Tetova – qyteti im nostalgjik

Kultura

Tetova – qyteti im nostalgjik

Nga: Merxhan Jakupi Më: 27 korrik 2019 Në ora: 17:24
Merxhan Jakupi

I shkëputur, i larguar nga vendlindja në mërgim për afër 40 vjet, sa herë që vij për pushime në qytetin tim, nga mallëngjimi, nostalgjia dhe etja për të përpirë me sy çdo pamje të qytetit, dal herët në mëngjes dhe i bie pash më pash qytetit. Kaloj kryq e tërthor me hapat e mia nga rrugica në rrugicë, nga sokaku në sokak, nga sheshi në shesh, kudo ku në rini kalova pjesën më të lumtur të jetës.

Më ringjallen shumë kujtime duke kaluar nëpër parajsën e rinisë sime: kasabaja orientale, dyqanet me artizanate, rrugët e shtruara me kalldrëm. Ndalem e kundroj lumin Shkumbim me ujë të bollshëm, të ftohtë e të pastër si kristal. Më kujtohet mirë trafiku i rregullt, spitalet e pastra, parqet me gjelbërim, sheshi me shatërvan, ajri i pastër, flladi dhe aroma e luleve që sjell gryka e bjeshkëve të Sharrit. Vështroj hamamin dhe Xhaminë e Larme që gjënden përballë shtëpisë sime. Këta dy monumente arkitekturore orientale ishin dikur tempulli im.

I tregoja djalit tim disa fotografi të  vitev 1960-70, të cilat e mahnisnin me bukurinë, pastërtinë dhe rregullin e dikurshëm dhe nuk e besonte se ky kishte qenë qyteti i sotëm i Tetovës.

Dekadat e fundit, sa herë që vij për pushime, shoh se qyteti im e ka humbur identitetin; më duket si qytet i huaj, me panoramë të zymtë e kaos urban, makina të përdorura të importuara të cilat në Perëndim i hedhin në varreza.

Qyteti im – tani i mbushur me pluhur e ajër të ndotur, i zhytur në mjerim e varfëri, me shkolla e spitale të vjetruara, me rrugë të shakërruara, me gropa, ku shikon qentë endacakë që vrapojnë të uritur ose gërmojnë nëpër mbeturina ushqimore dhe përbëjnë rrezik për fëmijët që prindërit kanë frikë t’i dërgojnë vetëm në shkollë. Plehrat togje-togje nëpër lagje e shtojnë ndotjen e ambientit dhe rrezikun e infeksioneve. Ngado që të hedhësh sytë shikon pallate e ndërtesa shumkatëshe monstruoze, pas asnjë planimetri e fizionomi urbane, të ndërtuara pa hapësira të doemosdoshme, pa parking dhe pa leje. Betonizimi, asfalti dhe ndotja e ajrit u merr frymën banorëve të qytetit. Askund nuk të sheh syri një park a lulishte me gjelbërim.

Qyteti im – me ajër të ndotur, me ushqime e barna të skaduara e të pakontrolluara.

Qyteti im, ah! Qyteti im! Si të kanë sakatuar, t’i kanë masakruar të gjitha vlerat e trashëgiminë kulturore e kombëtare. Arabati Baba Teqe, një ndër monumentet arkitekturore orientale të spikatura në Ballkan, është masakruar dhe është bërë gërmadhë. Qendra turistike më atraktive për shijim në Ballkan – Kodra e Diellit, është shkatërruar e shndërruar në skëterrë.

Qyteti im që je duke u zbrazur! Qytet që po mbetesh pa rini, sepse të gjithë po ikin dhe po mbeten vetëm moshatarët e mi, ish-shokët e rinisë, të getonizuar, të mbyllur nëpër shtëpi ose shtyjnë kohën nëpër çajtore duke pritur vdekjen.

 

Pallati i kobshëm

Ajo që më ndjell shumë kujtime të ëmbla dhe nostalgji në qytetin tim është periudha e artë e viteve 1970-të. Në atë kohë në kinematë e qytetit shijoja reklamat e posterat e filmave aktualë dhe të ardhshëm. Isha i apasionuar pas kinematografisë dhe nuk lija film pa parë. Te kinemaja “19 Nëntori” në mbrëmje çdo herë para se të fillonte premiera e filmit, shkoja me ndonjë shok ose vajzë tek ëmbëltorja “Beograd” që tani quhet “Sirena”. Çdo herë merrja të njëjtat ëmbëlsira – një bakllava greke, një krempito italiane dhe një bozë. Te kinemaja “Bratsvo” (“Vllazërimi”) para se të fillonte filmi, te një kioskë përballë kinemasë ishte një kopësht (lulishte) me lule perla dhe kolltuqe (stola, por për mua ato ishin kolltuqe).

Të dielave pasdite, duke pritur orën e çfaqjes së filmit, lulishtja mbushej me ushtarë, kurse në mbrëmje vajzat dhe djemtë ulur nëpër kolltuqe bënin dashuri.

Para disa vitesh, duke shëtitur nëpër qytet kundroja dhe vështroja çdo hap dhe gjurmët e qytetit të mëparshëm. Për një çast m’u kujtua lulishtja para kinemasë. Doja të shkoja të ulesha në ato kolltuqe dhe të çmallesha me to nën hijen e një dushku apo bliri të madh. Duke kaluar rrugës kryesore në të majtë, te lulishtja pashë një pallat. “O Zot! O Perëndi!”, thashë me vehte. “Ç’masakër, ç’mëkat paskan kryer këtu këta kriminelë, këta barbarë.”

Qyteti i fëmijërisë, qyteti i ëndrrave të mia rinore, i përrallave, lodrave, parajsa e dikurshme, hyjnesha ime që me kishte ngelur në mijra kujtime. Larg në mërgim, i lodhur nga ëndrrat, me shpresë që të kthehem për të kaluar pjesën e mbetur tëë jetës sime. 

Qyteti im që tani je i huaj për mua, që ke humbur tiparet, buzëqeshjen, fizionominë, shtatin. Qytet i getonizuar, i zymtë, i zhveshur, i zhytur në humnerë, qytet (që për mua) ke pushuar së ekzistuari. Qyteti im, të cilin disa mjeshtra hora, mashtrues e bastardë të rrëmbyen, t’i nxorën sytë, ta prishën bukurinë, ta humbën lumturinë dhë në fund të varrosën përgjithmonë.         

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat