Skica groteske

Kultura

Skica groteske

Nga: Beqir Elshani Më: 7 gusht 2019 Në ora: 15:04
Ilustrim

1.   Vizita e plakut

Një plak i mençur shkon të vizitojë Prishtinën dhe Shkupin. Gjatë vizitës në Prishtinë, ministrat e Kosovës i thanë plakut, nëse politikanët e Kosovës nuk shkojnë për dialog me Serbinë në Bruksel dhe nëse besimtarët myslimanë nuk shkojnë në pelegrinazhin e Haxhit në Mekë, do të kenë fitim rreth pesë milionë euro, dhe me këto para të mëdha mund të ndërtojnë fabrikë për punësimin e të rinjve, në mënyrë që të mos e braktisin vendlindjen. Pasi plaku kreu vizitën e parë në mesin e ministrave të Kosovës, shkoi të vizitojë agjencinë turistike në Shkup, prej nga shqiptarët me aeroplanin kontinental fluturojnë në drejtim të Brukselit dhe Arabisë Saudite. Zyrtarët e agjencisë turistike në Shkup plakut i thanë nëse politikanët e Kosovës udhëtojnë më shpesh në drejtim të Brukselit dhe nëse besimtarët e Kosovës shkojnë në Mekë, Maqedonia do të ketë fitim mbi pesë milionë euro. Dhe me ato para të mëdha mund të ndërtojnë dy fabrika. Në fund plaku i brengosur u kthye në Prishtinë, prandaj kur një veteran i UÇK-së e pyeti si ishte gjendja e popullit në trojet shqiptare, plaku tregoi:

”Shumë keq, njëri prej tyre po del fare. Nëse politikanët e Kosovës fluturojnë në drejtim të Bruksleit dhe besimtarët shkojnë Haxhillëk, fiton Agjencia Turistike e Maqedonisë”, nëse nuk shkojnë, fiton Ekonomia Kombëtare e Kosovës.

2. Zemërimi fanatik

Në faqen e shtypit “telegrafi” ishte botuar një lajm për një qytetar në autobus që kishte sulmuar studenten në Stambollin euroaziatik, siç thotë populli “hem aziatik, hem europian”. Ngjarja kishte ndodhur për shkak se studentja kishte veshur pantallona të shkurtra gjatë muajit ramazan në ditët e verës së nxehtë. Turku fanatik mendonte se ka mbrojtur nderin fetar, përkundrazi me veprimin e tij të pakulturuar ka fyer fenë dhe etikën kombëtare. “Si mund visheni kështu gjatë Ramazanit, duhet të keni turp”, kështu e kishte qortuar fanatiku i tërbuar studenten në autobus. Për habi, filmi rrugor nuk e tregonte kushedi sa të vjetër turkun, por të ri. Prandaj sipas komenteve në faqen “telegrafi”, 95% e lexuesve ishin deklaruar për mbrojtjen e nderit të studentes, ndërsa vetëm 5% në mbrojtjen e fanatizmit të kalbur të turkut mesjetar.

3. Frikacaku

- Doktor, javën e kaluar kam ngrënë mish lepuri, prandaj sapo e shoh hijen time, frikohem, - u ankua i sëmuri para mjekut.

- Atëherë ha mish ujku, dhe pas një muaji paraqitu tek unë, - kështu e këshilloi mjeku fatkeqin.

I sëmuri sipas këshillës së mjekut ngrëni mish ujku, dhe pas një kohe shkon përsëri në shtëpi të shëndetit. I sëmuri sapo hyri në dhomën e mjekut, mjekun e kapi egërsisht për fyti. Infermierët sapo dëgjuan britmën e mjekut për ndihmë, vrapuan dhe ia shpëtuan jetën, ndërkohë pacientin e kapën për duarsh.

- Lirojeni… fajtor jam unë, jo pacienti, për shkak se fatkeqin e kam këshilluar të hajë mish ujku, prandaj është egërsuar. Faleminderit që më shpëtuat! - i falënderoi mjeku infermierët dhe e mbylli derën.

4. Në strehën e shtëpisë

E kishte bërë shprehi një burrë, vazhdimisht qëndronte nën strehën e shtëpisë, prandaj gruaja e qortonte.

- I dashur, mos rri nën strehë… se të bie ndonjë rrasë e të shiton, - tha gruaja kur pa burrin nën strehën e shtëpisë me rrasa. Mirëpo burri ishte kokëfortë dhe sipas traditës patriarkale nuk e përfillte qortimin e gruas, prandaj me inat vazhdonte të qëndronte në strehën e shtëpisë. Një ditë ndodhi më e keqja, prej së cilës ishte frikuar bashkëshortja, një rrasë bie prej kulmit dhe burrit ia shkurton këmbën.

Ato vite në Çanakale të Turqisë shpërthen lufta, prandaj rekrutët shqiptarë detyroheshin të merrnin pjesë. Siç dihet, kush ka shkuar në atë luftë të përgjakshme asnjë i gjallë nuk është kthyer në vendlindje. Prandaj shqiptari falë humbjes së këmbës shpëtoi pa u vra për interesa të huaja.

5. Jam më i miri

“Unë, të drejtën t’ua them, nuk marr vesh në politikë, as në ekonomi nuk marr vesh. Jam më i mirë se disa kandidatë që ju premtojnë shumë pallate e fabrika, rrugë të gjata me ura të qëndrueshme. Ju fort mirë e dini, që unë si magjistar që jam, kam aftësi të flas me zotin. Ju lutem, dëgjoni me kujdes! Për mjeshtrit, e kam fjalën për ndërtimtarët, që dëshirojnë të bëjnë qerpiçë, jam në gjendje t’ua siguroj vendin dhe diellin për tharjen e qerpiçëve. Ndërsa për bujqit që dëshirojnë të mbjellin kallamboq, jam në gjendje t’ua sjell shiun, dhe arat do të kenë rendimente të larta. Prandaj, votoni për mua. Jam i bindur se gjysmën prej jush do t’ua plotësoj dëshirën, dhe aspak nuk do të dëshpëroheni!” – kështu deklaroi magjistari diplomatik para masës në sallë.

Ndryshe me kandidatin magjistar, një kandidat tjetër për kryetar të komunës, duket se vinte nga Krusha buzë Drinit, foli: “Dashamirë të nderuar, votoni për mua! Unë nuk do të hap fabrikë, as çerdhe për fëmijë, as shkolla nuk do të ndërtojë, as spitale nuk do të ndërtojë, as rrugë me ura nuk do të ndërtojë, por do t’ju sjell 10.000 traktorë me plugje dhe 100.000 kazma për punë. Betohem, unë nuk gënjej, dhe me të vërtetë premtimin do ta realizoj. Do të bindeni”. Për habi, jo që asnjë qytetar nuk e përkrahu, por të gjithë e braktisën sallën, sikur të kishte hyrë ndonjë ujk prej malit.

6. Fjalët opozitare

Kur e shënova fjalën “kuqezi” në rubrikën e fotografisë në google, skeda më çoi te instagrami i Kreshnik Spahiut në Tiranë dhe Albin Kurtit në Prishtinë. Mirëpo kur e shënova fjalën “kundër”, atëherë skeda më çoi te instagrami i Sali Berishës në Tiranë dhe i Hashim Thaçit në Prishtinë. Në vazhdim, shënova fjalën “bashkim” dhe menjëherë e shtypa butonin, mirëpo kësaj radhe më doli fotografia e ideatorit të Shqipërisë Natyrale – Koço Danajt dhe të Mehdi Hysenit. Nuk thotë kot populli, ç’të mbjellësh, do të korrësh, prandaj informatika menjëherë ia gjen skedën e përshtatshme secilit politikan në botën shqiptare.

Në vazhdim, nëse me anën instagramit në gogle shënohet fjala “skamje”, atëherë do të shfaqen 25% e fotografive me njerëz të varfër, lypsarë që kërkojnë lëmoshë, ndërsa më shumë se 75% do të shfaqen fotografitë e femrave të zhveshura. Kjo duket si shprehje metaforike, se si femrat dalin të zhveshura si pasojë e varfërisë për rroba apo si pasojë e luksit. Duket qartë që edhe informatika kompjuterike po degjenerohet, ngjashëm siç po vepron diplomacia ndërkombëtare në dëm të popujve të vegjël.

7. Polifemi syvetëm

Kur kreshniku grek, Odise, në shpellë ia verboi syrin e vetëm Polifemit, birit të Poseidonit, përndryshe më i madhi, më i fuqishmi dhe më i shëmtuari, kërkoi ndihmë prej ciklopëve tjerë, dhe atë duke bërtitur prej dhimbjes së plagës: “Po më therin, po më therin!” Atëherë ciklopët e pyetën: “Kush po të therë, o Polifem?” dhe Polifemi përgjigjet: “Askushi, miq, Askushi”.

I gjori Polifem, ishte i dobët në gramatikë, nuk dinte që fjala “askush” është ndajfolje, jo emër njeriu. Prandaj sipas anekdotës domethënë nuk mjafton që njeriu të jetë i fuqishëm, por duhet të jetë i mençur. Mirë është që njeriu të ketë të dyja, edhe fuqinë edhe mençurinë, mirëpo lavdia e mençurisë qëndron më lartë. Konkretisht, fizikani i njohur, Stivën Houking (Stephen Hawking), edhe pse ishte i paralizuar dhe lëvizte me anën e karrocës invalidësh, megjithatë falë mençurisë shkencore është bërë i lavdishëm në botë.

8. I biri i ministrit

- Unë do të investoj mjete në mënyrë që në popull të mos flitet për kushtet e vështira të jetës, të harrojë varfërinë dhe populli të ëndërrojë për jetën e lumtur, - kështu foli ministri i ekonomisë para masës në sallën e shtëpisë së kulturës. Në sallë ishte edhe Ministri i drejtësisë.

- Kolegu i juaj, më lejoni të them, është… – nisi të flasë një mësues i vjetër për ministrin e drejtësisë, mirëpo një mik i tij e ndërpreu, duke kapur për rrobe që të ulet. Ministri i drejtësisë e pa, prandaj qytetarin tjetër e qortoi pse nuk e lejonte mësuesin të përfundonte bisedën. Ministri mendoi sikur mësuesi do ta nderonte.

- Më falni, zotëri ministër!… e ndërpreva, sepse mësuesi ka dashur të thotë që ministri i drejtësisë është gomar, - u arsyetua qytetari.

- Jo, jooo… Nuk kam dashur të them që është gomar, por kam dashur të them që është hajdut, - ndërhyri mësuesi. Ndërkohë salla ushtoi nga zhurma, disa e përgëzonin, disa e qortonin për demaskim.

9. Ministri në fotografi

Ky ministër, që duket në fotografi, është shumë… shumë i zoti: i ka kryer 4 fakultete, 2 magjistratura dhe 4 doktorata, që bëjnë sa dhjetë gishta të duarve. Ndërkohë e ka dergjur fruthin, linë dhe kollin e keq, prandaj është imun ndaj të gjitha sëmundjeve ngjitëse, sidomos ndaj tuberkulozit. Ka shëtitur shumë vende në botë. Gjatë hulumtimeve shkencore në vende malore, ka lënduar këmbën e djathtë, prandaj ec shtrembër. Përveç kësaj, ministri me shumë grada akademike ka vizituar Romën, Parisin, Berlinin, Londrën, Stokholmin, dhe Zagrebin, këtë të fundit e ka vizituar para luftës në Kosovë. Pastaj duke udhëtuar me aeroplan prej Londrës në Nju Jork, ka kaluar mbi oqeanin Atlantik. Si çdo udhëtar europian gjatë fluturimit mbi Atlantik e ka parë ishullin më të madh në botë, Grenlandën, që shtrihet në veri të Danimarkës. Sapo ministri është kthyer prej Amerikës në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës ka mbajtur një ligjëratë për vizitën në Amerikë. Ai tregoi se në qytetin më të madh në botë, në Nju Jork, për shkak të ndërtesave të larta dielli as nuk lind, as nuk perëndon. I vetmi dallimi është se arsimtari i gjeografisë, që kurrë nuk ka dalë përtej Kosovës, Amerikën e njihte në gishta të dorës. Prandaj studentët e mërzitur llafazanit me shumë diploma, ia kishin kthyer shpinën.

10. Ekspedita në hotel

Një grup prej katër vetash, Luftëtari, Diplomati, Politikani dhe Liria kishin marrë pjesë në ekspeditën ditore të vendit. Në mbrëmje, pas ngrënies së darkës shkojnë për të fjetur në hotel. Për fat të keq, hotelieri nuk kishte dhoma me nga një shtrat, por vetëm dy dhoma me nga dy shtretër, për të cilën, më në fund, grupi u pajtua. Prandaj në dhomën numër 111 shkoi Luftëtari me Diplomaten, në dhomën 112 shkoi Liria me Politikanin. Gjatë natës janë grindur, kishin mospajtime për aktivitetin e tyre rreth ekspeditës ditore. Në grindje e sipër luftëtari prej zemërimit Diplomaten e kishte hedhur prej dritares në tokë. Ngjashëm kishte vepruar edhe Liria, Politikanin e kishte hedhur prej katit të nëntë në mes të fontanës në oborr. Të nesërmen munguan dy veta, Diplomatja dhe Politikani, të dytë kishin përfunduar në morgun e spitalit qendror, për të cilët nga organet policore u shpallën se kishin bërë vetëvrasje. Pastaj në hotel fjetën Luftëtari me Lirinë, këta natën e kaluan shumë mirë. Flitet sa janë martuar dhe jetuan të lumtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat