Mjalti i shpirtit, shpirti i fjalëve dhe magjia e tyre. Viktor Eftimiu, shkrimtar i famshëm rumun me prejardhje shqiptare, thoshte dikurë, në librin Magjia e fjalëve (1942): Nuk mund ta dërgosh librin të luftojë vetë, siç qe dërguar në front ushtari rumun në vitin 1916. Librit i duhet artileria e madhe e prestigjit kombëtar, mitralozat e reklamës, çimentoja e vazhdimësisë, urat e harkuara që lidhin brigjet me brigje, njerëzit me njerëz, popujt me popuj. Mariana Grigore ka ardhur në botë për të prurë përgëzime dhe hijeshi. Përmes bukurisë hyjnore në poezitë e saj, ajo përvetëson zemrat, simpatinë dhe entuziazmin e gjithë shkrimtarëve rumunë dhe shqiptarë. Poemat e Marianës përfaqësojnë një ishull të paqes, të përmbushur me dashuri. Herë pas here, rima është buzëqeshja e vargut. Nuk duhet t’ua lëmë vetëm artistëve bukurinë, vetëm teologëve moralin fetar dhe vetëm juristëve praktikën e drejtësisë. Jeta kalon, kurse fjalët mbeten. Autorja vjen para nesh nëpërmjet rrugës magjike të frymëzimit. Magjia e poezisë jep një jetë dhe një fuqi, një të drejtë të kështjellës, çdo gjinie të artit. Vargu i Marianës është i thellë, i rrumbullaktë dhe i shëndritshëm si kokrra e margaritarit, me vezullima dhe rrezatime, me tringëllima dhe jehona. Mirëseerdhe në gjuhën shqipe, e dashura Mariana!
KËNGA E LUMTURISË
Unë jam grua deri në thelbin
e shishes së dëshirës
nga e cila pikojnë epshet
trillet e mia
kanë mbetur të hedhura në shkallën e sipërme
të rrugës për në zjarr
ti,
në një pavendosmëri sinonime me ngutjen
i mbledh një nga një
lëvizjet e maces të rrobave
qș mș bien nga trupi i formës
shikimi
të rrëshqet në kofshën pjellore e nxitur me prekje instinktive
dhe përpëlitesh mes pamundësisë për të qenë
në mëkatin që e di se më je
edhe një shi i padeshifruar nga krenaria e pakujdesshme
syrin i kontradiktave
shikon se si dëshiron t’i degdisish gishtërinjtë
në gjirin aq të guximshëm...
që skicon hijet e rrumbullakëta,
pa e kuptuar tërbimin e mbrendshëm
të emocionit të strehuar në fytin e frymëmarrjes
i djegur nga momenti i freskët i çastit,
koha vdes aq bukur
në imortalizimin e braktisjes
kurse unë,
duke ecur në prrushin e mendimit tënd
rizbuloj në mënryë klandestine ngjyrën
e dashurisë,
e lumtur se jam grua.
TRUP E SHPIRT
Shpirti ec i heshtur n’rrugicën e zhurmës memece...
gjëmon nfërmjet dy titërimeve të fenerit
të thyer prej gurëve që flasin
Drita qan
dhe përpiqet me dëshpërim për të ndezur
fitilin e shiut të harruar në degën e përjetimit vjeshtor
Flatra e diellit mbëlton re
gjatë ditës së djeshme
toka ku kemi mbjellë iluzione
është vend i lagur
pa e veguar farën e vaditësit
rrënjët e besimit
të nxjerra nga konteksti
pranvera shkel mbi krahët e harabelave që cicërojnë
mbytja me tril
agimi i një mëngjesi të muzgëtuar nga tingujt
Nuk e dalloj kuptimin e saktë të shqetsimit të stinës
në vitin që sapo e ka përfunduar afatin
Pyes veten në retorikën e diskursit: A është e gjelbër?
... ose kam hyrë në epilogun e rilindjes në ngjyrë blu?
DUKE VALLËZUAR ME LUMTURINË
HEJ!
Të lutemi t’i drejtosh shalët e ndryshkut!
Ty nuk të kalon përmes largimit të fundit
një Paso Doble me hingëllimë të mbetjes?
Nuk e dëgjon pengesën e pluhurit të pushkës
që të paralajmëroi ta dorëzosh armën e ikjes?
Ku po i përshpejton iluzionet tua?
Lëri të hipin të bëjnë autospop
në rrugën me mbetjet e prapa!
Pse mendon se në vargan
kap stacionet e trenave
të mbipopulluara me bileta të humbura?
Qëndro si një largim i fundit nga peroni i orës fikse
dhe verifiko pavendosmërinë në skedën
e minutave të vonesës
Ik!
Lëre fustanin e gjatë të të rrëshqasë pranë çveshjes
dhe tokun e sandaleve shqyeje me me gishtat e urisë
së noçkave të përkëdhelura...
Mos shiko në durimin e kohës
që pi për tepër sekonda nga cigarja e fundit,
shkrumi është vetëm pluhuri në sy që e verbon erën
Vrapo!
harroje hijen në cep të rrugës
dhe kalo zebrën me kundërshtim midis të zezë dhe të bardhë
Supi pa fluturim përballë pyetjeve,
e di ajo se si të ndërtojë një kofshë të përgjigjes
Ti, vetëm vrapo përmbrapa dhe ik!
ALTER EGO!
Sikur të më ishte fjala armë, të vdekurit nga urrejtja e madhe
Dhe silabet e skëterrës së djegjes pa mëshirë
Do të dërgoja në mërgim hapin që u pajtua të vijë
Me përjetësi vajtimtare në shtigjet e lumit
Mirësia e këputur në brez, mban “mantel” mbretëror”
Dhe në turrë me kryqin pas shpinës ngjitet n’golgotën e shkretëtiës
Porsi e e shitura për argjend të numëruar pa gabime
Duke llogaritur se e bardha në shpirt ësht’marrëzi mes të gjallëve
Po të më ishte drita e gjall, mjegulla nga savani i natës
E lëvarur në varg hijesh mbi një shesh dielli
Mendimi moçal qoftë, që varros lulen e fatit
Sërish shpirti ndëshkohet, me vite të rënda burgosjeje
Nuk dua të jem gjallesë në statuja me maska në fytyrë
Nuk dua rol primadone në sqenën e gjallë të jetës
Dua të jem një glinë me konture të shpirtëzuara
Që dëbon nga pandorat acarin e ngrirë në baltë
Qoftë nëse dukem një vjetërsi e harruar nga kjo kohë
Pa rrënjë në besimin e kokës së përkulur
Faltrim naiv ndëmjet kubeve që ndezin yjet në mua
Dhe ëndërroj se vetëm dashuria është simetri mbi një krisje.
BUZËQESHJA
Forma më nostalgjike e zemrës
nga e cila rrjedhin fontanat e shpirtit
që e shuajnë etjen për të jetuar
Buzëqeshja,
Kjo histori pa vite dhe periudha të numëruara
midis lindjes dhe vdekjes,
që ta mat shpirtin me centimetrin e diellit duke lindur
Buzëqeshja,
Hemisfera jugore në të cilën veriu ngrin
dhe mosha e fundit e akullit,
me polet armiqësore të pranverës
dhe linjat diametralisht të kundërta
me një përqafim të degëve të dafinës,
Buzëqeshja,
Më e dëshiruar për përqafim duarsh
të gishtërinjve të etshëm pë ritakim
në lëvizjet qarkuese të shpirtit
me finalen e rishkruar me përgëzim
Buzëqeshja,
Një ekuacion me dy të njohura
në të cilën shenja e barabartë
është hapja më e saktë e dritareve
në spektrin e ngjyrave të ylberit
Buzëqeshja,
Një shkumës mbi asfaltin e zemrës
i shtruar me gjelbërim të papjekur
A e pranoni pranverën në kuptimin tënd për të qenë?
PLLAKA DHE DUNA
E vërteta është një pjesë e magmës
që e shtrydh çdo falangë të dorës
e cila mbledh petale lulesh
nga thundrat e kuajve të dheut
Në këtë shkëlqim të përhapur të anës së kundërt të medaljes,
Në këtë mjaftueshmëri të boshllëkut prej të cilit bien gurët,
i mbledhim mbetjet e vetes "shumë e vërtetë",
të eshtrave të një shpeze me vrima në argjendin e rremë
E pyesim veten në retorikën e harruar në rrugën e madhe,
nëse duke e mohuar mohimin,
do të arrijmë për ta përkulur shpatullën filozofike
të këndeve të mprehta,
në 90 gradë të antitezës mes rekriminimit dhe pranimit
Ne jemi njerëz!
Cila është justifikimi për bërjen primordiale të glinës së thatë,
Që "alea jacta est" pa ngjyrat e kubit rubik,
Fisnik midis të vërtetës sime dhe të vërtetës tënde
Nuk jemi tjetër veçse një gënjeshtër
që mëson t'i shesë këmbët
në një shkurtimore rruge
A na i vjedh dikush shputat
me kuptimin e vetëm të shpirtit?
TURBULLIMË
Më shqetësojnë tingujt
që ngasin me të katra në kalldrëmin me hapa të panjohur
E sheh?
Midis hijeve me morgana me avull mbi qepalla
Rend shpina e një konturi të shputës,
në tokë
Zëra në jehonën e tërbuar të ngjyrave të përziera
stërpik muret, me projekcione prej shpezëve të çara
Ka pasaktësi në çdo saktësi matematikore...
Fluturimet, kanë Ikarë me humnera të lidhura me diellin
dhe shumë hënë të zezë mbi yjet
që ndriçojnë fenerët
Nuk shoh rrugicat e gjelbra në fund të dritës klaustrale
Colimasoni i kërminjve me samarë të thyer
zbret në thellësinë e humnerës me shpate të pjerrëta...
Pengohet nga gjithë ajo parajsë pa porta
E di se qielli është përmbi frikën e errësirës,
dhe ëndrrat, të kapur në kanxhat
e kërbaçit me nyje lineare
Megjithatë,
Asgjë nga asgjëja nuk është një tërësi absolute
nuk do të zvogëlojë tingullin
në psikozën e afonisë së trilit pa mbikqyrës
Më turbullon ky tingull... dhe pyes veten
nëse e di se di të hesht, duke heshtur.
PËR TEPËR BIE SHI
Jam e lagur deri në lot dhe dridhen
nën petkun me mijëra net pa diell
Zhgënjimi i dritës vuan nga e keqja e lartësisë
pa e kuptuar dilemën në të cilën nuk gjendet
hija që nuk e sheh tendën e saj
Shikoj mantelin me palë të kaltërta
Rrëshqet,
përkëdhel dritën e bardhë të kofshës
Fëshfërima e buzëqeshjes sate të bën të uritur
dhe pyes veten nëse i ka ngjitur buzët
nga obsesioni se ajri i nuhatur
është puthja e përpëlitjes së fundit,
që ende na derdh mardhën në kupë.
Për tepër bie shi!
sikur harrova të nxjrerr nga balta e rrugës
hapat me gjurmët e rërës nga e cila më modelove
një pajë në derën pa bravë
Dhe këtë mëngjes të pispillosur
mes pëllëmbëve të përkëdheljes
më rigon shiu deri në lot,
duke harruar se asgjë nuk është më e keqe
se sa një tërbim i brendshëm
i harruar në një mpirje të pikëlluar
Për tepër gërshetime sterile
ndërmjet shiut të pashmangshëm
dhe ëndrrës së një nate të verës!
SHIU I YJEVE
Çdo gjë është kalimtare mes të jesh dhe është
Një morganë mbledh formën nga mjegulla e errët,
pastaj e ndërthurr me hapin kimerik të të pashëtitësit
Thuajse tubon nga një tufë fluturash të bardha
fashën e moslidhjes së krahëve,
me mrekullinë e fluturimit
dhe lë qiellin në mënyrë të rastësishme
për t'i ulur në pjatë
efemeridat,
në një shi të yjeve
Po,
gjithçka po kalon
Madje dhe kalimin e dukjes përmes shpinës së pasqyrës,
madje edhe iluzionin se era
është vetëm një puhi e sëmurë nga anemofobia,
edhe kur ti fluturon zbathur përmes qiellit tim
dhe godit për mure hijet e disa flatrave
Çdo gjë është mospërputhje kur gjatë kalimit,
ne mësohemi me ne
Dhe përsëri pyes veten: çfarë është "çdo gjë që rrjedh"
kur pyetja është stereotipe?
KËNGA E HESHTJES
Nga telat e padukshme të fatit
thurr ngadalë pëlhura me mëndafsh të këputur
shoh sytë e vrimave
janë të prera në brigjet e humnerave
të ngjyrosura n’parajsa me dyert e mbyllura
Merimangat mësojnë tabelën e tubimit të flutrave
në shtratin e ngarkuar me shumë fije
të artizanëve që thurnin në terrin e natës
zgjimin shumë të herët të mëngjesit
Ti rri i tërhequr në një qoshe të pritjes
që më shikon me syrin e pyetjes
je i pavendosur në saktësi të pasigurtë
dhe në drojën e ndjenjës unike të heshtjes
më pyet nëse unë jam hëna
ose çmenduria kimerike që kalon përmes teje
Nuk po kuptoj nëse do të bëj një veshje trupore
ose në shthurje do të vrapoj me mendjelehtësi
në formën gjeometrike të avullit
më duket i hutuar kuptimi i saktë i filozofisë
së dekriptizuar në homo sapiens
por,
e kuptoj moskuptimin e pauzës mes dy hemisferave
e cila kërkon deri në lartësim, pikën e përjetshme
I preka me rraskapitjen e emrit të jetës,
gëzimin për ta shuplakosur me ditë
faqen e netëve që më degdisin në rrugë
që shkon në mëngjes dhe kthehet
në të njëjtën mbrëmje, gjithë natën
Nga telat e padukshme të fatit...
çfarë tjetër duhet të thurr?
ELEGJI ME ZEMRA
Në rrugët e tingullit lakuriq të kadencës
dëgjoj hapat e fjalëve
duke rendur nëpër gurët e mendimeve
në kuptimin e pamjes mbi supet e hijes
Përpiqem ta ndaloj shiun midis dy rrokjeve
që dridhen nën strehën e një shenjë të habitur nga pyetja
Pse bie në folenë me harabela,
preja e shqyer nga zogjtë e egër?
Asgjë,
kjo është e gjitha kur përgjigja
më kujton një flutur me krahë
që bëlbëzon përmes fluturimeve asimetrike
ndërmjet dritës dhe mbetjeve të kristalta,
apo nga një fëmijë që e huazon pafajësinë,
e fytyrave të glinës që latojnë gëzimin në gurë dhe tym
...
Sërish lundroj nëpër retë prej letre
që modelojnë kaltërsinë në balona pa drejtues!
Mendoj se do të shtrihem në rrugët e largëta,
për të kapur rastësisht gjatësinë e pafundësisë
në mes të treguesit të dritës së drejtuar për në "ku"
dhe veriu të ngulur si një shtizë në pavendosmërisë "pse"
Megjithatë, më lejoni pak para agimit
të mbipopullimit të hijeve të pjekura gri
Dua të vizatoj në asfalt zemra me formë të shpirtit!
PREZENT NË MUNGESË!
Do të thoja se e tashmja është një inkursion
nëpër kullotat e së kaluarës
mbi të cilat ende nuk është ulur pluhuri i ardhmërisë
E fshijmë nga pluhuri i bardhë për ditët e zeza
Ia lustrojmë çastin që e harrojmë ta përjetojmë
me mendimin e orës me 60 rrahje në minutë
Këpucët te dera e ikjes i mbathim me
shputat e hapit të kadencuar në vend
Dhe kahjen përpara e lexojmë
midis rreshtave të shkruara pardje
Në gazetën e nesërme
mbledhim stolitë prej teneqeje
të lidhura për bishtin e qenjve që lehin në muajin e ardhshëm
Mbledhim lule nga vazot me shkumën
e erës së pranverës që mbetet
në kujtesën e albumit me lumturi të koloruar
Përshëndesim me dorën e shtrirë në hendekun
e një dore tjetër të vendosur përzemërsisht
pranë trupit të indiferencës
Ulemi në tryezën e heshtjes
për të dëgjuar fjalët që bërtasin nga germat
në shurrdhime të thyera
dhe i lyejmë presjet të ndjekura nga një pikë
dhe përsëri nga fillimi
I zbusim shenjat e akrepit,
duke shtrydhur me acar flatrat e fluturave...
Ndalem... është shumë e pranishme
në zbrazëtinë që vazhdon si një varg mungesash!
ONIRIKE!
Do të kthehesha në hapin e harruar diku
pas koridorit të hijes
për të kërkuar përmes rrënjëve të thata
të pemës së premtimit
pasazhet kalimtare të luleve
që ende latojnë në degët e lindjes
Ëndërroj se zogjtë e kanë mbledhur folenë
në shtratin e pëllëmbës
me të cilën ta përkëdhel fluturimin drejt shtëpisë
Se gishtërinjtë janë një fllad i ulur me kujdes
në prehjen e krahëve
që e tubojnë lundrimin me ngjyra fluturash
Ndiej se si errësira po vdes në mua
deri në pikën e fundit të rrezikut
aqë po shkel pa mëshirë
në rrezikun që të mos shohësh se si vajtojnë lulet e qershisë
Do ta pija krejt pranverën me një gllënjkë
nëse do ta dija se fyti do të thahej për një kohë të gjatë
që më dhuron te ti pas një pritjeje të gjatë
e cila lufton me ne për të na takuar.
RITI I NATËS!
Në ditët që frymëzojnë hapësira tokësore,
Unë vizatoj çastet e qiellit
linjat ulen në magjinë e këngëtimeve indiane
në vargun e panumërt
(u luten perëndive t'u sjellë shi
e i dërgojnë bijat lakuriqe ta lavrojnë arën
me bërthamat e emëruesit të përbashkët)
Ua shikojnë nuret që e nxixin bërjen e frytit
duke vallëzuar rreth shtojzavalleve të braktisura të natës
lindin nga gjelbërimi i proshkët i falangave të mugulluara
rrjedha të plleshme nga kroje që mihin thellë përkëdheljen
Stërkuqen kur ua mësoj ritualin e rrëshqitjes së rrobave të natës
përmbi shpatullat e mëngjesit
por, vallëzimi i ekstazës
qesh provokueshëm në sytë e agonisë që mahnit fantazmat
dhe më kapin në vallen e pranverës me shije mollash të pjekura
Në garën e kohës që e përshpejton sekondën
u zgjova me pëllëmbët e mbushura me krejt pjatën e dritës,
nga humnera që më gënjente në hije.
INTROSPEKCION!
Në mendimet e mia të mpira
kam harruar ta përzjej dritën e paradigmës
që fillon me një përkushtim
në buzën e një humnere që kërkon shkallët
E di që çdo mëngjes ka pasditën e një perëndimi të errët
dhe çdo perëndim me magjinë
e një ylli që kënaq qiellin me risi të palindur
gjithashtu e di se vetmitë mbjellin zambakë
në shpresat e rritura në të kuqe
kurse e kuqja psherëtin nën shputat e pulsimit të lumturisë
Nganjëherë kuvendon shpresat në rrokjet e urave të pezulluara
(janë vizë ndarëse që më lidhin me pikat pa presje)
tjetërherë, po lindi për herë të dytë
në mesjetën pa fillim të dekadës së parë
që kthehet me fytyrë të përmbysur
kurse nesër do pyes veten nëse sot ishte
vetëm një kalimtari me më pak gara ndërmjet fluturimeve
Dhe ty po të prek me pyetje
që trokasin me zhurrmë në portat e përgjigjeve
(ua hap dritaren përmes rrjetës së xhamit të errët)
por nuk më intereson ...
Jam një kamare që hapet në muret e zgjatjes sate
në drejtim të pyetjes tjetër
...
Nuk gjuaj presh për dekolorimin e pluhurit
Jam vetëm një shënjues i faqes që shkruhet më vete!
SAKURA!
U godita me kokën për një çast
më tha se donte të luante me kohën,
për të rifituar rrahjet e zemrës
(Ma lëndoi ballin e kurorëzuar me gjembat
e sekondave të zalisura në orën e vjetër
për një dekadë dhe një orë)
Qielli ishte duke pritur në një sy të kaltër
dhe më shikonte me pyetje të grumbulluara
ndërmjet krahëve
që shtrëngoheshin në gjirin e puhisë
era e përzjerjes së dehur me naivitetin e ngjyrës
Një degë rëndë e pranverës,
ma çveshi për një sekondë lumturie,
pallton gri që ma vizatonte në fytyrë
bardhësinë e grimës së geishës
dhe si një magjistar i pafajshëm
më pëshpëriti se ajri lulëzoi
nga fara e frymëmarrjes sate
(pjellshmëria në transparencën e kontaktit)
që më dha dhuratën e kalimit nëpër kalendarin
i cili u mbush me dritën e zotërimit në ne
Jam në portën e edenit...
shkunde krahun e engjëllit përmbi lulëzim!
SYTË E MI!
M'u kujtua sot kuptimi i pashprehur i jetës
nuk ka nevojë për fjalë për të kërkuar
hapësirat e zeza ku kalon ngadalë drita
rrokjet e bezdisin me shpjegimet
që i kërkojnë me shqetësim kuptimet, midis pikave
Në një retorikë që troket në derën e një pyetjeje polisemantike,
përgjigjem nëpërmjet fragmenteve të marrëveshjes
në saktësinë e vetme të analizës përmbledhëse
të shumë uneve që shpallen esenca
Pij verë nga rrushi pa invazionin e grurit,
ha fruta nga lëndinat e shpirtit,
adhuroj diellin që më rresh me lot hëne,
dremis në lindje pa pika kardinalë në gjeografitë historike,
qesh në vuajtje pa motive deduktive,
i pres venat e vuajtjes
me tehun e një thike të etshme nga flatrimi i flutrave,
qaj në kryq të një ikone që më do në papërsosmëri njerëzore,
bien dhe pyes veten nëse honet kanë hapa ngjitës
A e kuptoni se në atë që mendoje se mund të më transformosh?
Lëre rrjetën e merimangave të thurrin vrima ...
Unë, jam një sy në fillim mëndafshi
ku nuk mund ta gërshetosh
me fjalë të përmbysura në rrugë.
BARDHËSI E HIJE!
Sa frikë unë kisha në humnerën e natës!
Çadrat mblidheshin në lecka të grisura të ditës
të çngjyrosura nga kjo botë lakuriqe
e qepur me nguti nga një udhëzues
prej të cilit rri varur një flluskë sapuni
Për të kaluar e pashpleksur nëpër vrimat e zeza të prekura nga dielli
për besëlidhjen e përjetshme të bardhësisë së papërlyer,
i lava noçkat e djegura nga namatisja e hënës
në lotën e një deja vu që më ngjitet në tabanin e ëndrrës
Gjurmat,
e mbuluara rastësisht me kohën e mbledhur mes nesh,
hezituan në një rrjedhë uji
në kryqëzimin e çasteve që nuk gjenin motonë egër të rrjedhjes
Mendimet,
të trembura në drejtime precize me qoshe të pjerrëta
refuzonin heshtjen e shtruar mbi shpatullën e erës
duke mbuluar vjeshtat me shuplakën tënde në vizatim heshtjeje
Mbetem e patundur në fërgëllimën
që ma zien shkëputjen time nga bota
Lëre të bëhet maja në momentin e freskët
me të cilën ngutesh të bësh brumë
nga hijet e zgjatura dhe paqartësitë
konturi që ma shtyn lirimin tim
në Yin-in e Yang-ut tënd!
Një çast i bukurisë së destinuar të mbetet bardhësi dhe hije!
AGONI
Ta ndeza një qiri për bërtitje
në dritare me shumë keqardhje
dylli kullonte në duar të fatit
dhe vizatonte figura akulli
me ditën që mbeti nga nata për tepër e gjatë
E sheh?
atë lot që qan mbi tendën nga perëndimi
m’u derdh në strehën e lindjes së shpërbërë në avull
gjurmët e krahëve që nuk arrita t’i konturoj me përqafim
mbetën të pezulluara mes dy përkëdheljeve të papërfunduara
Çastet e harruan orën e varur nga një orë të fiksuar në një sekondë
u trullosën në pikëshikimin e ngjitur në derën që nuk hapej
kah pjesa e jashtme të ditëve të mëngjesit
Çdo gjë është agoni në të cilën u tha ekstaza
Por më mbeti një dridhje me brishtësi të verdhë
për netët në të cilat ujqërit do ta gëlltisin hënën
Mos e fik qiriun... jeta ende ka nevojë për përjetësi!
R.O.G.V.A.I.V. PA NGJYRË!
Jam lodhur nga ndarja e dhimbjes në të njëjtin emërues
që i përgjigjet emërtimit të vetes
për t’i munduar rrokjet e emrit duke i pikturuar
me mungesën e ngjyrës blu
kurse emri të jetë një kornizë që ëndrrat i sheh në tabllo
Jam lodhur të jem një ekuacion me aq shumë të njohur
(nga të tjerët, duke ecur nga një në zero në anën e kundërt
në rezultatin e kundërt proporcionalisht me atë që e di se nuk jam unë
Jam lodhur të grumbulloj zbritje
dhe të ndaj pluset në tryezën e bollshme
që pikon nga bokalli me shijen e verës zgjuar nga dehja
Isha lodhur duke kërkuar rrugët në foletë e zhurmshme pa kahje,
për t’u goditur me errësirën e mbeturinave me dritë të shuar në fenerë të mpira në shtigjet e nxituar nga për tepër hapa kalimtarë
U lodha të jem interpretim në gjestet banale
Kur të jesh është sinonim me imazhin
e deformuar nga pasqyra e konkluzioneve
të do paragjykimeve të vlefshme
të shkruara me gabime sfiduese
U lodha duke u dhënë ushqime korbave
kur pëllumbat më çukisin në shuplakë
me bërthama priftërimesh të shpirtit
të lindura nga pranvera me parajsa në në tëmth
U lodha duke shikuar hijet kur kaloj përmes meje
në projeksionet e Rogvaiv pa kontur...
E di... vetëm ferri ka një ngjyrë të qartë.
E SHEH?!
I ndiej sytë në rrjetë-peshkimin e pakufishëm
të rrjetës së hedhur në ujërat e përbujshme...
pemët e natës lindin për ditët me shumë diell
rrënjë të thellësuara në pëllëmbën
e një përqafimi që vërshon
me ternë të tepërt në kujtesën e një albumi
që duket me fletë të verdha
Lind hëna midis faqeve të bardha,
kristal me argjendi që qan në mungesë të pagjumësisë
dhe shenjave të pikëçudtëses
Unë kaloj nëpër rreshtat me fundal pa hapa,
rradhët e yjeve të kapur në portën
e shenjave të pikëpyetjeve
dhe mbledh nga përmbysja e një retorike
eklipsin e ardhshëm të një mijë netëve të virgjëreshës
me flokë të gjata dhe zemër të ferrit
Strehohem në fund të heshtjes midis fjalëve
pastaj e hedh në një parajsë të përhershme
që përmallim në kujtesën e konsumuar
E sheh?!
ende besoj në botën që nuk e kuptoj
por perfekti i papërbërë ma zgjidh foljen
e njerëzve të uritur për shumë pushim pa bardhësi.
ÇRREGULLIM?!
Çdo ditë që kalon unë zbuloj se jam
pjesë përbërëse e një tërësie...
përpiqem të gjej konfigurimin e këtij përkufizimi
që e bashkuar me kuptimin e saktë
duhet të më skalisë në mish
gjeometrinë e secilës pjesë të mbushësit
Nuk ka frikë edhe kur e shoh
një hije që po më ngjitet
për çrregullimin e vajtimit që e njoh
mbaj ekuilibrin në dekorin që fluturon në shkretëtirë,
lotët e flamurit të bardhë të paqes midis shablloneve
Pastaj,
në furinë e një imtësire që mund të jetë e gjitha ose asgjë
e ngjes ditën e djeshme me ngathtësi të paprekshme
të së zezës që ende beson në të bardhë
Më kanë mbetur jashtë duarve të përmbysura
sytë duke shëndritur në pikën fikse të keqkuptimit
ia kthej shpinën hapit pas shputave
dhe konstatoj se ka përsëri rend në linjat paralele
të cilat ma përngjesin buzëqeshjen
në çrregullimin njerëzor të gjërave të lëna në vendin e tyre.
I VURA NGJYRAT TË THAHEN!
Muzgëtime bërtitjesh të kaltërta ulrijnë
nga veshkët e pritës së errët
të qiellit krenar pa i tundur
gjembat e burgut të hidhur të natës
janë ngulur në padukshmërinë e mishit
me shumë pore për të marrë ajër të dendur
që e gëlltis me bardhësi fuqinë e diellit
kohortë e hidhur e kohës së mbushur me mua
shtrihet në trupin e deformuar të iluzioneve të mjegullta
nën të cilat vendosen në foletë e shpuara
me lidhje të ndërprera
një qeshje që nuk më përket mua
mban në distancë shënjën e përafërt të pikëpyetjes
e fshehur në të çarat e një magjie të trazuar
e shikoj atë nga lulëzimi i një fushe të zambakëve
që kanë harruar pudibonderinë në urinë time të zjarrtë
turrë e ndezur në një rini
me kërrusje prej zjarri të shuar
hyn në luftën e joshjes midis jetës dhe vdekjes...
më djeg derisa të rraskapitet ringjallja
Me çfarë të kuqe e përsosur
ma ke tatuazhuar për vdekje demin e koridës
ANTITEZA...
E bardha dallohet nga e zeza vetëm nga buzëqeshja
kur bie në humnerën e një namatisjeje pa re
përmendon kështjella mërgimesh për krahë
ngjitesh duke e zbritur hapin
për refleksione të ngjyrosura në binarët e barit
dhe i sfidon kthinat me erë myku
qielli është vetëm një mimë nga qoshi i buzëqeshjes
duke mbuluar fytyrën e grimesë me linja estetike argjendi
i cili po vërshon me asgjësi të lumtura
muza e qepallave të muzgut në heshtjen e shikimit
ngrihet mbi obeliskin e irisit
të stërvetëtimuar nga transcendenca
e dritës
së mbetur dëshmi në pulsin sinonim me jetën
një përvëlim i barabartë me përkufizimin e agimit
vizaton mbi aureolën e ballit
valle frenetike në hijet me lindjen
që e turbullon me plleshmëri
lundrimin e modeluar në krijimin e fluturimit
ngrihem nga rënia e tokës
dhe ia turbulloj ndyrësitë e çarjeve
me ngjyrën e vetme që mund ta duroj
në daljen nga humnera.
MANTELI I ËNDRRAVE
Vëri flatrat e blera nga tregu i vjetërsirave
në cep të rrugës
janë të mbuluara nga pluhuri i ngurtë i trotuarit
që të është ngjitur në tëmtha
por,
mundimi i tyre mëson se si ta mbajnë mosbalancimin
duke notuar në fluturim me flutura të mukusit
trilet i përgjakin në mbrëmjen e kuadrove të bardha
nga të cilat ti ke shitur pelinin e rrushit të tokës
të bezdisnin gërshetat me qepallat e gjata të natës
përkëdhelje me fantoma tavanin e dashurisë lakuriqe
dhe e ftoje muzën çapkëne për t’u dhënë gji fantazmave
luaje me vrimat që t’i çukisnin kokërrat e thata
nga pjata e thyer e shpirtit
pastaj rikomponoheshe nga lëvorja e prishur e mollës
një fryt i proshkët në lëngun e tretur të mjaltit
Nuk ke të ftohtë në natën më të gjatë?
mund të të konfeksionoj flatra të reja
në rrobaqepsërinë e dantelave që sapo e kam mbyllur
më mbeti në stokun e shpirtit një copë e kuqe
dhe dua ta shes atë me një çmim për një falje
E vëren? Tani unë jam fort elegante!
Por manteli festiv i ëndrrave u këput në bërryl
ÇKA PO BËN I DASHUR?
Përsëri e çveshe karakterin nga xhaketa e shitur në treg?
u ule në karrigen me këmbët e shkurta
dhe e hedh në lojë
asin nga mënga e shkurtë e bllofit
me kend po mashtron sonte partinë e fatit?
pokeri luajtur në të kaluarën
t’i ka zbrazur xhepat e mbushura
me vrima të argjendta në majë të këmbëve
E di se mashtrohesh në tavolinën e gjelbërt
të bastit pa shumën e hedhur
por
t’i mbaj pas shpine duart e hipkorizisë
dhe i lë lojtarët të ndajnë figurat e stilit
që ti të besosh se ende s’kam mësuar
ta përmbys karrocën e madhe
Nuk do t'u them se e ke në dorë
një katror që do të mungijë gjithmonë
gjethi i katërt i tërfilit me lindjen e dritës
do të të lejoj të fitosh humbjen
e blerë në pazarllëkun e muzës me flokë të gjatë
dhe zemër natës.
Të ka mbetur një pjesë për të hedhur në tavolinë
dhe një zonjë pa deve
Po më kërkon revanshim, apo po pluson?
KAM GJURMË GISHTËRINJSH NË TRUP!
Dikush më tha se ka libra
që më veshin në të kuqe pjellore
të kaq shumë lëvizjesh së faqeve të ngjitura në lëkurë
sepse nuk e di fjalën midis dematerializimit
dhe mëngjeseve të zhveshura
kurse netët janë shumë shpesh në vlastarinë
e do kujtimeve të fshira
nga kujtesa e pulsit të barabartë me zemrën
se e përdor hyjnizimin si një gol në skëterra të lyera
me pluhurin e nga tupani i kryqit
se jam një demon që qesh i çmendur në pasqyrën e baltës së tij
në të cilën shkelin parajsa të ndëshkuara për të lulëzuar pavdekësi
se nuk jam e përsosur nga përbërja e kohës më shumë se e përsosur
Kush je ti?
sublimja në të zezën që i sulmon edhe morganat e padegdisura!
ti je pastërtia e grushtit të qelqit të një pasqyre
të thyer nga muri i hipnozave të kaltërta!?
Çka di për krahun që e shtrydhe
mes engjëllit dhe demonit të demonëve tu?
Në gjykatën e parajsës po rri i qetë...
duke çukitur e sakatuar brirët që thahen...
çfarë pengu është penda jota prej skifteri!
A PO LEXON?
Nxitoji pauzat tua midis motos
dhe dilemës së kapitullit të fundit
fjalët bien mes presjeve munguese...
presin për një ekuacion të pazbërthyer
midis A-së
Llurbë në katror
thuajse janë manole të kohës kur takoheshin
me lëvozhgën e mollës në gjirin e evës
E di?
Atëherë në lëvoren e pemës së qetë
u shkrua historia e arratisjes të së vërtetës,
pastaj u daktilografua shëlbimi
në murin e psherëtimave pas shpirtit
Pse e shkarravit mahnitjen
në hapësirën e një përgjigjeje të mëkatshme?
pyete kushtrimin se si rritet retina
në lakoret e pyetjes!
Ke mëkatuar me pauzat ndërmjet
të qenit ti dhe vetes së gënjyer nga ajo që nuk duket?
Offf... sa shpejt kalojnë trenat nëpër stacionin
e amnezisë së fundit të pavullnetshme!
SA E BUKUR ISHA NË ËNDËRR!
Ngjitem shkallëve
nga dy, ndërmjet shkallëve
mbahem për balustradën e frikës
duke u tundur n’telat e një vrime të humnerës
kam frikë nga bardhësia nëpër të cilën depërton
një merimangë me pëlhurën e hedhur në rrjetë
e shoh
ajo pret për t’ia anashkaluar urinë e natës
kur qesh në shpatullën time të hipnotizuar nga acari
edhe një hap tjetër
për të arritur askund nga askund
edhe një tjetër pa mua
ndalem në mes të drejtimit të vetëm,
shtrëngoj në gji duart e bekuara me qoshe...
përsëri shpohem në gishtat e mi
të lakmuar nga qarku!
Si mund të ngjitem?
jam një katror i madh që mbyllet midis anëve paralele
pakuptimësi kolonash të pakufishme
Dhe sa e bukur isha në ëndërr!
KUR FILLON LUFTA
U tërhoq në të dhe ua lëshoi rrugën qenjve
duke i çliruar nga zinxhiri, turirët e acarit
shpëtuan si nga goja e gjarpërit
të mbështjellë rreth helmit...
dhëmbët
ata janë kuqëruar nga shumë eshtra
të shqyera nga sytë e shëmtuar
janë takuar në cep të destinit
me kopenë e ujqërve, duke ulëritur,
e shënojnë territorin e tyre me tulin e zhveshur
të sorkadheve të vrara
nga argjendi i gërryer në ndryshkun e hidhur të hënës
Fillon lufta...
epërsia është mali i së vërtetës
për një copë gënjeshtre
e shqyen mishin e aforizmave për jetën...
robëria e egër e shpirtit i përgjak fontanat e britmës
dhe ulëron nga pafuqia
errësira ndalet në dritë
çmimi i një eklipsimi total
hijet hedhin vallën e shtojzavalleve
në barin e djegur nga asgjësia
kurse harabelat u tërhoqën të trembura në fole të qyqes
që i numëron zogjtë e palindur
Mbetet pa zë...
vdekja e shikonte në shpirt...
Dëgjon nga distanca si bërtet një sy shqiponje:
"Vdiq Mbreti! Rroftë Mbreti!"
NË FILLIM ISHTE QETËSIA...
Heshtja fliste në pëshpëritje që dëgjoheshin
në reflektimin e fjalës së parë,
nata thurrej me forcën e ditës
kurse nga boshllëku i krijuar i errësirës
e mbëltoi në mes të natyrës
pemën e paraleles mes së mirës dhe së keqes
hapat ishin të pafajshëm
ata e mësonin të panjohurën e kuptimit të kohës
e cila ndahet në mosmaterialitet
kuptimi i pasaktë i bërjes
një copë nga indikacioni i njohjes
së mohimi të mohimit
zbuloi se rrënja e pashmangshme
e hyjnizimit
është mostjetërsimi i besimit se fara
do të jetë pjella e frutave të rënë mbi argjilë
dhe kështu hyra në një fillim të ri
instinktivisht
duke e ngjyrosur në të kuqe
gëzimin për të qenë vdektarë të papërsosur.
GËNJESHTRAT E DRITËS
Fillova asfaltimin e kuptimeve unike
të rrugëve të ngushta
në mes të hijes
që e tejkalonte
udhëtimin e shpendëve
në imortalizimin e këngëve
zhavorri midis gishtërinjve të degëve të mbledhura në fole
u shpërnda në kaldermën nën gurin kub të flatrave
kurse qielli,
u errësua në tëmtha
hëna e re që mbeti në vegimin
e gënjeshtrës së dritës
mes fenereve të thyer të mendimeve
e përshkon iluzionin që tymos shtrembër
të vërteta
dhe unë pyes veten
nëse takat e iluzioneve u ngulën
në katranin e trotuarit të shkretë,
ose është ende mes këpucëve pluhuri
i kadencave
që dridhen në acarin
e hapit që u ndal në vend.
NË NJË TALLAZ MENDIMESH
Unë shoh atë që nuk shihet përtej teje
uni im vetë i stolisur nga një rreze e dritës
e ngulfatur në thellësinë e syve të diellit
Zbres
nga shkalla e ngjitjes në epiqendrën e rënies
me krahët Ikarit që kujtojnë zjarrin e lundrimit...
dhe ndërsa ti më shëtit nëpër venat e ajrit
unë shndërrohem nga sytë e qiellit,
një kokërr të lotit
Vishem me shëlbimin e formës së qarë
në të cilën engjëjt buzëqeshin
dhe më kullojnë senzacionet e ngjyrës
së shfaqur në sfondin e një habie
ngrej tempullin e shikimit
në ferrishten e reflektimit të shpirtit
në paqen e brendshme,
duke ëndërruar se po e preki hënën...
por,
u zgjova vesë në pëllëmbën e mbushur me diell...
KUPTIME FLUIDE
Në bardhësinë e parë të prekur
në sfondin e gishtërinjve të mpirë,
dridhem...
ai nuk di të largohet
nuk mendoj të qëndroj
mbledh nën epidermën e çastit
ngjyrën e tejdukshme
të një lëngu të pakuptimtë
Rrjedh...
ndalem
Rrjedh...
lëndohem
në teh të kuptimeve të pasakta
që e pret pranverën
nga rrënja e rritjes
E shtrij pëllëmbën e rënkimit
të bardhë
rrjedh mbi të plaga e luleve të parajsës
në britmat e shtizave
që e mbrojnë zgjedhjen
e ngjyrës
nga harku i ylberit
E mbyll grushtin e mendimeve
tani
kur nuk jam më në çdo cep të boshllëkut
të ndarë në hije,
blidhem
në një hapje dëshirash
Është pak... por, ndoshta është e gjitha...
NJË HIJE E GJALLË
I kam ngulur duart në ajrin
e bardhësisë së shpërngulur
dhe e shkëputa një çerek të shpirtit
derdhet një shi të ngrirë,
tortullim mes dëborës
së sekondave akronike,
të keqkuptuara,
duke goditur me fuqi orët
e mureve të pasazheve
nëpërmjet glinës...
frymëmarrja e shkrinte një hije të gjallë
nga të cilat shpërthenin tingujt e zemrës
të mbërthyera në fytin e pulsimit,
kurse gishtat e hedhur në boshllëkun e pabanuar
e prisnin prekjen
për t'u mbushur me hyjnizim
e zbathur nëpër dimrin tënd
çapëlova mbi flutura të çmendura nga drita
i numërova hapat
me krahë
duke i silabizuar fjalët
e ngjitura në shputën
e pranverave
atë që ata nuk e dinin
ta gjelbërojnë
ti ma shtrive dorën e qiellit
kurse unë u kapa
për gjysmën e fluturimit
me një totalitet lumturie
të gjallë.
NDËRMJET ZJARRIT DHE FATIT
Pyes veten çka ndjen flaka kur digjet në vorbullat e vapës,
çka ndjen pulsi kur gjarpërinjtë e acarit zvarriten nëpër mitrën
e strehuar në një nxehtësi të qetë,
çfarë ëndrre lind turra kur eshka dridhet
duke shikuar se si teshat e zjarrit zhvishen
në hije të rrumbullakta të lavës,
çfarë ndjen ngjyra kur ajo guxon
të jetë e ndyrë në bardhësinë klandestine,
duke veguar njollën e furishme të lakmisë
të penelit të përmbysur nga paralajmërimet prodhuese
Pyes veten,
pse trishtimi i pasigurive po pulson në
dimrat e mprehëta
dhe linjat e zeza në plagët shëruese
çfarë ankohen kundërpaditë e pranverës
pyes veten në një retorikë "in nuce"
nëse simetria e mat
bashkimin mes karpe dhe diem
me antitezë mes të kuqes (zjarr) dhe të gjelbërtës (fat)
Në vend të përgjigjes,
kthehem nga e kaluara pa sinestezimin e mendimit,
Rikthimi
dhe e qepi rrugën përmes pyllit të yjeve
të një aksis mundi ardent
E di ... "rrugicën jacta est"
ai është një lundrues në skajet e lavës
që ma derdh në vullkan tënd
aforizmin
e dehur me "amor meus amplifier quan verba est"
E megjithatë... është pranvera në "je ne regrete rien"
VENI VIDI VICI
E tmerrshme është pamundësia
shtresohet urrejtja
dhemb
bërtet
delirum tremens
qan
ulërin
i gërsheton thonjtë e përgjakshëm
në ulërimë
ma bën pre mishin e shpirtit
duke arritut deri te ashti i mishit
e gllabëron si një shakal
gëzimin e ujqërve të uritur
dhe pi nga damarët e mi
palcën e diellit
Pranimi është një zëvendësues
që ma përqesh në hundën e çastit
atë moment të vetëm të humnerës
që vallëzon përgjithmonë nëpër kohën e ditës
Veni
Vidi
Vici më mundi duke ma vizatuar gurin
mbi të cilin kalojnë të gjitha ujërat
erozioni
Një krah
në rrugën e vdekjes
ma zbardhoi retinën me të zezë
e pashë
ferr i momentit të fundit
në të cilin e shtangur e thirre
HESHTJEN
Të mbajmë një çast ripërkujtimi
në peshore...
NË ZJARRIN E STINËVE
Thuajse kam humbur një centimetër të fatit
duke llogaritur këto mbeturina që deshifrojnë
alfabetin e numrave
Ke humbur në boshllëkun ku migronin minuset
pa të cilat plusi
është jovlerë
Vargu me shenja grafike të ngjyrosura rastërisht,
qëndron në përgjimin e një pafundësie në të cilën,
"dhe kështu me radhë"
duke qarë dorëheqjen në sytë e shirave të verës
Ndoshta llumi i vjeshtërimit të ditëve
me dimra polarë
gllabëron pranverat në zjarrin e stinëve
të cilat harruan ta pranverësojnë kaltërsinë
Ose
hapat që ecin në bulevardin me rrugë boshe
vrapojnë shumë shpejt
në rrugën e pluhurit që po shitet
në lloçin e shkretërimeve
Iku koha e akrepave të orës
tani trokasin orët e murit në matësit e sheshit të gjallë
duke blerë tryeza tregjesh për shpirtin
Mendoj se e kam humbur edhe fatin tjetër...
DJEGJE E SHENJTË
Digjem...
ndjej ethe të lëkurës së prangusur në flakë,
digjen mendimet,
ëndrrat,
magma e nxehtë,
u zgjova
me duart e lidhura me një lutje
dhe e shtriva skelën e gjakut në vlim
mbi trupin e çveshur nga hellat e akullit
Digjem
dhe më vjen ftohtë
e zbulojë misterin,
ia hapi derën ajrit
duke frymëmarrë zjarrin
ngazëllim,
ia kushtoj shikimin ikonës së flakërimit
digjen turrat
djegur namatisjet e bardha
digjet gjelbërimi i trazuar mizorisht
në pranverën parësore
digjen zambakët e burgjeve të prangosura
në zinxhirë të prehërit
Digjen
vapat e muzgëtuara
në shkretëtirën e lodhur të morganit
ujqërit e urisë ulërijnë
gjahu mblidhet në një britmë gëzimi
dhe e thërret plotësinë e hënës,
digjen acaret e dimrit
në bërtitjet e lavës
së derdhur mbi një fije bari
Digjet
etja e degëve
në magjepsje që kafshojnë
nga dryri i dëshirës që ma mbyll lëngun,
në gjethe
Digjem
...
Për të vdekur në petale,
në ty duke rilindur, Lule