Lamtumirë Burbuqe Rushiti! Dritë pastë Shpirti yt i Bardhë!

Kultura

Lamtumirë Burbuqe Rushiti! Dritë pastë Shpirti yt i Bardhë!

Nga: Uk Lushi Më: 5 gusht 2019 Në ora: 17:43
Burbuqe Rushiti

"E diela e dhomës së poetes”

Si nëpër mjegulli gjithmonë më kujtohej që kisha lexuar tekste apo parë paraqitje televizive të saj. Gjithmonë kujtesa vinte nga skutat e rinisë energjike kur vdekja është fenomen që nuk ngjanë kurrë dhe kur jeta do të thotë pavdekësi.

Përpikmëria dhe pedantëria e fjalive të saj ishin speciale dhe mund të çiftëzoheshin vetëm me një person si ajo. Është mister për mua pse nuk ja mbaja mend emrin, ndonëse cilësia e shprehjeve të saj ishte e nivelit të tillë që emri do të duhej të banonte përhershëm në mendjen time.

I bombarduar me emra dhe fjali të lloj-llojshme të lloj-lloj njerëzve, si çdo emigrant kudo në botë, edhe pse me emër që nuk ishte i kristalizuar, megjithatë ajo nuk më hiqej nga mendja sepse një mendje që ka respekt për çfarë duhet të mbajë brenda patjetër duhet ta bartte një njeri si ajo kudo.

Diku në vitin 2015 e (ri)gjeta, atë dhe emrin, në një libër me kritika të poetit shembullor dhe njohësit fantastik të letërsisë Abdullah Konushevci. Fillova ta kërkoja librin e saj "E diela në dhomën time" nga çdokush që njihja në të katër anët e Prishtinës. Libri nuk po gjendej askund!

Më mbeti si zgjidhje varianti më i keq për çdo libërdashës: drejtimi shkrimtares. Por autorja e librit me vjersha më habiti me fisnikërinë, kulturën dhe mirësinë e saj. Më shkroi: "Do t'i them njërit nga djemtë të marri një kopje timen personale në Prishtinë dhe ta sjelli në Boston. Nga Bostoni ua dërgoj me postë në New York."

"E diela e dhomës së poetes” në bibliotekën time arriti javën e fundit të majit 2016. Leximin e librit e nisa dhe kreva të dielën e fundit të muajit të njëjtë. Të nesërmen, më 30 maj, që rastisi të ishte Dita Përkujtimore në Amerikë, bëra një postim vlerësues për autoren si poete mjeshtre. Isha shumë modest dhe doja të dija më shumë për Burbuqe Rushitin.

Dhe sa më shumë mësoja, aq më shumë e kuptoja pse hiallat për të nuk ishin zhdukur kurrë nga truri im dhe posaçërisht e kuptoja fort e më fort pse ajo ishte një vjershëtore par excellance.

Për vite të tëra isha në besim të patundur që një ditë do ta takoja këtë zonjë fisnike dhe me dell aristokratik. Natyrisht që t'i thoja drejpërdrejt: "Ju faleminderit për gazetarinë. Ju faleminderit për poezitë. Ju faleminderit që ekzistoni dhe zbukuroni jetët e shumë njerëzve siç keni bërë me jetën time."

Mirëpo vdekja nuk e ka bezdi të shkatërrojë çdo plan të jetës dhe të befasojë e trondisë deri në asht.

Sot, ditë e dielë, si atëherë që ishte e dielë ndërsa lexoja për herë të parë "E diela në dhomën time", mora lajmin e kobshëm që Burbuqe Rushiti, krejt papritur, paska shkuar në parajsën e jetës së pavdekshme-- atje ku çdo ditë është e dielë dhe burbuqet e luleve të llojeve të pafundme nuk vyshken kurrë.

Ndonëse nuk e realizova kurrë qëllimin ta takoja Burbuqe Rushitin, lajmi i vdekjes së saj më ka goditur si të kisha humbur një njeri shumë të afërt dhe të dashur. Humbja e një zonje të rrallë, ndalja e jetës së një gazetareje të shkëlqyeshme dhe vdekja e një poeteje të veçantë janë momente të vështira për familjen e saj, shoqërinë, njerëzit që ajo i ka prekur direkt apo indirekt dhe padyshim kulturën dhe letrat shqiptare.

Me lot në sy dhe falënderime krenare në zemër, LAMTUMIRË BURBUQE RUSHITI!

DRITË PASTË SHPIRTI YT I BARDHË!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat