhimi, Asaf Cipi, Fan Puka, Zoi Shallapi

Qazim Kullësi”

Mulliri Xhemil Mucos Fier, monument kulture

Xhemil Muco, Kryetar i degës Bashkimi Fier

Krijimi i degës së “Bashkimit” në Fier u prit me interes të lartë nga qytetarët. Në fund të këtij muaji, më 29 qershor dega e Fierit organizoi mitingun e pare, në të cilin morën pjesë 3/4 e banorëve. Në miting foli sekretari i përgjithshëm i “Bashkimit” Llazar Fundo i cili në fjalën e tij “demaskoi feudalizmin dhe ngjalli shpresat e vegjëlisë për të ardhmen.” Po këtë datë, kryetari i Bashkisë Fier Llazar Kilica i dërgoi një telegram qendrës së Bashkimit në Tiranë ku, pasi i përshkruan zhvillimin e mitingut, shpreh gëzimin e formimit të kësaj dege në Fier dhe i siguron ata për mbështetjen e tij të plotë ndaj saj.“Sot- thuhet në telegram,- dt. 29/6/1924 stop. Kjo Bashkie nuk ka telegrafue deri sot Bashkimit aty stop. Bashkia e Fierit me kënaqësi e mbursi e duar trokitje e priti formimin e degës Bashkimit këtu në Fier ku mjerisht feudalizma me organet e saj ka mbytur direkt ose indirekt çdo shoqëni që na ka dashtun me u ngrefun stop. Dega e ngrefun këtu përbahet prej patriotësh të vërtetë dhe nacionalista pa maskë stop. Mos besoni organe feudale ndënë maskë nacionalizme stop. Anëtarët e Bashkimit që jan këtu kjo Bashki ka me i dhanë çdo lehtësi dhe shpjegim që të kërkohet stop.

Kryetari BashkisëFierit

L. Kilica.

Nr.176/1”

Përkundër këtij fakti, në Muzeun e Fierit gjendet edhe një dosje tjetër me dokumente të kopjuara me shkrim dore, nxjerrë nga fondi i shoqërisë “Bashkimi” Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë, sipas të cilave, krijimi i degës së Bashkimit në Fier është bërë në dt. 7 korrik ditën e dielë në ish lokalin “Liria.”Vlen të theksohet gjithashtu se koka e procesverbalit të formimit të kësaj dege mban datën 7 korrik ndërsa në fund të tij, në mospërputhje me datën e mësipërme shënohet 13 korrik 1924. Këtyre të dhënave arkivore u është referuar edhe ndonjë studjues duke e konsideruar 7 korrikun datë themelimi dhe lokalin “Liria”si vendin e këtij themelimi. Mendojmë se ky version është i pa mbështetur nga realiteti historik i kohës. Procesverbali i dt. 10 qershor dhe mitingu i organizuar më 29 qershor, shoqëruar me telegramin e kryetarit Bashkisë Ll. Kilicës janë të mjaftueshme për konfirmimin e kësaj date. Made kjo datë është ruajtur si e tillë në kujtesën e fierakëve, ndërsa mulliri i Xhemil Muços, pikërisht për këtë arësye, në vitin 1979 është shpallur monument kulture. Në listën e këtyre monumenteve thuhet në mënyrë përcaktuese: “Vëndi ku u formua dega e organizatës “Bashkimi” për Fierin.” Po të kemi parasysh se krijimi i shoqërive dhe klubeve të tilla është një dimension i rëndësishëm urban që presupozon hap të guximshëm zhvillimi dhe pjekuri sociale të një qyteti, Fieri që nga krijimi i degës “Atdheu” e deri në krijimin e degës së Bashkimit dëshmon pikërisht këtë paralel me qytetet më të rëndësishëm të vendit. Po të kemi parasysh gjithashtu se në Berat, dega e “Bashkimit” u krijua më 2 korrik 1924, nënkuptohet se e gjitha kjo dëshmon për nivelin e aktivitetit të shoqërisë fierake në periudhën e viteve 1921 - 1924.

Dega e Fierit bëri një punë aktive në lëvizjen noliste, kryesisht në drejtim të prapagandës dhe organizimit të mitingjeve antifeudale. Një nga aktivitetet më të rëndësishme të kësaj dege ka qenë organizimi i një ceremonie funebre për rënien simbolike të feudalizmit, demostruar përpara sarajeve të Vrionasve, të cilët ishin përfaqësuesit më kryesor të këtij sistemi. Antarët e kësaj dege improvizuan një arkëmort me një trung druri dhe e shëtitën kortezhin përrreth sarajeve duke hedhur parulla ndëshkuese. “Poshtë feudalizmi, poshtë Vrionasit!” në këtë ceremoni merrte pjesë Zoi Xoxa i cili sapo ishte kthyer nga studimet e gazetarisë në Romë, së bashku me Naun Doko Priftin, një figurë kjo mjaft aktive në zonën e Lushnjes e të Libofshës.

Sipas gazetës “Politika”, më 17 gusht 1924, dega e Fierit në bashkëpunim me atë të Vlorës, organizuan në Fier një miting në mbrojtje të të drejtave të kosovarëve të cilët po përjetonin akte dhune dhe raprezalje nga qeveria sërbe. Në po këtë miting u kërkua edhe bashkimi i nënprefekturës së Fierit me prefekturën e Vlorës. Më 21 gusht dega e Vlorës dhe e Fierit zhvilluan në Berat, në bashkëpunim me degën e këtij qyteti, një manifestim madhështor në mbrojtje të të drejtave të kosovarëve dhe kërkoi nga qeveria kombëtare të protestonte pranë Lidhjes së Kombeve.

Më 1 deri 5 gusht 1924 në Tiranë u mbajt Kongresi i shoqërisë “Bashkimi”. Nga Fieri delegat i këtij kongresi u zgjodh Vangjel Lulja. Sipas procesverbalit të komisionit shqyrtues të letërnjoftimeve të delegatëve, thuhet se: “...janë kontrolluar e janë në rregull letërnjoftimet e: Vangjel Lulja (Fier) Ibrahim Arapi e Kostandin Kote (Tiranë), Haki Stërmilli (Dibrën), Anastas Koxhomani (Berat), Pal Morina (Krumë), Shyqyri Tragjasi (Vlorë), etj.

VANGJEL LULJA

Ndërkohë “Bashkimi” nxirrte edhe gazetën e tij me të njëjtin emër për të cilën kryheshin edhe abonime. Në listen e abonentëve të Fierit bërë më 22 shtator 1924 figurojnë 38 persona. Vangjel Lulja, Fan Puka, Spiro Puka, Elmas Boci, Asaf Cipi, Dr. Musa Delvina, Sotir Bitri, Lon Verria, Filip Bishka, Rexho Qulli, Mit Kilica, Adem Qyba, Xoxë Spiro, Gani Avdullahu, Hajdar Bardhi, Bahir Resuli, Vangjel Koxhomani, Xox Dhima, Izet Vasjari, Veli Vasjari, Kiço Konomi, Miço Lako, Thanas Konomi, Llaz Kilica, Abdullah Kruja, Azmi Gurgaj, Taq Bozo, Mina Xoxa, Lon Xoxa, Mete Kodrasi, Hydajet Demiri, Sulo Gjeli, Riza Beqja, Llazi Kaleshi, Mustafa Shehu, Riza Mustafai. Nga gjithë emrat e kësaj liste, del qartë angazhimi i intelektualëve fierakë në degën e shoqërisë “Bashkimi” tek e cila shihnin një frymë të re demokratike për ndryshimet e realitetit historik të vendit. Ndërkohë në këtë listë, vihet re se mungon emri i Xhemil Muços, Kryetarit të degës i cili nuk figuron madje as në zhvillimin e veprimtarive të ndryshme. Nga kjo mungesë nënkuptohet më shumë largimi i tij i përkohshëm nga Fieri, sesa tërheqja nga aktiviteti i shoqërisë. Kjo sepse deri në shtator , dokumentat e degës, për kryetarin i firmos Vangjel Lulja. Nga ky fakt ndoshta, më 21 shtator 1924, dega e Fierit u detyrua të zhvillojë zgjedhje të reja. Sipas një telegrami dërguar qendrës thuhet: “Mbas një mbledhje të përgjithshme që mbajti dega e këtushme, më 21. 9.1924 zgjodhi për komision për vitin 1924 - 25 këta zotërinj: Kryetar Vangjel Lulja, Sekretar Vllas Papathanasi, Arkëtar Zoi Shallapi dhe këshilltar Durhan Qadhimi.”

Por, në dhjetor 1924, veprimtaria e kësaj shoqërie u ndërpre. Lëvizja e fundit e saj ishte pritja me armë e rikthimit të Zogut në Tiranë. Nolistët ikën jashtë vendit e bashkë me ta ikën edhe një pjesë e antarëve të “Bashkimit.”

Më 25 janar 1925, me urdhër të Ahmet Zogut shoqëria “Bashkimi” u shpërnda. Personat e angazhuar në radhët e saj u përndoqën e persekutuan. Vangjel Lulja e të tjerë kaluan në ilegalitet të përkohshëm, ndërsa Kiço Konomi, Thanas Konomi etj. u hoqën nga puna.

Ky ishte një pasazh i degës “Bashkimi” në Fier, 95 vite më parë, të cilat i dhanë shoqërisë fierake modelin e zhvillimit demokratik dhe rritjes së ndërgjegjes qytetare të këtij komuniteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat