Vargu në botën e ëndrrave të freskëta

Kultura

Vargu në botën e ëndrrave të freskëta

Nga: Ilam Berisha Më: 19 gusht 2019 Në ora: 23:29
Ballina e librit

Këto ditë, kur po përcëllon vapë, nga njëra anë, vapë nga stina e verës, e nga ana tjetër, kur shpirtin e këtij njeriu, përkatësisht të qenies sonë shqiptare, e ka mbërthyer ankthi i dëshpërimeve nga mbështjellimet, që, nganjëherë edhe dikush, si me ironi mund të thotë se, ndoshta: “mos e kemi humbur udhën në oborrin tonë”, për të na i ndriçuar mjegullnajat, e për të na e qetësuar e freskuar shpirtin, lexuesve, u vjen shpërblim, libri për fëmijë “Kush më puth i pari”, i autorit, Beqir Cikaqi.

Autori, mirë e percepton kohën në të cilën po jetojmë, dhe për të na i lehtësuar ngarkesat, e për të na sjellë disponimim, që nganjëherë edhe fshikullimat e të qeshurat na mungojnë, për të filtruar egoizmat e ogurit të mbërthyer, na freskon me shpirtin e padjallëzuar të fëmijës, me botën e pastër që ata gëzojnë, e që, atyre edhe u takon.

Titulli i këtij libri, “Kush më puth i pari”, është sinonim i dashurisë, i rrezes e i dritës, i paqes e i ardhmërisë, sepse vetë fëmijët janë të tillë. Mozaiku i ngjyrave në kopertinë, është buzëqeshja e fidanëve, është freskia e fletëve të degëve të këtyre lisave që frymojnë aromë e jetë pa brenga, plot gëzim e hare, plot dritë e dashuri.

Libri, “Kush më puth i pari”, i autorit Beqir Cikaqi, nis me poezinë “Fjalët magjike”. Dhe, a nuk kemi nevojë, që nga koha kur ta mbëltojmë lisin, t’i japim formën e duhur, ta krasitim, ta ujisim, e ta drejtojmë të rritet vertikalisht me shikimin kah drita?! Janë fjalët magjike të autorit që, ne, prindërit e tyre, jemi bartësit dhe përgjegjësit për t’ua dhënë kahen e duhur në jetë. Fjalët: “Ju lutem”, “Faleminderit”, “Më vjen keq apo më fal”, që për fat të keq, mund të çalojmë nga pak në të komunikuar, janë tamam si behari, e me vlerë, më të çmuara se ari, sepse mbështetur në këto porosi, ndërtohet karakteri njeri, thotë poeti, Beqir Cikaqi.

Ne që jemi gjyshër, jemi të dhënë shumë pas mbesave e nipave. Ndoshta edhe kemi të drejtë, sepse, edhe ata na duan shumë. Ndoshta, mirëmëngjesi-interesi. Gjyshi u blen dhurata, sheqerka e akullore, lapsa e fletore, madje, gjyshi bëhet edhe kaluç, e nipat hipin mbi të, argëtohen e bëjnë humore. E gjyshja, edhe ajo e ka ndjenjën e ëmbëlsisë. Por, nipat e mbesat, nuk paskan gjyshe, sepse gjyshes, na i thënkan Nanë. Për këtë, autori i librit, në faqen 18, na paska shpallur një konkurs, me titull: “Konkurs për gjyshe”. Në të parë këtë konkurs, nipat e mbesat, Dea, Rita, Joni e Harisi, që të mos kenë gjyshe më ndryshe, anulojnë këtë konkurs, dhe, sipas të drejtës së tyre, gjyshen, mund ta thërrasin qysh të duan, herë nanë e herë gjyshe.

Duke shfletuar librin, mozaiku i poezive, nuk na lë të mërzitemi së lexuari. Malli për atdhe, është kushtrim i poetit për të kujtuar atë, pra atdheun, për të përkujtuar dëshmorët e luftëtarët e lirisë që, ata edhe janë bartësit e lirisë. Është dashuria ndaj natyrës e ndaj kafshëve, ndaj zogut, ndaj kecit e papagallit, sepse, edhe këto e mishërojnë poetin për ta kujtuar e për ta dashur vendlindjen. Vargjet e këtij libri, me këto poezi kaq të bukura, ndonëse përkushtuar kalamajve, te lexuesi dërgojnë porosinë e respektit për njeriun, ndjenjën e dashurisë, të humanitetit e të bamirësisë, duke i bartur këto ndjesi drejt udhës te brezat e ardhmërisë.

Autori, pa ndonjë të keqe, ndonëse, për ta bërë poezinë më të kapshme u shmanget figurave letrare, përmes figurës së papagallit, me qëllim që të argëtohen fëmijët, metaforikisht, satirizon njerëzit e ligë, të cilët, duke mos shikuar të bëmat e tyre, me thashetheme, përgojojnë e padrejtësisht belbëzojnë. Rima e përdorur në çdo poezi, shijes së të kuptuarit të saj, i jep ton të butë muzikor. Edhe krahasimi haset te disa poezi, si: “Dy mbesat e mia, janë shumë të bukura, Dea si dallëndyshe, e Rita si flutura”; “Fëmija në djep, si buka duke u pjekë”.

Duke përfunduar vlerësimin tim me këto pak fjali, edhe njëherë e përsëris se, libri fillon me poezinë “Fjalët magjike”, ndërsa përfundon me një titull tjetër të një poezie, “Shenjat e pikësimit”. Nuk mund të anashkaloj edhe mesazhin e kësaj poezie. Shenjat e pikësimit, të gjithë i dimë, apo duhet t’i dimë, sepse i kemi mësuar gjatë shkollimit. Mirëpo, sipas poetit, ato përzihen shpesh, madje duke dashur të dominojnë njëra ndaj tjetrës, shpesh edhe ngatërrohen, dhe kështu, prishin kuptimin.

Marrë simbolikisht, u ngjajmë edhe ne zënkave e përçarjeve të shenjave të pikësimit. Prandaj, pas gjithë këtyre zënkave që po përjetojmë, vetëm të bashkuar, botën, përpara do ta çojmë, thotë poeti, Beqir Cikaqi.

I nderuar autor Cikaqi, vazhdoni të shkruani, duke dëshiruar që, krijimtaria juaj artistike të futet në antologjinë shkollore të fëmijëve.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat