Në kujtim të krijuesit

Kultura

Në kujtim të krijuesit

Nga: Gani Qarri Më: 23 korrik 2019 Në ora: 09:20
Milazim Kadriu

Milazim Kadriu

1958- 2019

Përveç shkrimeve të hareshme për miqtë-autor dhe krenarin për arritjet në krijimtari, ndodhë jo rrallë, madje dhe fare pa pritur, që të mësosh edhe lajme të hidhura e të pakëndshme, për ndarjen e hershme të poetëve nga jeta dhe shkuarjen përgjithmonë të tyre në përjetësi.

Megjithëse askush nuk e kishte pritur që për kohë kaq të shkurtër edhe një penë shqiptare, ti linte lamtumirën kësaj bote mashtrimtare, për të kaluar kaq herët në amshim, mësimi i lajmit të hidhur për vdekjen e poetit Milazim Kadriu, shkaktoi dhembje të madhe dhe pikëllim të thellë, për familjen, miqtë, dashamirët dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin poetin tonë të mirë.

Jetëshkrimi i autorit

Sipas shënimeve biografike në media, Milazim F. Kadriu u lind më 21.6.1958 në fshatin Revuçë të Besianës dhe vdiq më 13.07.2019 në Prishtinë.

Ai, si i ri pas mbarimit të shkollimit fillor në Llapias (Kërpimeh), vijoi gjimnazin në Besianë, për të studiuar pastaj Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë pranë Universitetit të Prishtinës.

Fillimisht u punësua në shkollën e mesme të Besianës e më pas në shkollën e Llapiasit ku kishte mbaruar edhe vet mësimet fillestare, për të dhënë tanimë kontribut të çmueshëm si mësimdhënës dhe punuar me elan e shumë përkushtim deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Me shkrime Milazimi kishte nisur të merrej qysh i ri, i cili u dallua sidomos me poezitë për fëmijë e më vonë edhe me shkrime për të rritur, duke u zgjeruar me kohë edhe në prozë e kritikë letrare.

Ishte bashkëpunëtor i gazetës "Rilindja", "Zërit të rinisë", asaj "Shkëndija", Bujku etj, ndërsa në vitet e 90-ta, kur gazetat në gjuhën shqipe u mbyllën me dhunë nga regjimi okupator i Serbisë, ai bashkëpunoi edhe me gazetën kroate "Fokus" që botohej në Zarë.

Ushtar i lirisë

Milazimi ishte edhe ushtarë i UÇK-s, në kuadër të së cilës ai kontribuoi edhe personalisht për lirinë e atdheut.

Me këtë rast ,po shkëpus disa rreshta të përshkruar me ndjesi patriotike nga poezia e tij, "Dikush duhej të vdiste" që i përkushtohen luftëtarit apo siç thotë poeti- trimit të Arbërisë, të cilit sipas tij edhe pas rënies për liri, armiqtë nuk arritën t`ia ndalnin buzëqeshjen:

-Dikush duhej të vdiste

*******************

-Në marshim drejt lirisë

-Plumbat që e morën

-S`ja ndalën buzëqeshjen trimit të Arbërisë"

Pas mbarimit të luftës, Milazimi një kohë punoi në radion lokale “Radio-Llapi”.

Ai përveç si gazetarë, redaktor e kryeredaktor, ishte edhe bashkëpunëtor i redaksisë "Dëshmorët e UÇK-s", si dhe bashkautor i monografisë "Feniksët e lirisë", anëtar i redaksisë së revistës "Albi" dhe korrespondent nga Besiana i gazetave "Epoka e re", "Gazeta e re", "24 orë" ,"Kosova sot" etj.

Ndërsa si pjesmarrës aktiv i luftës për liri, ishte dhe mbetet veteran i nderuar i UÇK-së.

Krijimtaria letrare

Poeti Milazim Kadriu u bë simbol i një poezie të ndjeshme, me bazament të qëndrueshëm atdhetar, duke mos harruar vuajtjet nën okupim, por edhe mos humbur as shpresën për liri,si tek poezia “ Shihja” në të cilën poeti me besim shprehet:

-Edhe pse ishte robëri

*****************

-Shija ardhmërinë

****************

-Shihja lirinë!

******************

-Nëpër terr, furtunë e rrufe
-kemi ecur pa ndalur,
-me shpresën se një ditë
-do ta shohim dritën,

Poezia"Ecëm pa u ndalë"

**********************

-Pritjes i erdhi fundi,
-pushoi heshtja,
-u ngjall shpresa!

Poezia “Pritja”

Kështu që siç kemi rastin të shohim edhe te vargjet e mësipërme, ai poezinë e vet, përveçse e ngriti në stil të veçantë të artit, kronikës dhe metaforës, i mëveshi asaj edhe një kostum solid me ndjeshmëri të zgjedhur poetiko-patriotike, që e hasim edhe tek vargjet e poezisë “Oxhaqet” ku ai me kënaqësi konstaton:

-Shtëpitë u rrënuan

-Oxhaqet mbetën

-Tymi ngrihet lartë

****************

-Dëgjohet kënga e lirisë

Ndërsa në poezinë "Ata që për liri u flijuan", poeti shprehet me vetbesim dhe krenari, se:

-Ata që për liri u flijuan
-Nuk vdiqën, pavdekësi fituan.

Pra ishin heronjtë dhe dëshmorët, ata që ranë në fushëbetejë, për ti bërë dritë rrugës së kombëtares në ecjen e atdheut të robëruar dhe ngritur vetëdijen e shqiptarëve që për shumë kohë, kërkonin liri dhe çlirim.

Librat kryesor të autorit:

“Lindi dielli” (poezi për fëmijë) viti 2000

“Biografi e shkurtër për dëshmorin Besnik Muharrem Restelica”, viti 2011

“Flakadani i lirisë” (50 autorë), viti 2012

“Tri shkronja” (poezi për fëmijë), viti 2014

“Uragani i lirisë” (20 autorë), viti 2017

“Refleksione letrare” , viti 2017

“Vështrime letrare”, 2017

“Monografi e shkollës së Llapiasit- (Kërpimëhut)”, viti 2018

Bashkautor i monografisë “Feniksët e lirisë”

Përveç krijimeve personale, autori me poezitë e tij, u përfaqësua edhe në dhjetëra libra të krijuesve të tjerë, nga të gjitha trojet shqiptare, por kontribuoi edhe si redaktor, lektor e recensent i disa veprave të ndryshme letrare

Ndaj megjithëse është ligj i natyrës, që vitet dhe dekadat, edhe pas rasteve si këto, të mos ndalen, por të kalojnë, njëra pas tjetrës, pa pushim, vepra që ai ka lënë dhe kujtimi për të, e bëjnë të paharrueshëm krijuesin Milazim Kadriun edhe në amshim.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat