Nusja, vjehrra dhe mullixhiu

Kultura

Nusja, vjehrra dhe mullixhiu

Nga: Kadri Tarelli Më: 8 gusht 2019 Në ora: 22:19
Kadri Tarelli

Për inat të simevjehrre, fle me mullixhinë.

Ajo e ka fajin, ndaj lodha fatzinë.

Në mëngjes pa gdhirë, nusja para derës,

Ç’ kishte hequr mbrëmë, do t’i qahej vjehrrës.

-Ç’ ke kështu moj nuse, nuk të shikoj mirë,

Në gushe e në faqe, kush të paska nxirë?

-U çudit i shkreti, kur i them në sy:

Për inat të vjehrrës, do të fle me ty!

Se si shkoj më tej, ti vjehrrë e di,

Si skifter në krahë, më ngriti ai.

Më puthi në gushë, pastaj në dy faqe,

Zjarr i kishte buzët, nën ato mustaqe.

Mulliri bluan misër, mbrëmë kishte grurë,

Ne rrinim zbuluar, digjeshim si furrë.

Ai veç rënkonte, ç’po e lodhte fati,

Unë turfulloja, më shtohej inati.

Eh, ç’ po heq i ziu, mullixhi i ngratë,

Ters vete kjo punë, sa herë zihen gratë.

Herë tjetër nuse, më lerë, po shkoj unë.

Si ti do të vuaj, ta ndreq këtë punë.

-Vjehrra e nuse, pse gërrici si ferra?

Unë këtu jam, u pres për nga hera.

Jam usta i mirë, më njeh tërë fshati,

Eja flemë bashkë, sa t’u dalë inati.

Usta mullixhiu, sytë mban nga dera.

Kur po duket njëra, nusja apo vjehrra!?

Mulliri bluan grurë, mullisi zgjidh hallet,

Shekuj po kalojnë, bota vazhdon tallet.

Kur po grinden njerëzit, si vjehrra me nuse,

Ziejnë muhabetet në çezma dhe puse.

Tërbohet një fshat, çmendet një mëhallë,

“Nusja” zbraz inatin, “vjehrra” e nxjerr mallë.

“Për inat të vjehrrës, fle me mullixhinë!”,

Zemërim i kotë, fajin mban mbi shpinë.

Ky rrëfim i vjetër, na kumbon në vesh,

Gjuhën s’mbajnë dhëmbët, fjala qesh e ngjesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat