Dita e Lurës na fton për veprim në dobi të vendlindjes

Kultura

Dita e Lurës na fton për veprim në dobi të vendlindjes

Nga: Gezim Loka Më: 11 shtator 2019 Në ora: 00:10

Në takimet e njëpasnjëshme festive dhe promovuese në Lurë dhe në Tiranë, për të kremtuar një vjetorin e shoqatës “Lura jonë” dhe të gazetës “Lura”, anëtarë të shoqatës, intelektualë, njerëz të thjeshtë, që e duan vendlindjen dhe kërkojnë të ripërtëriojnë lidhjen me vendin e rrënjëve dhe degëve, njëzëri shprehëm të gjithë së bashku vullnetin që e diela e fundit e shtatorit të çdo viti kalendarik të shpallet Dita e Lurës dhe të kremtohet si një festë e madhe solemne mbarëpopullore. E diela e fundit e shtatorit të këtij viti bie me datën 29 shtator. Në këtë ditë të shënuar, që shpresojmë të kthehet në një ditë feste të ligjshme të banorëve lurianë, kudo ku jemi e s’jemi, në Tiranë e Durrës, Sarandë e Vlorë, Lezhë e Shëngjin, Laç e Mamurras, në emigrim apo diasporë, që nga Greqia, Franca, Italia, Gjermania, Anglia gjer në SHBA dhe në Australinë e largët, do të vijmë në gjirin e nënës e të ndezim zjarrin e asaj dashurie që ashtu nën hi, nuk është shuar kurrë dhe që ne do të ripëtërijmë me mirësitë e shpirtit dhe zemrës sonë të dashuruar me vendlindjen. Atë ditë të shumëpritur, të jemi të gjithë së bashku në Lurën tonë në këtë ditë, të gëzojmë e festojmë së bashku, të çmallemi e të ribashkohemi nën themelet e vjetra të kullave tona.

Lura e perlave të natyrës dhe historisë, me trashëgiminë e një bukurie dehëse, si destinacion turistik i traditave më të mira shqiptare, do të presë bijët e saj të përmalluar. Pret që ata, jo vetëm të vijnë nga janë e s’janë dhe të festojnë së bashku, të këndojnë e hedhin valle, të bashkojnë sofrat dhe zemrat në natyrën sharmante të atyre bukurive që s’kanë të sosur, por dhe të kontribuojnë, sipas mundësive, që vendi i tyre i gurit të kullës dhe gurit të varrit të mos rrënohet e harrohet, por të lartësohet e zbukurohet, të ndërtohet e begatohet çdo ditë.

Dita e Lurës do të jetë ditë bashkimi e solidarioteti, ditë Kujtese e përjetimi emocional të historisë luriane, ditë bujarie e fisnikërie, ditë promovimi e resurseve turistike të një krahine që ka një bukuri rrëzëllitëse, ndër më pikantet në Ballkan dhe Evropë, por që ka nevojë të njihet e frekuentohet, të promovohet e lartësohet.

Në këtë ditë lurasit nga janë e nuk janë do të mblidhen bashkë në tokën e të parëve, në atë tokë të lashtë në formën e një kështjelle natyrore, ku kanë kaluar e bujtur mbretër e perandorë, Çezari e Teuta, ku Skënderbeu kishte gardën e tij kombëtare, ku luftërat kundër turkut, serbit dhe gjithë hordhive barbare të pushtimit ndër kohëra shtrëngate u bënë mënyrë jetese për Lurën dhe lurianët.

Ushtritë pushtuese vinin e iknin me zulmë e urdi, shkelnin të mbjellat, dogjnin misrat e pakorrur në ara, iu vinin flakën shtëpive në fshatara, varnin në majë të lisave e çanin me bajoneta shumë dibranë e lurianë, maskaronin pleq e fëmijë, shkonin në bajoneta gra shtatzëna, digjnin deri edhe barin e livadheve e rudinave, për të shkretuar lëngun dhe gjallërinë e jetës në male, por nuk ia dolën të thyenin lurianët e Dom Nikollë Kaçorrit dhe më vonë të Heroit të Popullit Gjokë Doçit.

Malësorët dibranë e lurianët mes tyre, nën udhëheqjen e prijësit legjendar, të ashtuquajturit “Gjenerali me shajak”, Elez Isufi, bënë një rezistencë titanike kundër hordhive serbo-sllave, duke e rujatur të pathyeshëm kufirin etnik dibran dhe të prushëruar në shpirtin kolektiv popullor kurorën e përgjakur të lirisë.

Malla dhe ujëvarat gjer lart në Majë të Kunorës, sillnin me vete jehonën e asaj këngës epike, të kthyer në legjendë rurale, “ç’e nantë vjet luftojnë me krajla”…

Lufta Nacional-çlirimtare, me heronjtë dhe dëshmorët lurianë, me partizanët e thjeshtë, me ata dhjetëra e qindra familje që mbajtën me bukë e sterhuan bijtë e lirisë, është një faqe tjetër epokale që duhet nderuar dhe kjo nuk mund të bëhet askund më mirë se se në Ditën mbarëluriane.

Dita Mbarëluriane do të promovojë resurset e hapura e të fshehta të natyrës së mrekullueshme luriane. Për fat të keq, kjo perlë e turizmit malor, është e harruar dhe e refuzuar nga neglizhenca shtetërore e një vendi që nuk njeh pasuritë dhe vlerat e natyrës së tij bujare. Po të kishte intuitë, përkushtim për ta kthyer bukurinë mahnitëse në një vend çlodhës, argëtues, kurativ e sportive, Lura mund të ishte kthyer në një vend ku të ushtroheshin të gjitha sportet, jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë Ballkanin e pse jo dhe në rang evropian. Pushuesit në Lurë do të ishin sot e gjithë kohën, gjatë të katër stinëve, përpara një ftese të hapur për të shijuar verën e zhegut përvëlues, vjeshtën e praruar, dimrin alpin të skive, pranverën dehëse të luleve dhe fëshfërimave të pyjeve magjike, por për fat të keq, rrugët e dëmtuara dhe infrastruktura e rrënuar e kufizojnë një mundësi të tillë. Vetëm 130 km është Lura nga Tirana, çfarë do të thotë se po të jenë rrugët e rregulluara, mund të shkosh e të kthehesh brenda ditës nga kjo trevë çlodhëse e argëtuese. Por në kushtet e sotme, kjo rrugë kthehet në një mundim për turistin e huaj apo vendas.

Dita mbarëluriane do të jetë jo vetëm ditë çlodhje, argëtimi, bashkimi në sofrën mbarëluriane, por edhe ditë projektesh, një një ftesë e hapur për çlodhje e dëfrim, një ofertë turistike e pashembullt, për mijëra turistë, vendas e të huaj, që kanë pse shkojnë në Lurë dhe duhet të shkojnë për pushime aktive, mjaft çlodhëse dhe antistres.

Kjo ditë do të jetë ditë e zgjimit të ideve dhe qasjeve të mendjeve më produktive për Lurën, një mundësi që intelektualët, biznesmenët, emigrantët e vjetër e të rinj, të japin diçka për Lurën, të investojnë në shumë projekte dhe ide që ne i kemi hedhur e trajtuar, dhe që ka ardhur koha të bëhen realitet, si, bie fjala, për muzeun e Lurës, për grupin artistik “Lura jonë”, për riparimin dhe vënien në funksion turistik e historik të kullave të vjetra etj.

Ne jemi të gjithë bashkëëndërrues dhe bashkëprojketues të një ëndrre të madhe për Lurën dhe lurianët dhe do të luftojmë, duke bashkuar gjithë energjitë pozitive luriane, që me ndihmën e biznesit lurian dhe projekte të finacuara nga shteti të bëjmë të mundur realizmin e gjithçkaje që ka të bëjë me ndërtimin e një ekonomie të vogël, e cila krijon punësim, vetëpunësim dhe përmirëson jetën e banorëve të Lurës.

Dita e Lurës është një ditë bekimi e shenjtërimi për Lurën dhe lurianët, pasi do të jemi të gjithë në startin e një gare me vetveten, me njëri-tjetrin dhe me kohën, për të bërë më të mirën e mundshme, në një kohë sa më shpejtë dhe sa më efektive, që këto projekte e të tjerë që nuk është vendi të renditen në këtë shkrim, të marrin oksigjen dhe të jetësohen, duke mundësuar shpërthimin e të gjitha resuresve dhe energjive luriane e më gjërë. Ftohen që të jenë aktivë dhe kontributorë në në këtë garë qasjesh, ideshë dhe projektesh konkrete të gjithë lurianët, qofshin anëtarë ose jo anëtarë të Shoqatës “Lura jonë”.

Është koha për Veprim. Dita e Lurës na fton të reagojmë me gjithë vullnetin, mundësitë dhe përkushtimin tonë për vendlindjen që na thërret. Nuk ka kohë për retorika të stisura e fjalë të sheqerosura dashurie për Lurën, por të gjithë, secili sipas mundësive, të kontribuojmë e të shkojmë në Lurë duar plot, me projekte, me ide, me qasje zhvillimore, me para për të investuar sipas mundësive, që secili prej nesh të vendos një gur në ndërtesën e madhe të eknomisë, turizmit dhe krenarisë legjitime luriane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat