Libër vlerash të rralla për gazetarinë dhe publicistikën shqiptare

Kultura

Libër vlerash të rralla për gazetarinë dhe publicistikën shqiptare

Nga: Ajete Zogaj Më: 19 korrik 2019 Në ora: 00:47

Nëse e kthejmë kohën në numra, numrat në vite e ditë, për të shkruar e analizuar punën e doajenit të gazetarisë NEHAT ISLAMI, mund të konstatojmë se ai me shkrimet e tij, me qëndrimin e tij, me profesionalizmin dhe guximin gazetaresk, është një AKADEMI në vete për gazetarinë dhe gazetarët jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

NEHAT ISLAMI i takon asaj plejade gazetarësh që është mishëruar me profesionin, që e ka kuptuar misionin e gazetarit në informimin e drejtë dhe objektiv në rrethana e vite të vështira kur ka raportuar, jo vetëm nga Kosova por edhe nga bota.

Është nga ai brez gazetarësh që është përballur edhe me cezurën e kohës në ato vite të vështira për Kosovën kur duhej ‘peshuar e matur mirë fjala’. Ai ka ditur që zërin e Kosovës dhe popullit të saj të shtypur ta pasqyrojë edhe tek personalitete e diplomaci ndërkombëtare, ku do që i është dhënë mundësia, dhe jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve nga ka raportuar siç është Palestina dhe populli palestinez.

Po të shfletojmë gazetën Rilindja të viteve kur ka raportuar e shkruar Nehat Islami, do të lexojmë artikuj e reportazhe të shkruara me pedantëri, me profesionalizëm e saktësi.

Një pjesë të këtyre shkrimeve ai ia sjellë lexuesit në dy librat e tij, “ Hotel Bejruti” botim i “Kohës”2013 dhe “ Një adresë në Buresht” botim i “Faik Konicës” 2016.

Që në hyrje të librit “Një adresë në Bukuresht” gazetari Nehat Islami do të shprehet: “Me këtë libër u përpoqa të nxjerr nga hija e harresës disa nga shkrimet e mia të botuara në kohë të ndryshme” (faqe 7).

Libri i Nehat Islamit “ Një adresë në Bukuresht” është një libër i një rëndësie të veçantë nga fusha e gazetarisë, që pasqyron punën e tij shumë vjeçare prej gazetari, kurse parashtrimi i lëndës së trajtuar në këtë libër, është bërë me shumë kujdes, ku spikasin periudha dhe personalitete të shquara të cilat autori ia sjellë lexuesit si dëshmi kohe.

Libri është i sistemuar në pesë kapituj: “Kujtesa për kohën e shkuar”, “Lufta”, “ Të huajt për Kosovën”, “ Vlerat shqiptare” dhe kapitulli i fundit “ E sotmja si e djeshmja”.

Shënimi i datës, vendit dhe vitit të botimit në fund të çdo shkrimi, i jep librit një karakter dokumentar të kohës kur është shkruar e që i ngjason një ditari faktografik ngjarjesh, kohësh, sfidash e personalitetesh të cilat edhe sot e kësaj dite ruajnë origjinalitetin dhe saktësinë.

Libri fillon me shkrimin “A na jepni nxënës hua” i cili që nga titulli cytë e nxitë lexuesin dhe në të njëjtën kohë n njofton atë për gjendjen e mjerueshme të shkollave dhe nxënësve në viset e largëta, por mbi të gjitha vë në pah rolin e gazetarit (autorit) dhe shkrimit të tij i cili bëri jehonë në kohën kur u shkrua, por njëkohësisht edhe zgjodhi problemin e shkollarëve të vegjël të fshatit Rakinicë, fshat ky kufitar me Serbinë.

Duke lexuar artikujt e gazetarit Nehat Islami, shpalosim ngjarje, përballje, sfida, rënie dhe ngritje, figura të shquara nga të gjitha shtresat: mjek, piktorë, politikanë, të sëmurë, ecejake kohësh e vitesh, të cilat padyshim se janë një pjesë e historisë dhe rrugëtimit tonë ndër vite....

Është mjeshtëria e gazetarit Nehat Islami, që në shumë artikuj të botuar në shtypin e atëhershëm, të pasqyrojë realitetin e atyre viteve, anomalitë e shoqërisë por edhe ngritjet e rëniet, si tek shkrimet: “Shkëlqimi trishtues i një ore dore të artë” ku vë në spikamë eksploatimin që i bëhej Trepçës dhe trajtimi që u bëhej punëntorëve, duke u dhënë orët e arta të cilat nuk u hynin në punë krahasuar me gjendjen e rëndë ekonomike të familjeve të tyre. Ajo që është për t’u vlerësuar është pesha e këtij shkrimi si dhe mjeshtëria e thënies së atij realiteti nga gazetari Islami që pas një kohe të shkurtër të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së punëtorëve të kombinatit të Trepçës.

Edhe të shkrimin “Variola Vera” i shkruar në vitin 1972, autori përveç gjendjes së rëndë ekonomike së cilës iu shtua edhe sëmundja e rrezikshme, pasqyron dy paradigma kryesore: Raportimin nga vendi i ngjarjes edhe pse ishte i rrezikshëm për shkak të sëmundjes, si dhe punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve shqiptar të Kosovës të cilët shumë më shpejt dhe më saktë e ekzaminuan virusin e sëmundjes vdekjeprurëse se sa mjekët në Beograd. Janë mjekët Xhelal Xhibo mjek specialist nga Prizreni dhe Agim Serhati, mjek i praktikës së përgjithshme në spitalin e Gjakovës të cilët me orë të tëra u qëndronin pranë pacientëve. Mbase, shembulli i këtyre mjekëve tani e shumë vite më parë, do të duhej të ishte një shembull i mirë edhe për mjekët dhe shëndetësinë kosovare sot, për dallim nga rrethanat krejt tjera, në të cilat punuan kolegët e tyre.

Përshkrimi që i bënë gazetari Islami gjendjes së të sëmurëve në spitalin e Gjakovës, është një përshkrim që mund të bëhej edhe skenar filmi, kurse në fund autori jep edhe shënime përcjellëse për mjekun që mund ta quajmë mjeku hero Dr. Agim Serhati, i cili sërish ishte sipas gazetarit Islami ndër të parët që vrapoi t’u ndihmojë fëmijëve të helmuar në shkollat shqipe nga siç thotë autori nga një “dorë e fshehur” e regjimit të Milosheviqit. Gazetari Islami, na bënë me dije se Dr. Agim Serhatin, regjimi fashist antishqiptar e kishte dënuar me vdekje, siç e quan autori, mjeku i popullit, pa një aktgjykim të shkruar. Më 1990 e burgosin për ta dërrmuar me tortura çnjerëzore, për ta liruar që të vdes në shtëpi pas torturave të shumta dhe sakatosjes në organe të ndryshme të trupit.

Autori në librin e tij na sjellë edhe shumë shkrime të kohës në të cilat trajtohej politika ndërkombëtare por edhe gjendja e rënduar në Kosovë, si: “Faji dhe kujtesa OKB-ja dhe Kosova”, apo “Libri i bardhë” me faqe të zezë’, që pasqyron faktet e falsifikuara serbo – ruse në dëm të Kosovës dhe popullit të saj. Mjaft domethënës është edhe shkrimi “ Muzgu i diktatorëve” ku autori Islami me një shkrim të shkurtër arrinë të thotë shumë, duke sjellë me mjeshtëri dialogun me mikun e tij Serxho. “ Kur e pyeta Serxhon çka e lidh me kauzën shqiptare, ai u përgjigj thjeshtë: të gjithë të shtypurit nga diktatura janë vëllezër” (faqe 43).

Në kapitullin “ Të huajt për Kosovën” ku veçohet intervista me Sër Reginald Hibbert, ku ndër të tjera do të veçoja dy pjesëza të përgjigjes: “ Historinë e shkruajnë pushtetarët, ndërsa historia e Shqipërisë komuniste u shkrua pa përfillur as parimet më elementare mbi të vërtetën. Problemi i historisë së Ballkanit nuk mbështetej në kërkimin e së vërtetës, por në kërkimin e justifikimit. Këtu, historianët duhet t’i kundërshtojnë politikanët” (faqe 59), apo “...Shqipëria duhet të “mbështesë shpresën mbi një të vërtetë të sprovuar në botën demokratike; nuk bën kurrë që fati i një shteti dhe i kombit të varet vetëm nga një njeri’”(faqe 62).

Me shumë interes është edhe intervista prof. Dr. Bogdan Deniqin, profesor i Universitetit të Nju-Jorkut, i cili në vitin 1991, në intervistën me gazetarin Nehat Islami të zhvilluar në Stamboll në vitin 1991, thotë: “ Për mua Republika e Kosovës do të ishte gati një zgjedhje optimale në këtë moment...”(faqe 123) apo e intervistuara tjetër e gazetarit Islami me Eva Brendlin eksperte botërore për të drejtat e njeriut, e cila ndër të tjera thotë: “Kosova dhe populli shqiptar arritën të ngadhënjejnë mbi të vërtetën” (faqe 137).

Në librin” Një adresë në Bukuresht” të Nehat Islamit, përmes shkrimesh e intervistash njihemi me personalitete të shumta, si: Nagip Mahfuzi nobelist arab për letërsi i cili në bashkëbisedimin me gazetarin Islami, ngre lartë figurën e Mehmet Ali Pashës, njeriut mendje ndritur e vizionar, themeluesit të Egjiptit modern, apo edhe intervista me liderin kurd Xhalal Tallabani nga e cila mësojmë për kurdët dhe fatin e tyre, si dhe reprezaljet e ushtrisë irakiane të Sadam Hyseinit.

Nehat Islami përmes këtij libri, lexuesit i rikthen shkrimet e tij që dhe sot e kësaj dite janë të një rëndësie të veçantë, duk sjellë figura të shquara me famë botërore, siç është Simon Vizentalin, ndjekësin e nazistëve i cili në bashkëbisedimin me gazetarin Islami shprehë mirënjohje për mbetjen e hebrenjve nga shqiptarët.

Autori i këtij libri, me shkrimet e tij, dëshmon se ishte njohës i fushave të kulturës, politikës e shkencës jo vetëm në rrafshin kombëtar por edhe ndërkombëtar. Me shumë pedanteri, përmes bisedave të zhvilluara, mësojmë për intelektualët e shquar, si: Zhak Prever, Viktor Eftemiu, Aleksandër Stipçeviq, Miroslav Kërlezha, Marije Kraja, apo intervista me piktorit e madh Ibrahim Kodra, intervistë kjo e para e zhvilluar me një gazetar shqiptar.

Gjithsesi, shkrim shumë interesant është shkrimi “ Një adresë në Bukuresht” prej nga e merr titullin edhe libri i gazetarit Islami, si dëshmi e Kolonisë shqiptare të Bukuresht ku prezenca e shqiptarëve atje daton që nga viti 1628 e ku zhvilluan aktivitet e tyre figura të shquara.

Leximi i këtij libri, zgjeron njohuritë tona për ngjarje, figura të shquara dhe kohë të shkuara të cilat na i rikthen gazetari i shquar Nehat Islami, ndërkaq, letërsisë shqipe i sjellë një libër shumë të veçantë, gazetarisë një libër të domosdoshëm që duhet ta ketë çdo gazetar, shkollë e fakultet gazetarie.

Shkurt e shqip: Libri i Nehat Islamit “Një adresë në Bukuresht” është libër vlerash të rralla për gazetarinë dhe publicistikën shqiptare përgjithësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat