Një vepër epike përmasash gjithëkombëtare

Kultura

Një vepër epike përmasash gjithëkombëtare

Nga: Prof.Dr. Sadri Rexhepi Më: 19 gusht 2019 Në ora: 21:56
Prof.Dr. Sadri Rexhepi

Opusi krijues shkencor e letrar i Zenun Gjocajt fillon që nga vitet e shtatëdhjeta, por më 1981,iu ndërpre për shkak të burgosjes së tij, për ta vazhduar pas vuajtjes së denimit, sidomos pas rënies së perdes së zezë e të hekurt të politikës pushtuese serbo-sllave.Studimet e tij shkencore zgjuan kurreshtjen e opinionit si dhe të studiuesve të gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

Pas vuajtjes disavjeçare të dënimit, përndjekjes dhe papuinësisë, Zenun Gjocaj përsëri iu rrek punës së ndërprerë shkencore e letrare, si dhe hartimit, kryerjes e mbrojtjes së temës së disertacionit, që iu pat ndërprerë me rastin e burgosjes. Njëkohësisht ai e vazhdoi hartimin e një epike heroike të epopesë pesëshekullore të luftës së pandërprerë të popullit shqiptar, që nga Skënderbeu, deri në luftën e fundit (1998-1999), nën drejtimin e heroit legjendar, Adem Jasharit, luftë kjo që pas ndihmës së NATO-së në krye me SHBA-të u kurorëzua me fitore dhe me pavarësi të Kosovës. Koha e gjatë pesëshekullore dhe materiali i shumtë epiko-heroik, e detyruan autorin të formojë një trologji epike, varësisht nga periudhat komplekse historike, e para prej kthimit të Skënderbeut në Krujë (1444-1924), deri te beteja e Galicës (1924), kur u shua veprimtaria e rezistencës së A. Bejtës në Galicë dhe të Arbanisë së Vogël, të pranuar edhe nga armiku serb-sllav, vepër kjo e titulluar “Rilindjet e orës arbërore”, e dyta, që nga Lufta e Dytë Botërore, e treta lufta e fundit shqiptaro-serbo-sllave(1998-1999).

Arsyeja pse autori u muar me hartimin e kësaj trilogjie epike-historike të zhanrit artistik, që nga Skëndërbeu deri te lufta e fundit shqiptare-serbe (1998-1999), është se këto figura në ball të ushtrisë së vet ndër shekuj e periudha historike, u bënë rezistencë pushtuesit turko-osman e serbo-sllav. Mirëpo, për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare, opusi i tij letrar e shkencor, shpesh herë u ndërprenë, për shkak të burgosjeve të tij të here pas hershme, si dhe të lodhjes psikike e fizike, për shkak të kushteve të vështira sociale, shëndetësore (të torturave, papunësisë etj.). Megjithatë, ai e mbisundoi veten, e mbijetoi kalvarin dhe iu rikthye jetës e punës arsimore, studimore shkencore e letrare. U dasht të kalojë periudha e hekurt e komunizimit, robërisë e përndjekjes, për ta vazhduar veprimtarinë e vet shkencore e latrare.

Që në hyrje të botimit të kësaj vepre autori shpalos qëllimin e tij për hartimin e librit.:

“Epope moj kosovare,

djep e këngës sonë shqiptare,

përjetësoni në zemër këto vargje,

mos i le trimat në varre...”

Kësaj epike ia fillova

ku e la Fishta e vazhdova,

ku e la bota e padrejtësia,

deri të bëhet një Shqipëri…”.

Vepra paraprihet me një kapitull simbolik të tipit të eposit kreshnik (“Kreshnikët”), që simbolizon kryeheronjt e deritashëm të shqiptarisë: Skënderbeun që e filloi kryengritjen kombëtare dhe A. Jasharin, që e përfundoi një periudhë e një kryengritje ende të pjesshme të viseve të robëruara, por e kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës. Andaj, në pjesën e parë të veprës së tij, shembulltyrat e Mujit dhe Halilit simbolizojnë figurat markante historike të fillimit të epopesë së luftës për liri, Skënderbeut (1444) dhe të luftës së lavdishme të UÇK-së (1998-1999), të kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës. Dy heronj përmasash kombëtare e dy njësi shtetërore kombëtare. Për më tej, autori, madje asnjë historian nuk ka mundësi të parashikojë, pos nëse fantazon. Figurat e lartëpërmendura autori i paraqet me shprehje shumë bujare, fisnike, të njerëzishme mbi trimat që kanë treguar dy personalitetet.

Së këndejmi, duke pasur parasysh këto që u thanë më lart, shihet qartë se mendimi shkencor i përfaqësuar nga Z. Gjocaj, paraqet një arritje të mjaftueshme në fushën e epikës historike bashkëkohore, sidomos kur dihet se një komb që ka derdhur gjak për lirinë e trollit të vet, meriton ta ketë një epopé të shkruar. Andaj, autori, na del me një mjeshtëri të rrallë epike.

Duke analizuar vargjet që i kushtoi eposit historik ”Rilindja e Orës Arbërore”, vijmë në përfundim se autori ka një fuqi shprehëse stilistike që përshkojnë tërë veprën. Përmes saj shohim se autori është njëri ndër skalitësit e rrallë të vargut epik ndër ne, në Kosovë. Ai zuri vend të merituar dhe në frazologjinë shqiptare. Nga veprimtaria e tij e botuar gjer tani në fushën e frazulogjisë, duket sheshazi së ai e njeh në hollësi mënyrën e jetesës së popullit shqiptar, zhvillimin e kulturës tradicionale, gjuhën popullore e artistike, tiparet shoqërore e shpirtërore. Veprat e tij frazeologjike dëshmojnë se autori e ka pasuruar tej mase vlerën artistike të epikës së paraqitur në vepër.
Duke u bazuar në analizën qe u bënë vargjeve si, “Flij Europë se të mbron Gjergji”, “A.P.Tepelena”, “Besëlidhja” etj., vijmë në përfundim se ai ka një intuitë të vecantë ndër shkrimtarë shqiptarë, sepse e gjurmon psikologjinë popullore të shqiptarëve, e njeh thellësisht thesarin e pashterrshëm të folklorit, përmes të cilit spikaten aspiratat e kombit në përgjithësi. Prandaj, në këtë rrafsh, studiuesi në fjalë me mjeshtri të rrallë e ka shkrirë thesarin artistik me atë folklorik popullor, ashtu si bënë edhe shumë shkrimtarë shqiptarë në të tria gjinitë letrare (De Rada, Fishta, Kadare etj.), por edhe shumë shkrimtarë botërorë (Gëte, Pushkini, etj.) .

Pjesa më e madhe epike e veprës është “Besëlidhja” paraqet luftën e popullit shqiptar në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, deri me shpalljen e pavarësisë së pjesëshme të Shqipërisë perëndimore (1912), kushtëzuar nga konferenca e fshehtë e ambassadorëve në Londër, ku Rusia kishte një ndikim të madh në Evropë. Kapitulli i këtij epi, në mënyrë artistike, ndërthur betejat më karakteristike të fundit të shek. XIX, që nga Kuvendi i Prizrenit, deri më 1912, duke i potencuar betejat më të përgjakshme për liri, si dhe figurat më të rendësishme të asaj periudhe, si: Ymer Prizrenin, A. Frashërin, H. Zekën, Mic Sokolin, S. Vokshin, deri te veprimtaria diplomatike e H. Prishtinës, I, Boletinit, I. Qemalit, si dhe dy Kuvendet e rëndësisë kombëtare, historike, atij të Junikut e të Vlorës, në një fare dore si kapak i një periudhe të rëndësishme vendimtare për pavarësi kombëtare, por të parealizuara gjithaq, për shkak të hileve diplomatike ndaj etnosit shqiptar në zhvillimet historiko -politike evropiane.

“Doli hekurash shqiptaria,

Toskëria e Gegëria,

Prishi planet e Evropës

Po ia hap gjoksin tërë botës”.

Kapitulli radhitet si një luftë e vazhdueshme prej një krahine në tjetrën, shpesh e larë në gjak, sidomos në Plavë e Gusi, Hot e Grudë, Ulqin e Tivar, Kaçanik e Slivovë, por edhe në jug të Shqipërisë, ku mori shumë trima vigaj, por solli shumë lavdi, këngë e histori të famshme betejash, rezultatesh epokale e heronjsh të shquar, disa nga të cilët ranë në altarin e lirisë dhe u përjetësuan në histori, folklor e letërsi artistike, si kjo e Z. Gjocajt, siç janë: Mic Sokoli, Jakup Feri, Qelë Shabani, Kurt Asllani me të birin etj.

Duke u nisur nga koncepsioni real historik, autori detyrohet të përqendrohet në beteja të përgjakshme, të kurorëzuara shpesh me humbje, herë fitore, varësisht nga raporti i forcave jo aq të kënaqshme dhe ndikimet e pafavorshme diplomatike ndërkombëtare për shqiptarët, por mjaft të qëndrueshme dhe të pathyeshme. Atmosferën e kishin dëmtuar edhe antagonozmat brendashqiptare. Haxhi Zeka u vra prej Adem Zajmit, i shtyrë nga krerët serbo-sllavë e turq, duke e lënë pa kokë e pa zemër lëvizjen çlirimtare të fund shekullit XIX:

“N’derë t’oborrit troket Mihajli

- Del një here, o Adem Zajmi,

Shumë të fala po të çon krajli,

Merr fishekë e patllake,

Haxhi Zekën-o hiqe qafe”.

Kapitulli përmbyllet me pavarësinë e dhembshme të një cerek të Shqipërisë, ku nëna Shqipëri londineze i drejtohet të bijës së robëruar – Kosovës me motrat e saja:

“Lamtumirë, fëmijët e mi

T’mir’u pafshim në liri

Le t’jetë borë a shi me erë

Me ju nëna do t’jetë përherë!...”

Mirëpo, autori nuk përfundon me kaq. Në kapitullin vijues “Urat” (në daç në kuptimin metaforik, si ndërlidhje idealesh midis patriotëve, në daç si: ûnat e zjarrit, si thuhet gegërisht, autori e ka vazhduar epin heroik deri me 1925, përmes figurave të shquara të mbetura për vazhdimin e kryengritjes në Kosovën e robëruar (H. Prishtina, I. Boletini, Ker Sadria, deri te vrasja e kryekomitit kosovar, Azem Galica, si dhe shuarjen e kryengritjes dhe Arbanisë së tij, deriatëherë të pranuar edhe nga armiku.

Mbarë Arbëria ishte sosur,

Mbi tridhjetë të plagosur,

Mbi tetëdhjetë të masakruar…

Se t’armikut s’kishin të numëruar...”

Së këndëjmi, Z. Gjocaj, në veprën “Rilindjet e orës arbërore” ka dëshmuar për një individualitet të çmuar epik, që reflektojnë momentet tona të fatit të rëndë ndër shekuj e breza deri më sot. Duke e analizuar vargun e kësaj vepre epike, shihet qartë se ngarkesat emocionale të studiuesit për të kaluarën e hidhur të popullit të vet, nuk e kanë lënë atë duarkryq. Merita e autorit qëndron edhe në atë se tërë veprën në fjalë e përshkon fati më tepër heroik i popullit tonë, që këtu ka formën artistike të shprehjes, apo thënë më mirë, një histori epike-artistike të fatit të popullit tonë ndër shekuj, kurorëzuar me pavarësinë e pjesës dërmuese të tij.

Në emër të shumë lexuesve, pledojë që nese mundësisht të ribotohet vepra në fjalë duhet të herret nga lëshimet që i kam vërejtur gjatë leximit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat