Ikën të gjithë. Po kush mbeti?

Kultura

Ikën të gjithë. Po kush mbeti?

Nga: Merxhan Jakupi Më: 8 korrik 2019 Në ora: 15:35
Merxhan Jakupi në vendlindje

“Ti ke pasë kenë nji zonjë e randë

Burrat e dheut të thirrshin ‘nanë’,

Ke pasë shumë t’mira e begati,

Me varza t’bukra, e me djem t’ri”

Vaso Pasha

Kohët e fundit vizitova katundin ku kishi lindur paraardhësit e mi, stërgjyshërit, gjyshërit dhe prindërit e mi. Isha i mbushur me kujtime e nostalgji dhe kisha dëshirë për të bërë një kraahasim si ka qenë katundi para shumë dekadave dhe si është tashti. Më erdhi në mendje poema e Vaso Pashë Shkodranit që e kisha mësuar në shkollën fillore. Akoma dhe sot atë poemë e recitoj përmendsh: “Ti ke pasë kenë nji zonjë e randë,/Burrat e dheut të thirrshin ‘nanë’,/Ke pas shumë t’mira e begati,/Me varza t’bukra, e me djem t’ri”; etj. Këto vargje magjepse ngjajnë si metaforë e transformimeve dramatike të katundit tim dhe e odisesë së dhimbshme të banorëve të tij. Shtëpitë e larta duken si pallate të lëna shkretë. Oxhaqet e dikurshëm që dikur gjallonin me tymin e zjarrit jetëdhënës tani janë të shuar. Shkolla fillore ka mbetur vetëm me 15 nxënës. Xhamia – e heshtur, sepse nuk kanë mbetur as pleq për t’u falur. Ky katund, si në poemën e Vaso Pashës, dikur ka pasur burra malësorë shtatlartë, të hollë si lisa dhe vasha malësore si hyjnesha. Në netët e gjata të dimrit burrat me shpatulla prej graniti rrinin deri vonë duke kuvenduar, kurse rapsodët me fyjet e sharkitë e tyre këndonin balada e këngë epike që ringjallnin historinë shumëshëkullore të këtyre trojeve. Këta burra ishin të këndëshëm në biseda, mikpritës dhe bujarë. Në vjeshtë në dasma vinin të ftuar nga shumë fshatra. Nëpër oda tërë natën ustallarët bënin habet, kurse valltarët bënin gara se cili katund do të fitonte vendin e parë dhe kush do të ishte valltari më i mirë në trevat e malësisë së Sharrit. Pastaj, të nesërmen në mëngjes krushqit shkonin për të marrë nusen me duvak të kuq, hipur në kalë të bardhë. Pasdite tek arat në ndonjë lëndinë dilnin pelivanat që vinin nga provincat tjera. Përball katundit tek kulla ngrihej pluhuri dhe dëgjoheshin tingujt e patkojve të kuajve që vraponin duke bërë gara se kush do të fitonte medaljen.

Katundet e këtyre trevave merreshin me blegtori që u siguronte lëndën e parë për kostumet prej leshi që vishnin burrat. Kostumet e këtyre fshatrave të malësisë ishin shumë të bukura dhe pëlqeheshin nga shumë fshatra të tjerë. Një herë një djalë nga një provincë tjetër, i magjepsur prej kostumeve të këtyre trevave , shkoi te rrobaqepësi dhe i kërkoi që kostumin e dhëndërrisë t’ia qepte si kostumet e djemve të malësisë. Ai i tha rrobaqepësit: “Dua që kostumi im të jetë sipas modelit të kostumeve të vershallasve”. Rrobaqepësi i ishte përgjigjur duke buzëqeshur: “Duhet të jesh djalë vershalle që të kesh kostum vershallse.”

Image

Para disa muajsh lexova veprën e historianit, akademikut dhe gazetarit politik anglez Noel Malkolm “Spiunët perandorakë”, të cilën e botoi më 2015. Mbështetur në një document të rëndësishëm të shekullit 16-të të shkruar nga një shqiptar i shquar i quajtur Antonio Bruni për atdheun e tij, historiani anglez rrëfen historinë interesante të dy familjeve të shquara shqiptare, Bruni dhe Bruti. Në mes të tjerave, Malkolmi përmend butikun me kostume kombëtare që ishte i njohur në kryeytetin perandorak Kostandinopojë (Stamboll). Në atë butik vinin bejlerë shqiptarë, gra nga familje të pasura tregtarësh turq, armenë e çifutë për të blerë kostume shqiptare. Për kostumet e dalluara shqiptare kanë shkruar edhe historinë e studjues të tjerë, sidomos poeti i madh romantik anglez Lord Bajroni, i cili thotë se kostumet kombëtare shqiptare janë më të bukurat në botë.

Ëndrra trishtuese

Duke fjetur befas pas mesnate më doli gjumi. Po kulloja në djersë. Kisha parë tim atë në ëndër. Ishte ëndër shumë emocionale dhe prekëse. I veshur me kostum tradicional dhe i zymtë, ai më vështroi ngultas dhe më tha, sikur po më qortonte: “ Shkele besën. Nuk ta bëj hallall kurrë.” Nëmat e babait janë shumë të rënda, kurse të nënës shumë të lehta. Nënat derdhin lotë jashtë, kurse burrat brenda. Pastaj vazhdoi: ”Të kujtohet në rini kur të merrja nëpër dasma dhe vallzonim së bashku? Të kujtohet tek hajati kur të ushtroja dhe të mësoja të vallzosh? Të kujtohet për festat e 1 Majit kur dilnim te kalaja dhe te teleferiku? Në një anë vallzonte Cen Berisha, kurse më poshtë vallzonim ne, babë e bir. Të kujtohet kur vallzonim te Luma në katund, tek Çukathi dhe gjuri i katundit? Të kujtohet kur unë me mikun tim të shpirtit Cen Berishën duke vallzuar bllokuam rrugët e qytetit, ndërsa turma na ndiqte duke na u lutur ‘edhe një valle, edhe një’. Cen Berisha të tha: ‘Xhoni (nofka ime, Merxhan), të jap besën se në dasmën tënde do të vallzojmë së bashku me babën tënd Bibën, kurse ti do të vallzosh me kostumin e dhëndërisë.’” Në fund babai m’u drejtua me fjalët: “Mos i harro kurrë fjalët e fundit që t’i thashë te shtrati i vdekjes: ‘Të vazhdosh t’i ruash me fanatizëm këto valle që unë i vodha nëpër dasmat e malësisë nga valltarët. Ta lashë amanet që kur të lindësh një djalë, nipin ta pagëzosh me emrin tim dhe ta mësosh të bëhet valltar. Të mos i humbim këto valle të bukura që të parët na i kanë lënë brez pas brezi.’”

Ikën të gjithë me fis e me farë

Ne – shpirtra të vdekur që prehemi në këto varre në tokën që na lindi. Të pikëlluar, të zhgënjyer të frustruar dhe të tronditur jemi. Para shumë dekadave kalonit skaj varreve tona duke shkuar nëpër ara, bjeshkë dhe stane. Së paku na kujtonit ose këndonit ndonjë lutje. Dëgjonim thirrjen e ezanit dhe vizitat që na i bënim pas faljes së bajrameve. Dhe ne shpirta të mallëngjyer vinim dhe ju vizitonim në netët e shënjta. Dëgjonim fyellin e bariut duke i kënduar bareshës. Dëgjonim blegërimat e qingjave, zilkat e deleve dhe tingujt e këmbanave të ugjiçve (deshve), vregëllimat e kuajve dhe pëllitjet e gomerëve buçitjen e lodrave dhe zërin e këndshëm të melodisë së curleve. . . .

Ikën të gjithë me fis e me farë. Ikën nipa, stërnipa, kushërinj, miq, shokë e kumbarë. Ikët të gjithë. I latë shkretë këto perla të bukura. Livadhe, fusha e stane. Ikët dhe ia kthyet shpinën kësj zonje të rëndë, e shndërruat në shkretinë e tokë të djerrë. Ikën dallëndyshet e laureshat; ikën dhe bilbilat që këndonin mbi pllaka të varreve tona. Ikën dhe zanat e malit me gjithë djajtë. Ikën dhe jevgjit që kallaisnin enët dhe kazanat së bashku me kovaçin që mprehte sopata e bënte vegla bujqësore.. Ikën dhe dhelprat që gjelat me këngë të bukura i ndjellnin. Ikën dhe nxënësit me mësuesii së bashku me imamin dhe mezinin. Iku xhevadari (lopçari), tellalli dhe shumari (pylltari). Ikën dhe barinjtë me tufat e deleve dhe me fyellin simfonik ku dhe bishat kënaqeshin. Ikën të gjithë dhe kush mbeti? Mbetën vetëm varret – shpirtra të vetmuar dhe tre tempujt: shkëmbi binjak (gjuri dinak e shkëmbi i lartë), gjuri i gjatë dhe shkëmbi i vashave (gjuri i cucave).

M’u kujtua përsëri porosia e babait tim që është një mësim i madh e i çmuar për brezin e sotëm:

Kthehu e mos e shkel besën që më pate dhënë. Kthehu dhe vizitoji varet e të parëve dhe varrin tim. Kthehu te xhamija ku në fëmijëri të merrja për dore dhe së bashku falnim Bajramin. Kthehu dhe merri ustallarët te kulla të bëjnë habetin si më parë kur fillonin dasmat. Kthehu te lama e katundit së bashku me burrat dhe mernia valles. Thirri të gjithë shokët e mi, miqtë, të moshuarit të vallzojnë së bashku. Le të jehojë vallja. Le të buçasin e të ushtojnë lodrat me zërin melankolik të curleve. Të dëgjojë dhe të ushtojë Vardisha, Shpati i Moravës, Shpella e Kuqe dhe Vathët e Lokës! Të tronditet kulla ku shekuj me radhë kalonin karvane – bizantine e osmane, kalonin jeniçerë e xhandarë, ballista e partizanë. Vallëzoni dhe të ushtojë lodra me curlet. Le t’u kthehet buzëqeshja e krenaria shpirtrave të vdekur e të vetmuar, bjeshkëve, maleve, bishave dhe tre tempujve.

Të nderuar lexues, miq, dashamirës e veshallas! Më se pesë vite shkruaj kolumna, artikuj të zhanreve të ndryshme. Kam shkruar dhe për trevat e malësisë së Sharrit. Një romanciere që s’më kujtohet emri shkruan se ka raste të rralla kur autori duke shkruar fillon të përlotet, por përloten edhe lexuesit. Unë si lexues i kam përjetuar ato që kam shkruar dhe jam përlotur.

Duke përfunduar pasazhin e fundit më dridhet dora me lapsin. Mblodha fletushkat me shkarravitje dhe fillova renditjen. Në fund, kur fillova ta rilexoj këtë artikull, u habita. M’u duk se nuk isha unë autori që e kisha shkruar. Unë isha shkëputur nga vetvetja, isha si në trans, në hipnozë, ekstazë. Ishte shpirti im dhe zemra që shpërthyen si vullkan dhe e nxorrën në dritë këtë shkrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat