Thanas Gjika dhe Drita Shqiptare e Amerikës

Kultura

Thanas Gjika dhe Drita Shqiptare e Amerikës

Nga: Baki Ymeri (Bukuresht) Më: 11 gusht 2019 Në ora: 08:08
Kopertina

Numrin më të ri të revistës “Shqiptari” kemi nderin t’ia kushtojmë njeriut që digjet për atdheun në trojet e mërgimit. Në kuadrin e 50 faqeve të kësaj tribune defilojnë mendime për Prof. Dr. Thanas Gjikën dhe një tufë poezishë të bashkëshortes së tij (Julia Gjika). Njëri nga ata që e kanë njohur Thanasin, thekson: Dua të vë në dukje edhe një diçka tjetër të veçantë të prof. Gjikës: Ai ishte lindur dhe edukuar prej një nëne të krishterë shumë besimtare, e cila e lexonte çdo ditë Biblën dhe ia kishte kultivuar atij dashurinë për këtë vepër të rëndësishme të njerëzimit, të cilën ai, si askush prej nesh, e donte dhe e lexonte që në rininë e tij. Punimi i Prof. Dr. Thanas Gjikës hap një udhë të re për gjithë studiesit e kësaj fushe dhe është një kontribut me shumë vlera si në historiografinë tonë dhe në atë botërore.

*****
Në kohën afirmimit të Kosovës në botë, kur disa fundrina të talibanizmit elektronik hedhin shpifje monstruoze kundër Skënderbeut, Nënës Terezë, Kadaresë, krishtërimit shqiptar, forcave ndërkombëtare dhe qytetërimit perëndimor, del një korçar (Prof. dr. Thanas Gjika) në mbrojtjen tonë dhe thekson: “Kaq e fuqishme ishte lëvizja e shqiptarëve të Bukureshtit gjatë Rilindjes, sa që ambasadori i Austrohungarisë në Stamboll, kur Ismail Qemali në fillim të Tetorit 1912 i tregoi planin për të shkuar në Shqipëri për ngritjen e Flamurit, e pyeti: "Po nga shqiptarët e krishterë të Bukureshtit, cilët ke në delegacion?" Ismaili i tha se nuk kishte asnjë. Atëherë ai e këshilloi: "Shko më parë në Bukuresht, merr me vete disa korçarë të krishterë dhe pastaj vijo rrugën që ke marrë!". Çka don të thotë kjo? Kjo don të thotë se Shqipërinë e bënë së bashku, myslimanë e të krishterë, e jo ata që e kultivojnë përçarjen fetare si pretekst për të siguruar ekzistencën duke e mashtruar popullin me propaganda fetare duke fyer vlerat e kombit. 

Në tetor të këtij viti e pa dritën e botimit në Shqipëri libri i  i studiuesit shqiptaro-amerikan Prof. Ass. Dr. Thanas Gjika, "Kur he ku u botua Dhjata e Re” (botim i shtëpisë MEDAUR, 500 faqe). Libri u promovua gjatë Nëntorit në Muzeun Historik Kombëtar. Për këtë studim autori ka punuar 8 vjet. Sipas konstatimeve të Prof. Dr. E. Muhametaj dhe Dr. I. Gogaj, në këtë aktivitet morën pjesë studiues të njohur të disa fushave që kanë kontribuar e kontribuojnë për ndriçimin e historisë së kulturës shqiptare dhe të asaj Evropiane. Takimin e hapi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Prof. Dr. Beqir Meta, i cili mbasi i falënderoi studiuesit për pjesëmarrjen shtoi: “Jemi mbledhur sot studiues të disa fushave për të diskutuar për vlerat e librit Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re, të prof. Thanas Gjikës. Autori ka ardhur enkas nga Amerika për të dëgjuar mendimet tona për veprën e tij, e cila i kushtoi tetë vjet punë të vazhdueshme krahas punës së rëndë për të mbijetuar. Ndryshe nga shumë mërgimtarë të tjerë, Zt. Gjika nuk na sjell sot valixhe me plaçka e kuletë me dollarë, por një vepër shkencore dinjitoze, për realizimin e së cilës ai ka derdhur shumë mund dhe ka përballuar shumë sakrifica.

Për ta kuptuar më mirë se si u arrit realizimi i kësaj vepre, ftoj vetë autorin të japë një pasqyrë të shkurtër të rrugës që përshkoi deri sa mbriti te botimi.” Në fjalën e tij Zt. Gjika mbasi falënderoi pjesëmarrësit për leximin e librit dhe ardhjen në takim, vijoi: “Ju të gjithë e dini se si u ndodha mbas shëmbjes së diktaturës me familjen prej pesë vetësh: nënën 90-vjece, burrë e grua rreth të 50-tave dhe me dy fëmijë adoleshentë në një apartament prej një dhomë e një guzhinë, me të ardhura që nuk i mbulonin nevojat e jetesës. Kjo situatë më detyroi të aplikoja llotarinë amerikane, të cilën për fat të mirë e fitova. Ika nga atdheu, jo për modë, por se nuk jetoja dot këtu. Edhe pse nuk dija anglisht dhe nuk zotëroja ndonjë profesion që mund të më ndihmonte për t’u punësuar si duhej, guxova të shkoja në prag të pleqërisë me gjithë familje.

Në Amerikë, ku demokracia është e stabilizuar dhe ekonomia është vërtet e zhvilluar, njeriu që nuk është dembel, mund të sigurojë të ardhura për të mbijetuar e studiuar fëmijët edhe duke kryer punë të rëndomta. Atje çdo lloj pune e ndershme është nder dhe të jep kënaqësi. Mjafton të gjesh punën që të pëlqen, punën ku ti mund të japësh më shumë. Unë ish-punonjës shkencor, i ushqyer keq, i mësuar që të punoja ulur në zyrë, duhej të përshtatesha për të punuar në këmbë tetë orë, herë si pjatalarës, herë si punëtor fabrike në turnin e tretë, e herë si pastrues godine. Këto punë nuk më jepnin kënaqësi, por i përballoja, duke menduar se kryesore ishte rritja dhe shkollimi i fëmijëve, si dhe mësimi i anglishtes.

Nga librat e parë që fillova të lexoja anglisht ishin Pesëdhjetvjetori i Kishës Shqiptare në Amerikë, vepër e Fan Nolit dhe Shqipëria Kopësht shkëmbor i Evropës Jug-Lindore e Faik Konicës. Në të dy këto libra theksohej se apostulli Pal kishte punuar në territore të Shqipërisë së sotme, por nuk jepeshin fakte. Fillova të lexoja letrat e Shën Palit në Bibël me vëmendje të vecantë. Për fatin tim të mirë, studiuesi amerikan Edwin E. Jaques (1995) dhe historiani ynë i mirënjohur Prof. Kristo Frashëri (2000), kishin hedhur dritë të re për punën misionare të këtij apostulli në gji të popullsisë ilire, në territore të cilat i përkasin sot Shqipërisë. Fillova ta ndjek problemin duke lexuar disa biografi të apostullit Pal, disa Bibla-Studimi, komentarë të Biblës, etj dhe sidomos duke e rikomentuar tekstin e letrës kanonike të Palit drejtuar Romakëve. Hartova një artikull prej 20 faqesh, të cilin, vajza ime, Ani, e përktheu anglisht. Ua tregova disa studiuesve amerikanë, si Dr. Ekehart Myller, Prof. David Knott, Dr. Robert Kennedy, etj. Ata më përgëzuan. Variantin shqip e botova në disa numëra të gazetës Illyria në shkurt 2001. Më tej vijova kërkimet, hartova dhe një kumtesë me të cilën mora pjesë në Kongresin e IX të Studimeve të Evropës Jug-Lindore që u mbajt këtu në Tiranë.

Fillova të pakësoja orët e punës së rëndomtë dhe shtova orët e punës shkencore për të cilën nuk më paguante kush. Mbasi e mbarova studimin, bëra përpjekje për të organizuar një simpozium shkencor në qershor të këtij viti me Akademinë Teologjike të Durrësit, por ky simpozium nuk u realizua. Atëhere e lashë për botim studimin tim duke ngarkuar z. Stavri Sharxhiu ta redaktonte nga ana gjuhësore dhe ta ndiqte botimin, punë të cilën ai e kreu me përkushtim. Ky variant i studimit që keni në duar, do të ripunohet për t’u botuar së shpejti edhe në anglisht, prandaj ju lutem mos u kurseni në vërejtje dhe sugjerime, sepse ato do të më ndihmojnë. Falenderoj Mitropolitin e Korcës Imzot Joan Pelushin dhe Akademik Jorgo Bulon, të cilët e vlerësuan të parët këtë vepër dhe pranuan të shpreheshin pozitivisht për botimin e saj.”

Më tej, shtojnë zotërinjtë Mehmetaj dhe Gogaj, e mori fjalën Prof. Dr. Akademik Jorgo Bulo, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i cili midis tjetrash tha: “Largimi i Thanas Gjikës në Amerikë më 1996 na shkaktoi dhimbje, sepse u largua nga rradhët e punonjësve shkencorë të Institutit një prej studiuesve më të mirë, që shquhej për vullnetin e tij dhe durimin në punë. Mirëpo ardhja e tij sot në mes nesh me këtë vepër me vlera të shumta, na ngushëllon dhe na jep gëzimin e një befasie të këndshme. Me analizat e thella të tekstit biblik, kjo vepër dëshmon se në Institutin tonë, pavarësisht nga kushtet e vështira dhe politizimi, ishte krijuar një shkollë e mirë e studimeve të tekstit letrar, rezultatet e së cilës i kishte thithur ky studiues dhe mbi bazën e tyre ai mundi të korrigjonte e shpinte më tej shumë teori e hipoteza të mëparshme lidhur me problemin se kur dhe ku ishin shkruar librat e Dhiatës së Re. Duke qenë se objekti i studimit të Prof. Gjikës është pak i njohur prej meje, unë e ndjej veten të papërgatitur për të vënë në dukje vlerat e tij të shumta, prandaj ftoj specialistët e fushave përkatse të marrin fjalën për t’i vënë më mirë në dukje ato dhe të japin sugjerimet e tyre për ta ndihmuar autorin për ripunimin e saj.

Shën Pali i pati krijuar kishat e para të krishtera në Iliri

Sipas gazetës Illyria, historiani Prof. Dr. Viron Koka, një nga bashkautorët kryesorë të veprës madhore HISTORIA E SHQIPËRISË (Vëll. III), pasi e përgëzoi autorin e studimit, theksoi: “Sudimi që kemi në duar është një rast tipik për të treguar se nuk duhet t’i paragjykojmë studimet e botuara pa i lexuar me vëmendje. Nisur nga fakti se Thanasi u largua para disa vitesh, dhe për të mbijetuar punoi në Amerikë punë nga më të rëndat, mund të gabonim duke menduar se këtë problem kaq të vështirë nuk mund ta kryente dot një punonjës shkencor që e kishte braktisur shkencën një dekadë më parë. Mirëpo kur lexova kapitujt IV-V me karakter historik, ku trajtohet puna misionare e Shën Palit në territore të Shqipërisë së sotme, ndjeva gëzimin që ta japin pak vepra. Këtu mbështetja e argumenteve historike me arsyetime logjike dhe me analizën e thelluar të tekstit biblik, të bind se Shën Pali i pati krijuar kishat e para të krishtera në disa zona ilire, e sidomos në Lezhë (Lissos) të Dalmacisë (Ilirikut), si dhe në qytetin e lirë të Durrësit (Dyrrah), ku ai la Apollon, Sostenin dhe Cezarin gjatë udhëtimit të tretë misionar dhe e mori Apollon gjatë udhëtimit të katër misionar. Kjo vepër tregon se kur ke formim të mirë shkencor dhe dëshirën për të bërë dicka të vlefshme për atdheun tënd, mund ta bësh atë edhe duke punuar larg e duke vuajtur si ka vuajtur ky pjatalarës i Amerikës.

Më tej e mori fjalën Prof. Dr. Shaban Sinani, autori i veprës BERATINUS, e cila zbulon vlerat e mëdha kulturore që kanë dorëshkrimet e hershme të Kodikëve dhe sidomos të  Ungjllit të Mattheut dhe Ungjillit të Markut, të shkruar në shek V-VI e të ruajtur me përkushtim prej popullit besimtar të Beratit. Prof. Sinani theksoi se studimi i Zt. Gjika ka vlera të shumëanshme në rrafshin e shkencave albanologjike dhe të atyre botërore, duke qenë se shtron e zgjidh mjaft çështje që kanë të bëjnë me biografitë e autorëve të një vepre monumentale si është Dhiata e Re. “Unë, shtoi Sinani, do ta përgëzoja autorin për guximin me të cilin ka dalë në fushëbetejë me një mori studiuesish me emër në studimet biblike, të cilët i ka sfiduar për bukuri. Thanas Gjika ka zgjedhur si metodë studimi analizat shumëplanëshe dhe ndërdisiplinore, gjë që nuk e kanë aplikuar studiues të tjerë para tij. Kjo i ka siguruar atij prioritet dhe arritje të reja mjaft bindëse.

Bibliografia e këtij studimi shquhet për gjerësinë e saj dhe cilësi, ajo kap veprat më të mira të fushës, që nga shek. I-II deri në vitin 2006. Ndërkohë do t’i sugjeroja studiuesit që të shfrytëzonte dhe ta citonte drejtpërderjt veprën trevolumshe të Origenit, një autori grek me shumë peshë të shek. III-të.” Më tej e mori fjalën Dr. Kristaq Jorgo, pedagog i Historisë së Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Histori Filologji të UT. Midis tjerash ai tha: “Kemi në duar një vepër me vlera të veçanta, ku dëshmohet erudicioni i studiuesit, aftësitë e tij profesionale dhe mbi të gjitha fakti se Prof. Gjika e ka vrarë frikën dhe drojtjen, të cilat shpesh herë e shtypin dhe e pengojnë studiuesin të arrijë aty ku don ai. Jam i bindur se ripunimi dhe botimi i kësaj vepre në anglisht do të shënojë një ngjarje shkencore me vlera botërore. Sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë do të vlerësohet kjo vepër. E përgëzoj me gjithë zemër autorin dhe i uroj suksese të mëtejshme!”

Prof. Ass. Dr. Muharem Dezhgiu, punonjës shkencor në Institutin e Historisë të A. SH., i cili ka qenë për shumë vjet komshi me Zt. Gjika, vuri në dukje faktin se një vepër e tillë mund të kryhej vetëm prej një studiuesi shqiptar, i cili duhej ta njihte mirë historinë tonë kombëtare, të kishte një përgatitje të shumanshme shkencore, vullnet e pasion të madh dhe të zotëronte anglishten, gjuhën ku ishin botuar e përkthyer shumica e veprave me të cilat duhej polemizuar. Ky studiues duhej dhe të kishte dhe njohuri biblike e teologjike. Këto të dhëna i plotësonte denjësisht Thanas Gjika, ishpunonjës shkencor i suksesshëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i cili shquhej për pasionin dhe interesat e gjera letrare dhe historike. Dua të vë në dukje dhe një dicka tjetër të veçantë të prof. Gjikës: ai ishte lindur dhe edukuar prej një nëne të krishtere shumë besimtare e cila e lexonte çdo ditë Biblën dhe ia kishte kultivuar atij dashurinë për këtë vepër të rëndësishme të njerëzimit, të cilën ai, si askush prej nesh, e donte dhe e lexonte që në rininë e tij.”

Më tej e morrën fjalën Prof. Ferdinand Leka, gjuhëtar i njohur, bashkautor i veprave madhore FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE, FJALOR ITALISHT-SHQIP dhe i shumë fjalorëve terminologjikë. Ai u ndal në hipotezën gjuhësore që ka hedhur studiuesi Gjika në fund të kapitullit të IV për origjinën e disa fjalëve kishëtare të shqipes. Prof. Leka tha se hipoteza e re, sipas së cilës ilirishtja dhe bija e saj shqipja, shumë fjalë të sferës kishëtare duhet t’i ketë marrë drejtpërdrejt nga greqishtja gjatë shek I-IV, ose t’i ketë pasur nga thesari i vet; dhe jo nga latinishtja, e cila u bë gjuhë liturgjike vetëm në shek V, duket e logjikshme dhe mund të pranohet si një novacion në fushën e etimologjisë së shqipes. Prof. Dr. Seit Mancaku, gjuhëtar i njohur, cili punon prej vitesh në fushën e etimologjisë së gjuhës shqipe si nxënës i të paharrueshmit Eqerem Cabej. Mancaku shtoi se hipoteza gjuhësore që sjell Zt. Gjika hap shtigje të reja për kërkimet tona etimologjike dhe duhet shqyrtuar me vëmendje të veçantë, mbasi ajo është në përputhje me faktin se ilirët ishin një popull autokton në kontakt me grekët dhe jo i ardhur mbas shek V-VI.

Prof. Dr. Mark Tirta, etnolog, me të cilin autori i studimit ishte konsultuar për toponimet dhe legjendat shqiptare që lidhen me emrin e Shën Palit / Pavlit, e mbështeti mendimin e Z. Gjika se këto toponime dhe legjenda shqiptare, janë një mundësi më shumë për të pranuar rezultatet e studimit lidhur me punën misionare të apostullit Pal në Shën Pal të Tiranës, në Shën Pal të Mirditës, në Durrës dhe në brigjet e lumit Pavlla, i cili në kohën antike quhej prej autorëve grekë me një emër tjetër. Z-nja Elena Kocaqi, historiane e re mjaft premtuese në fushën e pelazgologjisë, theksoi: "Si shumë prej diskutantëve edhe unë e lexova me përfitim të madh studimin akademik të Prof. Gjikës. Risitë e këtij studimi janë të shumta. Ato arrihen përmes argumentimesh të shumta historike, letrare, gjuhësore, logjike, etnogrfike, etj. Bibliografia e ketij studimi me ka mahnitur me përmasat e saj. Mendoj se studime të tilla duhen mbështetur e popullarizuar më shumë, mbasi ato janë të pakta. Kam vënë re se shkenca zyrtare shqiptare vijon të jetë e ngathët në vleresimet e veprave të reja që sjellin risi e rezultate jashtë kuadrit të studimeve që janv planifikuar prej institucioneve shkencore shteterore."

Më tej e morën fjalën dhe studiues të tjerë si Dr. Laurant Bicaj, historian i kulturës dhe sociolog, e të tjerë, të cilët e përgëzuan autorin. Në fund Prof. Thanas Gjika, mbasi falënderoi diskutantët, tha se dëshiron që në pranverën e ardhshme të organizojë një simpozium shkencor ndërkombëtar në Tiranë me temën FILLIMET E KRISHTERIMIT NDËR ILIRËT, prandaj ai iu lut pjesëmarrësve ta rilexojnë studimin e tij me synimin që të gjenë tema për të marrë pjesë në këtë simpozium. Historiani ynë i nderuar, Prof. Kristo Frashëri, gjatë vizitës që i bëra dje bashkë me Zt. Gogaj, më uroi me fjalët: “Të lumtë ajo dorë që munde ta shkruash këtë vepër kaq të vështirë! Unë jam rënduar shumë nga sytë dhe nuk mund të vij dot nesër në promovim.”  

Vepra e prof. Gjikës, sipas Illyrisë, u promovua edhe në Korçë, Elbasan e Durrës, ku foli dhe Dr. Iliaz Gogaj, i cili e quajti këtë studim “një vepër madhore të shkencave albanologjike”. Kurse Zt. Stavri Sharxhiu, redaktori i veprës, tregoi disa nga aspektet e bashkëpunimit me autorin përmes kompjuterit për të arritur nivel sa më të lartë në redaktimin gjuhësor të kësaj vepre me shumë terma, koncepte e nocione shkencore që ai i haste për të parën herë. Në Korçë kjo vepër u promovua në dy ambiente, së pari në Hotel Grand dhe pastaj dhe në katedralen e re ortodokse, ku foli dhe Mitropoliti, Imzot Joan Pelushi. Hirësia e Tij Pelushi është një nga klerikët e rinj shqiptarë, i cili po shquhet për shkrimet e tij studimore teologjike në revistën Tempulli. Fjala që mbajti Metropoliti i Korçës është botuar dhe hyrje në libër. Ne po e riprodhojmë të plotë:

Historia e Krishtërimit në Shqipëri fillon që në shekullin e parë dhe tashmë dihet nga të gjithë se ai nuk u përhap në këto troje nga misionarë latinë apo grekë, por është autokton, në kuptimin se është predikuar nga vetë apostujt, si në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij. Por, për krishtërimin në Shqipëri dhe sidomos për fillimet e tij nuk është shkruar shumë si nga autorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj. Për këtë arsye çdo studim për këtë periudhë është i mirëpritur dhe ka një vlerë të madhe. Studimi i prof. Thanas Gjikës Kur dhe ku u shkrua Dhjata e Re si dhe kumtesa e tij Vizitat e Shën Palit në Durrës e Nikopoli dhe letrat që shkroi aty (mbajtur në Kongresi e IX të Studimeve të Evropës Jug-Lindore, Tiranë, 2004), mbushin një boshllëk të madh në studimet historike shqiptare, duke hedhur dritë për një periudhë shumë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në përgjithësi dhe asaj të përhapjes së Krishtërimit në viset tona në veçanti.

Punimi i tij shumëvjeçar është një studim serioz dhe mjaft origjinal, sepse siç shprehet edhe vetë autori, në përgjithësi studiuesit e Dhjatës së Re, duke qenë të kualifikuar si teologë, historianë ose tekstologë, nuk i kanë analizuar librat e Dhjatës së Re dhe si objekt historiko-letrar, prandaj në studimet e tyre mungojnë analizat e tekstit në plan historiko-letrar e filologjik. Autori është përqëndruar kryesisht në përcaktimim e momenteve kryesore të jetës, veprimtarisë dhe të krijimtarisë së Apostulli Pal / Pavël, meqënëse ai është jo vetëm autori më i rëndësishëm i Dhjatës së Re, por edhe personi, i cili luajti rolin kryesor dhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përhapjen e Ungjillit në të gjithë botën mesdhetare të asaj kohe, përfshirë këtu edhe shumë vise dhe qytete që i përkasin territoreve të Shqipërisë së sotme.

Ky studim jep një kontribut shumë të rëndësishëm për të kuptuar rolin e Durrësit në veprën apostolike të Shën Palit. Jo vetëm tradita por edhe shumë dokumente të vjetra dëshmojnë për praninë e këtij apostulli në trojet tona në përgjithësi dhe në Durrës në veçanti. Shën Jeronimi siguron në Letrën e tij 59 për punën e apostullit Pal në mbarë Ilirinë. Ka mundësi kjo të ketë ndodhur gjatë udhëtimit të tij të tretë, duke ardhur nga Maqedonia nëpërmjet rrugës “Egnatia” që dilte në Durrës. Duke qenë një nga portat e Via Egnatia dhe një qytet i rëndësishëm i asaj kohe, ai nuk mund të mbetej jashtë udhëtimeve apostolike.

Pa një studim serioz mbi rëndësinë e qytetit të Durrësit në historinë e hershme të krishtërimit në Shqipëri nuk mund të kemi një histori të plotë të tij. Autori jep të dhëna të shumta, me anën e të cilave, unë mendoj, se do të ndihmohen edhe studjues të tjerë për hulumtime të mëtejshme. Duhet theksuar gjithashtu se ky studim shquhet për thellësinë e analizave historike dhe letrare. Është e vërtetë se në studimet mbi Dhjatën e Re kjo lloj metode ka zënë pak vend. Prandaj është për tu vlerësuar përdorimi i kësaj metode me anë të së cilës mund të hidhet dritë për shumë aspekte të panjohura historike, letrare dhe filologjike. Punimi i Prof. Dr. Thanas Gjikës hap një udhë të re për gjithë studiesit e kësaj fushe dhe është një kontribut me shumë vlera si në historiografinë tonë dhe në atë botërore.          

Midis kontributeve, mendoj se kontributi kryesor i këtij studimi është se ai sjell pa dyshim një evolucion të madh në shënimet dhe hartat e Dhjatës së Re. Hartat e udhëtimeve të Shën Palit janë hartuar duke pasur parasysh vetëm ato emra dhe vende që përmenden në DhR. Por pa dyshim që Apostulli ka vizituar edhe vende të tjera dhe gjithmonë mbetet vend për korigjime dhe shënime të mëtejshme, për ta pasuruar sa më shumë që të jetë e mundur hartën e veprimtarisë së tij. Do të doja të përgëzoja autorin për seriozitetin e studimit dhe për risitë e çmuara që sjell përmes tij, duke uruar që vepra të tjera ta pasojnë për të mundësuar mënjanimin e mjegullës që kishte mbuluar historinë e hershme të krishtërimit në Shqipëri. (Joan Pelushi, Mitropolit i Korçës).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat