Romani për fëmijë “Lugjet e Verdha”, Prishtinë, 1959 - Bota Sot
Romani për fëmijë “Lugjet e Verdha”, Prishtinë, 1959

Kultura

Romani për fëmijë “Lugjet e Verdha”, Prishtinë, 1959

Nga: Zymer Mehani Më: 17 korrik 2019 Në ora: 09:36
Zymer Mehani

“Lugjet e Verdha” është romani për fëmijë, që na rikujton diçka përrallore dhe poetike.

Pasi veprimin shkrimtari Rexhep Hoxha e shtjellon kryesisht në formë të strukturës lineare, narraciioni i tij theksohet më shumë, që në pikëpamje të stilit nuk sjell ndonjë risi, por kryesisht mbetet në trajta të jostilizuara të shprehjes dhe të rrëfimit. Kjo nuk do të thotë se Lugjet e verdha nuk është vepër e pasur me lememente tjera dekorative, si janë: krahasimi, metafora, simboli, alegoria, përshkrimet e bukura të natyrës etj., mirëpo as këto nuk bëjnë ndonjë efekt më të madh në tejkalimin e mënyrës tregimtare të përrallës popullore që manifestohet në romanin e Rexhep Hoxhës.

Studijuesit e letërsisë për fëmijë konstatojnë se mundësia e përdorimit të tropeve është mjaft e kufizuar në letërsinë për fëmijë, në përgjithësi, për arsye se fëmijët kanë një nivel të kufizuar intelektual, që përherë është në lartësim e sipër. Megjithatë tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë, ia kanë pastruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre. Krijuesit tanë në tërësi krijuan figuracione të ndryshme, të cilat jo vetëm që i nxisin fëmijët t’i gjurmojnë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e kuptimeve të tilla.

Figurën e krahasimit e kanë praktikuar pothuaj të gjithë krijuesit tanë për fëmijë, e po ashtu edhe Rexhep Hoxha në romanin “Lugjet e Verdha”. Duke pasur parasysh se vepra u është dedikuar fëmijëve, shkrimtari ka ditur që krahasimet t’i ndërtojë në pajtim me natyrën fëmijërore. Nga ky aspekt, në shumicën e rasteve, ose objekti i krahasimit, ose edhe ai me të cilin krahasohet, ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me botën e fëmijëve, ose me fenomene të përafërta për ta. Në romanin “Lugjet e Verdha” shembuj të tillë ka mjaft. Të përmendim njërin prej tyre:

“Mirëpo, kishte kambët e lehta e të shpejta, si t’erës, si t’erës”.

Krahasimi gjithmonë në letërsinë tonë për fëmijë ka patur për qëllim ta freskojë përmbajtjen, ta konkretizojë më mirë një tërësi kuptimore të caktuar, ta rifreskojë relievin e veprimit dhe të krijojë relacione atraktive midis karaktereve në sfere më të gjera të jetës. Prandaj, shkrimtarët tanë kanë zgjedhur me pedantëri e durim të madh objektin me të cilin kanë krahasuar një objekt tjetër, në mënyrë që edhe vetë krahasimi të jetë sa më i qëlluar, sa më i natyrshëm, sa më i përshtatshëm, dhe si i tillë sa më funksional dhe objektiv.

Edhe metafora, po ashtu zë një vend me rëndësi në strukturën stilistike të romanit tonë për fëmijë, e po ashtu edhe në romanin “Lugjet e Verdha” të shkrimtarit Rexhep Hoxha dhe manifestohet pothuajse në të gjitha trajtat e mundshme të saj; fromat kryesore të saj në këtë roman janë: metafora emër, metafora frazë e rrallë haset metafora folje. Në “Lugjet e Verdha” shkrimtari me mjeshtëri ka përdorur metafora të huazuara nga thesari burimor i popullit tonë, p.sh,:

“Nji ditë prej ditësh, Shpendi ban zemrën guri...”

Nga tropet që lajmërohen më shpesh në letërsinë tonë për fëmijë është edhe hiperbola. Funksioni i saj ndikon që te fëmijët të zgjojë fantazinë, dhe duke zmadhuar objekte e stërzmadhuar dimensione ambientale e kohore, hiperbola kultivon te të vegjlit dashurinë për për veprat letrare si dhe interesimin për të njohur edhe elementet fantastike të jetës. Prandaj në letërsinë tonë për fëmijë, si edhe në letërsinë e rritur, shumë herë përdoret p.sh., numri shtatë, që në realiet është huazuar nga thesari burimor i popullit tonë, konkretisht nga lloji i përrallës. Ja, p.sh., si e ndërton Rexhep Hoxha një figurë të tillë në “Lugjet e Verdha”:

“Nji livadh shtatë vjet nuk kishin pas guxue katundarët me e kositë prej nji bolle”.

Hiperbola kryesisht vjen në shprehje për t’u përdorur në romanet tona për fëmijë, që kanë natyrë përrallore apo fantastike. E i tillë prej fillimit gjer në fund është edhe romani “Lugjet e Verdha”. Aty, madje hiperbolizohet edhe vetë fati jetësor i Shpendit.

Me të drejtë thotë poeti e studijuesi I letërsisë për fëmijë, prof. Agim Deva se prezenca e botës shtazore në romanin tonë për fëmijë vetvetiu ka paraqitur nevojën që zërat e ndryshme të gjallesave të shprehen në një mënyrë të posaçme. Pikërisht për këtë, shkrimtarëve tanë u ka dalur në ndihmë një figurë e bukur stilistike, onomatopeja, të cilën fëmijët e duan dhe e përjetojnë në mënyrë të veçantë. Tingujt që lëshon natyra janë të ndryshëm, kurse në romanin tonë shohim përpjekjen serioze të shkrimtarëve, që ata tinguj të interpretohen përmes gjuhës së njeriut, p.sh,:

“Sa fjalë flet Shpendi, shpezët:

-çak, çak, çak!- me sqepa,

-Rrap, rrap, rrap!- me krahë”

E këso fjalësh onomatopeike në romanin tonë për fëmijë ka plot.

Ato janë tendencë që kafshët t´u afrohen fëmijëve pa trembje. Janë përpjekje e ndërlidhjes komunikative të fëmijëve me fenomenet e ndryshme të jetës. Atëherë tingujve u jipet domethënia, të cilën fëmijët do ta kuptojnë e përjetojnë në mënyrën e tyre.

Jo rrallë përmes fjalësh e shprehjesh onomatopeike edhe fëmijët do t’u drejtohen gjallesave, duke dëshiruar ta kultivojnë dashurinë në to, ta ruajnë nxehtësinë e miqësisë dhe ta shkurtojnë distancën që ekziston midis të vegjëlve e gjallesave.

Onomatopeja në romanin tonë përfaqëson një mënyrë të përshtatshme të bisedimit real ose imagjinativ midis nuancave të ndryshme jetësore të planetit tonë. Ajo efektivizon në afrimin e ndjenjave të sinqerta dhe në krijimin e tërësive humane brenda botës shpirtërore të fëmijëve dhe të ndonjë pjesëtari të faunës.

“Përgjithësisht, tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë për fëmijë, ia kanë pasuruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre, krijuesit tanë në tërësi kultivuan figuracione të natyrshme, të cilat jo vetëm që e nxisin fëmijën t’i gjurmojë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e kuptimeve të tilla”, konstatojnë studijuesit e letërsisë për fëmijë.

III

Në romanin “Lugjet e Verdha” ngjarjet janë lidhur bukur mirë në një tërësi harmonike e vepra është mbështetur në fantastikën e përngjashme me atë të letërsisë gojore. Kjo imponon konkludimin se ky roman është vepër e pjekur artistike. Shkrimtari me këtë vepër ka treguar se letërsia për fëmijë është fushë shumë e pasur për punë serioze artistike. Kjo është meritë e madhe. Mandej shkrimtari ka patur plot sukses në të zbriturit e ngadalshëm e metodik në nivelin psikologjik dhe në aftësitë intelektuale të fëmijëve. Indi pedagogjik ekziston që prej fillimit dhe është thurur në mënyrë fare të paimponueshme. Edhe në pikëpamje psikologjike, edhe në atë pedagogjike, vepra ka një funksion të caktuar dhe një dinamikë të këndshme dhe të pandërprerë. Shumë gjëra që janë thënë, luajnë rolin e nxitjes së virtyteve dhe të cilësive fisnike të fëmijëve.

Gjuha është e rrjedhshme dhe ndihmon shumë për ta shijuar edhe më mirë atmosferën e një ambienti bukolik në një të treguar të gjallë dhe interesant. Kompozicioni i veprës është bërë me mjeshtëri dhe ngjarja udhëhiqet deri në fund me dinamizëm të nivelizuar.

Studiuesja dhe profesoresha e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, Dr. Qibrije Demiri-Frangu konstaton me të drejtë se Rexhep Hoxha është njëri prej autorëve që ka shfrytëzuar shumë mundësi të eksplorimit të letërsisë gojore, të jetës tradicionale të familjes sonë, të cilat ndjehen fuqishëm ,krahas subjektit, strukturës, diskursit rrëfimor, emërtimeve të personazheve e të vendbanimeve edhe në romanin “Lugjet e Verdha”.Meritë e madhe e shkrimtarit është edhe fakti se ai ka gjetur (krijuar) aq shumë emra të bukur për shpendët, për shtazët e gjallesat e tjera. Sa bukur i përgjigjet emri sundimtarit të ashpër-Ballhutës. I bukur është edhe emri i fshatit Arrnjet. Fare adekuat është emri i protagonistit kryesor- Shpendit. Po kështu ngjan edhe me emrat e tjerë të njerëzve: Bardheci, Ajkuna, Drita, Nusha, Kumria, Bjeshka etj. Shumë i shëmtuar është emri i Plakës Ugurzezë, i Ujkut Delengrënës, i Bollës, i Kuledrës, i Gjin Xhelatit etj.

Shumë të tingëllueshëm e simpatikë janë emrat e shpendëve: Bishtkuqe, Xinxare, Natare, nëna e pyllit-Erëmira, Havakushja, Sqepkuqi etj. Ariu është-Ari Shputa, sepse është simpatik në veprimet që bën; hoxha-Hoxhë Llapatani, sepse shkruan hajmali dhe gënjen njerëzit, ndërsa kur sëmuret, nuk shkruan hajmali për vete. Edhe për krahinat e ndryshme autori ka gjetur emra të përshtatshëm: Lugjet e Verdha, Rrahu i Thatë, Frashnjeti, Prozhma e Gjelbër, Gryka e Pishtahut etj.

Të gjitha këto janë prodhim i në fantazie të bujshme dhe pajtohen fare me titujt e njomë të poezisë me të cilën është e përshkuar tërë vepra “Lugjet e Verdha”.

LITERATURA:

1. Astrit Bishqemi, Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë, Sejko, Elbasan 2001;

2. Astrit Bishqemi, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko, Elbasan 2004;

3. Anton Berisha, Çështje të letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë 1982

4. Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Rilindja, Prishtinë, 1977;

5. Hasan Mekuli, Romani shqiptar, kritika e vështrime, Libri shkollor, Prishtinë,2000;

6. Qibrije Demiri-Frangu, Letërsia për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2011

7. Rexhep Hoxha, Lugjet e verdha, Rilindja, Prishtinë 1972

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...