Talat Xhaferi: Misioni fisnik i shoqatës “Papa Klementi XI Albani”

Kultura

Talat Xhaferi: Misioni fisnik i shoqatës “Papa Klementi XI Albani”

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 24 korrik 2019 Në ora: 07:46
Talat Xhaferi

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, përuroi librin “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare”, nr. 10 në një ceremoni të organizuar nga Kuvendit i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, vlerësoi lartë punën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, duke e cilësuar se kjo shoqatë në vazhdimësi dhe me këmbëngulësi po realizon aktivitetin e vet kaq fisnik.

“Kur u takova për herë të parë me z. Hysen, më la përshtypje pasioni me të cilin fliste për aktivitetin e Shoqatës, qëllimin që dëshiron ta arrijë kjo shoqatë dhe mënyra se si tenton ta arrijë. Dhe të them të drejtën, më gëzoi. Më gëzoi për arsye se, ishte ndryshe nga ajo që e kam dëgjuar deri tani”, tha z. Xhaferi.

Duke kujtuar kohët nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, por edhe popujt tjerë në rajon, të cilët dikur kanë migruar për të siguruar ekzistencën, Xhaferi tha se sot një pjesë e madhe e të rinjve shkon për të mësuar, hulumtuar dhe zgjeruar horizontet e veta të dijes. “Dhe, pikërisht këtu shfaqet kjo shoqatë e cila me kujdesin më të madh përpiqet që t’i regjistrojë ngjarjet, ta ruajë trashëgiminë shpirtërore dhe atë letrare, duke e pasuruar atë njëkohësisht me përmbajtje të reja të cilat u shërbejnë gjeneratave të reja dhe pikërisht kjo ishte ajo që më inkurajoi ta mbështesë këtë eveniment dhe t’i përgëzoj për punën e vyer dhe të shkëlqyeshme që e bëjnë, për mbajtjen e komunikimit brenda komunitetit shqiptar në mërgatë, për frymëzimin, për trashëgiminë dhe mbajtjen e lidhjeve me vendlindjen. Ju me këtë bëheni pjesë e historisë”,tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, z. Talat Xhaferi.

Image

Hysen Ibrahimi,kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, shprehu falenderimin dhe konsideratën më të lartë, për mundësinë që Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut z. Xhaferi e mundësoi perurimin e librit “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Shkup. Në fjalën e tij, ai u përqendrua më shumë në përvojën që ka pasur me shqiptarë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në mërgatë. “Lirisht mund të them, se ata janë shqiptarët më punëtorë dhe më fisnikë që do të mund të takojë njeriu. Duke nisur nga përvoja me vetë ju z. Xhaferi, për kontributin që ju keni dhënë për mërgatën”.

Ai veçoi kontributin e madh të Sadullah Zendelit - Dajës, i cili ka një jetë të tërë në Suedi dhe kontributin i tij me arsimin shqip, si dhe punësimin dhe integrimin e shqiptarëve që kanë shkuar në kohë më të hershme në Suedi, është i pashembullt. Kemi edhe shumë shqiptarë tjerë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Suedi dhe në vende tjera të Evropës, të cilët janë treguar të suksesshëm dhe ne pashmangshëm duhet t’i kemi ata në librin “Thesar Kombëtar...”, sepse qëllim i shoqatës sonë është që të bëjmë bashkë vlerat kombëtare, kudo që shfaqen ato”, tha Ibrahimi.

Image

Ai tha se shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, janë treguar më të guximshëm, më veprimtarë, më humanistë, më kombëtarë. “Prandaj, ne anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptaë “Papa Klementi XI Albani”, do të vazhdojmë të hulumtojmë këto vlera, që t’ia lëmë pas brezave që vijnë. Për këtë arsye, kemi nënshkruar këtë vit një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, dhe do të vazhdojmë të bëjmë punë bashkë, tha Hysen Ibrahimi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i RMV, Bujar Osmani përgëzoi shoqatën “Papa Klementi XI Albani” për punën që po bën dhe ofroi mbështetjen edhe të qeverisë maqedonase. “Dyert e qeverisë janë të hapura për bashkëpunim të përhershëm me ju, sepse mendojmë që puna juaj do të jetë një vlerë e shtuar edhe për ne edhe për gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Osmani.

Në emër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup foli, Besnik Rameti, udhëheqës i departamentit të historisë së shqiptarëve dhe lëvizjeve demografike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të këtij instituti. “Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë me emrin e madh“Papa Klementi XI Albani” me publikimin e veprave publicistike, letrare e dokumentare po e përmbushë një mision shumë domethënës për çdo shqiptar në diasporë”. Modelin e librit “Thesar Kombëtar…” duhet ndjekur edhe shqiptarët tjerë që janë të shpërndarë nëpër kontinente të botës, tha ai.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, tha se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore, “Puna vetmohuese e kësaj shoqate, e cila pëmbledh diasporën jo vetëm nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët ndodhën për punë në Suedi, arrinë që të ketë një kontribut kaq të madh kulturor, nuk lejon që të harrohet historia e popullit shqiptar, të cilën e trashëgon përmes veprave të saj për brezat e ardhshëm.”, tha z. Reka.

Ndërkohë u përuruan libri “Thesar Kmbëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, nr. 10, libri “Dardanët për Dardaninë”, autor Rrahman Rrahmani, “Vepra 3”, autor Hysen Ibrahimi, “Se nuk vdes”, autor Idriz Gashi, Antologjia “Të dashurosh nuk është mëkat”, bashkautorë, Ymrije Beqiri dhe Hysen Ibrahimi, “Ndryshe ëndërrova”, Ymrije Beqiri,

Në fund të ceremonisë u ndanë edhe disa mirënjohje, kurse z. Talat Xhafer u shpall “Anëtar Nderi” i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”.

Edhe z. Xhaferi i ndau një mirënjohje z. Ibrahimi me këtë motivacion:

Image

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndan Mirënjohje për z. Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, mirënjohje dhe vlerësimin e lartë për punën e vyer dhe të shkëlqyeshme që e bën, për mbajtjen e komunikimit brenda komunitetit shqiptar në mërgatë, për frymëzimin, për trashëgiminë dhe mbajtjen e lidhjeve me vendlindjen. Ju bëni shënimin e zhvillimeve historike dhe me këtë bëheni pjesë e historisë. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryetari z. Talat Xhaferi ju falenderon dhe e vlerëson lartë misionin tuaj fisnik”, thuhet në mirënjohjen për z. Hysen Ibrahimi, të nënshkruar nga z. Talat Xhaferi, më 22 korrik 2019, në Shkup.

Po ashtu, z. Xhaferi i dhuroi z. Ibrahimi edhe një skulpturë të Skënderbeut, nga Parlamenti si dhuratë. Z. Hysen Ibrahimi, falenderoi Kryetarin e Kuvedit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, për ceremoninë e vecantë të manifestimit për përurimin e librit Thesar Kombëtar…në Shkup, duke u inkurajuar për punë të metejme dhe për bashkëpunim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat