Plisi dhe fëmijët

Kultura

Plisi dhe fëmijët

Nga: Kadri Tarelli Më: 8 shtator 2019 Në ora: 22:33
Foto ilustrim

I ftuar në “Festën e Plisit”, që organizohet çdo mes vjeshte në Istog të Kosovë, më duhet të përgatis një fjalë të shkurtër, për të përshëndetur të pranishmit në këtë ditë të shënuar, që do ta quaj të rrallë dhe tërësisht shqiptare.

Kujtesa më çon te një ndodhi e viteve 1960, kur unë, që sapo kisha mbaruar gjimnazin, u emërova mësues në shkollën e fshatit Qerret pranë Kavajës. Që ditën e parë më ra në sy, se disa nxënës të moshës 11 apo 12-vjeç, vinin në shkollë me kapuç apo “plis”, emërtim që edhe unë e mësova shumë vonë. Kur futeshin në mësim i hiqnin nga koka dhe i fusnin në çantat prej lecke, ku mbanin librat. Kur mbaronte mësimi dhe niseshin për në shtëpi, i vinin përsëri mbi kokë. Ishte koha kur për Kosovën flitej shumë pak, për të mos thënë aspak.

Pas dy-tre ditëve, gjoja si rastësisht, në oborr hyri Ali Shala, kryetar i kooperativës së Qerretit. Edhe ai, si të gjithë kosovarët e tjerë të fshatit, mbante plis mbi krye. Më përshëndeti “T’u ngjatjeta” dhe duke më dhënë dorën e tij të madhe, më pyeti në dialektin e Kosovës, që unë e dëgjoja për hër të parë:

- E zotni mësues! Si po duken këta djelt’ tanë, a po ju bezdisin? – Ende vazhdonte të përdorej fjala zotni, sepse më vonë u zëvendësua me fjalën shoku mësues.

– Jo, jo! Janë djem të mirë dhe mësojnë, u përgjigja dhe po e kundroja me kujdes atë portret burri me tipare të forta, me moshë rreth të pesëdhjetave, por me trup të gjatë e të drejtë si shtizë flamuri, model për artistët e penelit e të daltës.

– Ti je mësues i ri, por ne duam që fëmijët tanë të mësojnë shumë, por edhe të bëhen të sjellshëm.

Mënyra e bisedës, më bëri që të mos nguroj t’i them në formë pyetje:

- Kam vënë re se disa fëmijë, besoj kosovarë, ndryshe nga fëmijët vendas, vijnë me kapuç të bardhë në shkollë. – Pata përshtypjen se nuk e priste një pyetje të tillë, sepse fytyra i mori një pamje serioze dhe ëndërrimtare.

– Eh more zotni mësues! Ti je djalë i ri dhe besoj se nuk i di vuajtjet dhe hallet tona. – Më ftoi të ulemi rëzë një selvie, mbjellë rresht në një ledh kanali, që rrethonte oborrin e shkollës. Ai nuk e ndërpreu bisedën:

- Ne kemi ardhur nga Kosova, këtu në rrethinat e Kavajës, rreth 30-vjet më parë, në vitet 1923-1924. Kosovarë ka edhe në disa fshatra të tjerë, si në Gosë dhe në Karpen, këtu pranë detit, dhe drejtoi dorën nga perëndimi. Po kështu edhe në rrethin e Fierit. Më vonë erdhën edhe të tjerë kosovarë, që u vendosën në fshatrat afër Shijakut. Mbreti Zog u dha tokë. Tani edhe ata janë bërë kooperativë. Do të kesh kohë të mësosh, se ç’ kemi hequr deri sa u vendosëm këtu. Po me që më pyete për kapuçat e fëmijëve, po të them, se edhe pa porosinë tonë, ata i mbajnë mbi kokë. Si duket e ndjejnë dashurinë dhe mallin që kemi ne për Kosovën. Ata duan, por edhe ne na vjen mirë që të ndihen kosovarë, jo vetëm me fjalë. – Vura re se sytë iu lagën, ndaj ktheu kokën anash. U ngrit, më përshëndeti duke më thënë: - Merre edhe atë mësuesin tjetër dhe ejani sonte për darkë. Ju pres!

Kështu u ndamë me kryetarin Ali Shala, me të cilin u bëmë miq. Por plisi mbi krye të fëmijëve, më mbeti në kujtesë edhe pas ka vjetësh. I dalloja që larg, kur vinin në shkollë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat