“Froni i perëndive”

Kultura

“Froni i perëndive”

Nga: Azgan Haklaj Më: 12 gusht 2019 Në ora: 17:08
Spektakli

Spektakël madhështor tematiko- artistik, me dt 22 gusht ora 11 në Baba Tomorr, në Malin e shenjtë, Malin Zot, në Selinë e perendive në Tomorr, kushtuar flamurtarit të Luftës së Qerbelasë, Martirit të drejtës hyjnore Abaz Aliut.

Ky manifestim i madh kulturor organizohet nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar "Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut," nderuar me Medalien Gjergj Kastrioti (Skëndebeu), në bashkëpunim me Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit, nën kujdesin e Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Marrin pjesë qindra artistë nga të gjitha trevat etnokulturore të Kombit Tonë.
Në këtë peligrinazh botëror parashikohen të marrin pjesë rreth 500 mijë besimtarë bektashinjë nga e gjithë bota.

Transmetimi direkt, eksluzivitet i RTSH-së dhe RTK- së.

Të ftuar personalitete shtetërore të Shqipërisë- Kosovës- Maqedonisë dhe shumë ambasadorë të akredituar në vendin tonë.

Me 22 gusht qindramijra besimtarë bektashinjë do të ngjiten në Malin e Shenjtë të Tomorrit, aty ku është zanafilla e jetës në tokë, baza e historisë së njeriut parapellazgjik, apo europian, kulti i ngjizjes së shpirtit tek njeriu.

Kur pellazgët, paraardhësit iliro-dardano- arbërorë u ngulën në trojet tona etnike mijra vjet më parë u mahnitën nga bukuria e maleve dhe e detit, lumenjëve të kulluar, fushave pjellore e pllajave të gjelbëruara.

Poeti ynë i madh erudit, njëherësh ideolog i Bektashizmit dhe Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri, duke folur për gjenezën e shqiptarëve e lashtësinë e tyre shprehej me vargjet:

"Erdhi një ditë

Që pellazgjitë

Porsi një dritë

Zaptuan dhenë"

Mali madhështor i Tomorrit që zotëron qiejt epiriote, fushat pambarim dhe detet magjepsëse të Jonit dhe Adriatikut, qëndron vigan e i plotëfuqishëm, që në gjenezë të krijimit të botës.
Pellazgët hyjnorë e Iliro- dardanët, pasardhësit e tyre e quanin me të drejtë Fron i Perendive duke e kthyer kesisoj në faltoren natyrore më të lashtë të njerëzimit, shekuj më parë se grekët të adhuronin Olimpin e tyre.

Naim Frashëri thoshte:

"Në Tomorr qëmoti, atje rrinte Zoti"

Kristoforidhi qysh para Naimit shkruante:

"Te Mali i Tomorrit rrin Zoti, rri i madhi i jetës, ai që ruan Shqipërinë, i qofshim falë atij Zoti, hija e tij na mbuloftë e na ruajtë"

Çajupi i dedigonte vargjet:

"Baba Tomorr kish' e Shqipërisë

Mal i lartë i Perendisë

Tek ti vijnë njerëzit që moti

Për të parë çurdhëron Zoti".

Dodona pellazgjike dhe Tomorri janë pazgjidhmërisht të lidhur me historinë e etnogjenezës së shqiptarëve.

Helenët nuk e donin Dodonën, as Tomorrin sepse kërkojnë që historia të fillojë me Olimpin dhe Delfin.

Romakët e anashkaluan sepse deshën ta rishkruanin historinë nga fillimi.

Bizanti ortodoks e la në harresë se nuk pranonte kodet e Dodonës.

Turqit e eklipsuan dhe nuk lejuan germimin e historisë sepse aty gjenin shqiponjën në flamurin e Kombit Shqiptar.

Rilindasit e mëdhenj e benë origjinën pellazgjike pjesë të doktrinës së tyre politike, shkencore e diplomatike.

Mali i Tomorrit nuk u zgjodh rastësisht si simbol i lashtë i regjionit të tyre.
Shqiptarët mbërritën në Agimin e Pavarsisë të ndarë në katër vilajete e në tre fe të ndryshme.

Në rast se figura e Gjergj Kastriotit, Gjuha Shqipe, Flamuri Kombëtar ishin shenjat e mëdha të bashkimit e kohezionit politik, social shpirtëror për formimin e Shtetit Komb, Miti i Tomorrit i trashëguar nga shekujt e historisë mrekullisht nga patriotët bektashinjë sëbashku me legjendën e Abaz Aliut, shenjëtorit fluturues që u vendos në majen e Tomorrit e kthyen keshtu këtë tempull madhështor e të shenjtë të natyrës në një simbol adhurimi e përbashkimi për të gjithë shqiptarët.

Naim Frashëri shkruante:

"Abaz Aliu zu Tomorr

Erdhi pranë nesh

Shqipëria s'mbet' e gjorë

Se Zoti e desh".

Tomorri Zot i qiejve epiriote sëbashku me kurorën madhështore të Alpeve Shqiptare që zotërojnë qiejt iliro -dardanë e ngrihen përmbi re janë dy krahët e shqiponjës të trojeve të mrekullueshme që Zoti vetë ju dhuroi paraardhësve tanë, të njohura në antikitet si Iliri, Dardani, në mesjetë si Arbëri dhe në kohën e re si Shqipëri.

Edhe pse në çmendurinë e diktaturës, Shqipëria u shpall me kushtetutë, shteti i vetëm ateist në botë, e u shembën qindra kisha e xhamia, objekte kulti bektashiane, besimtarët heroikë adhuronin në heshtje me lutjet e tyre, Krishtin, Muhametin, Abaz Aliun e marshonin në grupe të vogla, fshehurazi drejt Baba Tomorrit, Varrit të mirë në majën e Shkelzenit, Varrit të mirë në majën e Pashtrikut dhe tek Kisha e Laçit.

Besimi i shqiptarëve mbeti kështu i patundur si malet e tyre të larta madhështore e krenare.

Me dt 22 gusht, ditën e Abaz Aliut, flamurtarit të Luftës së Qerbelasë, që u martirizua për të drejtën Hyjnore, Baba Tomorri do të pushtohet nga qindramijra besimtarë bektashinjë, turistë, qindra artistë të trojeve etnike shqiptare të cilët nën siglën e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në spektaklin "Froni i Perendive" shpalosin aty koloritin magjepsës të veshjeve popullore dhe këngët dhe vallet mahnitëse të folklorit shqiptar, por dhe ato të porpunuera e stilizuera dhe qytetare.
Arti magjiplotë i popullit tonë i ruajtur e transmetuar me fanatizëm në breza si një testament i shenjtë merr këtu një tjetër kuptim;

E kjo në mënyrë mistike kthehet në një besëlidhje me Baba Tomorrin e vetë Zotin që e krijoi për shqiptarët këtë mrekulli të natyrës, të kulturës shqiptare, si interprete të ADN-së dhe e shpirtit të vetë Kombit Tonë, e cila do të rrojë e do të trashëgohet në breza, ashtu e patundur, stoike, madhështore e krenare si Tomorri ynë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat