Poetika dhe ndjeshmëria e lartë artistike në pikturën e Gjelosh Gjokajt

Kultura

Poetika dhe ndjeshmëria e lartë artistike në pikturën e Gjelosh Gjokajt

Nga: Bislim Aliu Më: 25 korrik 2019 Në ora: 10:39
Bislim Aliu

Piktura e Gjelosh Gjokajt është meditative dhe fare e mëvetësishme. Imazhet e saj janë porosi. Porosi e lartë që mediton bukur. Porosi e cila buron nga brendia e tij shpirtërore. Ajo është një burim i pashterrshëm i cili mediton thekshëm në shpirtëroren e çdo njeriu. Ato të bredhërisin gjithnjë si një bredhje imagjinative në fëmijërinë e brengosur dhe të humbur. Ato të shëtisin nëpër botë dhe të kthejnë sërish në Kosovë. Ky strall i një rrëfimi më të lartë kreativ, gjithnjë tingëllon rrmishëm por edhe këndshëm në shpirtërorën tonë si një rrezatim i një kreativitetit më të lartë artistik.

Pa dyshim piktura e Gjelosh Gjokajt është komplekse dhe tejet meditative. Piktura e tij në tërësi është porosi. Porosi e lartë shpirtërore e cili të shëtit në fëmijërinë e brengosur dhe të humbur. Ato zatën, të shëtisin si një ambasador nëpër Romë e Augsburg dhe të kthejnë sërish në Kosovë. Gjokaj ishte gjithnjë i guximshëm në paraqitjen e portretit dhe të njeriut që është i guximshëm të ballafaqohet me jetën dhe me katrahurat e saj. Gjithherë portreti dhe figura e tij janë mendimtare. Pra, mendimtare në atë kuptimin e gjenezës. Ato qëndrojnë stoike dhe kanë qëndresën e gurit. Pa dyshim, ngjyrat e Kosovës i gjen aty. Ato ngjyra që të mahnisin dhe të përvetësojnë në tërësi.

Gjelosh Gjokaj, bën pjesë në grupin e piktorëve prijatarë, të cilët me angazhimin e lartë, e avancuan artin tonë pamor, jo vetëm në përmasa kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare. Piktura e tij, në përgjithësi, e ka një intelektualizëm fare poetik, të veçantë dhe me një shpërfaqje të lartë kreativiteti. Andaj, duke i shikuar pikturat e Gjelosh Gjokajt, të rrokë mallengjimi në njerën anë dhe, në anën tjetër, të rrokë drithërima e lartë prekëse, e imazheve si porosi, si energji për problematikën në përgjithësi. Dhe, ai si një ambasador i arteve pamore dhe i kulturës shqipare në përgjithësi, i përcolli me përpikëri në pikturë, mesazhet e popullit shqiptar në mënyrën më të lartë.

Fuçia e tij intelektuale e mendore, e një piktori madhështor, i tregoi botës mbarë ngjyrat e Kosovës legjendare. Pra, në të, i gjejmë ngjyrat fascionuese, subtile dhe fare ndjesore, të cilat përherë ravijëzojnë bukur, me sensin më të lartë kreativiteti. Ndaj, për këtë fenomenologji rrezatuese e kreative, piktori Gjokaj renditet në piedestalin më të lartë të rrëfimit artistik . Dhe, mu për këtë, ai mori shumë shpërblime e mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky kreativitet i tij ishte pa mëdyshje, tejet i sensibilizuar dhe gjithnjë i formësuar. Ky formësim ishte një shpërfaqje e detajuar për mrekulli. Këto portrete, dhe figura, ai i kishte studjuar në detale dhe ato, gjithnjë rezononin me një shprehje tejet analitike. Ky analizim i mrekullueshëm, gjithmonë u shpërfaq në pikturën e tij me një invencion të lartë dhe tejet konkretizues. Ky konkretizim u shpërfaq bukur. Kjo bukuri rrezatuese, përherë u tregua me një idealizëm të lartë, në të gjitha tablotë e tij sensitive dhe tejet kreative e përmbajtësore. Piktura e tij është një vezullimë që shkëndijon gjithnjë. Aty është ndjesimi më i lartë i konkretizimit. Aty është vezullima e drithërimës shkëndijore. Dhe, aty është, shkëndija më e lartë e pikturimit.

Individualitet në përdorimin e ngjyrës

Gjithsesi Gjelosh Gjokaj me pikturën e tij tregoi fenomenologjinë më të lartë në përdorimin e ngjyrës. “Këtë piktor e shquan ndjeshmëria për harmonizimin magjik të ngjyrave, strukturimin e nuancave të toneve në pikturë me një faturë origjinale, duke ruajtur ritmin e trajtave, për unifikimin e formës dhe hapësirës” (N. M. ).

Pra, në pikturën e Gjelosh Gjokajt qartas mund të vërehet mjeshtëria e lartë e pikurimin, qasja tekniko-teknologjike, krejtësisht vetanake me një imazh tejet subtil dhe me një qasje bravuroze të rrëfimit. Ndaj, për nga motivet e shtjelluara dhe mënyrës se si u qaset atyre, ai është individualitet që mund të krahasohet me fenomen. Këtë fenomenologji të ravijëzuar, piktori Gjokaj e tregoi bukur në lidhjet nostalgjike që kishte vazhdimisht me vendlindjen. Zatën, këtë nostalgji , Gjokaj e tregoi në shumë vepra, të cilat në vete e kanë poetikën më të lartë të rrëfimit. Ai pa dyshim, shëtiti dhe ekspozoi nëpër shumë qendra e galeri botërore, e tevona sërish i kthehet kësaj nostalgjie jetësore dhe shpirtërore në Kosovë. Ndaj, mu këtu qëndron ajo madhështia e lartë e piktorit Gjokaj. Këtë madhështi nostalgjike, piktori e tregoi në ekspozitat cilësore të organizuara në Kosovë, në vitet; 1967, 1977, 1987, 2000, 2004… Ekspozitat e organizuara tregojnë qartas se piktori Gjokaj është një piktor angazhes dhe tejet sensitivë.

Interesimet e para ishin figura të robotizuara dhe të mekanizuara

Në interesimet e para të piktorit Gjokaj, të cilat lirisht mund t’i quajmë sureale, do të shohim angazhimet e tij për një art të “angazhuar”. Kuptohet, me ide dhe porosi të caktuara. Në përgjithsi, piktori Gjokaj, pikturonte figura të robotizuara dhe të mekanizuara. – ngjashëm si të piktorit De Kiriko.

Megjithatë, piktori i ka figurat e veta dhe mënyrën vetjake për temat e realizuara të kësaj mënyre. këtë qëndrim të piktorit do ta vërejmë edhe më tepër dhe më dendur në vitet e ’70, ku realizimet e veta i shpërfaq duke paraqitur skena dramatike, me makinën dhe pjesët emakinës… Pas një kohe Gjokaj angazhohet për një qasje më konkrete, pra për një surealizëm poetik.

Zatën në vazhden e interesimeve të vazhdueshnme të piktorit ai angazhohet në paraqitjen e njeriut të vendlindjes, kokës, fyellit, bariut, deleve… Ndaj, në këtë kontekst të interesimeve, linden edhe veprat; “Portret”, “Portret fëmije”, “Koka”, “Bariu”, “Bariu dhe fuelli”, “Kokat që gufojnë”, e ndonjë tjetër. Piktori sikur i kthehet vendlindjes. Sikur nostalgjia për vendlindjen, e detyrojn të pikturojë në këtë mënyrë. Dhe, duke i nalizuar veprat e krijuara, do të shohim se tani, kemi një qasje më reale dhe më nostalgjike të piktorit Gjokaj. Pra, tani kemi atë poetikën e lartë ndiesore e cila shpërfaqet bukur dhe me një dinamikë tejet kreative e përmbajtësore.

“Nonjëherë kur mungon inspirimi në pikturë është mirë të merresh me poezi. Piktura gjithnjë është afër poezisë, afër muzikës. Atë që s’mund ta thuash në pikturë, thuaje në poezi ose në muzikë. Këto sigurisht, janë në lidhmëri njëra me tjetrën”, - thoshte piktori Gjokaj. Andaj, mostrën më representative të kësaj poetike e gjejmë në triptikun “Zogjtë grabitqar”, të realizuar në vitin (1986).

Arritje kulmore në abstraksionin simbolik

Gjithsesi piktori i angazhuar dhe tejet sensitive Gjelosh Gjokaj, është gjithnjë i interesuar që ta paraqes nostalgjinë dhe idealizmin më të lartë ndjesor. Dhe për këte është fenomenal dhe i pakrahasueshëm. Me këtë shpërfaqje ndjesore, piktori arrinë gjer te një kreativitet kulmor që lirisht mund ta quajmë piedestal. Piktori Gjokaj, tani sikur i shmanget krejtësisht qasjes reale, të cilës s’do mend i kishte mbetur besnik një kohë të gjatë. Në këtë vazhdë të interesimeve, piktori kalon në një faze që lirisht mund ta quajmë edhe abstraksioni simbolik. Kjo arritje kulmore e piktorit paraqet kreativitetin më të lartë ndjesor dhe përmbajtësor të piktorit Gjokaj.

Në këtë shpërfaqje, tani dominon ngjyra, pra harmonia magjike e ngjyrave. Piktori në këtë fazë sikur ka fituar një liri të plotë në përdorimin e ngjyrave dhe këtë shpërfaqje të tij mund ta quajmë kreativitet tejet i lartësuar dhe pse jo edhe fenomenal. Aq bukur dhe aq ndjeshëm, shpërfaqet piktori në veprat e tij të formësuara dhe në kompozicion, saqë piktori në këtë fazë arrin zenitin e kreativitetit. Gjithsesi këto forma dhe këto ngjyra , qëndrojnë në një harmoni të plotë. Dhe paraqesin poetikën më të lartë të idealizmit ndjesor. Gjithsesi ato rrëfehen dhe bashkohen në një harmoni konkretizuese dhe fare logjike. Andaj, pa dyshim, kjo baraspeshë figurative e tij, ngërthen në vete, bërthamën dhe dimensionin filozofik të shpërfaqjes modern më bashkëkohore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat