Shija e Pelinit - Bota Sot
Shija e Pelinit

Kultura

Shija e Pelinit

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 11 korrik 2019 Në ora: 18:38
Mehmetali Rexhepi

Larg do t`i duhej të bartej mbi ato këmbë hollake, ajo kokë gjakimesh (s)fondesh përtej dritë - hijeve të ditës e natës.

Një (f)loçkë e ëndrrës, sytë e saj vezullorë, ia kishte premtuar bëshëm personazhit somnambul. Ai rob i Motit nuk e shihte ndryshe jetën, pos trajtave që e fanitën pas (f)loçkës.

Moti sinonim i trilleve të pigmentuar të prillit, menyja e zhveshur e dorëshkrimit kishte çfarë të veshte. Bubulloi e murmuroi e u zbraz rrufeja diku. Ende pa mugullim bulëzash për fryte, për kurora... Për petka të blerta mençuruakësh në dorëshkrimin e vonuar.

Tëhollësi i Zanës dhe rrufepritësi, hajmali të Motit...

Shkopi i petëve ishte hedhur, kalbur ose djegur. Ai ritual rrufepritës...

- Oh nënë, nuk ndjellje kot! - Ofshante Moti...

Ndjellja e saj premtuese, Moti dhe lotët, dialektikë e lidhjes të së mundshmes me të pamundshmen.

Zbrazja e bubullimës, shkopi, Moti, stina e thinjave të Motit... Mandej, magjja, hambari i tretur, pemët e prera, dyer që i hapin sendorët, shtretër të zbrazët, libra që preken veçse nga tisi i hollë i pluhurit, jo plotësia e plotësisë.

Jashtë prekjes së shkopit mitik kishin mbetur ato, pikërisht këto që prejardhjen e kanë nga dorëshkrimet.

- Dorëshkrim i mallkuar! - shkrehej Edlira kur binte në shtrat fillikat.

Motit s’kishte si mos t`i vrenjtej, mjegullohej e tymosej moti i shpirtit, përderisa tërhiqej marrëzisht prej asaj joshjeje lavire, me hiret ndoshta të kamufluara, sikurse asaj vape kur i thahej lëngu i bardhë i masturbimit jashtë vagjinës legjitime.

* * *

- Shkopi i petëve të nënës Zanë ishte rrufepritësi i shtëpisë. Ai na mblidhte rreth sofrës së avulluar. Ai shkop - thoshte Moti - nuk më ka goditur, do të më godas një tjetër, ai i “elektroshokut”.

Trupi i cullakuar i Motit sprovoi tingujt rrëqethës të dhimbjes, që dilnin të çakorduar nga fërkimi i shkopit, violinës së trupit “elektroshoku”, dëshpërimin e letrës, jo plotësinë e shkrimit, indiferencën e leximit. Tëhollësi dhe prekjet në çastin e bubullimës, e ndjellës për plotësi, lajtmotiv “arkaik”... Çka i vjen në mend Motit nuk i del në penë.

Lajtmotivi i shkopit assesi të tretej në shtresën e thellë të dorëshkrimit. Motivin e urisë prore do ta lidhte për tëhollësin; peta të holla pitesh me rrathë, brenda gjizën, fund e syprinë lyer prej gjalpi, skuqur nën saçin mbuluar me shkarpa të thata të pemëve të krasitura vjeshtës. Përskuqja e pites, përskuqja e për nxirja shtresë - shtresë e brumit të fërguar, prekte ëndjen e lëngshme të Motit; cilit i rrodhi jarga mu në fletën e shkrimit, pa depërtuar në shtresimet e flisë. Askush nuk e pa atë pështire, pos shtrëngimit të darëve ajrore të reumës... Edhe syprina e drojës së rrëshqitshme mbi mjerimin e shkronjave të shtrira në letër, sikurse kallinjtë e rrëzuar...

- Hirësia më lypte frymë tjetër, që dhuntinë e shtrirë si petët nga brumi, së paku, të mos i ngrijë, pastaj mbi të do të rrëshqiste, të rrëshqiste deri në përplasje relievit shkëmbor...

Rrëshqitja dhe jargët e shpeshtuara, reuma dhe lakimi harkor i kurrizit, hedhja e kokrrave të fonemave në kutinë magjike, shtrirja e shiritit tyre si bari i sapo mbirë, ia përulnin përzgjedhjen për pritjet e ngritjes së dorëshkrimit të rënë.

Bari rritej pa kosarë.

Tehut të mbrehtë dhe humbëtirës nuk i bëhej vonë...

Dytësori ndërdyje:

- Pse nuk e kultivoje atë që s`dukej, por lypej nga mijëra sy qepur a mos qepur mbi shkronja?

Tash dashuria , bukuria, të veshurit e dinjitetit, mençuritë vetjake janë sinonime të parasë, ndërsa Moti nuk merrej me shitblerjen e trajtave të luleve plastike.

E la shtratin që ia lypte kurrizi dhe doli nga qëndismat e dorëshkrimit. Mendoi ftohtas:

Ende nuk e kultivova plotësinë e bekimit...Zana kishte bekuar gjëra tjera, jo dorëshkrimin të cilin do ta rrudhte pleqëria...

* * *

Brenda së këndshmes së dorëshkrimit, Moti si dukej, nuk i përmbushte shijet e larme të tjerëve. E këndshmja ishte e pakëndshme…

Shije mizore!

Qëndismat e shpirtit nuk ishin dekore. Ato kishin dhimbjen, dashurinë, urtinë, çiltërinë, njomështinë, vapën e ftohtësinë e ngazëllimeve, flijimin, madje besimin e të fismes kurvëri të thyer... Ëndjet e zgjeruara e tkurrjet, kostumet e galdimit mbi dhimbjen, bekimin mbi mallkimin, bukurinë mbi të madhërishmen, mbresën pa lot mbi të prekshmen, thesarin e rrezeve të kohës, terratisje të krimit, mëkatet, pendesën e shpifur, enigmën e magjikes, shkëlqimin, mjerimin, tjetërsimin, ngadhënjimin dhe përgjërimin njerëzor…

Atij i lypeshin përshtatje të mijëra shijeve. Stisje nuancash, shpërthime epshesh, kalërimin e galdimit mbi të hidhurat, drithërimë e shporrje manie. Ai nuk mund të mos identifikohej në sogjetarin e mëkateve, mes pendestarëve të faljes së pa merituar, mes finokësh të kulluar ndjenjash të pa kulluara, mes kodesh lëbyrëse të mençurisë vrastare, mes urtarësh që lënë shpirtin mëlmesë, për të ngjyer kafshatën e ëmbël të mjerët dhe, le të mbetej shija e pelinit për sojin e Motit.

Moti do të ishte mes mijëra sysh, që shikojnë e s`shohin, mijëra veshëve që dëgjojnë dhe nuk ndiejnë, mijëra lotësh që nuk lagin, as prekin zemra e sedra...

* * *

Meqë nuk e gjeti magjinë e pëlqimit, të përngjasimit të mijëra syve e shpirtrave, dorëshkrimi i Motit vuante nga anemia. Si i tillë mbeti i shtrirë, pa mundur që të ngrihej dhe t`iu qasej mijëra shijesh, qindra mijëra ëndjesh.

Moti duke mos e parë përmbushjen, plotësinë e ëndjes, ëndjen e dorëshkrimit mëtoi ta shihte dhe shijonte vetëm, fillikat vetëm, ta ndjente vetëm, fillikat vetëm në (s)fondin tjetër të jetës, si një somnambul jashtë ndjekjes, jashtë çmendurisë urbane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...