Trajtimi i përralës në një procedim të ri Rexhep Hoxha: “Verorja” Rilindja 1983

Kultura

Trajtimi i përralës në një procedim të ri Rexhep Hoxha: “Verorja” Rilindja 1983

Nga: Dr. Hysni Hoxha Më: 16 korrik 2019 Në ora: 09:59
Rexhep Hoxha

Rexhep Hoxha në letërsine tonë bashkëkohore për fëmijë është i njohur jo vetëm si poet, tregimtar, por edhe si romansier. Romani i tij "Lugjet e verdha" është një ndër veprat më të lexuara të kësaj letërsie. Sikurse "Lugjet e verdha" ashtu edhe romani më i ri, "Verorja" është bazuar në letërsinë tonë gojore. Kjo vepër është frymëzuar nga përralla jonë popullore “Mbreti dhe tri motrat”.

 Mirëpo, nëse e krahasojmë përrallën popullore dhe veprën e Rexhep Hoxhës, vërejmë dallime rrënjësore. Autori i romanit ngjarjen e ka zhvilluar duke mos iu përmbajtur besnikërisht përrallës dhe parimeve të saj. Vetë personazhi kryesor i kësaj vepre, Verorja nuk është bartës i veprimit kryesor. Në shumë situata Verorja as që është e pranishme.

Mirëpo, kjo nuk mund të merret si e metë e kësaj vepre. Parimet e një zhanri gjatë procesit kreativ, mund të mos respektohen, por në këto raste lypset që i procedimi i ri i shkrimit, të sjellë diçka të re dhe të vlefshme në pikëpamje letrare. Jemi të mendimit se në këtë aspekt Rexhep Hoxha një sukses të tillë e ka arritur. Ngjarja zhvilohet nëpërmjet rrëfimit, që rrënjësisht shquhet nga i njejti procedim që e vërejmë në paraqitjen e ngjarjes në përrallë. Nëse krahasohet struktura narrative e kësaj vepre me atë të romanit të parë "Lugjet e Verdha", po ashtu bie në sy një dallim i qartë.

Tani në mënyrë më të zhdërvjelltë dhe dinamike rrëfehet ngjarja. Lirizmi që ka qenë element i veprës së parë, në romanin e ri pasurohet me elemente të reja shprehëse. Personazhet e romanit si bartës kryesor të ngjarjes, janë paraqitur me mjeshtëri. E tillë është për shembull, Shkelja, gruaja e parë e Dasho Rrapit i cili grabiti për grua Veroren. Ndaj Verores, Shkelja sillet në mënyrë dhelpërake.

Ajo bashkë me Galushen, shërbëtoren e saj, arrin qëllimin e vet për ta përzënë dhe për ta vënë Veroren në pozitë të mjerueshme: faktikisht pasi lind Verorja fëmijë: Hënën dhe Yllin, ia merr foshnjet Verores dhe në vend të tyre ia ven kësaj në gji dy këlysh. Në këtë rast Dasho Rrapi i mashtruar shumë keq nga gruaja e parë, urdhëron që të çohet Verorja në stele bashkë me këlyshët. Siç vërehet edhe emrat Shkelja dhe Galusha kanë domethënie figurative. Ato personifikojnë shpirtëkeqësinë e tyre. Sa i përket karakterit të Veronës mund të themi se ajo pajtohet me fatin e vet. Mu atëherë kur del e vërteta në shesh, që është paraljmëruar, Verorja thotë: "Pse i ngujuat ato, (këtu ëshë fjala për Shkelen dhe Galushën) më mirë të më kishit lënë mua aty".

Një personazh tjetër, Sqeparti është zog i cili përcjell ngjarjen shqetësuese dhe i ndihmon Verores. Në romanin “Verorja” pikëpamjet sociale dhe etike janë strukturuar me mjeshtëri. Kjo vërehet në mënyrë mjaft të bindshme në dialogun dinamik që zhvillojnë Qeli dhe Quli. Qeli kërkon që në jetë të bëhen kompromise. Ai i thotë Qulit: "Kah shkon bota shko edhe ti". Ai i përgjigjet: Po të gënjej bota duhet edhe unë të gënjej. Mjaft tërheqëse në këtë vepër është edhe legjenda që flet për Tarapushin, qenien përbindëshe që dikur ka qenë njeri dhë është shndërruar në zog përbindësh, që në vendin e tij, në Rrasën e Gurit, kush shkonte e shndërronte në gur.

Tarapushin, faktikisht e ka mësuar jeta e vrazhdë dhe e padrejtë të sillet në mënyrë të tillë. Në këtë rast imponohet qëndrimi sakrifikues dhe trimëror i Yllit, i cili pasi ka dhënë besën vendos të shkojë atje. Edhe pse e di se ç'e pret në vendin e Tarapushit, ai niset të shkojë. SI thekson Ylli trimërisht: "Më e shtrejtë është besa se jeta ime". Romani duket se është i papërfunduar. Por kjo nuk duhet të vërehet sipas parimeve të ngurrta tradicionale. Autori mund të vazhdojë ngjarjen në ndonjë vepër tjetër, por nuk është i detyrueshëm. Shumë çka në jetë mbetet torzo, e pambaruar. Kjo është filozofia dhe kuptimi i jetës në përgjithësi. Vështrimi është emetuar në emisionin Tribuna e Kritikës ne Radio Prishtinë, me 1983.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat