Refleksione rreth librit, “Ftera në sytë e mi”, të shkrimtarit të mirënjohur nga Tirana, Sulejman Mato

Kultura

Refleksione rreth librit, “Ftera në sytë e mi”, të shkrimtarit të mirënjohur nga Tirana, Sulejman Mato

Nga: Mikel Gojani Më: 18 shtator 2019 Në ora: 08:47
Kopertina e librit

Sulejman Mato, është një krijues shumëplanësh. Proza, poezi, drama, publicistika, eseistikja, kulturologjia, pasioni për gjuhësinë dhe artin e të të shkruarit, përbëjnë substancën e librave të tij. Nuk janë pak libra, ato të cilat e skalitin profilin e tij krijues. Shkrimtari, studiuesi dhe publicisti i shquar, Sulejman Mato ka vazhduar veprimtarinë botuese duke sjellë për lexuesit shqiptarë edhe një libër interesant dhe përmbajtjesor. Ai kësaj radhe i kthehet vendlindjes së tij Fterës dhe në shenjë respekti për qytetin e tij të lindjes, nxjerr librin me titull tepër atraktiv dhe brilant, “Ftera në sytë e mi”.

Pra, libri, “Ftera në sytë e mi”, është një libër për fshatin e lindjes së shkrimtarit. Vendlindja ka frymëzuar poetë të panumërt. Krijimet e para, zakonisht, thuren për të, ngase ajo ka frymëzuar së afërmi. Përshkrimi i parë bëhet për vendlindjen, sepse atë e një më mirë. Edhe Mato, në vendlindjen e tij, Fterën, ka gjetur botën më të pasur të frymëzimit dhe vazhdimisht i ka kushtuar vargje. Ka shkruar për vendlindjen e tij, Fterën, me plot ngjarje historike, personalitete të rëndësishme të jetës historike, kulturore, arsimore, shkencore etj., me tregime dhe poezi përkushtimore, me vargje që derdhin një botë të tërë përjetimesh, po ashtu të ndërtuara me vlera të mirëfillta ideo-artistike, duke derdhur mallin përvëlues nga esenca e shpirtit të poetit.

Një libër i ri për fshatin e lindjes, me një histori e lashtësi, vargje...

Librin i prinë Shënimet historike, duke shpalosur një rrugëtim historik të këtij vendbanimi të lashtë që prek thellësitë e shekujve, deri në ditët e sotme.
Duke dhënë një prezantim të këtij vendbanimi të lashtë të vendlindjes së tij, shkrimtari Mato, Ftera njihet nga të gjithë si një fshat që ka të zhvilluar frutikulturën dhe blegtorinë si dhe interesin për kulturë dhe dije, kjo ka bërë që ky fshat në të gjitha kohët të nxjerrë kuadro të larta, në të kaluarën kuadro teologjikë (hoxhë me arsim të lartë) pas çlirimit, qindra kuadro të larta të njohur në mbarë vendin. Ftera, vazhdon në prezantimin e tij shkrimtari Mato, shtrihet në tri kodrina të gjelbëruara frutore. “Ka disa burime të ftohta të cilat dominojnë shtëpitë e fshatit dhe kjo ka bërë që në këtë fshat të marrë hov frutikultura, ulliri si dhe ajo pjesë e bujqësisë e cila i mban gjallë banorët e saj. Ftera në të gjitha kohët nuk i ka kaluar asnjëherë 80 shtëpi, mund të thuash se është fshati më i vogël në atë zonë. Ftera ka një klimë malore- bregdetare, është e fshehur prej erërave nga malet e larta që ngrihen sipër tij. Mund të themi se Ftera ka një klimë ideale, ndonëse për shkak të pozicionit të saj midis dy malesh, gjatë ditës ka pak diell” (fq.3).

Duke folur për lashtësinë e këtij vendbanimi, autori Mato, argumenton se në faktet historike dëshmohet se Ftera, si vendbanim gjen shpjegim në të thënat gojore, në gjetjet e varreve dhe gërmadhave të vjetra. Autori pohon se në Defterin e taksave turke, (1432) në këtë zonë, përmenden edhe emra fshatrash që nuk ekzistojnë si: KOMATI, ZILEHOVA. Në këtë dokument emri i fshatit Fterë përmendet me emrin Efteran dhe ekzistojnë supozime nëse toponimi Ftera ka lidhje me hidronimin “Frari” emri i dokumentuar i lumit që sot quhet Lumi i Fterës. Vendbanimet e vjetra: PIRGU, Bregu i Komës, Hekali. Korita, Çerica, Galile, Bërda etj. dëshmojnë për vazhdimësi banimesh në kohë të ndryshme. Sipas autorit, nuk është pa vend dhe konstatimi i Naxhi Zhupës, i cili në librin e tij historik “Ftera në shekujt XV-XVII-të, mendon jo pa të drejtë që toponimi “Cerricë” rrjedh nga një shtrembërim në kohë i emrit “Qarrishtë”. Në këtë vend rritet druri i qarrit. Ky emër del fillimisht në vitin 1432 tek Defter sanxhak i Halil Inalçik, Ifteran me 12 zjarre, që do të thotë 12 shtëpi. Një variant i saj mund të jetë që toponimi “Ftera” të vijë nga një fjalë greke “Leftera”, që do të thotë: “ vend i lirë” Nuk duhet kundërshtuar as varianti që ky emërtim të vijë nga toponimi Terna.

Kështu që, autori Mato, shpjegon edhe shumë fakte dhe të dëna tepër të rëndësishme që kanë të bëjnë me shumë karakteristika që e veçojnë këtë vendbanim me histori të lashtë dhe shumë të begatë, duke sqaruar edhe të folmen e banorëve të këtij vendbanimi, ku sipas autori Mato mbeturinat e dialektit verior në Fterë nuk e përjashtojnë ardhjen e disa familjeve nga veriu. Sipas studiuesit Mato karakteristikë për të folmen fteriote janë edhe tingujt, si “ng” dhe “mb”, që përdoren si tinguj që nuk ekzistojnë në alfabetin shqip. Në vazhdën e kësaj çështjeje tematik, autori Mato flet edhe rreth emërtimit të vendbanimit , Ftera, që si emërtim del nga viti 1432 tek Defteri sanxhak i Halil Inaçik, Ifteran, me 12 zjarre, që do të thotë me 12 shtëpi. Një variant i saj mund të jetë që toponimi “Ftera” të vijë nga një fjalë greke “Leftera”, që do të thotë: “ vend i lirë” Nuk duhet kundërshtuar as varianti që ky emërtim të vijë nga toponimi Terna. Duke folur për prejardhjen e fiseve, Mato sqaron nga gjurmët e dëshmive del që fiset e këtij vendbanimi kanë origjinë nga veriu, përkatësisht nga Mirdita. Për një shtegtim të kësaj popullsie Thrake, sipas studiuesit Arshi Pipa, ka ndodhur në shekullin e IV-të të para erës së re. Po ashtu, sipas profesor Ismet Elezi, thuhet se sei ky vendbanim po ashtu edhe disa fshatra të tjerë të labërisë janë me origjinë nga Mirdita, të cilët kanë emigruar për arsye hakmarrjeje. Autori Mato, po ashtu prezanton fakte dhe dëshmi që vendbanimi i tij Ftera kishin qenë arsimdashës të devotshëm. Sipas tij, një ndihmesë të madhe në arsimimin e fteriotëve ka dhënë profesor Isa Hizmo, i cili ishte hoxha i parë i sarajeve të Sulltanit, në Stamboll. Në kohën e vet tërhoqi 14 djem nga Ftera dhe i arsimoi për teologji në shkollat e mesme dhe të larta të Stambollit. Vetë Isa Hizmoja ka qenë hoxha i sulltanatit në kohën e Lidhjes së Prizrenit, për ca kohë edhe dekan i fakultetit teologjik-juridik të Stambollit. Isai edhe gruan e pati nga Ftera, halla e Halil Matos. Nga kjo martesë lindi një vajzë, e cila u martua në Stamboll me Ahmet bej Borshin. Nga Hizmajt ka dalë edhe një poet me ndjesi shumë të forta, por i panjohur për kohën. Ibrahim Hizmo. Ai ka dy krijime të gjata me temë Lufta e parë Botërore si dhe me temë kurbetin. Ja një nga strofat e vjershës së tij për kurbetin: Xhin xhani bëhet sersen./ atë natë që do dale./ Bie por gjumi s’e zen,/ se ndahetë me të gjallë. (fq. 19). Nga fisi i Avrece kemi pasur një poet me emër, Isuf Avrecin, i cili ka shkruar shumë vjersha që sot u mungon autorësia. Në një shkrim të shkrimtarit Petro Marko, në gazetën “ Bota e re”, viti 43, ai thotë që vjersha shumë e njohur në mbarë Shqipërinë dhe që është kënduar në festivale është e poetit nga Ftera, Isuf Avreci. Vjersha mbaron me vargjet: Cili je ti more djalë/ që do katemet e mia?/ Unë jam Ismail Qemali…/ Prapa më vjen historia. (fq.19). Ftera në të gjitha kohët ka qenë nën sundimin e feudalëve të kalasë së Sopotit, kjo shkon gjer në kohën e Haxhi Bedos, feudal me origjinë nga Borshi, i cili ka qenë gjatë gjithë kohrave në shërbim të Ali Pashë Tepelenës dhe ka kryer mizori në fshatrat e Sulit (1805-1813).Gruan Haxhiu e ka pasur nga fisi i Matajve.

Ftera ka pasur shumë kuadro që kanë kryer studimet në Stamboll për teologji dhe drejtësi. Prej tyre mund të kujtojmë (Kati) Korkutin, i cili ndonëse ndërtoi për njerëzit e vetë një shtëpi të bukur dy katëshe në fshat, mund të themi shtëpinë më të mirë të fshatit, si dhe solli një litërvi, nuk u kthye asnjeherë të jetonte në fshat. Po kështu kemi edhe figura të tjera fteriote, kuadro të larta të diplomuara në teologji dhe drejtësi si, Hivzi Bezhani, Avdul Mita, Shemshedin Dauti, .etj Hoxhallarë me shkollë kanë qenë: Xhafer Shehu, Sheme Korkuti, Nuri Mita, Rustem Elezi, Sulejman Mato, Rrapo Sadikaj, Fehim Korkuti, Iliaz Çipa, Ahmet Shehu, Shaqo Gjoni, Meto Mehmeti, Xhelal Dauti, Hasan Mita, Hasim Mita. Shkollën e lartë ushtarake në Stamboll e kanë mbaruar edhe Hasan Hizmo dhe dy djem, njëri nga Kondajt dhe tjetri nga Maçajt.

Mato flet për zakonet, të folmen fteriotëve, veshjen, tiparet, rreth fakteve të reja të emrit të fshatit “Fterë” etj.

Sipas autorit Mato, një vend meritor autori i ka kushtuar kohës së luftës nëpër të cilën kanë kaluar fteriotët. Edhe para luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë Luftës Nacional Çlirimtare edhe Ftera ka dhënë një kontribut të çmuar, nga ky fshat i vogël kanë dalë malit dhjetëra partizanë dhe kanë rënë gjashtë dëshmorë: Mësuesi i fshatit Hiqmet Dusha, Turhan e Fuat Mato, Azem Çeli dhe Osman Memi. Po kështu në këtë luftë është vrarë edhe patrioti trim dhe vjershëtori Shaqo Mita për shkak të një partizani të plagosur në shtëpinë e tij. Pas ikjes së ballistëve ai ngriti një bejte qesëndisëse për Xhemil Lekën nga Borshi, i cili ishte vënë në shërbim të Ballit Kombëtar dhe pushtuesve gjermanë.Paslufta u karakterizua nga një rini fteriote e gjallë e plot entuziazëm. Pothuaj të gjithë të rinjtë fteriotë asaj kohe nisën shkollat e mesme dhe të larta. Duhet theksuar se shkolla fillore e Fterës, me mësues të merituar Neim Zanin, ka qenë ndër shkollat më të para dhe më kualitative ndër shkollat e të gjithë krahinës së Labërisë. Ajo u themelua në vitin 1916, por nga fundi i viteve tridhjetë u bë një shkollë model ku mësonin djem dhe vajza fteriote, pa dallim. Një nga mësuesit e parë ka qenë dëshmori i luftës, intelektuali, vjershëtori dhe militanti i orëve të para Hiqmet Dusha. Për këtë figurë kam për t’u shkruar shumë. Ftera e nderon me dashuri dhe respekt të thellë, nxënësin e shkëlqyer të normales së Elbasanit, komunistin e orëve të para të luftës që ra heroikisht në betejën e Cepos, duke dhënë shembullin e vet në krye të çetës së Fterës. Në atë luftë kanë marrë pjesë edhe 15 partizanë të tjerë fteriotë, me komandant trimin Lazo Kofina.

Në këtë periudhë, si për Fterën, sikur edhe për gjithë vendin u hap perspektiva për një jetë të re, edhe përkundër vështirëve që kanë përcjellë me dekada të tërë të regjimit komunist.

Nga ky fshat i vogël, mirëpo me begati të shumta, viteve në vazhdim nga Ftera kanë dalë shumë mësues, mjekë, agronomë, inxhinierë, shkrimtarë etj., të cilët jo vetëm nëpër fakultete, por edhe në jetën e më vonshme nuk reshtën së studiuari dhe së kontribuuari, duke marrë grada shkencore dhe tituj të ndryshëm. Kemi kënaqësinë të themi se Ftera është quajtur fshati, i cili për nga numri i banorëve ka arritur shifrën rekord në gjithë Shqipërinë për kuadro të larta. Brezi i ri i sotëm ruan dhe vazhdon traditën e dashurisë dhe humanizmit për njeriun e thjeshtë. Ftera vazhdon edhe sot ta ketë në gjak ndjenjën e arsimdashjes, i cili është evident në të gjitha familjet fteriote që banojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. janë qindra djem dhe vajza fteriote, të cilët na kanë nderuar dhe vazhdojnë të na nderojnë, kudo që jetojnë. Kjo eshtë tradita fteriote e trashëguar, tradita e punës së palodhshme për të fituar dije dhe kulturë dhe për ta përhapur këtë dije dhe kulturë anembanë, brenda dhe jashtë atdheut, gjer në Kanada dhe në Amerikën e largët. Fteriotët kanë intelekt natyral, janë edhe shumë të thjeshtë dhe popullorë.

Emri i fituar me dije dhe aftësi është gjithmonë më jetëgjatë se emri i fituar me mënyra të tjera. Dija i ka bërë bijtë e Fterës njerëz të virtytshëm, që dinë të qëndrojnë gjithmonë larg së keqes. Ç’është më kryesorja, fteriotët, ku janë e ku s’janë, kanë një mall dhe nostalgji të madhe për Fterën, jo vetëm ata që e kanë njohur dhe kanë kaluar fëmirinë atyre anëve, por edhe ata që nuk e kanë njohur, por u kanë treguar prindërit e tyre. Të gjithë fteriotët kanë ditur që t’u ushqejnë fëmijëve të tyre, së bashku me dashurinë për dijen dhe kulturën edhe dashurinë për fshatin e tyre të dashur, Fterën e varfër dhe të braktisur në këto vite.

100 emra enciklopedistësh fteriotë

në vijim flet për perspektivën e mëvonshme të vendlindjes së tij, për kulturën dhe arsimin, ndryshmet social-ekonomike, kulturat bujqësore, pemëtarinë, blegtorinë, banorët, emigrimin, pasuritë nëntokësore etj. Mato, po ashtu në vazhdim prezanton një enciklopedi emrash të 100 intelektualëve të fushave të ndryshme të fshati Fterë, duke dhënë nga një biografi të shkurtër, ku mund të veçojmë, si Bezhani Ismail Halil (1870-1965), ka studiuar në Stamboll, Bezhani Halil Hivzi (1877-1965), ndër intelektualët e parë kurveleshas me arsim të lartë; Bezhani Hivzi Refik (1917-1996), folësi i parë i Radjo Tiranës, poet, përkthyes; Lubonja (Ftera) Liri (1926), shkrimtare, gazetare. Bezhani Nedim Vehap (1934-12 2002), Prof. as. dr.i shkencave gjeologjike Mjeshtër kërkimesh në rrethet e Veriut. Braho Remzi Sezai, Prof. dr. Lindi në vitin 1939. Ka kryer studime pasuniversitare. Ka kryer studime pasuniversitaret në France,në Itali. ddega farmakologjisë mjekësore, në Rumani e Itali. Hizmaj Halil Fejzi (1948-2004), Mjek, Prof. dr. Studjues… Autor i shumë botimeve shkencore; Korkuti Muharrem Muzafer . Lindi në vitin 1936. Prof. dr, arkeolog i shquar. Kryetar i Akademisë së shkencave të Shqipërisë, Lubonja (Ftera) Liri (1926), shkrimtare, gazetare. Mato Halil Sulejman u lind më 1942, shkrimtar, poet, publicist, dramaturg, eseist, studiues, Ftera (Shehu) Fiqiret (1916-1997), aktor ,krijues, regjisor, gazetar, përkthyes. Mato Halil Jakup. 1934-2005. Ka titullin Prof. dr, studiues arti. Më 1969 emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës si specialist i letërsisë. Mato Remzi Agim. Ka lindur në vitin 1947. Është autor i shumë librave poetikë dhe një ndër poetët më të shquar të Shqipërisë, Xhama Lame Bardhyl . Lindi në vitin 1933, Mësues i merituar, shkrimtar, punonjës shkencor, gazetar. Sipas autorit Mato, Ftera ka edhe poet të shquar, si Agim Mato Vullnet Mato, Sergio Hizmo, Servet Dauti, Feksor Shkurti, Teno Lona, Maksut Callo etj.

Duke folur për Fterën dhe fteriotët sot, autori Mato thekson se në fshatin Fterë sot jetojnë rreth 430 familje dhe mbi 2000 frymë. Ftera ishte cilësuar si një ndër dhjetë fshatrat turistikë më të bukur të Shqipërisë. Le të ecim në rrugën e të parëve tanë. Le ta ruajmë me xhelozi dashurinë midis nesh si dhe atë traditë të mirë të miqësisë dhe të vëllazërisë, për të cilën na vlerëson bota.

Fterën tonë e ka bekuar zoti, dhe me ajrin e pastër dhe me burimet e shumta dhe klimen e saj te veçantë, bregdetare por dhe malore. Le t’i kthejnë sytë nga Ftera të gjitha ata të rinj e të reja që kanë mundësi të nisin një biznes me leverdi përfituese. Dhe ata qe jetojnë sot në Fterën tonë të na shohin më dashuri. Vetëm në këtë mënyrë ne do ta shpëtojmë nga vetmia dhe rrënimi ekonomik Vetëm me bashkëpunim dhe me ide të reja biznesi ne do ta kthejmë Fterën tonë në një vend atraktiv dhe me rëndësi ekonomike për të gjithë ata që e duan fshatin dhe kanë dëshirë të investojne në Fterë.

Vargje për Fterën dhe fteriotët të dala nga esenca e shpirtit

Një pjesë e këtij libri është i konceptuar me vargje që poeti i dedikon vendlindjes së tij, Fterës. Kapitulli titullohet, Poezi me motive nga Ftera

Sapo fillon të lexosh vargjet me poezi të konceptuara në këtë kapitull të këtij libri, ndjen thellësitë të një magjie tepër joshës që të mban peng. Ndjesitë që i tjetërsojnë këto vargje në shprehje pengu, janë dashuria e thellë që ndjen autori për vendlindjen e tij, Fterën e dashur, për të cilën sot ka aq nostalgji që traditën esencat e shpirtit të tij.

Po le të rikthehemi te analiza,vlerat, problematika e mesazhet që përcjell tek lexuesit vargjet që janë të përfshira në brendinë e këtij libri, me vlera thella dhe të ndërtuara me figura stilistike, plot metafora, që e i dhënë edhe më shumë frymë, më shumë jetë këtij vargu. Të gjitha vargjet me plot nostalgji të shpijnë tek magjia e vendlindjes, për të cilën poeti flet me shumë dashuri dhe dhembje, duke ruajtur kujtimet e pashlyeshme, vendlindje të cilën autori e ka lënë qysh në fëmijërinë e hershme dhe për të cilën poeti ka shumë mall. Duke i lexuar dhe rilexuar këto vargje poeti të kthen në retrospektivën e hershme dhe të kujton një thënie të shkrimtarit të madh të letërsisë shqipe, Sterjo Spasse, i cili ndër të tjera shprehet” “E kaluara është më e rëndësishme se sa e tashmja, sepse ajo harrohet”.

Në vendlindje poeti ndien aromën e këndshme bashkë me natyrën e bukur që e përshkon këtë vend, me një peizazh shumë atraktiv dhe tepër magjepsës që syri zor ta zë. Për poetin Ftera që Zilet e dhive tingëllojnë maleve, me këngën e bukur të bilbili që lumturon shpirtit e fteriotëve; me mbrëmjet që pikojnë me aromë yjesh; ku vdekja pihet ëmbëlsisht si verë; ku dëshiron të vdeksh pa u ndier; për një shtëpi me fik në oborr; për Fterën dhe fteriotët të lodhur nga mërgimi, të cilët tepër të përmallur dëshirojnë të kthehet aty për të shijuar këtë aromë, e cila u shuan mallin dhe i shton dashurinë për njerëzit e bukuritë e rralla të këtyre anëve.

Në poezinë me titullin”Kujtime fëminie” Mato shpreh mallin që e bren për Fterën e tij, të lënë ndërsa në moshë ishte një vjeç. Prandaj ai shkruan:” Binim të flinim dhe në dritare,/ skërmitej si fytyra e djallit Hëna./”Kul have ehad,/Allahu samed,/lemi jelid,/ velemi juled…” / Tek koka arabisht më pëshpëriste nëna./ Zgjohesha i trëmbur/ dhe prap në dritare,/ e verdhë si fytyra e djallit hëna.../ "Kul have ehad,/ Allahu samed/ lemi jelid, . velemi juled..."/ Tek koka arabisht më lutej nëna. (fq.95).

Janë dy poezi të tjera, të cilat domemos duhet veçuar, për vlerat e tyre ideoartistike po ashtu edhe fuqia shprehëse që ngërthejnë ato vargje, që shpërthejnë si erupcion nga ama e frymëzimit të poetit. Në poezinë, ”Ah, kjo shkollë”, poeti shpreh nostalgjinë që ka për shkollën e fshatit ku mori rrugën e dijes, nga një fëmijë i vockël, duke u bërë njeri i dutur dhe shkrimtar me zë.

Ishte një shkollë,ah, ishte një shkollë,/anash mullaga, ferra e shpëndra./Ka 60 vjet, s’e heq dot nga mendja,/Ka 60 vjet që më del dhe në ëndrra./Shtatë vjeç kur isha, atje kur shkoja/ herë nëpër shi, herë nëpër borë,/me dukej vetja se fluturoja,/te ajo shkollë, te ajo shkollë… (Fq/167).

Vargje që autori shkruan me gjithë shpirtin e tij dhe me një ndjesi të thellë, hasim te poezia, “Vajzës sime”, që autori i dedikon vajzës së tij:

Kur unë isha i vogël sa ti/nuk dija se ç’ishte drita elektrike./Njihja vetëm dritën e zbehtë të kandilit/dhe fenerët e stanareve që ndriçonin në brigje./Kur unë isha i vogël sa ti,/qumështin nuk e blenim si tani, me shishe,/e milnim direkt nga sisët e dhive./Kur unë isha i vogël sa ti,në një tas të drunjtë / dhe shtatë lugë drurishuanin të fëmijërisë uri... (Fq. 169).

Pra, poezitë e Matos kanë një natyrshmëri të thellë poetike dhe ngërthen vlera të mirëfillta dhe që lënë vulën e një kohe të caktuar, për një vend të caktuar që drithëron shpirtin e poetit Mato.

Tregime me motive nga Ftera që pasurojnë botën tregimtare të Matos

Në brendinë e këtij libri të konceptuar, autori Mato, ka përfshirë tregime për vendlindjen e tij. Janë tregime që pasurojnë edhe më shumë botën tregimtare të këtij autori. Në këto tregime shkrimtari Mato shpreh mbresat dhe vëzhgimet nga jeta e njeriut të vendlindjes së tij, natyra, peizazhet dhe çdo gjë që rrethon atë botë magjepsëse. Në mjaft tregime të tij një vend të mirë zë peizazhi,i cili ndihmon për zbulimin e botës së brendshme të njeriut.

Freskia e temave, rrëfimi i këndshëm, ndonëse shpeshherë i përshkuar me një natyrshmëri të pasur, shquhen në këto tregime të Sulejman Matos. Pra, tregimi “Xha Hivziu”, në lajtmotiv që është një përshkrim i goditur i jetës së Xha Hivziu, i cili kishte kaluar tetë dekadat e jetës dhe ishte në prag të vdekjes. Dhe qysh i vogël skrimtari kishte marrë vesh që hoxhë Hivziu ishte vëllai i gjyshit tij, mirëpo për familjen të gjithë e thërrisnim xhaxha. Pas studimeve të larta teologjike, me nota shkëlqyeshëm, xha Hivziu kishte lënë Stambollin dhe ishte kthyer në fshat të punonte arat me parmendë. I kishte kapërcyer të tetëdhjetat. Jetonte moshën e atyre njerëzve të cilët për kushedi çfarë arsyesh i kishte harruar dhe vdekja. Në të vërtetë vdekja nuk e kishte harruar dhe as anashkaluar. Sa herë që i rastiste të kalonte pranë banesës së tij, në fshat, i bënte paralajmërime serioze. “Hoxhë Hivzi... bën ç’të bësh dhe bëhu gati. Nuk i dihet kur vij herë tjetër”. E shoqja, Merjemja i kishte vdekur para gjashtë vjetësh dhe e kishte lënë të vetmuar. Pas vdekjes së saj, ai hapi edhe një gropë tjetër pranë varrit të saj. Gropën e varrit të tij. Njerëzit që kishin mbetur në fshat, u habitën. Përse e bënte hoxha këtë gjë. Në ditë Xha Hivziu u dërgon telegram dy djemve dhe vajzës, në mënyrë që ta vizitonin, sepse exheli i kishte i trokiste te dera. Dy djemtë që jetonin në Tiranë dhe vajza që jetonte në Vlorë mbërritën në fshat dhe Xha Hivziun e gjetën duke mjelë dhinë në vath. Xha Hivziu u gëzua shumë kur i pa ata. Djali i madh i kërkoi që të shkonte të jetonte, duke e sugjeruar se mjekët i ka afër dhe do të ketë mundësi që të vizitohet. Të nesërmen ata u nisën qysh herët. I lanë ushqime, para… Mbesa e tij, Anushja, e vizitonte xhaxhanë çdo mëngjes. Xhaxhai Hivziu shonte te varri i së shoqes dhe mbi varrin e saj sikur përkulej, sikur përfalej me shpirtin e saj. U ul në gjunjë pranë gropës së vet dhe në shikim dukej i kënaqur. Kishte mundur të vinte për herë të fundit gjer këtu. Po rregullonte për së gjalli banesën e përjetshme. Shkoi dhe u ul mbi një gur, hodhi sytë poshtë arave, u kaloi një vështrim të shpejtë ullinjve, më pas shikimin e hodhi larg, andje nga ku gumëzhinte deti i madh dhe i pagjumë. Pas ca javësh u shpërnda lajmi i hidhur, se Xha Hivziu kishte ndërruar jetë. Iu përkujtuan fjalët e thëna më herët: “Njeriu nuk vdes, ndërron vetëm banesë”.

Edhe tregimet tjerë, si Hallë Havaja, Kur hapeshin portat e qiellit, Koha e manave, Ngurrza, Mecani, Xhaxhai, Përroi i Hasubesë etj., sikur ngërthejnë të njëjtën frymë me ngjarje nga jeta që endej në vendlindjen e shkrimtarit, Fterën e bukur.

Tema e freskët dhe origjinale e këtij libri me tregime ka gjetur mishërimin e duhur artistik. Proza tregimtare në këtë kohë, siç u vërejt edhe mësipërm, ka pasur një zhvillim dhe përparim të dukshëm, falë penës së zjarrtë të shumë tregimtarëve të kohës, në mesin e tyre edhe të tregimtarit të shquar Sulejman Mato.
Njohja më e thellë e jetës, përkushtimi i palëkundshëm për të krijuar dhe dhuruar letërsisë shqipe libra të bukur me tregime, pra,më fjalë të tjera, përparimi i mjeshtërisë së këtij tregimtari (S. Matos), kanë përcaktuar arritjet e reja dhe të ndjeshme të krijimtarisë letrare, përkatësisht të prozës tregimtare. Prandaj, tregimet e këtij prozatori nuk mbahen mend vetëm ngjarjet e fuqishme apo tepër të jashtëzakonshme, mirëpo për refleks dhe reflektim të brendshëm. Ky refleks i brendshëm zakonisht shpërthen pahetueshëm dhe më shumë elegancë. Dhe pikërisht këto shkëndija reflektimesh të brendshme janë çastet më të bukura dhe për joshëse që bëjnë përshtypjen më të thellë dhe që merren dhe përvetësohen, të cilat mbahen të gjalla gjatë.

Edhe pse pothuajse të gjitha tregimet e shkrimtarit Sulejman Mato, që janë të përfshirë në libër, i përshkon një unitet në rrafshin përmbajtjesor, unitet që është në përputhje me individualitetin dhe natyrën e tij krijuese, edhe pse, pra karakteristikë e përbashkët e teknikës rrëfyese është prirja për të sprovuar, për ta nxitur rrezatimin e impulseve dhe reflekseve të botës së brendshme të njeriut, pra përpos kësaj kompaktësie dhe homogjiniteti të materies së trajtuar në vargun e shkurtër dhe të formësimit të tij, mund të vërehen disa veçanti dalluese nga një grup në një grup tjetër tregimesh.

Shkrimtarit S. Mato, këto karakteristika të veçanta të prozës së tij të shkurtër i shërbejnë si sfond, brenda të cilit njerëzit më lehtë dhe shumë më qartë lejojnë të përgjohen brenda tyre. Për më shumë, hapësira tematike e lidhur me këtë çështje bosht, në relacionin qendër-periferi etj., pothuajse që e bën të pamundshëm futjen në brendinë e qenies që preokupon atë.

Përmes prozës së Matos derdhën dhe gërshetohen një mori nuancash shpirtërore, si pasuri e pashtershme e botës dhe e shpirtit njerëzor.

Në vend të përfundimit:

Libri, “Ftera në sytë e mi” i shkrimtarit Sulejman Mato, është ky, pra, libër reminishencës, i kujtimeve, i plagëve, i dhembjeve, por edhe i dashurisë më subtile qe shkrimtari ka për vendlindjen e tij, Fterën, për të cilën ka shumë mall, një mall që akoma e përvëlon, për njerëzit, shkollën, malet, detin, varret..., që poeti i merr si subjekt tematik dhe i vë në letër. LIBËR I GJALLË I JETËS.

Në këtë libër hasim pjesën më idilike, por edhe më me dhembje të përvojës dhe përjetimeve të Poetit Mato, por edhe më domethënëse të jetës së tij. Libri ka vlera të rëndësishme dhe me interes shumëdimensional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat