Emathia

Kultura

Emathia

Nga: Atdhe Geci Më: 23 gusht 2019 Në ora: 19:53
Atdhe Geci

Historinë që unë e kam në shpinë
është histori krejt pak e njohur, 
histori me shtrembërime emrash
dhe histori me dhimbje të kokës 
Historinë që unë e kam në shpinë 
mund të na tronditë rëndë me të 
vërtetat e fshehura e të panjohura 
Mbi këtë tokë të gjelbërt të atdheut 
kam vërejtje për kohën tonë, dhe 
për cenzorët që e mbajtën fshehur 
alfabetin pellazg, dhe të fshehtën
për prejardhjen tonë pellazgo-ilire 
Historinë që unë e kam në shpinë, 
rrahur e kanë rëndë për të vërtetën, 
rrahur e kanë rëndë për kryengritje 
rrahur e kanë rëndë për luftimet...

Historinë që unë e kam në shpinë 
poshtëruar ma kanë të mëdhenjtë, 
poshtëruar ma kanë fqinjët dhe, 
poshtëruar e kem nga pak dhe vetë, 
Historinë që unë e kam në shpinë, 
e kam me të rënë dhe të plagosur 
me traktate, e tribunale gjyqesh, 
me prejardhje e beteja të mohuara.
Historia që unë e kam në shpinë 
është histori e të gjitha kohërave, 
histori qytetëruese e atdheut tim, 
histori me shumë hulli të gjakut.

Historinë që unë e kam në shpinë, 
i ka 300 shekuj jetë të qytetarit, 
300 shekuj të luftave të pakryera 
dhe 300 shekuj me plis të bardhë. 
Atdheu ynë; Epir, Iliri e Dardani 
nuk ka luftë që s ́e ka një pikë lot, 
nuk ka luftë që s ́e ka një varr
dhe s ́ka këngë që se ka një ëndërr!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat